Faraonit s'ka kush t'i shkruajë

Edon Qesari

Fillimi i kësaj jave shënoi përzgjatjen e gjendjes tejet të nderë që paraqet Egjipti, qëkur Presidenti Hosni Mubarak nuk është më i plotfuqishmi i vendit. Dje, një gazetë franceze e tregoi si të tillë në pasqyrën e saj: "Ndjesi fund mbretërimi" (Atmosphère du fin de règne), titulli ndoshta më i gjetur për të shpjeguar groposjen e një regjimi që prej 30 vjetësh dukej i padiskutueshëm. Gjithë ç'po haset nëpër rrugët e Kajros, është shprehia më e dukshme e  plogështisë, por edhe papritshmërisë, me të cilën Mubaraku po i bën ballë sfidës. I ardhur nga radhët më të larta të hierarkisë ushtarake – mban titullin e mareshalit të aviacionit – Presidenti egjiptian, që prej vitit të largët 1981 mishëronte gjithë pushtetin e një autokracie tipike arabe. Fitili i demonstratave të nisura në Tunizi, rrjedhshëm kaloi në Egjipt pikërisht në sajë të politikës tejet centrifugale që Mubaraku prej dekadash i kishte urdhëruar vendit të tij. Shumëkush në shtypin perëndimor e pat cilësuar si një faraon dhe dyshimet se po përgatitej t'ia trashëgonte pushtetin të birit Gamal, veç sa vërtetuan hamendjet. I të njëjtit soj si homologu i tij tunizian Ben Ali, edhe faraoni egjiptian gëzonte namin e një mirëqenieje relative mbi popullatën e vendit të famshëm turistik, por edhe ngarkohej me paditje të shumta për autokraci. Shprehimisht i mbështetur nga europianët, i përkëdhelur nga amerikanët dhe i trajtuar si mik nga izraelitët, Hosni Mubarak për vite është parë si shprehje e moderuar e atyre regjimeve arabe që pëlqeheshin në Perëndim. Ndrojtja me të cilën  vendet perëndimore po i përgjigjen diplomatikisht çoroditjes së fundme egjiptiane, rrjedh prej kësaj arsyeje. Autoriteti në politikën e jashtme – shpeshherë i cilësuar si njeriu kyç në procesin e paqes në Lindjen e Mesme – me sa duket pak gërshetohet me zvetënimin që ka pësuar fytyra e tij para vetë egjiptianëve. Duke qenë se Mubaraku trupëzon sot cilësitë më tipike të një regjimi autokratik arab, ndjesia e rënies së tij në batak, pa dyshim tremb edhe sivëllezërit e tij në vende të tjera të rajonit. Nga Jordania (më demokratike) deri në Sudan (më autokratik), Egjipti po merret si shembull i përkryer i "ngrysjes së perëndive" të shkretëtirës – duke perifrazuar një vëllim të famshëm të Kadaresë. Por analiza do të ishte dritëshkurtër nëse nuk do të merrnim për bazë faktorin perëndimor dhe ndikimin e tij në këto ngjarje të fundit. Sot Perëndimi ka plot dy arsye, kundërshtuese me njëra-tjetrën, për të nxitur rënien apo për ta mbajtur në pushtet Mubarakun.

Të hënën pasdite, Forcat e Armatosura egjiptiane dhanë të kuptohej se nuk do e mbështesin me çdo qëllim "mbretërimin" e Presidentit. Turmat që ndërkaq përditë sfidojnë oraret e gjendjes së jashtëzakonshme, edhe pse jo haptazi, morën dorështrëngimin e institucionit qendror dhe më të respektuar në Egjipt. Fenomen paksa i përhapur ky i fundit, pasi edhe në Tunizi rënia e Ben Aliut u pa sidomos pas akteve të mosbindjes nga ana e ushtrisë. Ogur i keq pra për Mubarakun, pasi ai vetë ia përkushton ngritjen dhe qëndrimin në pushtet pikërisht këtij institucioni, të cilin, me rastin e demonstratave, e ka përkëdhelur së fundmi jo pak. Dy hierarkë të lartë ushtarakë janë emëruar së fundmi në dy karrige qendrore të shtetit egjiptian. Si zëvendëspresidenti (deri dje as që ekzistonte si post) ashtu edhe Kryeministri i ri vijnë nga karriera të shquara brenda aparatit ushtarak vendas. Emërimi i tyre krijon ndjesinë e kuptueshme se Mubaraku do t'i mbajë mirë dhe shtrënguar marrëdhëniet me Forcat e Armatosura, megjithëse në këtë mes ka një cen të fortë. Si zv/presidenti Sulejman ashtu edhe kreu i ekzekutivit, Shafik, janë të mirëbesuarit e tij dhe kaq lehtë nuk mund t'ua hedhësh turmave. Nën fasadën e ndryshimit të pjesshëm, faraoni egjiptian nuk e ka kuptuar se gjendja është edhe më radikale se në Tunizi. Atje, protestat u bënë anti-Ben Ali veçse pasi ky i fundit tregoi mospërfillje për ç'ka reklamohej nga turma si kërkesa të karakterit ekonomik. Këtu, duke pasur edhe para syve rastin tunizian, egjiptianët kanë zbritur në shesh me parullat shprehimisht të drejtuara kundër Presidentit. Deri tash, amerikanët, dhe europianët në vijim, kanë këshilluar një "tranzicion të butë", nënkuptimi i të cilit është shumë i vaktë. Ndërkaq, një figurë e cilësisë më të lartë të opozitarizmit egjiptian si Muhamed El Baradai, ka dhënë gatishmërinë e tij për ta udhëhequr vendin drejt një situate "post-Mubarak". Diplomat karriere, El Baradei pritet të luajë në dy fusha të kundërvëna politikisht. Nga njëra anë, ai mbetet një liberal i bindur properëndimor, ndërsa nga ana tjetër, të paktën në respektueshmërinë e brendshme egjiptiane, ky zotëri po thekson gjithnjë e më tepër ndjenjën e disidencës që ka prej vitesh ndaj regjimit të Mubarakut. Parandalimi i një shkallëzimi të rrezikshëm drejt shembullit tunizian, duket se po përkrah aspiratat politike të El Baradeit, në një vend ku interesat perëndimore janë edhe më të mëdha se në Tunizi. Vetë dukuria e tërheqjes të ndrojtur nga ushtria, institucioni më i majmur në vend me financime perëndimore, shpreh ndoshta një pozicion, që po aq ndrojtshëm, tashmë Perëndimi ka marrë.

Nga ana tjetër janë disa qasje thelbësore që duhet dhe e frikësojnë faktorin perëndimor në Egjipt. Nuk ka dyshim se "revolucionet" e Lindjes së Mesme kanë prurje risish në shumë vështrime. Si në Tunizi, ashtu edhe në Egjipt (e ndoshta nesër në Jordani e Liban) ato janë sipërmarrje e disa të rinjve, të organizuar në internet e të thirrur në shesh me “Facebook”. Karakteri i tyre, vërejnë vëzhguesit e afërt, mbetet laicist dhe frika e rrëshqitjes në një ideologji fondametaliste islamike nuk qëndron. Për dekada, Perëndimi i ka përkrahur diktatorë si Mubaraku pikërisht në saj të këtij makthi: që kërkesa për reforma e demokraci të ishte veçse zanafilla e një retorike radikale islamiste. Vëllazëria Myslimane, organizata më e madhe opozitare në Egjipt, mishëronte prej kohësh këtë frikë, edhe pse sot ajo nuk është në pararojë të demonstratave në Egjipt. Mund të shtojmë se, në këtë drejtim, Mubaraku ka qenë një mik i vyer për Perëndimin. Gjithmonë i gatshëm për të përkrahur procesin e paqes në Palestinë, po aq mikpritës ka qenë ai edhe për prirjet perëndimore brenda ekonomisë egjiptiane, të shenjuara nga rritja e turizmit dhe investimeve, të cilat sot kanë krijuar një middle-class të emancipuar dhe të shkolluar në vend. Gjendja egjiptiane, ashtu siç e nisëm këtë analizë, mbetet jashtëzakonisht e nderë, por ajo nuk meritonte këtë hutesë të padjerrur nga ana amerikane. Uashingtoni nuk mund të mjaftohet kurrsesi më ato kumtesa të thata që ka bërë në drejtim të Mubarakut, duke i thënë këtij të fundit se protestat duhen lënë të lira. Siç kujton Giovanni Sartori, e njëjta këshillë iu dha edhe Shahut të Iranit në vitin e largët 1979, paralelizëm gjithmonë e më i përmendur ditët e fundit. Sesi rrodhën ngjarjet, e dinë vetëm ato viktima që ende sot dergjen nën petkun e republikës së ashtuquajtur islamike të Khomeinit. Administrata “Obama” duket se në thelb i trembet këtij skenari në Egjipt, i cili mban në prapaskenë Vëllazërinë Myslimane. Mos harrojmë se kjo e fundit, në vitin 1981, e ka vrarë një President egjiptian, fajtor i vendosjes së paqes me Izraelin. Vetë Mubaraku, në mbrojtje të namit të keq si properëndimor ka mbi shpatulla të paktën gjashtë atentate të dështuara.  Por fundja, amullia amerikane duket në disa drejtime dhe s'mjafton të thuhet vetëm se diplomacia e saj ka dy standarde (meqë flasim nga Shqipëria). Në rastin më të vogël, në Egjipt kemi të bëjmë realisht me një Burrë Shteti të regjur edhe me diplomatë që hedhin deklarata të ndrojtura ose të nxituara. Prandaj ai nuk mund të likuidohet sot pa pasur parasysh pasoja tejet të rënda, të cilat nuk mund të zgjidhen dot vetëm duke marrë një avion rikthimi për raport urgjent në Uashington

Posted via email from Shkupi Press extra