Nga Ernesto Galli della Loggia (Corriere della Sera
Italia është një vend, i cili edhe pse ndodhet thuajse në prag të fushatës zgjedhore, opozitës së saj i mungon rishtas një udhëheqës i mirëfilltë që t’i kundërvihet udhëheqësit të kampit të kundërt politik, domethënë Silvio Berluskonit. Kjo ka të bëjë si me opozitën e majtë ashtu edhe me atë të qendrës: megjithatë për arsye pjesërisht të njëjta. Problemi i përbashkët qëndron te fakti se të dyja kampet opozitare kanë përbërje heterogjene: secila
është e ndarë më tresh, më katërsh, apo edhe prej më shumë subjekteve të ndryshme politike, të cilave u duhet të gjejnë një gjuhë të përbashkët për të garuar politikisht: një sfidë që, siç edhe kuptohet, nuk është aspak e lehtë.
Por, nëse kjo është problematika që ndajnë së bashku qendra dhe e majta, e majta nga ana e saj ka edhe një problem më tepër. Formacioni politik më i rëndësishëm opozitar nuk ka një udhëheqës të mirëfilltë, nuk ka kokë. Kur them kokë, e kam fjalën për një udhëheqës politik që të shfaqet i aftë të marrë vendime bindëse dhe të zbatueshme për të gjithë, pasi ai duhet të gëzojë një lloj konsensusi që nuk mund të negociohet rast pas rasti dhe të mbetet gjithmonë në kërkim të kompromisit të radhës.
E kam fjalën për këto cilësi që i gjori Bersani nuk i ka. Nuk është faji i tij. Të majtës italiane ia ka munguar prej kohësh roli i udhëheqësit të mirëfilltë; edhe kjo është një prej arsyeve, por jo e fundit, që një parti e tillë është e çalë, që shfaqet e pasigurt në hapat që hedh - madje aq e pasigurt sa zbeh besueshmërinë edhe jashtë radhëve të saj - si edhe e paaftë të flasë me një zë të vetëm.
Ka tri arsye kryesore për këtë fat të keq që e ndjek pas këtë formacion politik: Arsyeja bazë lidhet me kulturën e saj politike, me mënyrën se si i përqaset dhe përndjen popullin, ngaqë tek e majta italiane fanitet një pabesueshmëri e plotë ndaj vetvetes. Pikërisht ajo e ka mjaft të nevojshme pasjen e një kryetari të mirëfilltë. Zhvendosja ideologjike e elektoratit të së majtës pasrendëse qysh prej rënies së komunizmit ka pasur domethënien e saj: daljen në pah të një demokratizmi të rrejshëm, anti-hierarkik, që shquan tek çdo lloj ushtrimi të autoritetit një lloj autoritarizmi të fshehur.
Që nga admirimi ndaj kryetarit të padiskutueshëm që e skicon Partinë me ‘p’-të vogël dhe që vendos për gjithçka (Togliatti, Berlinguer) është “kaluar ylberi” dhe ka dalë tek ideja kryekëput e kundërt, ku gjithkush mund të vendosë për gjithçka (e kush nuk bie në një mendje shuhet nga historia e saj politike). Nga pritshmëritë historike të daljes në pah “me shanse të barabarta” (pas “Mani pulite”), u shpërfaq idhujtaria ndaj statutit, ku i gjithë kuptimi i përbashkët i së majtës ndikohej nga rregulloret, nga abstraktja, nga çdo lloj dyshimi të shprehur ndaj çdo lloj përmbajtjeje apo pushteti që lidhej me individin. Urrejtja për Berluskonin e ka përplotur këtë dukuri, duke marrë rolin e arbitrit ndaj çdo lloj realiteti udhëheqësie. Si rezultat, e majta italiane është vetë-ndëshkuar nga masokizmi, duke mohuar rolin kyç që luan në politikë pasja e një koke (kryetari).
Mungesa e një kryetari që nuk shquhet mirëfilli në radhët e së majtës italiane ndodh edhe për një arsye të dytë: këtij formacioni politik i mungon prej kohësh një program i vërtetë politik, me pika konkrete ku të profilizohet identiteti i saj, me propozime konkrete për t’iu drejtuar elektoratit. Për pasojë, e vetmja gjë që ngjall debat në radhët e të majtës italiane - në fakt, ne radhët e saj zor të thuhet se zhvillohet debat i brendshëm, pasi si për
gjithçka edhe në këtë rast debati mes radhëve tkurret vetëm në dhënien e intervistave dhe deklaratave për shtypin - është vetëm gjetja e taktikave efikase për të rrëzuar nga pushteti Berluskonin dhe aleatët e tij.
Mbartëse e shumë pritshmërive dhe idealeve shpesh edhe mjaft të ndryshme nga njëra-tjetra, e majta italiane nuk ia del dot mbanë të diskutojë realisht për asgjë, pasi ka frikë se nuk bie në një mendje po për asgjë. Pikërisht kjo lloj arratie ndaj programeve konkrete e të përbashkëta dhe debatit të njëmendtë, ngërthen në mënyrë të pashmangshme mungesën e një beteje të vërtetë politike në vetë gjirin e partisë, mungesën e marrjes së pozicioneve të qarta politike që lidhen në mënyrë të drejtpërdrejtë me personin që i ndërmerr. Për rrjedhojë, pamundësia e formimit të mazhorancave të vërteta rreth një programi dhe qark një personaliteti. Pikërisht këtu vërehet pamundësia e shpërfaqjes së një udhëheqësi të vërtetë. E në vend të tij, përkundrazi, tubohet një oligarki e
shkëputur nga çdo lloj përgjegjësie politike, që nuk tundet vendit, që hyn e nuk del më, ku të gjithë zënë vendet, me radhë, duke shtënë në dorë të gjitha pozicionet politike, apo thuajse të tëra, çka pjell një pandryshueshmëri të skicuar prej kompromiseve të radhës.
Mekanizmi që funksionon nuk është ndërtuar aspak për të rënë në një mendje për të vlerësuar më të aftin e më të zellshmin. Është më tepër një mekanizëm që i jep jetë mediokritetit. Nga ky model i shfaqur, tashmë i konsoliduar dhe i kuptueshëm, zor se do të ketë ndonjë që edhe me dëshirë të vagullt të luajë me rregullat e lojës së deritanishme për t’iu kundërvënë sistemit, që më pas të rrezikojë të mbetet mënjanë e të humbasë gjithçka.
Në një parti ku nuk ka debat të mirëfilltë politik, ku beteja politike nuk zhvillohet për propozime e kundër-propozime konkrete, ku nuk ka asnjë lloj identiteti programor, askujt nuk i shkon ndër mend të vërë bast me bollëk idetë e tij. Askujt nuk i shkon ndërmend të mbahet fort tek fakti se e nesërmja do të na japë të drejtë, se duhet të rrimë kështu siç jemi sot për sot, ngaqë nesër do të na trokasë fati në derë për udhëheqësinë e dëshiruar. Për të majtën italiane është pikërisht rruga pa krye që pamundëson gjetjen e një udhëheqësi të njëmendtë për të dalë në krye. Për të mos thënë që ‘ai’ nuk shquhet në horizont.
E vërteta na vret sytë prej shumë kohësh. Pranisë së gjithkahshme të një kryetari super të spikatur të së djathtës, e majta i kundërpërgjigjet me një mosprani dhe zbehtësi të udhëheqësisë së mirëfilltë. Pikërisht për këtë arsye ushqehet makutërisht anomalia italiane: anomali që po na shpie drejt rrokopujës.





