Era e ndryshimeve në Lindjen e Mesme

The Independent

 

Qysh nga dita kur presidenti tunizian Ben Ali u përkul deri në atë pikë sa u thye në mes, e më pas ia mbathi nga vendi i tij për të gjetur strehë në Arabinë Saudite, pyetja që ngrihej nuk konsistonte edhe aq tek fakti se çfarë do të ndodhte më pas me Tunizinë, por nëse kryengritja popullore e atjeshme do të shndërrohej në një katalizator të pakënaqësive të mbledhura diku gjetkë. Ka afro dy javë që presidenti tunizian është përmbysur nga pushteti, e tashmë ka nisur të ravijëzohet përgjigja e pyetjes së parashtruar: nga Algjeria fqinje, nga Jordania, por më qartë e më në mënyrë më të përcaktuar, nga Egjipti.
Protesta në qendër të Kajros, e cila nisi në mbrëmjen e së martës, u zhvillua normalisht gjatë ditës së mërkurë dhe u bë më rastësore në ditët e më-pasme të javës së shkuar, ishte e pazakontë për nga shkalla e përqendrimit kryesisht në kryeqytetin e vendit, por ka pasur demonstrata edhe në qytete të tjera të Egjiptit, përfshirë edhe qytetet që po rriten me shpejtësi pranë “Delta”-s, si dhe provincës së Asyutit, në jug të vendit. Një nga katër viktimat ishte ajo e Suezit.
Ashtu si edhe demonstratat e zhvilluara në Tunizi, edhe ato të Egjiptit ngjallën mjaft interes dhe shfaqën një shkallë të lartë të zemëratës popullore; ashtu si edhe në Tunizi, edhe në Egjipt protestuesit ishin kryesisht të moshës së re dhe i përkisnin gjinisë mashkullore, shto këtu edhe faktin që përfshirja masive e shtresave të ndryshme të popullatës u mundësua dhe u bashkërendua kryesisht përmes mjeteve elektronike, internetit dhe telefonave celularë. Demonstruesit egjiptianë nuk kërkonin kurrfarë ndjese, ata marshuan dhe kërkuan fundin e presidentit Hosni Mubarak që kishte sunduar vendin përgjatë 30 viteve, duke u mbështetur në shembullin tunizian.
Reagimi i autoriteteve egjiptiane nuk ndryshon aspak nga reagimi i cilitdo regjimi shtypës që ndihet i kërcënuar: nxorën në shesh trupat policore dhe forcat speciale. U vendos ndalimi i protestave të mëtejshme. U thirrën për ndihmë forcat në raste emergjencash. Mbetet për t’u parë se sa frytdhënëse do të jenë masat e ndërmarra. Sidoqoftë, ka diçka që nuk mund të zhbëhet më: është thyer tabuja – është sfiduar sundimi i Hosni Mubarakut - ndërkohë që mesazhit të lëshuar nga Tunizia i është vënë veshi nga çdo lloj shtrese shoqërore në vend.
I njohur si ‘vendi lider i rajonit’, Egjipti ka një popullsi prej 80 milion banorësh dhe vuan nga të njëjtat probleme ekonomike e demografike që shqetësojnë rajonin në tërësi. Nëse ky vend krenar, edhe pse të tronditur, do të lëvizë vendit, qoftë edhe duke u orvatur, nuk do të jetë vetëm Afrika e Veriut që do gjendet përballë ndryshimeve të thella, por edhe e gjithë Lindja e Mesme dhe përtej saj.

Posted via email from Shkupi Press extra