Dhe lirshëm rrjedh Nili

Nga Jaswant Singh


 

Për 18 ditë, gjatë baticës dhe zbaticës së protestës, nuk dukej e mundshme, se fundi i Revolucionit egjiptian do të përfundonte aq përnjëherë, me një deklarim të shkurtër, i cili nuk zgjati më shumë se një gjysmë minute: “Presidenti Husni Mubarak ka dhënë dorëheqje...” Me këtë, në mes të brohoritjeve të fitores, përfundoi një epokë, e cila edhe në herë e vërteton një fjalë të urtë, se “varrezat e botës janë përplot me njerëz që mendojnë për vetveten se janë të domosdoshëm për kombet e tyre”.
Në ditët dhe javët e ardhshme mund të ndodhin ngjarje, ku lajmet nga Kajro nuk janë më të rëndësishme, por të mos harrojmë asnjëherë se Egjipti e ka bërë një hap të madh, i cili në të vërtetë është një hap i madh për të gjithë arabët. Pas gjithë kësaj, Egjipti është zemra, truri dhe qendra nervore e botës arabe. Vërtet dikur e ka nxjerrë edhe Vëllazërinë Myslimane radikale, por ai është edhe vendi i lindjes së socializmit dhe antikolonializmit islamik, i unitetit arab dhe tani e afirmimit demokratik të vullnetit të popullit. Fjalët e dëmshme se arabët nuk duan demokraci, u zbuluan si një gënjeshtër e madhe, e cila edhe është. Në fjalët e paharrueshme të poetit të madh bengalez, Rabindranath Tagore, Egjipti është vendi, “ku koka (tani) mbahet lart dhe zemra (tani) është pa frikë...” kjo do të ketë pasoja të mëdha. Territore të lashta arabe u ngjallën. Autokracitë të vjetra me dekada, në dukje të palëvizshme, konstatojnë se fuqia e tyre është hequr nga menteshat; ndryshimi po hyn në mjedisin e tyre statik. Traktatet e djeshme, para së gjithash ato me Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Izraelin, nuk do të ngjallin një lloj të besimit, të cilin kohë të gjatë e kishin si instrument të politikës shtetërore.
Kujtimi për këto 18 ditë është aq i plotë, saqë është e vështirë që një ngjarje të ndahet nga tjetra, një fazë nga tjetra: dramatikja, e lëvizshmja, e çuditshmja dhe jorealja nga trivialja. Por filli, i cili i bashkonte të gjitha, tema që pagabueshëm mbetej konstante, ishte malli për “ndryshim” – drejtpërdrejt, reale dhe e kapshme, jo një premtim apo një vegim torturues, i paarritshëm.
A do të shpërndahet ky mall përtej Nilit, siç e bëri tashmë nga Tunisi në Kajro? Kjo pyetje mundon qendrat e tjera arabe të fuqisë. Dhe jo vetëm arabe; globalisht, politikat e jashtme po bëhen ngutshëm – dhe në mënyrë pak konfuze – përpunohen dhe rishkruhen. Prandaj lëkundej politika amerikane aq hutueshëm mes ministres së Jashtme Hillary Clinton “Mos u ngutni se përndryshe lëvizja pro-demokratike mund të keqpërdoret” dhe thirrjes së prekshme të presidentit Barack Obama për një “ndryshim të menjëhershëm”. Natyrisht që parashtrohet një pyetje serioze për Këshillin Suprem që tani sundon të Komandës së Lartë Ushtarake në Egjipt: Si munden ata që e imponuan status quo-n ta nxisin ndryshimin? Mirëpo, fundja, sundimi ushtarak është vetëm një masë e përkohshme, apo së paku kështu e kuptojmë. Poeti i madh tunizian Abu al-Kazim ash-Shabi e ka kapur prekshëm frymën e sagës egjiptiane: “Nëse njerëzit një ditë e duan jetën, atëherë fati do të ngrihet... nata do të zhduket, zinxhirët do të këputen...” Kjo është në thelb ajo që kanë bërë të rinjtë në Egjipt. Shprehja e tyre është moderne; veglat që ata i përdorin për ndryshim, janë mediet e sotme elektronike. Ata – dhe ne – jemi shumë larg nga bota, të cilën Mubaraku dhe i madhi Gamal Abdel Naser e njihnin dhe e kuptonin.
Revolucioni Egjiptian gjendet tani para një detyre të vështirë, me të cilën u konfrontuan të gjitha revolucionet e suksesshme: si të definohet e ardhmja? Sikur copëtimi i Perandorisë Osmane më 1922 apo si rrëzimi i regjimit të mbretit Faruk nga Naseri më 1952, duhet të formohet edhe ndryshimi aktual. Dhe se si do të formohet kjo e ardhme, vendoset nga ajo se a shënon apo jo fundi i Mubarakut fillimin e një ndryshimi politik në tërë Lindjen e Mesme. Kjo është mundësia që i shqetëson qeveritë nga Uashingtoni deri në Pekin. Jo vetëm siguria e Kanalit të Suezit dhe eksportet e naftës janë tash në dyshim; përcaktimet strategjike që me dekada ishin stabile, tani duhet përsëri të rishqyrtohen. Një shembull është Izraeli, i cili ngjarjet në Kajro i ka vëzhguar me një shkallë të brengosjes, të cilën së fundi e ndjeu në janar 1979, kur Ajatollahu Ruhollah Komeini rrëzoi shahun e Iranit. Ky ankth strategjik u kushtoi Izraelit dhe SHBA-ve me aleatin e tyre më të ngushtë në regjion, i cili shpejt u transferua në një armik të paepur.
Dy luftërat e fundit të Izraelit – kundër Hezbollahut në Liban më 2006 dhe kundër Hamasit në Gaza më 2009 – drejtoheshin kundër grupeve që financoheshin, furnizoheshin dhe trajnoheshin nga Irani. Haptazi, tani lihen anash edhe bisedimet izraelo-palestineze, ngaqë Izraeli është përqendruar në zhvillimet në Egjipt. Para së gjithash, Izraeli duhet të pyesë veten se a do t’i përmbahet marrëveshjes paqësore me Egjiptin, dhe, nëse jo, si do ta zbatojë ristrukturimin e nevojshëm masiv të pozitave të tij mbrojtëse.
Por, nuk është vetëm fati i Izraelit që e trondit deri në palcë sidomos politikën amerikane. Egjipti, fundja, ishte tri dekada gur i themelit i aktit amerikan të balancimit në Lindjen e Mesme – dhe në botën islamike. Marrëveshja paqësore izraelo-palestineze e mbante Egjiptin neutral në mënyrë komfore, ashtu që SHBA-të ishin të lira që t’i angazhonin resurset e tyre strategjike në vende të tjera. Në anën tjetër Egjipti me përkrahjen masive të ndihmës amerikane, ruante regjionin nga një zjarr i madh, edhe pse konflikti izraelo-palestinez vazhdonte të mbizotëronte. Ky është thelbi i dilemës për SHBA-të: ata duan që aparati bazik i shtetit egjiptian të mbijetojë, ashtu që leva e fuqisë të mos bjerë në duar të gabuara. Për këtë SHBA-të duhet të tregojnë se e mbështesin kërkesën e opinionit për një ndryshim, por duhet të shmangin që të identifikohen me një moslëvizje politike.
Reagimet e Obamës japin shkas për qetësim. Dorëheqjen e Mubarakut ai e quajti demonstrim të “fuqisë së dinjitetit njerëzor” dhe shtoi “se populli egjiptian ka folur, zëri i tij u dëgjua, dhe Egjipti nuk do të jetë asnjëherë më i njëjti”. Mirëpo, asgjë që ka thënë Obama apo dikush tjetër, mund të përgjigjet në pyetjen që i preokupon tani zyrtarët më të lartë amerikanë: A do të çojë vendosja e sovranitetit popullor në Egjipt pashmangshëm në antiamerikanizëm?

Jaswant Singh është ish-ministër i Financave, i Jashtëm dhe i Mbrojtjes i Indisë. Komenti është botuar së pari në rrjetin botëror të gazetarisë “Project Syndicate”

...

Posted via email from Shkupi Press extra