Botohet në shqip “BOTA PAS-AMERIKANE” , libri i fundit i FAREED ZAKARIA -s

         

Botohet në shqip
“BOTA PAS-AMERIKANE”

libri i fundit i  
FAREED ZAKARIA -s
Autorit të librit “E ardhmja e lirisë: demokracia jo-liberale në botë e në vend 

 Autori: Fareed Zakaria 
TitulliBota Pas-Amerikane
Përktheu nga anglishtjaMaklen Misha
Numri i faqeve248
Çmimi800 lekë
Botues: IDK

           

Një libër provokues dhe i mprehtë ... që sjell një tablo të qartë të një bote globale që po ndryshon me shpejtësi drite ...
New York Times

Libri më aktual i vitit
Financial Times 

Një libër i rëndësishëm, që të bën të mendosh ... lexoni Zakarian që të kuptoni ç’ka ndodhur dhe çfarë do të ndodhë.
Observer 

            Dy vjet pas suksesit të madh që pati në mbarë botën, por dhe në Shqipëri, libri “E ardhmja e lirisë”, Botimet IDK sjellin në shqip librin e fundit të këtij autori, të konsideruar sot një ndër komentatorët më me ndikim në politikën ndërkombëtare.

Fuqia po zhvendoset nga Perëndimi drejt pjesëve të tjera të botës.
Zhvillimi i vendeve të tilla si India, Kina, Brazili, Rusia, Afrika e Jugut po krijon një panoramë të re në skenën botërore. Sot ndërtesat më të larta, digat më të mëdha, telefonat celularë më të avancuar s’bëhen më as në Amerikë e as në Europë. Të gjitha këto vende janë duke fituar një besim politik e një krenari kombëtare që s’e kishin më parë, duke bërë njëkohësisht të lindin mjaft probleme të reja.
A përbën kjo një mundësi apo një kërcënim? Libri i Fareed Zakarias, përpiqet t’i jap përgjigje kësaj pyetjeje me mprehtësinë e tij tashmë të njohur. Me kthjelltësi dhe thellësi, ai tregon sesi Perëndimit i duhet të ndryshojë strategjinë e tij globale, duke u larguar nga pozitat e tij hegjemone për të pranuar e njohur se në botë sot po ndodh një zhvendosje sizmike e fuqisë. E ardhmja me të cilën përballemi është ajo e një bote pas-amerikane.


Fareed Zakaria (1964) autor dhe gazetar indiano-amerikan, i konsideruar sot si një nga analistët më me ndikim të politikës së jashtme. Pas një karriere të gjatë si drejtor i revistës së njohur ‘Newsweek, së fundi Zakaria hoqi dorë nga kjo punë, për t’iu kushtuar drejtimit të një emisioni në CNN, duke shkruar njëkohësisht rregullisht dhe për ‘Time Magazine’ dhe ‘Washington Post’.
Fareed Zakaria

Bota pas-amerikane

E përktheu nga anglishtja Maklen Misha



Zhvillimi ndodh sa herë që një sfidë ngjall një përgjigje të suksesshme e cila, nga ana e vet, sjell një tjetër sfidë të ndryshme. Ne nuk kemi gjetur ndonjë arsye thelbësore përse ky proces nuk duhet të përsëritet deri në pafundësi, edhe pse është fakt historik se një pjesë e madhe e qytetërimeve s’ia kanë dalë ta bëjnë këtë.
                                                                                                                         Arnold J. Toynbee
                                                                                                                         A Study of History



PËRMBAJTJA

  1. Ngritja e pjesës tjetër
  2. Kupa mbushet
  3. Një botë jo-perëndimore?
  4. Sfiduesi
  5. Aleati
  6. Fuqia amerikane
  7. Qëllimi i Amerikës
      Shënime
            Falënderime
            Indeksi


1. 

Ngritja e pjesës tjetër


Ky s’është një libër për rënien e Amerikës, por një libër për ngritjen e të gjithë të tjerëve. Është një libër për shndërrimin e madh që po ndodh anembanë botës, një transformim për të cilin ndonëse diskutohet shpesh, vazhdon të mos ende kuptohet mirë. Dhe kjo është e natyrshme. Ndryshimet, madje edhe ndryshimet e mëdha, ndodhin gradualisht. Pra ndonëse flasim për një epokë të re, bota vazhdon të na duket njëlloj siç e kemi njohur. Por në fakt, ajo është shumë e ndryshme.
             Gjatë pesëqind viteve të fundit ka pasur tre zhvendosje tektonike të fuqisë, ndryshime themelore në shpërndarjen e pushtetit që e kanë rimodeluar skenën ndërkombëtare, në planin politik, ekonomik dhe kulturor. E para qe ngritja e Perëndimit, një proces që filloi në shekullin e pesëmbëdhjetë dhe që pati një përshpejtim dramatik aty rreth fundit të shekullit të tetëmbëdhjetë. Ky proces prodhoi epokën moderne ashtu siç e njohim atë sot: shkencën dhe teknologjinë, tregtinë dhe kapitalizmin, revolucionin bujqësor dhe atë industrial. Ai hodhi, po ashtu, bazat e predominimit të gjatë politik të kombeve të Perëndimit.
Zhvendosja e dytë, që ndodhi gjatë viteve të fundit të shekullit të nëntëmbëdhjetë, qe ngritja e Shteteve të Bashkuara. Pak kohë pas industrializimit të tyre, Shtetet e Bashkuara u bënë kombi më i fuqishëm që kish ekzistuar që nga koha e Romës perandorake dhe i vetmi komb që qe më i fortë se çdo aleancë e mundshme mes kombeve të tjerë. Gjatë pjesës më të madhe të shekullit të fundit, Shtetet e Bashkuara kanë dominuar ekonominë, politikën, shkencën dhe kulturën globale. Gjatë njëzet viteve të fundit, ky dominim s’kishte rivalë, një dukuri kjo e paprecedent në historinë moderne.
Ne po jetojmë tani zhvendosjen e tretë të madhe të fuqisë të erës moderne. Ajo mund të quhet “ngritja e të tjerëve.” Gjatë dekadave të fundit, shumë vende anembanë botës kanë shënuar një nivel rritjeje ekonomike që dikur do dukej e papërfytyrueshme. Ndonëse me ulje e ngritje, prirja e përgjithshme ka qenë padyshim, në rritje. Kjo rritje ka qenë më e dukshme në Azi, por tashmë s’kufizohet më vetëm në Azi. Kjo është arsyeja pse, ta quash këtë ndryshim si “ngritja e Azisë”, s’do ishte një mënyrë korrekte për ta përshkruar. Gjatë viteve 2006 dhe 2007, qenë 124 vendet që patën një rritje prej 4 ose më shumë për qind. Mes tyre përfshihen më se 30 vende afrikane, pra dy të tretat e këtij kontinenti. Antoine van Agtmael, menaxheri i fondeve që krijoi termin “emerging markets” [tregje në zhvillim], ka identifikuar 25 kompanitë që ka më shumë të ngjarë të bëhen shumëkombëshet e mëdha të botës në të ardhmen. Në këtë listë përfshihen nga katër kompani për Brazilin, Meksikën, Korenë e Jugut dhe Taivanin; tre nga India; dy nga Kina; dhe nga një për Argjentinën, Kilin, Malajzinë dhe Afrikën e Jugut.
Shikoni përreth. Ndërtesa më e lartë në botë tani ndodhet në Taipei, por së shpejti ajo do të lihet pas nga një ndërtesë që po ngrihet në Dubai. Njeriu më i pasur në botë është një meksikan, ndërsa korporata më e madhe aksionet e së cilës tregtohen në bursë, është kineze. Aeroplani më i madh në botë ndërtohet në Rusi dhe Ukrainë, rafineria më e madhe po ndërtohet në Indi, kurse fabrikat më të mëdha ndodhen të gjitha në Kinë. Sipas shumë kriteresh vlerësimi, Londra është duke u bërë qendra kryesore financiare e botës, ndërsa në Emiratet e Bashkuara Arabe janë bërë vendi i fondit të investimeve më fitimprurës. Ato që dikur përbënin disa prej ikonave të Amerikës tashmë janë përvetësuar nga të huajt. Karuzeli më i madh në botë ndodhet në Singapor. Kazinoja numër 1 në botë s’ndodhet më në Las Vegas, por në Makao, i cili ia ka kaluar Las Vegasit edhe kur vjen puna tek të ardhurat vjetore nga kumari. Industria më e madhe kinematografike, qoftë për sa i përket filmave të prodhuar, qoftë për sa i përket biletave të shitura, nuk është Hollywood-i, por Bollywood-i. Edhe shopping, aktiviteti më i madh sportiv i Amerikës, është bërë global. Prej dhjetë qendrave më të mëdha tregtare në botë, vetëm njëra gjendet në Shtetet e Bashkuara; më e madhja në botë ndodhet në Pekin. Ndonëse këto lista janë disi arbitrare, prapë është mbresëlënëse që vetëm dhjetë vjet më parë Amerika kryesonte në shumë, në mos po në pjesën më të madhe, të këtyre kategorive.
Mund të duket e habitshme që po fokusohemi tek prosperiteti në rritje në një kohë kur ka ende qindra miliona njerëz që jetojnë në varfëri të skajshme. Por, në fakt, përqindja e njerëzve që jetojnë me një dollar, ose më pak, në ditë ka rënë nga 40 për qind në 1981, në 18 për qind në 2004, dhe parashikohet të bjerë në 12 për qind, në vitin 2015. Vetëm rritja ekonomike e Kinës ka kontribuar për të nxjerrë nga varfëria më shumë se 400 milion njerëz. Varfëria është në rënie në vendet ku banon 80 për qind e popullsisë së botës. Pesëdhjetë vendet ku jetojnë njerëzit më të varfër në botë, janë raste të pashpresa që kërkojnë një vëmendje urgjente. Në 142 vendet e tjera – ku përfshihen Kina, India, Brazili, Rusia, Indonezia, Turqia, Kenia dhe Afrika e Jugut – të varfrit po përfshihen dalëngadalë në një ekonomi produktive, e cila shënon një rritje të vazhdueshme. Për herë të parë, po bëhemi dëshmitarë të një rritjeje të vërtetë globale. Kjo po krijon një sistem ndërkombëtar në të cilin vende nga të katër anët e globit nuk janë më subjekte apo vrojtues, por aktorë të mirëfilltë. Kjo është lindja e një rendi realisht global.
            Një tjetër aspekt i kësaj epoke të re, është fakti se fuqia është duke kaluar nga shtetet për tek aktorët e tjerë. Mes këtyre të “tjerëve” që po ngrihen, përfshihen shumë aktorë privatë. Grupe apo individë të veçantë po fuqizohen, ndërkohë që hierarkitë, centralizimi dhe kontrolli po minohen. Mjaft funksione që dikur kontrolloheshin nga qeveritë, tashmë ndahen me institucione ndërkombëtarë si Organizata Botërore e Tregtisë, apo Bashkimi Europian. Çdo ditë mbijnë grupe jo-qeveritare, për çdo çështje e në çdo vend. Korporatat dhe kapitali zhvendosen tutje tëhu për të gjetur vendet më të mira për të bërë biznes, duke shpërblyer disa qeveri e duke dënuar disa të tjera. Rrjetet terroriste, si Al-Qaeda, kartelet e drogës, kryengritësit dhe milicitë e të gjitha llojeve gjejnë hapësirë për të vepruar mes skutave e kthinave të sistemit ndërkombëtar. Fuqia po zhvendoset nga shtetet-komb, nga të gjitha drejtimet. Në një atmosferë të tillë, aplikimet tradicionale të pushtetit kombëtar, si atij ekonomik ashtu dhe atij ushtarak, kanë humbur një pjesë të efektivitetit të tyre.
            Sistemi ndërkombëtar që po lind ka gjasa të jetë shumë i ndryshëm nga sistemet pararendëse. Njëqind vjet më parë ekzistonte një rend multipolar i drejtuar nga një grup qeverish europiane, me aleanca që ndryshonin vazhdimisht, me rivalitete, gabime në llogari dhe luftëra. Pastaj erdhi duopoli dypolar i Luftës së Ftohtë, që në shumë aspekte ishte më i qëndrueshëm, por që karakterizohej nga superfuqi që reagonin e mbireagonin ndaj çdo lëvizjeje të njëra tjetrës. Kurse që prej 1991, kemi jetuar nën një perandori amerikane, një botë unike dhe unipolare, në të cilën ekonomia e hapur globale është zgjeruar dhe përshpejtuar në mënyrë dramatike. Ky zgjerim tanimë po mbrun ndryshimin e radhës në natyrën e sistemit ndërkombëtar.
Në planin politiko-ushtarak vazhdojmë të jetojmë ende në një botë me një superfuqi. Por, në çdo dimension tjetër – industrial, financiar, arsimor, social, kulturor – shpërndarja e fuqisë po zhvendoset, duke iu larguar dominimit amerikan. Kjo nuk do të thotë që ne tanimë po futemi në një botë anti-amerikane. Por do të thotë që po shkojmë drejt një bote post-amerikane, drejt një bote të përcaktuar dhe të drejtuar nga shumë vende e shumë popuj.
Çfarë lloj mundësish e sfidash përfaqësojnë këto ndryshime? Çfarë paralajmërojnë ato për Shtetet e Bashkuara dhe pozicionin e tyre dominues? Ç’pamje do të ketë kjo epokë për sa i përket luftës dhe paqes, ekonomisë dhe biznesit, ideve dhe kulturës?
Me pak fjalë, çdo të thotë të jetosh në një botë post-amerikane?

2

Kupa derdhet

Imagjinoni sikur jeni kthyer në janar të vitit 2000 dhe i kërkoni një fallxhori t’ju parashikojë ecurinë e ekonomisë globale gjatë viteve që vijnë. Le të themi se i jepni edhe disa të dhëna për ta ndihmuar që të shohë në globin e tij të kristaltë. I shpjegoni se Shtetet e Bashkuara do të goditen nga sulmi më i madh terrorist në histori, ndaj të cilit ato do të reagojnë duke nisur dy luftëra, njëra prej të cilave do të shkojë shumë keq, duke e kredhur Irakun, vendin e tretë në botë për nga rezervat e naftës, për vite me radhë në një gjendje kaotike. Irani do forcohet në Lindjen e Mesme dhe do përpiqet të sigurojë kapacitete bërthamore. Koreja e Veriut do të shkojë edhe më tej, duke u bërë fuqia e tetë bërthamore e deklaruar në botë. Rusia do rimarrë një qëndrim armiqësor dhe imperial në marrëdhëniet e saj me fqinjët dhe me Perëndimin. Në Amerikën Latine, Hugo Chavez i Venezuelës do nisë fushatën më të zjarrtë anti-perëndimore që është parë gjatë një gjenerate të tërë, duke fituar shumë aleatë dhe mbështetës. Izraeli dhe Hezbollahu do të bëjnë luftë në Libanin e jugut, duke destabilizuar qeverinë e brishtë të Beirutit e duke futur në valle Sirinë e Iranin dhe duke alarmuar vetë izraelitët. Gaza do të kthehet në një shtet të dështuar, të sunduar nga Hamasi dhe bisedimet e paqes mes Izraelit dhe palestinezëve do të futen në një qorrsokak. “Duke pasur parasysh këto ngjarje,” i thoni fallxhorit, “si do të ecë ekonomia globale gjatë gjashtë viteve të vinë?”
S’është fjala thjesht për një situatë hipotetike. Në fakt, kemi parashikimet e  formuluara nga disa ekspertë në ato vite. Të gjitha dolën të gabuara. Parashikimi i saktë do të kishte qenë që mes vitit 2000 dhe 2007 ekonomia botërore do të rritej me ritmin më të shpejtë të thuajse katër dekadave të fundit. Të ardhurat për frymë anembanë globit do të riteshin me ritmin më të shpejtë (3,2 për qind) të regjistruar ndonjëherë në çfarëdo epoke tjetër në histori.
            Gjatë dy dekadave që kanë kaluar që nga fundi i Luftës së Ftohtë kemi jetuar në një paradoks, një paradoks të cilin e përjetojmë çdo mëngjes kur lexojmë gazetat. Politika botërore duket thellësisht e trazuar, me lajme të përditshme për bomba, plane terroriste, shtete zuzare dhe konflikte civile. E megjithatë, ekonomia botërore bën përpara, me ndërprerje dhe kriza të rëndësishme, por gjithsesi, në tërësi, po ecën energjikisht përpara. Duket sikur faqja e parë e gazetave nuk ka lidhje me faqet e biznesit.
            Më kujtohet kur flisja me një anëtar të qeverisë izraelite pak ditë pas luftës me Hezbollahun, në korrik 2006. Ai ishte me tërë mend i shqetësuar për sigurinë fizike të vendit të tij. Raketat e Hezbollahut kishin depërtuar më brenda territorit izraelit nga ç’ia kishte marrë mendja njeriu dhe përgjigja ushtarake e Izraelit nuk është se kishte ngjallur shumë besim. Pastaj e pyeta për ekonominë – fusha e tij e ekspertizës. “Ajo na ka habitur të tërëve,” më tha. “Bursa ishte në nivele më të larta gjatë ditës së fundit të luftës, sesa gjatë ditës së parë! E njëjta gjë ndodhi dhe me shekel-in [monedha izraelite].” Qeveria ndoshta ishte trembur, por nuk kishte ndodhur kështu me tregun.
Ose merrni Luftën në Irak, e cila ka sjellë një kaos të madh e zgjatur në atë vend, ndërkohë që mbi dy milionë refugjatë janë dyndur në vendet fqinje. Kjo lloj krize politike duket e destinuar të shtrihet edhe më. Por, të udhëtoje nëpër Lindjen e Mesme gjatë këtyre viteve të fundit, mbeteshe pa mend kur shihje sa pak e kanë destabilizuar rajonin problemet e Irakut. Kudo që të shkosh, njerëzit denoncojnë të revoltuar politikën e jashtme amerikane. Po ku janë provat reale të destabilizmit rajonal? Pjesa më e madhe e vendeve të Lindjes së Mesme – për shembull, Jordania, Arabia Sudite dhe Egjipti – po jetojnë një periudhë bumi. Turqia, e cila ka një kufi të përbashkët me Irakun, ka pasur një rritje mesatare vjetore prej më tepër se 7 për qind që prej fillimit të luftës. Abu Dhabi dhe Dubai, një orë larg Bagdadit me avjon, kanë vazhduar të ndërtojnë grataçiela mbresëlënëse e ikonike, si të jenë në ndonjë tjetër planet. Vendet e përfshira në Irak – Siria dhe Irani – veprojnë kryesisht jashtë kuadrit të ekonomisë globale dhe kësisoj kanë më pak për të humbur nëse krijojnë probleme.
            Si shpjegohet kjo mospërputhje mes një politike që po përshkon një spirale rënieje dhe një ekonomie që mbetet e fortë? Së pari, ia vlen të shikojmë më me kujdes ortekun e lajmeve të këqija. Duket sikur po jetojmë në kohë të karakterizuar nga një dhunë e çmendur. Por, mos i besoni çdo gjëje që shihni në televizion. Përshtypjet tona të bazuara tek anekdotat,  rezultojnë të gabuara. Gjatë dy dekadave të fundit, luftërat dhe dhuna e organizuar kanë patur një rënie të ndjeshme. Ted Roberts Gurr dhe një ekip studiuesish të Qendrës për Zhvillimin Ndërkombëtar dhe Menaxhimin e Konflikteve, në University of Maryland, i shqyrtuan me kujdes të dhënat dhe mbërritën në përfundimin e mëposhtëm: “Shtrirja e përgjithshme e luftës në shkallë globale, ka patur një ulje me mbi gjashtëdhjetë përqind [që prej mesit të viteve 1980], duke arritur në vitin 2004 nivelin më të ulët që prej fundit të viteve 1950.”[i] Gjatë gjithë Luftës së Ftohtë dhuna pati një rritje të vazhdueshme – u rrit gjashtë herë mes viteve 1950 dhe fillimit të viteve 1990 – por kjo tendencë arriti kulmin e saj pak përpara kolapsit të Bashkimit Sovjetik, në 1991, ndërsa “shkalla e luftës mes shteteve dhe brendapërbrenda shteteve pothuajse u përgjysmua gjatë dekadës së parë pas Luftës së Ftohtë.” Profesori eklektik i Harvard-it, Steven Pinker, sugjeron se “Sot ka të ngjarë të jemi duke jetuar në kohën më paqësore të ekzistencës së species sonë.”[ii]
Një ndër arsyet për këtë mospërputhje mes realitetit dhe perceptimit që kemi për realitetin, mund të jetë revolucioni i teknologjisë së informacionit që kemi përjetuar gjatë  dekadave të fundit, në sajë të së cilës tashmë lajmet nga gjithë bota na sillen në mënyrë të menjëhershme, të gjallë e të vazhdueshme. Natyra e menjëhershme e imazheve dhe intensiteti i ciklit njëzetekatërorësh të lajmeve, kombinohen për të prodhuar një hiperbolizim të vazhdueshëm. Çdo çrregullim i motit bëhet “stuhia e shekullit.” Çdo bombë që shpërthen është BREAKING NEWS! Është e vështirë t’i vendosësh të gjitha këto në perspektivë sepse revolucioni i informacionit është kaq i ri. Ne nuk patëm mundësi të shihnim pamjet e përditshme të rreth dy milion njerëzve që vdiqën në fushat e vdekjes të Kamboxhias në vitet 1970, apo të një milion njerëzve që vdiqën në shkretëtirat e luftës Irak – Iran në vitet 1980. S’patëm mundësi të shihnim shumë reportazhe nga lufte e Kongos e viteve 1990, me  miliona viktimat e saj. Kurse sot, kemi përditë një mbulim thuajse të drejtpërdrejtë të efekteve të IED [pajisje shpërthyese të improvizuara], apo të makinave bombë dhe raketave – që natyrisht janë ngjarje tragjike, por ku shpesh bilanci i viktimave s’e kalon numrin dhjetë. Elementi i rastësishëm i dhunës terroriste, sulmet ndaj civilëve dhe lehtësia me të cilën ata mund të depërtojnë në shoqëritë moderne, e shtojnë ndjenjën ton të shqetësimit. “Mund të më kishte ndodhur edhe mua,” thonë njerëzit pas ndonjë sulmi terrorist.
Duket si një botë mjaft e rrezikshme. Por nuk është ashtu. Shansi që ju të vdisni si pasojë e ndonjë episodi e çfarëdo lloj dhune të organizuar është i vogël dhe sa vjen e zvogëlohet. Të dhënat flasin për ekzistencën e një tendence të përgjithshme të pakësimit të luftërave midis shteteve kryesorë, pra të atyre lloj konflikteve që shkaktojnë një numër të madh viktimash.
Jo se unë besoj se luftës i ka kaluar koha, apo marrëzi të tjera të këtij lloji. Natyra njerëzore mbetet ajo që është dhe politika ndërkombëtare mbetet ajo që është. Historia ka parë periudha qetësie, të cilat janë pasuar nga gjakderdhje të mëdha. Dhe numrat nuk janë e vetmja njësi matëse e së keqes. Natyra e vrasjeve në ish Jugosllavi në fillimin e viteve 1990, të paramenduara, të motivuara nga urrejtja fetare, sistematike, i jep asaj lufte, e cila shkaktoi 200.000 viktima, një damkë morale që duhet të radhitet mjaft lartë në çfarëdo shkalle matjeje. Barbaritë e Al-Qaedas – prerja me gjakftohtësi e kokave dhe sulmet e qëllimshme ndaj njerëzve të pafajshëm – janë makabre, pavarësisht nga numri relativisht i vogël i viktimave.   
Sidoqoftë, nëse duam të kuptojmë kohën në të cilën jetojmë, duhet së pari ta përshkruajmë atë saktësisht. Dhe për momentin, e parë nga një perspektivë historike, kemi të bëjmë me një periudhë jashtëzakonisht të qetë.



[i] Ted Robert Gurr dhe Monty G. Marshall, Peace and Conflict 2005: A Global Survey of Armed Conflicts, Self-Determination Movements, and Democracy, Center for International Development and Conflict Management, University of Maryland, College Park (qershor 2005).
[ii] Steven Pinker, “A Brief History of Violence” (fjalë e mbajtur në Technology, Entertainment, Design Conference, Monterey, California, mars 2007)