Bota Arabe, një përjetim personal!

BLENDI FEVZIU

Diktatorët nuk janë aq të fortë sa duken; nuk janë burrat trupmëdhenj që sodisin hijerëndë nga pankartat e mëdha dhe portretet që stolisin thuajse gjithë godinat kryesore të qyteteve të tyre; përkundrazi, janë njerëz të vegjël dhe shpesh frikacakë.  Frikacakë për pushtetin që mund të humbasin, frikacakë për pasurinë abuzive që e dinë se s’mund ta gëzojnë më pas ikjes nga pushteti; frikacakë sepse në fund të fundit, i tremb e vërteta. Hije të zbehta të viteve të para të ardhjes në pushtet (shpeshherë me votë), të një karizme që s’e kanë më, idhnakë dhe nostalgjikë të një kohe që ka ikur, ata rrëzohen pothuajse gjithnjë atëherë kur duken më të fortë se kurrë, më të pavdekshëm. Historia e botës është e mbushur me shembuj të tillë dhe ajo që po ndodh që prej fillimit të janarit në Afrikën e Veriut dhe në botën arabe, është ilustrimi më i mirë se diktatorët dhe sistemet diktatoriale janë gjithë njësoj, pavarësisht modelit apo ideologjisë që i falen. 
Revolucioni kibernetik (siç po quhet si pasojë e ndikimit të internetit dhe sidomos Facebook dhe You Tube në grumbullimin e njerëzve, njoftimet dhe transmetimin e imazheve në botën e lirë), po transformon jo vetëm botën arabe, por me sa duket, edhe gjithë pellgun e Lindjes së Mesme. Nuk ka asnjë dyshim se ikja e Gheddafit, njërit prej liderëve më gjakatarë dhe absurdë të botës, është thjesht çështje orësh (nëse ai nuk është larguar ndërkohë që gazeta është në shtypshkronjë); nuk ka asnjë dyshim që era post Mubarak dhe Ben Ali do të jetë një erë shumë më optimiste dhe prospere në Egjipt dhe Tunizi, por është po ashtu e qartë që revolucioni befasues arab, që ka sjellë një ndryshim, i cili nuk pritej as në dhjetë vjet, do të vijojë më tej në Siri dhe Iran. Si njëri vend, ashtu edhe tjetri nuk mund t’i qëndrojnë presionit të brendshëm, vetëm nëse mesazhi është marrë dhe vetë liderët e tyre e tranzitojnë vendin drejt një sistemi të hapur dhe demokratik.
Në fakt, ky shkrim nuk është një reflektim i asaj që po ndodh. Këtë shkrim nuk po e mbështes mbi analizat, komentet e politikanëve, institucioneve apo mediave botërore; nuk po e përqendroj as tek debati se si do të jetë bota arabe pas revolucionit që ende vijon dhe që si shumë revolucione në botë, e ka përfundimin të qartë që tani. Po e mbështes thjesht dhe vetëm mbi eksperiencën time personale nga këto vende, nga vëzhgimi i qyteteve, gjendjes dhe personazheve atje. Një lloj homazhi për ata njerëz që tashmë, diku me sukses e diku me vështirësi, po luftojnë për një të ardhme më të mirë e mbi të gjitha, për një të ardhme të lirë. 
Fati e ka sjellë që në 10 vitet e fundit të vizitoj thuajse gjithë vendet e botës arabe, që nga Afrika e Veriut e deri në zonën e Gjirit. Kam pasur rastin të vizitoj si gazetar dhe të hyj në institucionet e rëndësishme në Libi, Egjipt, Bahrein, Algjeri, Kuvajt, Emirate Arabe, Arabi Saudite, Katar, Palestinë, Irak, Izrael, apo të vizitoj si turist Tunizinë, Marokun, Libanin dhe vende të tjera të kësaj bote. Ngjashmëria me Shqipërinë e viteve të komunizmit më ka tronditur në shumë prej tyre. E përbashkëta e të gjithave është mungesa e lirisë. Mungesë lirie ekstreme si në Libi, apo disi më e zbehtë dhe liberale, si në Bahrein. Por pavarësisht nga kjo, ajo është mungesë lirie. Mungesë e lirisë për të zgjedhur dhe për t’u zgjedhur; mungesa e zgjedhjeve të lira. Mungesa e shprehjes, mungesa e fjalës së lirë; mungesa e shtypit. Mungesa e një shoqërie të hapur dhe të drejtë si gjithë shoqëritë, ku e ardhmja vendoset me votë. 
Ka vende ku gjendjen e kam gjetur tronditëse, ku mjerimi është i dukshëm si në Egjipt apo Algjeri, ku rrugët janë mbushur me njerëz të pashpresë dhe të bindur që vendi i tyre s’ka të ardhme. Nuk e harroj asnjëherë se si në Egjipt, shoferi i taksisë që e pyeta për Mubarakun më la në mes të rrugës, ndërsa një tjetër që e pyeta se përse Izraeli ishte zhvilluar më shumë se Egjipti, nuk e hapi më gojën derisa më çoi në destinacion. Më zbriti shpejt dhe iku me nxitim, duke shkelur pedalin e gazit në makinën e tij demode, një lloj Fiati i viteve ’60. Kishin frikë dhe qenë të varfër. Po unë arrija t’i kuptoja, dikur edhe ne kishim qenë si ata.
Tunizi më kujtonte një pjesë të Tiranës së mes viteve ’80, me dyqanet e tij demode dhe me aftësinë e njerëzve për të recituar sapo i pyesje, se ata ishin populli më i lumtur në botë. Me portretet e Ben Aliut kudo, jo vetëm nëpër mure, por edhe në dyqanet e pista të qebapeve.
Në Marok më duhej të qeshja me vete, kur shoqëruesi im, të cilin e pyeta se përse dritaret në katet e para të pallateve qenë të mbyllura me hekura të dendur dhe tejet të shëmtuara, m’u përgjigj: 
-    Janë dekor! 
-    Nuk vjedhin?,- e pyeta. -Në vendin tonë, dikur i mbanin me hekura se kishin frikë nga hajdutët.
-    Askush nuk vjedh tek ne,- më tha,- ne jemi popull shumë i lumtur.
Ndërkohë, në aeroport më kishin bllokuar më shumë se 2 orë sepse në formularin e hyrjes, ime shoqe kishte shkruar se isha gazetar dhe kjo shkaktoi alarm tek policia kufitare, edhe pse isha thjesht një njeri që e vizitoja Marokun për turizëm. Por për një gazetar, qoftë edhe për turizëm, lejen duhet ta jepte Ministria e Brendshme.
Në Ambasadën e Iranit dikur, u befasova me fjalimin e ambasadorit që fliste se si gjaku i amerikanëve do të rridhte rrugëve të Bagdadit dhe formulat e tij për Amerikën e keqe që sundonte botën, formula që i kisha mësuar në fëmijëri në librat e Enver Hoxhës.
Pa harruar këtu Muammar Gheddafi-n, një prej njerëzve më të çmendur që kam takuar në jetën time, një trillan, që për gjeopolitikë, shpesh perëndimi ja merrte marrinë si tendencë dhe çmendurinë si modë. Një njeri absurd i mbushur me vetveten. Padyshim, një oficer me dëshira të mira në vitin 1969, kur përmbysi monarkinë libiane, por krejt jashtë realiteti në 2011-n, pas 42 vitesh në pushtet. Mbaj mend që na dha një degë peme për të trembur mizat në tendën në shkretëtirë, ku na priti dhe tek e shihja ç‘fliste, mendova se ai kish ardhur në pushtet atë vit që linda unë dhe rrinte sërish aty. Pa asnjë konkurrencë, thjesht mbi imponimin dhe dhunën. Pasdite, tek shëtisja në rrugët e Tripolit, një qytet thuajse krejt i rrënuar, mendova se një fill tragjik i lidhte ata të rinj që rrinin ulur në bordurat e trotuareve me rininë time në Shqipërinë komuniste. Dhe në fakt, nuk qenë një komb i varfër, përkundrazi. Mund të fitonin miliarda nga shitja e naftës, por s’e kishin bërë këtë prej vitesh nga trillet e kolonelit. Madje dhe më keq, kishin sponsorizuar terrorizmin botëror, kishin hedhur në erë avionë dhe trena, qenë bërë qendra e së keqes, derisa një ditë, një bombardim amerikan e kish bërë Gheddafi-n të kthente mendje.
E njëjta situatë në vende që dukeshin më të zhvilluara dhe me të forta ekonomikisht. Në Bahrein p.sh., një vend padyshim më ndryshe nga gjithë vendet e tjera të gjirit, një vend që të befasonte me zhvillimin dhe emancipimin e tij, por që po ta shihje thellë, e kuptoje se diçka nuk shkonte siç duhej. Sepse pavarësisht burimeve të jashtëzakonshme, GDP për frymë qe më e vogël se sa ajo e Qipros dhe Greqisë, gjë që të bënte të mendoje se mungesa e lirisë nuk lejonte dhe aty një zhvillim si ai që pritet.
Nuk ka asnjë dyshim se kur të kthehem sërish në Egjipt, Libi apo Tunizi, pas kësaj që ka ndodhur; apo në ato vende ku pritet të ndodhë, gjithçka do të jetë ndryshe. Pavarësisht dilemave se ekstremistët islamikë mund të vijnë në fuqi; pavarësisht shqetësimit se demokracia mund të perceptohet si anarki; pavarësisht se stabiliteti i rremë i ofruar nga dora e fortë e diktatorëve mund të mos jetë më, këto vende kanë një shans të madh. Ato kanë shansin e demokracisë dhe zgjedhjeve të lira. Ata njerëz kanë dalë në rrugë jo për më shumë miell dhe oriz. Ata vetë e dinë që prosperiteti nuk vjen menjëherë, por ata besojnë se demokracia, zgjedhjet e lira dhe fjala e lirë, funksionojnë për çdo vend. Ato nuk janë atribut vetëm i vendeve euroatlantike, por një formulë universale që ka funksionuar kudo ku është aplikuar me seriozitet. 
Bota arabe do të jetë edhe vetë më ndryshe sepse disa muaj më pas, Izraeli nuk do të jetë më i vetmi vend i asaj pjese të globit që bën zgjedhje të lira. Shoqëritë e tyre do të jenë më të hapura dhe në këtë mënyrë, do ta ndihmojnë edhe kauzën e tyre më shumë.
Ata kërkojnë zgjedhje të lira, ato që s’i kanë pasur kurrë; ata kërkojnë një sistem ku të vendosin vetë për të ardhmen e tyre dhe kjo është një e drejtë e patjetërsueshme. Ndaj përpara tyre, diktatorët duken njerëz të dobët dhe të thyeshëm, një karikaturë e asaj që kanë qenë deri më sot! 

Posted via email from Shkupi Press extra