ARABËT DHE RRUGËT E ZOTIT

Dritan Hila


Me vdekjen e Ben Ali duket se po merr fund edhe fizikisht epoka e diktatorëve të vendeve arabe, atyre që deri dje konsideroheshin si regjime solide dhe të patundshme edhe për disa dekada. Gjithë bota arabe, ajo që deri dje dukej si një mumifikim i mesjetës me ngjizës islamin dhe makijazh perëndimor të diktaturave laike, e ka kaluar pikën e vlimit dhe presioni ka bërë ujin e përvëluar të dalë jashtë.

Përveç aparencave, këto vende kanë të përbashkët edhe treguesit ekonomikë dhe nivelin e shtypjes. Në Tunizi, Egjipt, Algjeri, Jordani, papunësia vërtitet nga 9 deri në 13 për qind e popullsisë dhe në shtresën e rinisë, ku gati gjysma e popullsisë është nën 30 vjeç, papunësia shkon deri 35 për qind. Po ashtu, korrupsioni qeveritar, ku duhet paguar që nga marrja e një patente dhe deri tek ajo e licencave të sipërmarrjeve fitimprurëse, së bashku me një rrjet nepotik dhe klanor që zë në formë piramidale gjithë hierarkinë shtetërore, ka krijuar një klimë mbytëse për të rinjtë dhe të sapodiplomuarit, me alternativë kthimin në një punëtor të keqpaguar të oligarkisë në fuqi, ose emigrim.

Edhe kriza e fundit ekonomike ndikoi në rritjen e kostos së jetesës, duke vënë shumicën e popullsisë përballë sfidës së mbijetesës. E shoqëruar me diktatura mike të Perëndimit, në masën e popullsisë, krijonin perceptimin e pandryshueshmërisë dhe dëshpërimin e tyre për mungesën e perspektivës, dëshpërim i cili u dha hov revoltave që deri tani, për secilin vend, kanë shkaktuar viktima midis 20 dhe 30 të vdekurve.

Kjo është panorama që shikohet nga jashtë, por në brendësi çdo vend ka nuancat specifike: Në Bahrein, vend dislokimi i flotës së pestë të SHBA, me një popullsi prej më pak se një milion banorësh, ku pakica sunite sundon atë shiite, është frika e manipulimit të Iranit, i cili shfrytëzon bashkëfetarët e tij për shtrirje në ujërat e ngrohta; në Jemen, një President prej 30 vjetësh në pushtet, përveç konsumit moral, lufton me forcat centrifugale, si dhe tendencat separatiste të jugut shiit dhe veriut ku operon “Al Kaeda”; Maroku, Emiratet e Gjirit dhe Arabia Saudite ndihen ende solide, por deri kur? Pyetja shtrohet, pasi edhe të ardhurat nga nafta, tashmë duket se nuk janë më në gjendje të lëmojnë kreshtat sociale dhe të shërbejnë si amortizatorë dhe këtë e dëshmon Libia, ku megjithëse të ardhurat e deklaruara janë 14.000 dollarë për frymë, prapë ka pasur revolta.

E reja e kësaj situate janë diktatorët në fuqi që po përdorin mbështetësit e tyre për të shtypur kundërshtarët në sheshe, me shpresën se shumica e heshtur, e cila njëkohësisht është edhe më e trembur nga dhuna, do tërhiqet nga kërkesat e saj sociale e politike. Është kjo një shenjë e degjenerimit jo vetëm ekonomik dhe social, por edhe moral të këtyre diktaturave, të cilat shpresojnë të mbijetojnë qoftë edhe nëpërmjet luftës civile.

Por si do jetë qëndrimi i Shteteve të Bashkuara dhe a i gjeti të papërgatitura kjo valë revoltash? Deri tani, Shtetet e Bashkuara, kanë përkrahur lëvizjet në vendet e Magrebit, vende të cilat nuk janë naftëmbajtës dhe ndryshimi nuk do ndikojë në bursat botërore drejtpërdrejt.

Është vështirë të thuhet që u gjendën të papërgatitura përpara ndryshimit, pasi është e pabesueshme që 16 agjenci inteligjence që mbajnë në krah flamurin me yje e shirita, me gati 850 mijë punonjës dhe buxhet që mendohet se kalon atë të mbrojtjes, kanë rrahur ujë në hava gjatë 30 vjetëve. Më e besueshme është se SHBA kanë përkrahur diktaturat laike të vendeve magrebine, për të mbajtur nën fre fundamentalizmin islam, pre e të cilit binin shtresat e varfra, deri në momentin që këto vende do kishin një shtresë të mesme, e cila do ishte në gjendje të pilotonte vendin drejt një sistemi demokratik, të ngjashëm me atë perëndimor. Mungesa e imamëve që udhëheqin turmat e ndezura siç janë pamjet e Iranit të viteve ‘79 tregon se televizioni, bota gjithmonë e më globale, emigracioni dhe pse ta mohojmë, edhe diktaturat e këtyre vendeve, kanë sjellë laicizmin e vendeve dhe krijimin e shtresës së mesme. Me arritjen e pikës së vlimit, zaret u hodhën dhe tashmë forcat në terren duket se po bëjnë punën e tyre, por treguesit janë se fundamentalizmi islam nuk ka marrë ende frenat në dorë. Padyshim që islami do ketë pjesën e vet në pushtetin e ardhshëm, ashtu si partitë e Demokracive Kristiane në Europën e shekullit të 20 u dhanë fytyrën vendeve të Europës Qendrore dhe apenine, por sfida është që të mbetet brenda kuadrit të institucioneve shtetërore laike.

Nëse Arabia Saudite është arka e parave e botës arabe, Egjipti është koka politike dhe zhvillimet në këtë vend do ndikojnë në të gjithë botën arabe. Deri më tani, “Vëllezërit Myslimanë”, organizata e parë fundamentaliste e krijuar nga Hasan Al Bana në botën arabe, me një ideologji të kanonizuar dhe të ekstremizuar më vonë nga Said Qutb, duket se ka qëndruar e qetë dhe brenda parametrave të një organizate institucionale. Varja e Said Qutb në mes të Kajros më 1966-n dhe më vonë integrimi i organizatës, sidomos pas 1984-s nga Mubaraku, në institucionet laike të shtetit, duket se i ka dhënë tipare përgjegjshmërie institucionale vëllazërisë. Padyshim ka rol në këtë qëndrim të moderuar edhe “sufizmi”, teoria islamike me elementë kristianë dhe neoplatonikë, që është në bazë të lëvizjes, si dhe eksperienca gati 100-vjeçare që ka islami me modernizmin perëndimor në Egjipt, në ndryshim nga islami wahabit i Sauditëve, i quajtur ndryshe “islam i shkretëtirës”.

Nëse eksperimenti funksionon në Egjipt, kjo do jetë një shpresë e madhe për botën arabe, për vetë peshën që ka ky vend në rajon, si dhe një sukses për administratën amerikane, që ka hedhur për vërtetim në terren teoritë e saj, që me pushtimin e Irakut. Diskordanca në deklarata e Presidentit Obama, në mos qofshin të parallogaritura, janë vetëm një vonesë në linjat e komunikimit midis aparateve mastodontike si inteligjenca, diplomacia dhe ushtria që vepronin në terren, por deklarata që gjithsesi pak mund t’u ndryshonin punë operativëve.

Kufiri i ri për t’u arritur është ndryshimi i botës së vendeve arabe të Gjirit, pasi këtu janë edhe rezervat e mëdha të naftës, çka mund të trondisë ekonominë botërore, por ka edhe mungesë të një kontakti historik me Perëndimin; praninë e islamit xhihadist; mungesën e elementëve të laicizmit në jetën e përditshme; mungesën e emigracionit drejt Perëndimit të shtresave të ulëta; si dhe një ndjenjë raciste superioriteti e pranishme në shoqëritë arabe të Gjirit, të mundësuar nga të ardhurat nga nafta, të cilat bëjnë të vështirë një ndryshim drejt shoqërive demokratike, pa trauma të mëdha. Gjithashtu prania e Iranit, i cili mund të përpiqet ta zhvendosë krizën e tij të brendshme jashtë kufijve, mund të sjellë zhvillime të papritura, ndaj ndoshta kjo do jetë faza e dytë e eksperimentit, që filloi me pushtimin e Irakut.

Duket se koha po vërteton thënien e lamtumirës së Presidentit George W. Bush, se: “Deri sa ende diskutohet për rezultatet e Presidencës se Abraham Lincoln-it, pasojat e presidencës time do duan shumë kohë për t’u cilësuar të drejta apo të gabuara”. A thua një ndër objektivat ishte edhe ky?

Gjithsesi, duke u përpjekur t’u rrimë larg teorive komplotiste, le të citojmë një pasazh nga Tim Weiner, gazetar dhe fitues i çmimit “Pulitzer”, në librin e tij “CIA - ngritja dhe rënia e shërbimit më të fuqishëm sekret të botës”, njëkohësisht mik i gjithë drejtorëve të CIA-s që janë gjallë, rrëfen një ngjarje: Për të përmbysur Mosadekun, Presidentin socialist iranian që kishte shtetëzuar Anglo-Persian Oil Company, operativët e CIA-s inskenuan revolta fshatare që në atë kohë udhëhiqeshin nga imamët. Dhe e dini kush kërceu i pari nga kamioni i parë i sjellë në Teheran nga operativët, për të përmbysur qeverinë? Bash Ali Khomeini, udhëheqësi i ardhshëm i Iranit Islamik!

Jo më kot thonë se rrugët e Zotit janë të pafundme. Tamam si linjat e internetit dhe rrjetet sociale.

Posted via email from Shkupi Press extra