Turqia si kartë e Perëndimit në rivalitetin perso-arab

George Friedman

Bisedimet mes P-5+1 me Iranin do të zhvillohen në datat 21-22 janar. Për ata që nuk janë të sintonizuar me zhargonin e errët të botës diplomatike, këto janë bisedime mes pesë anëtarëve të përhershëm (permanent members) të Këshillit të Sigurimit të OKB-së (SHBA, Britani e Madhe, Franca, Kina dhe Rusia) plus Gjermaninë – pra P-5+1. Këto gjashtë vende do të negociojnë me një vend të vetëm – Iranin. Takimet do të realizohen në Stamboll nën vëzhgimin dhe mbështetjen e një tjetër vendi; Turqisë. Kjo e fundit ka bërë të ditur se vetëm do të presë takimin, por nuk do të ndërmjetësojë. Pak e vështirë për Turqinë të qëndrojë në këtë rol. Iranianët kanë mësuar shumë mirë nga koreanoveriorët, të cilët e kanë kthyer programin e tyre bërthamor në një sistem për të ngatërruar pesë fuqitë kryesore (SHBA, Kina, Japonia, Rusia, Koreja e Jugut)dhe për të përfituar kështu prej tyre një trajtim prej të barabarti në arenën diplomatike. Për Korenë e Veriut, qëllimi i së cilës që prej shpërbërjes së Bashkimit Sovjetik dhe përfshirjes së Kinës në tregtinë ndërkombëtare është reduktuar në mbijetesën e regjimit, trajtimi si një fuqi serioze ka qenë një arritje diplomatike madhore. Kërcënimi i dukshëm që vjen prej zhvillimit të armëve bërthamore ia ka dalë të arrijë këtë gjë. Kur kthen kokën dhe sheh se ekonomia e Koresë së Veriut është nga më të varfrat e Botës së Tretë dhe se kapaciteti bërthamor i saj është ende i patestuar, imponimi si një faktor që ulet në bisedime me 5 fuqitë kryesore (duke i refuzuar përherë dhe duke përfituar lajkat e tyre) me siguri që është një arritje e mirëfilltë.

Irani shfrytëzon një mundësi

Iranianët kanë arritur një pozitë të ngjashme. Ngaherë negociatorët më të dobët, ata kanë krijuar një dinamikë përmes së cilës jo vetëm që ulen në një tavolinë me gjashtë më të fuqishmit e botës, por po ia dalin, sikundër koreanoveriorët, që të sajdisen prej tyre. Me bekimin e dukshëm të mëdhenjve, një fuqi e shtatë e madhe, Turqia, e ka vendosur veten në pozitën e atij që ndihmon apo edhe ndërmjetëson mes dy palëve; SHBA, Britani, Francë, Rusi, Kina dhe Gjermani nga njëra anë dhe Irani në anën tjetër. Ky është një rreshtim kaq i jashtëzakonshëm saqë nuk jam në gjendje të gjej të ngjashëm. Askush nuk e vë ujin në zjarr për një Kore të Veriut militare, sepse më shumë sesa një kërcënim është një ngatërresë e bezdisur me gjithë artilerinë e saj drejtuar nga Seuli. (pozicionet e palëvizshme të artilerisë janë shënjestra të përkryera për forcën ajrore amerikane). Negociatat dhe ndihma e dhënë sipas rastit e zgjidhin problemin. Pozita e Iranit është shumë herë më domethënëse dhe shkon tej fuqisë së mundshme bërthamore. Nëse SHBA-të tërhiqen nga rajoni, Irani kthehet në fuqinë më të madhe konvencionale të Gjirit Persik, pavarësisht nëse disponon apo jo armë bërthamore. Edhe nga fakti se SHBA po bëhet gati të lërë Irakun në fund të këtij viti, Irani fiton terren dhe po bëhet substancialisht më i fuqishëm. Qëllimi i regjimit koreanoverior është mbijetesa. Nuk ka qëllime të tjera përtej saj. Ambiciet e Iranit përfshijnë edhe mbijetesën e regjimit, por ato shkojnë edhe shumë më larg. Në fakt, nëse ekzistojnë kërcënime ato nuk vijnë nga jashtë Iranit, por nga brenda dhe asnjë prej tyre nuk duket të jetë aq i fuqishëm sa të provokojë një ndryshim regjimi. Irani, pra për këto arsye më shumë sesa i angazhuar për të ruajtur forcat e veta po tenton t’i zgjerojë ato. Ka një shans historik dhe dëshiron ta shfrytëzojë atë pa e futur veten në telashet e një lufte tokësore.

Tërheqja e forcave amerikane nga Iraku është hapi i parë. Teksa fuqia amerikane bie në Irak, ajo iraniane rritet. Javën e fundit Muqtada al Sadr u kthye në Irak nga Irani. Al-Sadr ishte drejtuesi i një milicie të fuqishme pro-iraniane dhe antiamerikane në Irak dhe ai u largua prej këtij të fundit, 4 vjet më parë nën presionin shumë të fortë të forcave amerikane. Vendimi për t’u kthyer është e qartë se nuk është marrë vetëm prej tij. Ka qenë me siguri një vendim iranian dhe koha për ta realizuar është perfekte. Me Irakun, qeveria e të cilit me në krye Nuri Al–Maliki është e pavarur vetëm sa për emër dhe pas të gjitha gjasave filoiraniane, rifutja në lojë e Al-Sadr ndërkohë që tërheqja amerikane është në proces, e vendos ekzekutivin irakian nën presionin e Iranit. E gjitha kjo kur rezistenca nga SHBA dhe besimi i aleatëve të saj në Irak po bie.

Opsionet e SHBA

SHBA përballet tani me një zgjidhje kritike. Nëse vazhdon tërheqjen nga Iraku, atëherë ky i fundit do të shkojë drejt rënies në statusin e një sateliti iranian. Sigurisht, elementë anti-iranianë ekzistojnë mes shiitëve, por kapacitetet e padukshme të Iranit dhe influenca e tij e hapur, të ndërthurura me praninë ushtarake në kufi do ta minojnë aftësinë e Irakut për të rezistuar. Nëse ai do të bëhet një aleat apo satelit i Iranit, atëherë perimetri tokësor irako-suadit dhe irako-kuvajtian, efektivisht kthehet në një kufi me Iranin. Kuptimi psikologjik i kësaj në rajon do të jetë se SHBA nuk ka dëshirë të merret me Iranin. Duke u kërkuar amerikanëve për t’u marrë me iranianët dhe duke dështuar për të përfituar këtë gjë, sauditët do të jenë të detyruar që të përshtaten disi me Iranin. Me fjalë të tjera me kontrollin e vendit më strategjik në Lindjen e Mesme – Irakut – Irani ka fituar tashmë aftësinë e të qenët fuqia dominuese në Lindjen e Mesme dhe njëherazi të diktojë rikonfigurimin e politikave në Gadishullin Arabik.

SHBA, sigurisht ka në dorë opsionin që të mos tërhiqet ushtarakisht nga Iraku apo ta ndalë atë në disa kuota numerike më të vogla, por këtu ne po flasim për luftën dhe jo për simbolet. 20 mijë trupat ushtarake amerikane (me një tërheqje që vazhdon) të dislokuara me synim trajnimin dhe ushtrimin e një roli mbështetës për të kundërshtuar një milici pro – iraniane është një numër i vogël. Në fakt, grupet e ndryshme të armatosura që mund të krijohen nuk do të kenë ndonjë brerje ndërgjegje që të sulmojnë trupat amerikane, diplomatë apo edhe punonjës ndihmës që janë të shpërndarë në njësi të vogla gjatë gjithë kohës nëpër të gjithë vendin. SHBA nuk mundi të kontrollonte Irakun kur kishte dislokuar rreth 170 000 trupa, prandaj me 50 000 apo më pak njerëz situata do të shoqërohet me incidente për amerikanët ç’ka mund të inkurajojë që iranianët të zgjedhin pikërisht këtë rrugë. Dhe këto incidente nuk ka gjasë të shoqërohen me shpresën e një suksesi ushtarak apo politik. Duke marrë me mend se SHBA nuk është e përgatitur të rrisë praninë dhe forcat në Irak në mënyrë të qenësishme, iranianët natyrisht shohin se kanë përballë një shans historik. Çështja bërthamore nuk është dhe aq e rëndësishme gjithsesi. Izraelitët po thonë se iranianët janë ende tri ose 5 vjet larg nga disponimi i një arme nukleare. Edhe nëse kjo gjë vjen nga depërtimet e Agjencisë Kombëtare të Sigurisë të SHBA (NSA)në kompjuterët e vendosura në centrifugat iraniane, nga shkaqe të tjera teknike të provokuara nga agjenci të specializuara, apo sikurse është thënë më parë, ndërtimi i një arme nukleare është vërtet shumë e vështirë dhe kërkon shumë kohë, fakt është se izraelitët kanë reduktuar presionin në publik. Presioni tashmë vjen nga një drejtim tjetër, nga sauditët. Ashtu sikurse STRATFOR ka parashikuar dhe “Wikileaks” ka konfirmuar, janë pikërisht sauditët ata që po presojnë SHBA-në që të bëjë diçka për Iranin, jo për shkak të armëve bërthamore, por për arsye të ndryshimit të balancës së forcës në rrafshin konvencional. (Fuqia ushtarake që nuk përfshin armë të shkatërrimit në masë). Ndërsa Irani mund të përballojë lehtësisht shkatërrimin e armëve që ai nuk i ka, frika e tij e vërtetë është se mos SHBA do të nisë një luftë ajrore konvencionale të ideuar për të dëmtuar forcat konvencionale iraniane–ato detare dhe kapacitetet e veta në forcat tankiste, sidomos. Shkatërrimi i forcës detare iraniane është jetik, qëkurse kundërveprimi kryesor dhe më i fuqishëm i Iranit në luftë do të ishte bllokimi i ngushticës së Hormuzit përmes minimit, raketave kundërfetare (artileria e kompjuterizuar dhe e avancuar bregdetare) dhe mjeteve vetëvrasëse, me synim ndërprerjen e fluksit të naftës që kalon përmes kësaj ngushtice. Një veprim i tillë bllokues do të shkatërronte rimëkëmbjen ekonomike globale. Dhe në fakt, ky është edhe opsioni i vërtetë “bërthamor” i Iranit. Por iranianët janë të vetëdijshëm se lufta ajrore – ndryshe nga veprimi ndaj rebelimit - është pika e fortë e Amerikës. Nuk nënvlerësohet as aftësia e SHBA-së në një luftë të zgjatur ajrore, që do të shkatërronte kapacitetin konvencional të Iranit, pa të cilin ky i fundit do të kthehej në një faktor pa peshë. Që këtej shihet se Teherani zyrtar vjen në tavolinë me dy qëllime; i pari të ruajë pozitën e fortë negociuese duke luajtur me kartën bërthamore dhe i dyti, të shmangë një fushatë ajrore nga SHBA kundër kapaciteteve konvencionale të tij. Thelbi i këtij diskutimi nuk është asgjë më pak sesa e ardhmja e Gadishullit Arabik. Iranianët nuk kanë nevojë të pushtojnë ushtarakisht për të riformësuar rajonin. Do të ishte e mjaftueshme që pushtimi si i tillë të jetë opsion potencial për Iranin. Do ta zhvendoste çështjen e mbijetesës së regjimit drejt një vendi tjetër, Arabisë Saudite. Trupat amerikane në Kuvajt do të ishin një ndihmë, por kjo nuk do ta zgjidhte ekuacionin bazë. Sauditët do të kuptonin se duke braktisur Irakun, SHBA-ja do të ishte e gatshme të largohej nga Kuvajti. Presioni mbi sauditët për të gjetur gjuhën me iranianët do të ishte i jashtëzakonshëm qëkurse ata do të jenë të detyruar të vënë bastin e tyre (bazojnë reagimin) mbi qëndrimin e SHBA. Sa i përket trupave të stacionuara brenda territorit të Arabisë Saudite, rreziku rritet përderisa prezenca amerikane gjatë operacioneve Mburoja e Shkretëtirës dhe Stuhia e Shkretëtirës provokoi ngritjen e Al-Kaedës. Rrjedhimisht zgjidhjet duket se pranojnë si logjikë një ndryshim balance në rajon në favor të Iranit po të mbahet parasysh tërheqja e trupave amerikane nga Iraku dhe një përpjekje për të asgjësuar forcat konvencionale iraniane me synim parandalimin e problemeve lidhur me naftën që vjen nga Gjiri Persik. Nga pikëvështrimi amerikan, asnjë prej këtyre zgjidhje nuk është e preferueshme. Bashkëjetesa me fuqinë iraniane u hap dyert kërcënimeve serioze në të ardhmen. Një përqendrim i menjëhershëm brenda Irakut mundet thjesht të mos jetë i mundshëm, për shkak të angazhimeve në Afganistan. Në çdo rast dalja nga Iraku do të krijonte në rastin më të mirë një forcë bllokuese, të paaftë për të imponuar vullnetin e vet mbi Iranin apo Irakun. Ekziston megjithatë opsioni i mbajtjes dhe intensifikimit të sanksioneve. Problemi është se edhe vetë amerikanët kanë krijuar hapësira të mëdha në kontekstin e këtyre sanksioneve dhe kinezët e rusët, sikurse europianët janë të gëzuar për të vijuar punën sipas rastit. SHBA-ja mund t’i bëjë bllokadë Iranit, por shumëçka prej importeve të këtij të fundit hyjnë në vend përmes rrugëve në veri, përfshirë naftën dhe gazin nga Rusia, dhe në mënyrë që të imponohet një bllokadë efektive, për marinën e SHBA-së do të duhet që të ndalojë anijet tregtare kineze dhe ruse sikundër ato të vendeve të tjera. SHBA-ja mund të bombardojnë rafineritë iraniane, por një akt i tillë vetëm sa do të hapte dyert për oferta të tjera për naftë dhe gaz nga jashtë. Përgjithësisht nuk kam besim te sanksionet, edhe nëse ato ekzistueset mund të dëmtojnë diçka ato nuk mund të detyrojnë ndryshimin e regjimit iranian apo të tejkalojë apo paraprijë mundësitë që aktualisht i ka. Ata mund të zgjidhin shumë prej problemeve të veta të krijuara nga sanksionet duke u përforcuar mirë në Irak. Sauditët do të paguajnë detyrimisht çmimin që duhet në këmbim të paqes që dëshirojnë.

Europianët vështirë se bëhen në një mendje; ata nuk dëshirojnë që të përballen me probleme të naftës që vjen nga Gjiri Persik. Nëse SHBA-ja mund të garantojë një rezultat pozitiv në rast të një sulmi ajror, gjermanët dhe francezët në rrugë private do ta mbështetnin atë, edhe pse publikisht do të dënonin unilateralizmin amerikan. Kinezët do të tmerroheshin nga rreziqet e aksioneve amerikane që do të imponoheshin mbi ta. Ata kanë nevojë për naftën e Lindjes së Mesme, edhe pse Kina është e lumtur të shohë rënien amerikane në Lindjen e Mesme, pasi kështu nuk ka pse të shqetësohet për konkurrencën e tyre diku tjetër. Dhe në fund rusët do të përfitonin nga ngritja e çmimeve të sektorit energjetik apo edhe duke e parë SHBA-në në një situatë pa rrugëdalje në një luftë tjetër. Për rusët, në ndryshim nga europianët apo kinezët, një sulm do të ishte i pranueshëm si opsion. Kështu, në tavolinë këtë javë do të jenë amerikanët, të vetëdijshëm dhe të keqardhur për fushatën e tyre premtuese në fillim, por me dështime të njëpasnjëshme; europianët dhe kinezët që duan një zgjidhje me rrezik të vogël për një problem afatgjatë dhe rusët që duken të ngazëllyer në shpresën e tyre që SHBA-ja të ndërmarrë edhe njëherë një hap tjetër që jep mundësi për ngritjen e çmimeve të energjisë. Nga ana tjetër, janë iranianët që dëshirojnë të shmangin një luftë konvencionale sikundër nuk dëshirojnë që t’u ikë mundësia që kanë kërkuar dhe pritur përpara Republikës Islamike - dominimi në Gjirin Persik.

Karta turke

Pas gjithë këtij sfondi janë edhe turqit. Ata kundërshtuan pushtimin e Irakut nga SHBA-ja, sepse e prisnin që një gjë e tillë do të shoqërohej me dështimin në vendosjen e një qeverie të aftë në Bagdad, çka edhe do të shkatërronte balancën e fuqisë mes Irakut dhe Iranit. Turqit gjithashtu janë përpjekur të shmangin një angazhim në Jug, që do të duhet të trajtonte kërcënimet që vinin nga kurdët turq të cilët veprojnë jashtë Irakut. Në të njëjtën kohë, Turqia me kohë po e ripërcakton veten si forcë lider në botën myslimane dhe si një urë mes kësaj të fundit dhe Perëndimit, në veçanti SHBA-së. Nisur nga kjo, turqit kanë adaptuar rolin e menaxherit në negociatat mes P-5+1 dhe Iranit. SHBA-ja u acarua me përpjekjen e fundit turke që koincidoi me imponimin e sanksioneve nga P-5+1. Turqit krah Brazilit negociuan transferimin e materialeve bërthamore prej Iranit, që u pa si e pamjaftueshme nga ana e Perëndimit. E vërteta ishte se SHBA-ja ishte e papërgatitur për një rol të njëanshëm nga ana e Turqisë dhe Brazilit në momentin që ato vendosën ta bëjnë një gjë të tillë. Që atëherë, ankthi nuklear është zbutur, sanksionet kanë pasur një sukses të kufizuar dhe SHBA-ja ndodhet një vit larg nga tërheqja prej Irakut, vend në të cilin tanimë ka hequr dorë nga roli luftarak. SHBA-ja mirëpret tashmë rolin e Turqisë. Po kështu edhe iranianët. Pjesa tjetër nuk ka rëndësi për momentin.

Tani turqit duhet të përballen me dilemën e tyre. Është shumë gjë e mirë të duash të negociosh si palë neutrale, por pala më e rëndësishme nuk gjendet në tavolinë ende. Është fjala për Arabinë Saudite. Turqia dëshiron të luajë një rol dominant në botën myslimane pa rrezikuar shumë në kuptim të forcës ushtarake. Problemi për Ankaranë zyrtare pra nuk është dhe aq të sjellë Iranin dhe SHBA-në më afër se tani, por të afrojnë iranianët me sauditët dhe kjo është një sfidë e jashtëzakonshme jo vetëm për arsye të çështjeve fetare, por gjithashtu sepse Irani ka si synim pikërisht atë çfarë Arabia Saudite i kundërvihet më shumë: dominimi në rajon. Problemi turk pra është të paqësojë çështjen thelbësore në këtij rajoni, e cila është marrëdhënia mes persëve dhe arabëve. Dosja bërthamore është më e lehtë për t’u trajtuar thjesht, sepse nuk ka ndjeshmërinë e duhur aktualisht. E ardhmja e Irakut është shumë e ndjeshme dhe e pasigurt. SHBA-ja do të largohet dhe kjo do të kthente Iranin një vend aleat për Bagdadin. Një Irak proiranian vetëm me ekzistencën e vet e ndryshon realitetin e Arabisë Saudite. Nëse Turqia dëshiron të luajë një rol konstruktiv, atëherë do të duhet të gjente një formulë që kënaq tri kërkesa. E para është të lehtësojë tërheqjen amerikane, për sa kohë qëndrimi dhe incidentet shtesë nuk përbëjnë një opsion, pasi do të provokonte atë luftë konvencionale që shumë pak faktorë e dëshirojnë. E dyta është të kufizojë shkallën e kontrollit që Irani ka në Irak, duke garantuar kënaqjen e interesave iraniane në këtë vend, por pa lejuar kontrollin absolut. E treta është të bindë Arabinë Saudite se shkalla e kontrollit dhënë Iranit nuk do të kërcënojë interesat e tyre.

Nëse SHBA-ja lë rajonin, e vetmja rrugë për të zotëruar këto garanci për të gjitha palët janë forcat turke, që hapur ose jo të luajnë një rol kundërbalancues në Irak ndaj ndikimit iranian. Turqia ka qenë një fuqi kryesore në ngritje në rajon dhe tani është koha që të ballafaqohet me çmimin e fuqisë. Turqit mundet thjesht të zgjidhnin të rreshtoheshin me iranianët apo sauditët, por asnjëra prej këtyre strategjive nuk do të rriste sigurinë e Turqisë në planin afatgjatë. Ankaraja nuk e dëshiron një luftë ajrore ndaj iranianëve. Ajo nuk dëshiron as kaos në Irak dhe nuk duan të vihen para zgjedhjes mes persëve dhe arabëve. Po kështu nuk e duan hegjemoninë iraniane. Ka shumë gjëra që turqit nuk i dëshirojnë në këtë kontekst. Pyetja shtrohet: çfarë është ajo që ata duan? Dhe se çfarë rreziqesh janë të përgatitur të ndërmarrin? Rreziku i parë që duhet të përballen është në Irak, të kufizojnë, por jo të bllokojnë fuqinë e Iranit dhe të shpalosen si kërcënim për këtë të fundit nëse ai shtyhet shumë larg në Gadishullin Arabik. Kjo mund të bëhet, por nuk është kjo mënyra sesi turqit janë sjellë në shekullin e kaluar. Gjërat kanë ndryshuar. Të jesh fuqi rajonale nuk është një koncept. Por është një proces i pakëndshëm i balancimit të interesave të kundërta me synim parandalimin e kërcënimeve më të mëdha ndaj interesave që shfaqen në horizont. Duke e pozicionuar veten si negociuese mes SHBA-së, Britanisë, Kinës, Rusisë dhe Gjermanisë nga njëra anë dhe Iranit nga ana tjetër, Turqia duhet të marrë një vendim themelor; ajo mundet vetëm të sigurojë një tryezë për bisedimet, apo ka shansin që të formësojë dhe garantojë produktin e saj. Sikundër amerikanët e kanë mësuar, askush nuk ka për t’i falënderuar ata për këtë gjë dhe askush nuk do të mendojë më mirë për ta pse po e bëjnë këtë gjë. Arsyeja e vetme për një përfshirje më të thellë sesa një ndërmjetës në bisedimet P-5+1 është se stabilizimi i rajonit dhe mbajtja e balancës së fuqisë perso-arabe qëndron në interesin kombëtar të Turqisë. Por kjo të jetë një zhvendosje e madhe në kulturën politike të brendshme të Turqisë, sikundër është një zhvendosje e pashmangshme. Nëse jo tani, patjetër më vonë atëherë.

"The Turkish Role in Negotiations with Iran" is republished with permission of STRATFOR

Përktheu: Skerdilajd Zaimi

Posted via email from Shkupi Press extra