Sytë e urrejtjes


Oktavio PAZ 

1. 
Në orën tre fiks, Don Pedro u ul në tavolinën tonë, përshëndeti çdo njërin prej konkurentëve, pëshpëriti për veten e tij një frazë të padeshifrueshme dhe zuri vend qetësisht. 
Kërkoi një filxhan kafe, ndezi një cigare, dëgjoi muzikë, piu me gllënjka kafen e tij, mori sombreron, nxori portofolin, na tha të gjithëve “ditën e mirë” dhe iku. 
Dhe kështu të gjitha ditët. 

2. 
Çfarë thosh Don Pedro, kur ulej dhe kur ngrihej me fytyrën serioze dhe sy të fortë? 
Thoshte: 
“Ishalla vdeksh!” 
Don Pedro e përsëriste shumë herë në ditë këtë frazë. Kur zgjohej, kur ngrihej nga mëngjesi i tij i zakonshëm, kur hynte dhe dilte nga shtëpia e tij në orën 8:00, në orën 13:00, në orën 14:00, në orën 19:00 dhe në orën 04:00, në kafeteri, në zyrë, përpara dhe mbas çdo ngrënieje, kur shtrihej për të fjetur. E përsëriste ndër dhëmbë apo edhe me zë të lartë, vetëm apo edhe në shoqëri. Ndonjëherë vetëm me sy. 
Gjithmonë me gjithë shpirt. 
Askush nuk e dinte se kujt ia drejtonte këto fjalë. Të gjithë nuk ia vinin veshin pikënisjes së kësaj urrejtjeje. Ndoshta ishte një urrejtje pa shkak, ndoshta një urrejtje e pastër. 
I veshur në të zeza, ai dukej se mbante zi për dënimin që i kishte dhënë vetes. 

3. 
Një mbasdite, Don Pedro arriti më vonë se zakonisht. U ul pa u ndier dhe atëherë, kur ishte kulmi i qetësisë, çka kushtëzohej më tepër nga praniae tij, papritur lëshoi këto fjalë: 
“Tashmë e vrava.” 
Cilin dhe si? 
Disa buzëqeshën, duke dashur ta merrnin si shaka. 
Vështrimi i Don Pedros i stepi. Të gjithë u ndjenë të shqetësuar. 
Pak nga pak, grupi u shpërbë. Don Pedro mbeti vetëm, më serioz se asnjëherë. Nuk u kthye më ditën tjetër. 
Kurrë nuk u kthye më. 
Vdiq? 
Ndoshta i mungonte urrejtja që e mbante gjallë, ndoshta jeton ende dhe tashmë urren ndonjë tjetër. 
Unë rishikoj veprimet e mia. 
Dhe të njëjtën gjë të këshilloj të bësh edhe me të tuat: a ke menduar ndonjëherë sikur, ndoshta shumë pranë teje, të të shohin sy si ato të Don Pedros? 

Përktheu Flora Nikolla