Strugë moj mrekulli, kush të ka fut me kokë në hi

Shpëtim POLLOZHANI

Struga është një mrekulli e natyrës që përmendet që në kohën e Neolitit. Në Strugë janë gjetur shumë armë të prodhuara nga stralli(stralli është gurë i fortë, i cili në kohën e neolitit përdorej si armë dhe si vegël), të cilat janë përdorur 30000 vite më parë. Në Strugë jetonin edhe fiset ilire siç janë: Penestët, Enkelejt dhe Drilonët, të cilët jetonin në rrjedhën e poshtme të Lumit Drini i Zi. Strugën e përmend edhe udhëpërshkruesi turk, Evlija Çelebi. Në këtë qytet kanë vepruar edhe vëllezërit Zograf, të cilët ishin piktorë dhe drugdhendës. Në këtë vend ka jetuar dhe punuar edhe Shën Naumi, i cili është shqiptar i pastër. Ka qenë pikë e rëndësishme gjeostrategjike dhe politike e shumë pushtuesve. Nëpër krahinën e Strugës kanë kaluar shumë ushtri pushtuese sikurse që janë: romakët, gotët, hunët, avarët, ushtritë e Kryqëzatave, Bizanti, osmanlinjtë, serbo-sllavët...Emri i lashtë i Strugës është Enhalon dhe është derivat nga emri Enkelej, që do të thotë ngjalë. Fshati Livadhi i Strugës është i njohur për betejat e Gjergj Kastriotit. Në Enciklopedinë e armatës Jugosllave, Struga është emërtuar si një nga tetë pikat më të rëndësishme gjeopolitike dhe strategjike të kësaj armate, tash më të vdekur. Ish diktatori serb Millosheviq, duke nisur nga Ulqini, në Strugë e mbyllte planin e tij famëkeq "Patkoi". Në ish Jugosllavi, në Strugë ndërtoheshin fabrika s?ciale, derisa në Ohër objekte të fuqishme industriale. Edhe pse Ohri me Strugën kanë përafërsisht numër të njëjtë të banorëve. Sot në Ohër ka pesë herë më shumë investime se në Strugë. Të mos harrojmë se prefekti i Ohrit është në një opozitë të ashpër me qeverinë aktuale. Struga është duke u shndërruar në katund të Ohrit. Ohri ka ofertë më të mirë turistike dhe investuese se Struga. Ka pastërti, rend dhe qetësi. Nuk është e kotë që gjithë pushuesit e Shqipërisë vendosen atje, në Ohër. Në Strugë gjatë sezonit të verës shkaktohet kaos i vërtetë në komunikacion. Nuk kompensohet pronari i një pike neuralgjike që të bëhet eksproprijimi i pronës, e cila krijon këtë kaos. Përgjegjës i madh për ketë kaos në komunikacion është edhe sigurimi publik, i cili me mosveprim stimulon anarkizmin që ne shqiptarët e kemi shumë qejf. Struga ka natyrë artistike. Këtu duhet të vlojë vera nga aktivitete kulturore dhe sportieve. Korçën dhe Poradecin e kemi në prag të derës. Humbi ideja për lundrim të anijeve ndërmjet Strugës, Ohrit dhe Pogradecit. Bazamenti për përmendoren e Nuri Mazarit-komandant Srtuga, ende është i zbrazët. Ku janë premtimet parazgjedhore. Atij bazamenti hajrin po ia sheh një esnaf, i cili aty e zhvillon biznesin e vetë privat. Edhe ura e qendrës është 75% e amortizuar, kështu thonë ekspertët. U bënë disa vite që shëtitoren e Strugës po e torturojnë disa shitës të cedeve-ve me muzikë vetëm serbe. Me ndarjen e fundit regjionale, Struga, Dibra, Kërçova, Resnja dhe Ohri janë në një regjion me qendër në Manastir. Gjithë të ardhurat e këtyre qyteteve derdhen në Manastir, natyrisht edhe të punësuarit janë vendas. Kjo ndarje është tmerr financiar për Dibrën, Strugën, Kërçovën dhe Prespën. Nga 26 drejtori të ndryshme, vetëm 3 drejtori janë në Strugë. Këto drejtori kanë mbi 400 të punësuar. Shqiptarët mund të numërohen në gishtat e dorës. Struga nuk ka asnjë sektor të rëndësishëm, por vetëm reparte dhe zyra për shërbime administrative, sportele.
Me "marrjen"e pushtetit nga ana e shqiptarëve në vitin 2005, janë punësuar 50-60 shqiptarë dhe pakës më shumë maqedonas. Maqedonasit kanë edhe pushtetin kualitativ edhe pushtetin kuantitativ. Në Strugë ka vetëm një drejtor shqiptar, mirëpo as gëk nuk mund të bëjë pa lejen a maqedonasve. Kryetar bashkie-komune është shqiptar, mirëpo sekretar dhe përgjegjës për administratën është një maqedonas, një arsimtar i gjeografisë, i cili bashkë me djalin e një ish udbashi, tashti avokat(Boro) i mbajnë në dorë penjtë e Strugës. Në Bashki veprojnë një Keti dhe një Beti, të cilat i kanë financat dhe çështjet juridike në dorë. Urbanizmin e kontrollojnë një Strezo dhe një Gjoko. Arkivin një Irenë. Gjithkund ku qëndron vula dhe nënshkrimi, aty shefa janë maqedonasit. Në Drejtorinë e të hyrave publike, edhepse koordinatori është shqiptar, nuk punon në rast se nuk është në punë arkivistja, e cila është maqedonase dhe e mbyll vulën me çelës. Kur është ditë jo pune për shqiptarët, të gjitha zyrat punojnë. Kur është ditë jo pune për maqedonasit nuk mund të kryhet asnjë punë për arsye se të gjitha vulat i kanë maqedonasit-natyrisht me ndonjë përjashtim. Se maqedonasit e kanë pushtetin real në Strugë, tregon edhe fakti se, asnjë nismë e palës shqiptare nuk është realizuar në rast se për këtë nuk është pajtuar pala maqedonase. Shqiptarët në Strugë nuk kanë marrë asnjë objekt strategjik. U bënë disa manipulime derisa shqiptarët u eliminuan nga konkurrenca për blerjen e "Hotel Drim". Disa herë u anuluan tenderët për Fabrikën Boris Kidriç. Të mos flasim për hotel Izgrev, Biser..., për prishjen e kontratës për blerjen e lokacionit, në afërsi të "Plazhit të femrave", aty ku maqedonasit "zbuluan" themelet e një kishe. Sipas dëshmisë të S. A. në atë vend ka qenë tualeti i shkollës fillore, e cila është aty pranë. Kisha do të ndërtohet pasi është pazar për xhaminë e fshatit Belicë e Epërme. Qytetit iu mbyll aorta kryesore, me të vetmin qëllim që të mos prishet vëllazërim bashkimi. U bë njëkahëshe rruga që lidh rrugën regjionale Qafë Thanë-Ohër me Liqenin. Ky masakër qyteti iu bë me të vetmin qëllim që të kënaqet vëllazëria maqedonase, pasi në atë rrugë pronarë të shtëpive dhe dyqaneve janë maqedonas. Në rast se para ardhjes të pushtetit shqiptar një shtëpi në atë rrugë kushtonte 80.000 euro, tashti po i njëjti objekt kushton mbi 300.000 euro. Pasi kjo rrugë u bë njëkahëshe, investuesve shqiptarë iu bë edhe një atentat. Shqiptarët derdhën milionë për dyqanet e tregut të gjelbër. Pas hapjes të Bezistenit strugan këta dyqane u zhvleftësuan deri në 100 euro për metër katror. Pasi u bë njëkahëshe rruga e liqenit, atentat financiar iu bë edhe investitorit shqiptar, i cili bleu ish shtëpinë e mallrave në Strugë. Ky investim patriotin Mexhit Coma e kushtoi mbi 5.000.000 euro. Lokalet e tij afaristë lirohen për ti zëvendësuar me dyqane të rrugës të liqenit. Këtu në Strugë nuk kaloi më mirë as investitori amerikan nga Prespa, i cili me premtimin e pushtetit ndërtoi një kazino që i kushtoi disa milionë dollarë, të cilën as që ka mundësi për ta inauguruar. Nuk ka kaluar aspak më mirë as investitori nga Shqipëria, i cili ndërtoi bllokun e banesave përballë spitalit të qytetit. Banka gjermane që financoi ndërtimin e trotuareve buzë Drinit, të cilat asnjëherë nuk i pranoi teknikisht, pat deklaruar se kurrë më nuk do të investojë në Strugë. Masakra e fundit që i bëhet këtij qyteti është bunkerizimi i "Plazhit të femrave". Ky plazh u dha me koncesion. Aty janë ndërtuar dy restorante të mëdhenj. Do të ndërtohen edhe dy të tjerë. U dhunua pjesa më e bukur e qytetit. Le ta dinë të gjithë njerëzit e "dërzhavës'' se në Strugë është shumë lehtë të bësh biznes. E rrethon një pjesë të plazhit që të pëlqen dhe mund të ndërtosh me mure betoni. Edhe buzë Drinit mundet të bëhet biznes. Aty është ndriçimi rrugor, nga i cili do te merrni rrymën. Ujin e keni falas dhe kafeneja mund të punojë. Edhe garazhë dhe ndonjë kopsht mund të rrethosh në vend publik, nuk prish punë vetëm duhet të jesh mirë me "dërzhavën". Në Strugë ligji për dygjuhësinë nuk vlen aspak. Në qytet nuk mund të gjeni asnjë lokal afarist me pronar maqedonas që është shkruar në dy gjuhë. Shqiptarët mbishkrimet i bëjnë në dy gjuhë. Nëpër fshatrat e banuar me shqiptarë i gjen shumë mbishkrime të shkruar vetëm në maqedonisht. Në rast se keni biznes ose shtëpi pranë rrugës dhe u pengon ndonjë pemë mundeni ta prisni lirisht. Në zemër të qytetit janë prerë disa qindra pemë dhe nuk janë zëvendësuar me të reja. Ndokush preu gjashtë pemë dekorative dhe man të egër. Te këto pemë shpesh shiheshin lypësit e qytetit, të cilët shijonin frytet e këtyre pemëve. Nga druri i manit bëhen fuçi të mira dhe ndoshta ndokush e ka zgjedhur problemin e turshive. Në BE, konkretisht në Bernë të Zvicrës, ai që pret një pemë dënohet me 42000 euro gjobë. I forti i qytetit Boro, i biri i një ish udbashi, me murin që ndërton te plazhi i femrave, asgjësoi disa pisha 50 vjeçare. Masakrimi i plazhit vazhdon edhe sot e gjithë ditën. Thuhet se në aferën e plazhit të femrave është përzier edhe deputeti shqiptar nga ky qytet. Tregu i qytetit është masakruar, edhe atë pakë hapësirë, e mbytën me dyqane. Aty bëhet korrupsion i madh. Një drejtor i kësaj ndërmarrje është në arrati për shkak të korrupsionit. Sheshi i qytetit nuk është prekur mbi 20 vjet. Ura e drurit dita-ditës pret viktimën e radhës. Askush nuk e meremeton. Ura rin si lugat përmbi lumin e virgjër. Gjatë shëtitjes nëpër bulevard, duhet mirë të kujdeseni ku e vini këmbën. Ka shumë pllaka guri që presin të thyejnë ndonjë këmbë. Në bulevard mbijnë edhe kioska, të cilët njerëzit e "dërzhavës" i japin me qira. Vetëm një kilometër vijë ajrore nga qendra e qytetit është deponia e hedhurinave, qendër e helmimit të 65000 banorëve të Strugës me rrethinë. Edhepse në qytet veprojnë disa organizata ekologjike, nuk e kanë gjetur të udhës të reagojnë. Tek puna e mbeturinave hyn edhe çështja e emërtimit të rrugëve. Nga 36 emërtime rrugësh, nuk figuron asnjë emër shqiptar. Bulevardi i qytetit quhet "Marshall Tito" dhe rruga poshtë urës "JNA". Qyteti nuk ka dalje nga liqeni për në Dibër. Është mbyllur aorta e qytetit. Për shkak të pazareve VMRO-BDI, kësaj pune ia shohin hairin taksistët, të cilët shpesh u prijnë rrugëtarëve të hutuar për t'i nxjerr jashtë qytetit. Viteve të fundit ka rënie të madhe të turizmit në Strugë. Struga është duke u shndërruar në katund i Ohrit. Edhepse dhjetori dhe janari, janë muajt kur prezantohen ofertat turistike, nuk vërehet asnjë lëvizje ofertash. Edhe fshatrat shqiptare janë në gjendje të mjerueshme edhe atje çdo gjë shkon në shkatërrim. Çdo vjet në rrethin e Strugës mbyllet nga ndonjë shkollë. Numri i nxënësve shqiptarë ka rënie 100% në dhjetë vjetët e fundit. Në qytet nuk ka asnjë investim. "Dërzhava" po e vret ardhmërinë e qytetit dhe të rinisë shqiptare. Kryetari i Strumicës është në opozitë, mirëpo vetëm vitin e kaluar investoi 3.5 milionë euro për ndërtimin e sheshit të qytetit. Fonde ka pa kufi. Donatorët presin të paraqiten qeveritarë seriozë dhe t'i bindin se paratë e tyre nuk do të vidhen. Këtij qyteti i duhen njerëz që e duan qytetin, jo përfaqësues fisesh, katundesh dhe jarani të ndryshme. Niveli intelektual i Këshillit të qytetit reflektohet një gjendjen e tij të mjerueshme. Sidoqoftë, shumica e qytetarëve të Strugës këtë gjendje e votuan dhe tani duhet ta shijojnë. Njëherë mali i tha sëpatës, përse më pret, sëpata ia ktheu, po të mos ishte bishti që ma dhe ti, unë nuk do të isha gjë, vetëm se një copë hekur.

Posted via email from Shkupi Press extra