
Milani ka shënuar fitore prej 2-0 kundër Catanias në Stadio Angelo Massimino, edhe pse në pjesën e dytë luajti me dhjetë lojtarë.

Në minutën e 54, mysafirët mbetën me një lojtar më pak në fushë pasi që transferi i ri Mark van Bommel u përjashtua me kartonin e dytë të verdhë. Mirëpo, mungesa e një lojtari nuk i pengoi Rossonerët që ta fitonin ndeshjen.

Pas një goditje të lirë nga Zlatan Ibrahimovic, topi shkoi te Robinho, i cili nuk gaboi nga afër për të futur topin në rrjet (58’) dhe për t’i dhënë avantazhin skuadrës së tij.
Pesë minuta pa përfunduar koha e rregullt e ndeshjes (85’), Zlatan Ibrahimovic i dha fund këtij takimi pas një pasimi sensacional të Robinhos.

Pas kësaj fitoreje, Milani ngritet në kuotën e 47 pikëve, shtatë më shumë se përcjellësit, Napoli (që të dielën zhvillon ndeshjen e javës së 22-të kundër Sampdorias) dhe Lazio (që të shtunën mposhti Fiorentinan).