Tashmë, trazira të mëdha kanë përfshirë vendet e quajtura Magreb, ose ndryshe vendet e Afrikës së Veriut. Njerëzit janë të revoltuar nga shumë realitete negative që i rrethojnë dhe kanë vendosur që të reagojnë Çdo lloj analize, apo debati në lidhje me kushtet politike dhe ekonomike të vendeve të kësaj zone gjeografike të planetit, duhet të nisë nga disa të dhëna të domosdoshme, të cilat përbëjnë edhe sfondin e domosdoshëm për të kuptuar më mirë atë që po ndodh. Le ta nisim me Egjiptin. Presidenti egjiptian Mubarak, 82 vjeç, ndodhet në pushtet që nga viti 1981 dhe ka ndërmend që ta çojë deri në fund edhe mandatin e tij të katërt presidencial. Muhamar Gedafi i Libisë, i cili erdhi në pushtet gjatë revolucionit libian, është 69 vjeç, dhe ndodhet në pushtet që nga viti 1969. Presidenti i Tunizisë, Zine el-Abidine Ben Ali, është 75 vjeç dhe ndodhet në krye të shtetit që nga viti 1987. Presidenti algjerian, Abdelaziz Boutefika, 74 vjeç, është zgjedhur për herë të parë në këtë detyrë në vitin 1999 dhe ka nisur mandatin e tij të tretë në vitin 2009. I pari ndër këta patriarkë që përmendëm është një gjeneral aviacioni, i dyti një kolonel, i treti një polic, i katërti vjen nga radhët e luftës çlirimtare kundër Francës. I pari erdhi në Presidencën e vendit të tij pas vrasjes së paraardhësit, i dyti erdhi në pushtet me një grusht shteti, i treti nxori me forcë nga drejtimi i vendit atë që ndodhej deri në atë moment në krye të tij, themeluesin e Tunizisë moderne, i katërti u zgjodh në detyrën presidenciale pas një lufte të gjatë civile që shkaktoi 200 mijë të vdekur. Për të qëndruar sa më gjatë në pushtet, të gjithë këta krerë shtetesh “ndreqin” në mënyrë të vazhdueshme Kushtetutën, ose eliminojnë klauzolën e saj, që ka të bëjë me numrin e kufizuar të mandateve që duhet të ketë një President. Të gjithë ata i janë shmangur deri më tani një numri të madh atentatesh, zakonisht të organizuara nga fraksionet islamike të vendeve të tyre. Mubarak, Presidenti i Egjiptit, për shkak të moshës së avancuar, shpreson që t’ia trashëgojë karrigen e pushtetit të birit, Gamal. Gedafi, lideri i Libisë, është në dilemën e zgjedhjes mes dy djemve të tij për rolin e pasuesit. Njëri prej tyre është arrestuar në Zvicër për një sherr të bërë në shtëpinë e tij. Ben Ali ka vendosur familjarët në pozicione kyçe të pushtetit. Bouteflica nuk ka ende ndonjë trashëgimtar të dukshëm, por pushteti algjerian, që nga themelimi i shtetit, ka qenë në duart e një oligarkie ushtarake. Strukturat oligarkike dhe familjare janë një nga shkaqet e korrupsionit që ka përfshirë në këto vende gjithë aparatin shtetëror dhe që i ka shndërruar autoritetet e vendit në palaço gjakpirëse para qytetarëve. Le të vazhdojmë më tej me informacionet për këto vende dhe nga ngjashmëritë të kalojmë tek dallimet mes tyre. Egjipti, së bashku me Marokun, janë shtetet më të vjetra arabe të rajonit. Egjipti lindi në dhjetëvjeçarët e parë të viteve ‘800 falë energjisë dhe intuitës së një shqiptari gjenial, i cili ishte në atë kohë në shërbim të perandorisë otomane, Mohamed Ali. Më pas u bë vasal i perandorisë britanike në vitin 1882, por arriti që të ruante edhe në vitet e protektoratit sovranitetin e tij, një elitë tregtare dhe intelektuale që shërbeu si një derë që lejoi hyrjen e ndikimit të Perëndimit në këtë vend. Egjipti ruajti edhe një identitet të fortë kombëtar, si dhe një shkallë të mirë të tolerancës fetare. Deri në periudhën e revolucioneve islamike të viteve ‘70, ‘80 të shekullit të kaluar, Egjipti ishte i vetmi vend arab i aftë që të përpunonte dhe të nxirrte modele shekullore politike, si nacionalizmi dhe panarabizmi i Naserit. Por nacionalizmi u mund në fushat e betejave të luftërave arabo-izraelite, ndërsa panarabizmi nuk arriti kurrë që të tejkalonte fazën eksperimentale. Egjipti nuk është një shtet i dështuar, por nuk arrin që të mbajë me bukë 77 milionë qytetarët e tij, si dhe të ulë shifrën e lartë të analfabetëve. Në këtë vend, 35% e popullsisë është analfabete. Në këtë shtet laik dhe filoperëndimor, masat e zhgënjyera të popullsisë ranë në duart e “Vëllezërve myslimanë”, një grupim që lindi në vitin 1929, por që u bënë shumë të fuqishëm dhe me më shumë ndikim pas dështimit të proceseve demokratizuese dhe modernizuese të vendeve të rajonit. Mubarak i mban larg Vëllezërit me ndonjë lëshim apo koncesion që u bën, por përdor gjithnjë rrezikun e islamizmit për të legjitimuar pushtetin e tij, duke përdorur ligjet e emergjencës për të siguruar qëndrimin në pushtet. Si pasojë Egjipti është një shtet më pak laik, më pak tolerant dhe më pak shembullor në krahasim me periudhën më të mirë të historisë së tij. Si pasojë Kajroja nuk është aspak shembulli që vendet e Afrikës Veriore duhet të marrin për zbatimin e modeleve të modernizimit civil dhe ekonomik. Në Libi situata është më pak e rëndë, vendi që ka një popullsi më të vogël se Egjipti, vetëm 6 milionë, dhe pasuritë natyrore arrijnë që të mbushin arkën e shtetit. Por Jamairya nuk është një monarki, por nuk mund ta quash as republikë. Është thjesht një emirat i pasur, që drejtohet nga një lider ekstravagant, që nuk mund të thuash se nuk ka një lloj gjenialiteti politik dhe që ka sot vetëm dy merita kryesore për ata që duan të kryejnë punë me të. Ka mbrojtur vendin dhe vetveten nga teprimet e islamizmit fanatik dhe, mbi të gjitha, nuk ka pranuar që të vazhdojë të recitojë pjesën e Don Kishotit arab kundër mullinjve me erë të Perëndimit. Tunizia është në shumë drejtime një kopje e vogël e Egjiptit. Lideri i këtij vendi nuk vjen nga ushtria, por nga policia dhe e drejton vendin e tij me metoda në dukje tolerante, por që në thelb janë autoritare. Ky vend nuk ka pasuri të mëdha natyrore, por bën një përdorim shumë të mirë të burimeve turistike dhe ia ka çelur tregun ndërmarrjeve dhe investimeve të huaja, ka një shtresë të afirmuar borgjezie që është shkolluar nëpër shkollat franceze. Ndërkohë për sa i përket sektorëve të tjerë ekonomikë në vend, ato janë të ngërthyer nga korrupsioni, klientelizmi dhe nepotizmi dhe nuk arrijnë që të bëjnë performanca aspak të mira duke lënë në varfëri një pjesë të madhe të popullsisë. Në Tunizi si edhe në Egjipt e në Algjeri, kurba demografike dhe ajo e rritjes ekonomike bëjnë përpara me një ritëm krejtësisht të ndryshëm. Ka pasur vite kur suprplusi i shtimit të popullsisë menaxhohej përmes “oreksit” që kishte tregu perëndimor i punës për punëtorë të dorës së dytë, pra për refugjatë dhe emigrantë. Ndërsa sot, pas krizës së përgjithshme financiare dhe ligjeve shumë strikte për emigrimin, të ndërmarra nga shumë vende perëndimore, valvula e emigracionit është duke u mbyllur. Të rinjtë tunizianë vazhdojnë që të kërkojnë më shumë liri, por sipas të gjitha shanseve, do të kënaqeshin dhe me më pak liri, nëse do të arrinin që të gjenin një punë të paguar mirë që t’u korrespondonte kualifikimeve dhe ambicieve të tyre. Vendi që përballet me rreziqe më të mëdha ka shumë të ngjarë që të jetë Algjeria. Modernizimi i saj i tipit sovjetik ka dështuar bujshëm në vitet ‘80 dhe pati efekt jashtëzakonisht negativ në skenën politike të vendit pasi i hapi rrunë suksesit të madh që pati një parti islamike, Fronti Islamik për Shpëtim, që fitoi edhe raundin e parë të zgjedhjeve të përgjithshme në vitin 1991. Por ushtarakët në këtë rast morën situatën në dorë, duke e shtypur brutalisht këtë fitore dhe duke anuluar rezultatin e zgjedhjeve. Kjo bëri që në vend të niste një luftë e përgjakshme civile që arriti të gjunjëzonte gjatë pjesës më të mirë të dhjetëvjeçarit njërën prej shoqërive më të shkolluara dhe inteligjente të rajonit. Boutelfika pati meritën e dhënies fund të terrorit dhe rivendosjes së rendit kushtetues. Por ndërkohë ai hyri në një kompromis me islamikët, ka manipuluar Kushtetutën dhe ka vazhduar që të mbrojë, në interes të oligarkisë ushtarake, një ekonomi të mbyllur në mënyrë tendencioze, të dyshimtë dhe armiqësore ndaj futjes së kapitalit të huaj. Nga viti 2001 e deri në vitin 2009, vendi ka pësuar rritje ekonomike me vetëm 3%, çka nuk është aspak mjaftueshëm për të punësuar dhe ushqyer një shoqëri në të cilën të rinjtë nën moshën 30 vjeç përfaqësojnë 70% të popullsisë së vendit. Nuk u fol deri tani për Marokun. Ky vend, përmes një institucioni të vjetër, por funksional si monarkia, e ka zgjidhur problemin e trashëgimisë së pushtetit. Është një vend mysliman, por mbreti dhe qeveria e tij i administrojnë fetarët si të ishin nëpunës publikë. Nuk ka rezerva të mëdha natyrore, por ka një ritëm mesatar të rritjes ekonomike, veçanërisht gjatë dhjetëvjeçarit të fundit, me një mesatare mbi 5%. Ka një përqindje të analfabetizmit më të ulët se ajo e Egjiptit dhe Algjerisë dhe një shkallë të papunësisë pak a shumë të niveleve të Europës Perëndimore. Dhe është vendi që në planin kulturor, ka përfituar më shumë nga të tjerët nga varësia e saj ndaj Francës.
Home »
» “Republikat patriarkale”, klanet që mbretërojnë në Afrikën e Veriut





