Politikë pa moral

Halil Matoshi


Nuk kam mundur t’i besoj asnjëherë rezonit makiavelist se qëllimi arsyeton mjetin dhe se në politikë nuk ka moral. E si të bindet njeriu për këtë, kur ka parasysh idealet e lirisë, të demokracisë liberale dhe krenarinë popullore, e cila i ka dy cilësi: ndershmërinë dhe sinqeritetin. Mirëpo, këto dy cilësi në politikë, sipas “Procesverbaleve të pleqësisë sioniste” quhen dobësi. Ato përmbysin pushtetarët nga pushteti më lehtë se armiku më i egër

 

Nëse politika nuk ka asgjë të përbashkët me moralin, atëherë ç’i duhet qytetarit interesimi për politikën, ç’i duhet atij organizimi dhe protesta, ç’i duhet kritika shoqërore dhe kritika qeverisëse, që mëton ta disiplinojë qeverisjen për të mos e lënë të gabojë.
Pse zgjedhjet e lira atëherë?
Nëse është kështu, fundja ç’i duhet njeriut filozofia dhe posaçërisht ajo politike?
Sipas kësaj teze (shih: Sekreti i sundimit të botës), lideri politik i veshur me pushtet, i cili i përmbahet moralit, nuk është politikan mendjemprehtë dhe pozita e tij udhëheqëse nuk është as e qëndrueshme as afatgjatë. Ai i cili dëshiron të udhëheqë, duhet të dijë të mashtrojë dhe të shtiret.
Nëse ka diçka të vërtetë në këtë formulë, atëherë del se Kosova politike nuk është ndonjë përjashtim.
Duhet të përmend dy faktorë themelorë, që më bëjnë të bindem se në politikë nuk ka moral.
E para, zgjedhjet e manipuluara të 12 dhjetorit 2010, ripërsëritja e tyre më 9 dhe 23 janar 2011 e më gjasë edhe gjetkë, me gjithë rinumërimin e atij 40- përqindëshit të kutive, Kosovën e kanë shti në krizë edhe më të thellë, por këtë herë jo vetëm në krizë institucionale, por në paligjësi dhe rrezikim direkt të demokracisë.
PDK-ja e Hashim Thaçit doli partia e parë, ndonëse zgjedhjet nuk janë certifikuar dhe nuk dihet kur dhe a do të bëhet dhe lideri i saj është në kërkim të partnerëve për një koalicion qeverisës. Thaçi nuk bën ndonjë përjashtim nga liderët rajonalë, të cilët nuk investojnë në ndershmëri dhe sinqeritet, sepse ballkanasve do t’u dukeshin si tepër reformatorë dhe të tillët rëndom i humbasin zgjedhjet ose vriten.
Kështu ka ndodhur edhe në vendet me demokraci të zhvilluara, me Churchillin në Angli, me De Gaulle në Francë ose në rastin e Serbisë postmilosheviqiane, kur u vra Zoran Gjingjiqi.
Dhe e dyta, po të marrë e të dëgjojë apo lexojë kritikat më të ashpra ndaj Qeverisë së shkuar të Hashim Thaçit, qoftë nga opozita në parlament, qoftë nga deklarimet publike në media të politikanëve të partive të ndryshme, në këtë rast, si nga AKR, nga AAK-ja, nga lista “Ibrahim Rugova” etj. (pos LDK-së dhe lëvizjes “Vetëvendosje”) ndonëse të betuar se kurrë s’do të qeverisin me ata që e katandisën Kosovën në këtë zezonë, me “krimin e organizuar”, me “hajna”, etj. tashti po i ndërrojnë fjalët, duke u ëmbëltuar nga hisja e tortës së pushtetit. Për çfarë morali mund të flitet në këtë rast?
Kur flasim për Kosovën gjithnjë duhet të marrim ndonjë referent ndërkombëtar, sepse kosovarëve, qofshin edhe më të paanshmit dhe më kredibilët, në këtë garë egërshane për pushtet nuk u beson askush. Për çfarë morali politik mund të flitet kur Thaçi i cilësoi zgjedhjet një mrekulli, ndërkaq eurodeputetja Ulrike Lunacek tha se zgjedhjet sërish u manipuluan në mënyrë të organizuar dhe të zgjedhurve, të gjithë pra edhe media, duhet t’ua rikujtojnë përditë se prej çfarë zgjedhjesh kanë dalë ata.
E vetmja gjë që u mbetet qytetarëve dhe shtypit të lirë është reagimi, gjendja zgjuar dhe kujdestaria, për t’u bërë presion politikanëve që ta ndërrojnë kursin së pari ndaj zgjedhjeve të lira. Shtypi po ashtu do t’ua rikujtojë përditë “vjedhjen industriale” të votës.
A do të ndreqet kështu politika kosovare?
E pabesueshme. Mund të arnohet disi ky proces i shëmtuar zgjedhor, sa për t’i mbajtur në këmbë institucionet, por nga kjo klasë politike asgjë nuk pritet më mirë, në kontekstin e moralit, ndershmërisë dhe sinqeritetit.
Ajo do të vazhdojë të pasurohet nga zyra, krejt përderisa publiku nuk reagon, për t’u zënë pritë para dyerve qeveritare secilit hajdut me kravatë.
Politika mbetet klasikisht makiaveliste, ajo vetëm mund të disiplinohet duke u strukturuar në institucione të pavarura të shtetit, të cilat duhet të ndërhyjnë, në rast se ajo degradon në ndërmarrje kriminale.
Pra roli i politikanit nuk ndryshon, ai vazhdon të jetë mashtrues i shkathtë dhe elokuent, që t’i fitojë votat e qytetarëve. 
Prandaj, a vlen këshilla miqësore e ambasadorit amerikan Christopfer Dell se Thaçi si mandatar duhet të krijojë një qeveri kredibile dhe me duar të pastra dhe çka ai nënkupton më këtë? Duart e pastra ose jo i përcakton gjyqtari i pavarur e jo deklarimet politike. Sidoqoftë, Kosova mund të ketë një Kuvend me legjitimitet të diskutueshëm dhe ai do të derivojë një pushtet pa etikë.
E si mund të jetë kredibil ai pushtet që del nga zgjedhjet e manipuluara?
Hashim Thaçi ndoshta i ka numrat e duhur dhe mund ta “krehë” një dorë ministrash sa për t’u cilësuar njerëz të duarve të pastra, duke marrë dritë jeshile nga ambasadori Dell që ta ndërtojë Qeverinë, sepse, sipas vlerësimit të diplomatëve, një proces i pafund zgjedhor nuk e ngre as cilësinë e tyre dhe as moralin e politikanëve.
Por, publiku së bashku me opozitën parlamentare dhe mediet e lira duhet të mbajë kujdestarinë, që t’ua përkujtojë fituesve të dyshimtë faktin se kanë mashtruar.
Dhe do si do, për shkak të shumë sfidave që e presin vendin, një Kuvend do të mblidhet dhe nga aty duhet të dalë një kryetar shteti. Miqtë e Kosovës thonë që të jetë konsensual, femër etj. Kjo nuk ka fare rëndësi, përderisa nuk amendamentohet Kushtetuta e vendit, e cila do ta sanksiononte zgjedhjen e presidentit në mënyrë të drejtpërdrejtë, si autoritet moral dhe kredibil e jo as “aparatçik” dhe as i dyshuar apo i hetuar për çfarëdo krimi.
Për ta mbajtur shtetin në këmbë, do si do, duhet të krijohet një Qeveri.
Qoftë me AAK-në apo AKR-në e partitë e komuniteteve pakicë, qoftë edhe kujdestare që do të garantonte zgjedhje të lira në afat optimal.
Klasa politike aktuale në Kosovë duhet ta nënshkruajë një kontratë të re me shoqërinë kosovare, për të shkuar në zgjedhje vërtet të lira të jashtëzakonshme, ndoshta në vjeshtë, duke garantuar ndryshimin e Ligjit të zgjedhjeve.
Dhe nëse e kemi parasysh faktin se Thaçi ka sens që të jetë i dëgjueshëm ndaj amerikanëve posaçërisht, atëherë mund të ndodhë që Kosova ta ketë një Qeveri më pak mashtruese. Pra, Thaçi e ka marrë mesazhin se nuk do të jetë i pranueshëm në Qeveri asnjëri nga politikanët e inkriminuar, ose të dënuar për ndonjë vepër penale dhe ata që janë bastisur ose hetuar nga drejtësia vendëse dhe ndërkombëtare.
A ka Thaçi kaq fuqi politike për t’i dalë zot vendit pa u konfrontuar me miqtë e Kosovës?
Një lëvizje të intensitetit më të ulët pritet se do ta bëjë, por jo në përmasat e dëshiruara nga kosovarët dhe aleatët e tyre.
Kurse “peshqit e mëdhenj” do t’ia lërë në dorë Pieter Feithit.
Në këso situate, pritet që kryeministri të mos kryqëzojë shpatat me opozitën, këtë herë të fuqishme për sa i përket miratimit të buxhetit, së paku jo deri në shkallën në të cilën mund të rrëzohet shteti për tokë; të krijojë mirëbesim me median rreth lirisë së fjalës, të cilën duhet që personalisht ta inkurajojë dhe ta garantojë; të krijojë partneritet me qytetarët për liri shprehjeje, shtet ligjor ku fabrikantët e votës do të dalin para drejtësisë dhe të marrin dënimin e merituar; pastaj kryeministri nuk duhet ta harrojë Ligjin antimafia, për të cilin u pat deklaruar verën që shkoi, por edhe të mos i harrojë vendimet për pagat, natyrisht.
Koalicioni Thaçi me këdo duhet të qeverisë së bashku me opozitën, me alternativat e saj më të mira, duke iu shmangur denigrimit, sharjes dhe mbivotimit të saj.
Vetëm kështu do ta rifitonte besimin e qytetarëve të vendit, se ai vërtet do që të krijojë institucione të pavarura shtetërore, paçka se atij i mungon sensi për krenarinë qytetare dhe cilësitë e saj, ndershmërinë dhe sinqeritetin.
Po të kishte Thaçi aq fuqi dhe vullnet politik për t’i bërë këto punë, në këtë mënyrë Qeveria e tij do të mbahej mend si shpëtimtare e shtetit dhe e demokracisë, përndryshe ai vetë do të dorëzohej dhe vendi do të hynte në kaos.

halil.matoshi@kohaditore.com

Posted via email from Shkupi Press extra