Nga Albana S. Muja
Dramaturgu nga Kosova, Jeton Neziraj, është përfshirë në antologjinë gjermane të dramës “Theater Theater - Aktuelle Stücke 21”, me dramën e tij “Lufta në kohën e dashurisë”. Pos në gjermanisht, drama është përkthyer edhe në disa gjuhë tjera.
Në antologjinë “Theater Theater” e cila botohet çdo vit nga shtëpia botuese gjermane S. Fischer Verlage, në numrin e sivjetmë të 21-të me radhë, do të jetë edhe një dramë nga Kosova, e dramaturgut, Jeton Neziraj. Është fjala për dramën “Lufta në kohën e dashurisë”, të cilën autori e pati shkruar në vitin 2007, e cila në tetor të po atij viti ka pasur prezantimin e parë në skenë në Londër, në teatrin Nomad. Vitin e kaluar në nëntor u dha premierë në Yale Drama Coalition në New York të Amerikës. “Ka qenë botuesi S. Fischer Verlage ai i cili ka bërë përzgjedhjen e dramave për këtë antologji. Ata në fakt, i mbajnë të drejtat e kësaj drame edhe për inskenimet eventuale në shtetet gjermanofolëse. Përfshirja e dramës në këtë antologji është natyrisht lajm i mirë për mua, për faktin se drama kështu ka mundësi të jetë në duar të lexuesit gjerman, e posaçërisht në duar të teatrove e regjisorëve... Thjeshtë, benificionet nga kjo janë të shumta dhe unë pres që suksesi i kësaj drame mbas këtij botimi atje të shumëfishohet”, tha Neziraj. Përpos dramës së Nezirajt, janë botuar edhe dramat e autorëve të tjerë gjermanë e ndërkombëtarë: Gesine Danckwart “Auto”, Alexander Dinelaris “Still Life”, Lothar Kittstein “Haus des Friedens”, Lorenz Langenegger “Geschëister”, Jeton Neziraj »Krieg in Zeiten der Liebe«, Ewald Palmetshofer “Wohnen. unter glas”, Falk Richter “TRUST”, Roland Schimmelpfennig “Peggy Pickit sieht das Gesicht Gottes”, Polly Stenham “Tusk Tusk”, dhe Robert Woelfl “Wir verkaufen immer”. Në pyetjen se a do të inskenohet kjo dramë “Lufta në kohën e dashurisë”, pas përfshirjes në antologji, Neziraj tha, po, do të inskenohet!. “Akoma nuk ka diçka të konfirmuar, por predispozitat ekzistojnë. Nga reagimet e atyre që kanë lexuar këtë dramë atje, them që inskenimi do të ndodhë shpejtë”. Drama “Lufta në kohën e dashurisë” është përkthyer në gjermanisht nga Joachim Röhm, ndërsa shtëpia botuese S. Fischer Verlage i mbanë të drejtat e dramës për botim dhe inskenimet eventuale në shtetet gjermanofolëse. Përpos në gjermanisht, drama është përkthyer edhe në anglisht, frëngjisht, spanjisht e bullgarisht.





