Interi e nisi shumë, shumë keq këtë takim. Fabrizio Miccoli pranoi një pasim fenomenal nga Cassani (5’) për të realizuar për epërsinë e parë të Palermos. Interi tentoi më se njëqind herë për ta barazuar rezultatin, por forma e jashtëzakonshme e portierit më të mirë këtë sezon në Serie A, Salvatore Sirigus e bëri të veten.
Debutimin e ëndrrave Pazzini e filloi në minutën e 57-të, kur pas një pasimi nga Houssine Kharja, realizoi lehtë përtokë për 2-1 dhe ringjalljen e Interit.
Në vazhdim të takimit Interi ‘vërsuli ujqit’ në sulm. Maicon u shfaq edhe njëherë perandorak kur me një harkim maestral gjeti kë tjetër pos Giampaolo Pazzinit, i cili me kokë shënoi për 2-2 dhe debutimin e tij hyjnor (73’). Giuseppe Meazza në këmbë me shpresë për një fitore…
Nuk kaluan as tri minuta të plota dhe Giampaolo Pazzini ia bën bajat Palermos, nxorri një penalti, të cilën në mënyrë të qetë e konvertoi në gol Samuel Eto’o (76’) për 3-2 dhe ekzaltin në Meazza.
Palermo tentoi që deri në fund të takimit të bëjë diçka dhe rastin më të mirë e pati pikërisht Pajtim Kasami goditjen e të cilit e bllokuan Maicon dhe Cesar së bashku, duke shfaqur heroizëm të pa parë në momentet përfundimtare të sfidës.
Rezultati mbeti i pa ndryshuar dhe Interi në fund fitoi me rezultat 3-2. Me të vërtetë ishte kjo një paraqitje e jashtëzakonshme në debutim e Giampaolo Pazzinit dhe një rikthim dramatik e fitore e pa besueshme e Nerazzurëve, të cilët shpëtuan Scudetton dhe treguan se kanë edhe disa hesape të pa sqaruara me rivalët e përbetuar, të cilët janë edhe liderë.
Interi me këtë fitore heroike e sheh veten në pozitën e pestë me 38 pikë, nëntë më pak se Milani lider, por Nerazzurët kanë një ndeshje më pak të zhvilluar.





