Muri grek i Evropës

“Zaman”

 

Është thuajse e qartë se disa anëtarë të BE-së nuk e dëshirojnë hyrjen e Turqisë në Evropë, nuk duan të luajnë nga istikami, prandaj edhe kërkojnë dëshpërimisht masa të reja përjashtuese. Të tilla vende veprojnë sikur Turqia të mos ishte në gjysmë të rrugës, atë të përmbushjes së procedurave teknike (të ashtuquajturat “negociata pranimi”) që mbartin si të drejta është edhe detyrime ligjore.
 Është e ditur nga shumëkush që historia e marrëdhënieve mes Turqisë dhe Greqisë është larg për të qenë e trajtuar si një histori e fqinjësisë miqësore. Pavarësisht kësaj, një periudhë e re dukej se kishte feksur, kuptohet me hapa të vegjël e megjithatë mund të thuhej, së paku deri pak kohë më parë, se Greqia nuk përbënte më pengesën kryesore të pranimit të Turqisë në BE. Për më tepër, Greqia është shprehur rregullisht se mbështet përpjekjet e Turqisë për t’iu bashkuar Evropës dhe që të dyja vendet së bashku kishin vendosur të mos e lidhnin çështjen e Qipros me procesin e anëtarësimit të Turqisë në Evropë. Falë kësaj klime u ndërmorën nisma të reja bashkëpunuese në detin “Egje” dhe të dy fqinjët ndalën së vlerësuari njeri-tjetrin si kërcënim ushtarak.
Mjedisi ishte premtues. Megjithatë, të rejat e fundit mbartin në vetvete impaktin e dhënies fund njëherë e mirë të kësaj klime pozitive. Së pari, Agjencia e BE-së për Sigurinë e Kufijve të Jashtëm(FRONTEX) ka zbarkuar në kufijtë turko-grek për të luftuar emigracionin e paligjshëm. Askujt nuk mund t’i shkojë ndër mend se Greqia është një vend tërheqës për emigrantët, apo që industria e lehtë apo tekstile e këtij vendi të vihet në rrezik nga valët e emigrantëve nga Lindja. Sigurisht, Greqia nuk rrezikohet prej qëndrimit të këtyre emigrantëve në të, por tek kalimi tranzit i tyre për në vendet e tjera të Evropës Perëndimore. 
Pavarësisht imazhit të përkeqësuar të marrjes së këtyre masave, Turqia aktualisht nuk është shtegkalimi kryesor për emigrantët e paligjshëm drejt BE-së: shtegkalimi më i rrahur është kryesisht nga Ukraina dhe Afrika e Veriut. Megjithatë, ka një detaj mjaft të rëndësishëm në këtë zhvillim: BE-ja këmbëngul në riformulimin e marrëveshjes më Turqinë ndërkohë që marrëveshja pararendëse është zhvleftësuar, pasi nuk e kishte të përfshirë pikën me “palën e tretë”(me ato vende që janë shpesh burim i emigracionit të paligjshëm). Nëse do të ketë një riformulim të marrëveshjes Turqi-BE, Turqisë i duhet t’i dëbojë nga vendi të gjithë emigrantët e paligjshëm që kanë hyrë tranzit në Turqi, pa qenë e detyruar t’i kthejë në vendet e tyre të origjinës.
Në këtë kuptim, Greqia ka ndërmarrë një vendim problematik, që mund të vlerësohet si i turpshëm përgjatë gjithë shek. XXI. Një mur 206 kilometra i gjatë që do të ngrihet përgjatë lumit “Maritsa” kërkon të justifikohet me praninë e një muri të përngjashëm ndarës në brezin kufitar që ndan Meksikën me SHBA-në. Nisur nga kjo logjikë, nëse një mur është i nevojshëm për të siguruar kufijtë tokësore, gjithkush mund ta bindë veten se një i tillë është i nevojshëm edhe për sigurinë e kufijve detarë, por që nga ana tjetër është sebep për të tensionuar rishtas marrëdhëniet dypalëshe në hapësirat ujore të detit “Egje”.
Nuk është ende e qartë nëse Evropa do të mbrohet  nga valët emigratore për shkak të ngritjes së “Murit grek”, por ndërkohë që shqiptarëve nuk u nevojiten më viza për të udhëtuar në vendet e Shengenit, Greqisë ndoshta i hyn në punë ky mur ndarës kaq i gjatë veç për t’u ndjerë e mbrojtur dhe e siguruar brenda kufijve të saj. Kjo situatë ngjan si dy pika uji me atë çka ndodh së fundmi në Izrael, i cili, duke ngritur mure ndarëse, u shndërrua në një vend që burgosi vetveten duke u përpjekur të rrisë sigurinë e kufijve. Ndoshta, ideja e murit u është shtënë ndërmend grekëve prej politikanëve izraelitë, që këtyre kohëve janë bërë miq të ngushtë me njëri-tjetrin. 
Ky mur i ngritur në hapësirat kontinentale nxjerr në pah veç diçka: orvatet të dëshmojë se fizikisht Turqia do të mbetet jashtë Evropës. Ndoshta “partnerët” e grekëve që i kanë dhënë një dorë për të mbijetuar ekonomikisht ia kanë kërkuar në këmbim edhe këtë nder. Me fjalë të tjera, kreditorët e Greqisë kanë dashur të përjashtojnë Turqinë nga e ardhmja e saj kontinentale. Është rasti t’u kujtojmë grekëve se “të tretët” janë ata që përfitojnë nga tensionimi i marrëdhënieve turko-greke. Ky mur, me shumë gjasa, nuk do të ndalë valën emigratore, por do të hedhë në erë marrëdhëniet e ndërsjella të mirëbesimit  mes dy vendeve fqinje.

Posted via email from Shkupi Press extra