Është koha për një shqyrtim të realitetit. Myslimanët përbëjnë afro 3 për qind të popullsisë së BE, dhe kjo shifër nuk do të jetë më shumë se 10% deri në vitin 2025. Por frika që islami radikal do të përshkojë të gjithë kontinentin është simptomë e diçkaje më të madhe: krizës së identitetit të Evropës JUMANA FAROUKY
Dy gra në moshë mesatare, që mbajnë veshur hixhab-e bisedojnë me njëra-tjetrën në arabisht teksa shkojnë ngadalë teposhtë rrugës. Përpara se tyre është një librari myslimane, në vitrinën e të cilës ndodhen DVD të imamëve dhe libra me tituj të tillë si “Mrekullitë Shkencore në Kuran”. Në një qoshe ndodhet një dyqan kasapi i rrjetit hallall; në qoshen tjetër, një dyqan muzike që shet vetëm muzikë arabe. Dikush ka ngjitur postera që lajmërojnë për një koncert të muzikantit maroken, Daudi. E gjithë kjo nuk ndodh në Marok. Ndodh në Francë. Lagja Goutte d’Or ndodhet në kryeqytetin e vendit. “Në këtë lagje, nuk e kupton fare që ndodhesh në Paris”, thotë Naresh Patel, një indian hindu 44-vjeçar. “Këtu njerëzit e ruajnë trashëgiminë e tyre myslimane afrikano-veriore. Franca ka bërë një punë shumë të dobët në integrimin e imigrantëve të saj”. Për Patel, fakti që qytetarët afrikano-veriorë të Francës nuk ndihen si në shtëpi është thjeshtë një turp. Për të tjerët, është shumë më i rrezikshëm se kaq. Tre vjet më parë, Studiuesi i Lindjes së Mesme në Universitetin e Princeton, Bernard Lewis tha se, falë imigracionit si dhe normës së ulët të lindjeve në Evropë, deri në fund të shekullit do të kemi shumica myslimane në Evropën Perëndimore: “Evropa do të jetë pjesë e Perëndimit Arab, ose Maghreb”. Ai nuk është i vetmi që mendon kështu. Frika nga një Eurabi (kryeqytet: Londonistani) të populluar me myslimanë të varfër, të zjarrtë, të zemëruar po fiton terren. Islamikët “janë të vendosur të gjunjëzojnë dhe kolonizojnë Evropën”, pretendon eseisti amerikan Bruce Bawer, në librin e tij “Ndërsa Evropa Flinte”. “Sot, praktikisht e gjithë Evropa Perëndimore është e rrokur prej tyre”. Evropianët, nga ana e tyre, shqetësohen se popullsia e tyre myslimane mundet vetëm të bëhet më e segreguar dhe e pakënaqur; që bombat në Londër, protestat në Francë dhe protestat ndaj karikaturave daneze janë thjeshtë një provë e asaj që do të vijë. Një raport i fundit nga think tank-u britanik, “Policy Exchange” zbuloi se 13% e myslimanëve britanikë të moshës 16-24 vjeç e pranonin kur u pyetën se admironin “organizata si Al Kaeda, që janë të përgatitura për të luftuar Perëndimin”. Është koha për një shqyrtim të realitetit. Myslimanët përbëjnë afro 3 për qind të popullsisë së BE-së, dhe kjo shifër nuk do të jetë më shumë se 10% deri në vitin 2025. Por frika që islami radikal do të përshkojë të gjithë kontinentin është simptomë e diçkaje më të madhe: krizës së identitetit të Evropës. Falë, pjesërisht, imigrimit, normës relativisht të lartë të lindjeve mes myslimanëve, si dhe rritjes së numrit të martesave të racave të përziera, Evropa po bëhet më e shumëllojshme ditë pas dite. Komunitete dikur homogjenë janë sot një lëmsh kulturash. Pashmangshmërisht, disa prej tyre përplasen. Dhe, ndërsa Evropa përpiqet të përcaktojë se çfarë do të thotë të jesh evropian, shumë prej qytetarëve të saj kanë mbetur të armiqësuar e të zemëruar. Harrojeni Eurabinë. Problemi i vërtetë që has Evropa është multikulturalizmi, një term i përdorur ky jo si opsion politike, por si një fakt. Në botë ka më shumë se 5 000 grupe etnokulturorë, dhe teknologjia, kostoja e ulur e udhëtimeve si dhe ekonomia globale i ka shpërndarë ata përreth planetit, në kombinime të panumërta. Që nga valët e imigrantëve në vitet ’50 dhe ’60, vendet evropiane kanë qenë në kërkim të mënyrave të ndryshme për të përzierë njerëz të ndryshëm, nga kultura të ndryshme, në shoqëri paqësore e të suksesshme. Të gjithë kishin të njëjtin qëllim: një shoqëri që ofron shanse të barabarta dhe respekt të barabartë, pavarësisht racës apo besimit. Dyzetë vjet më pas, ajo shoqëri ende nuk ekziston. Por, multikulturalizmi është këtu për të qëndruar. Dhe pyetja është, si ta bësh të funksionojë për Evropën. Kjo nuk ka të bëjë thjeshtë me eliminimin e ekstremizmit islamik. Ka të bëjë me ndërveprimet e përditshme të një Evrope të shumëllojshme – në punë, në shkollë, në rrugë. Ja pesë mënyra, sipas të cilave Evropa mund ta kthejë multikulturalizmin e vet në diçka që e pasuron Kontinentin, në vend që ta përçajë atë. Ruajtja e perçeve Kur Aisha Auan del jashtë në turma, ajo është e mbuluar. Përdor veshjen e fesë së saj, shallin që i mbulon flokët, si dhe një perçe që i mbulon pothuajse të gjithë fytyrën. “Ndihem më rehat, sikur e respektoj më shumë vetveten kur jam e mbuluar”, thotë. E vetmja gjë që Auan lë të ekspozohen janë sytë. “Të gjithë historinë e një personi mund ta shohësh vetëm duke i parë sytë”, thotë Auan. Por kur shohin një perçe, disa ligjvënës dallojnë telashe. Që kur Franca ndaloi simbolet e hapur fetarë në shkollat shtetërore në 2004, gratë me perçe janë zënë në një stuhi debati në Evropë. Si një qytetare britanike, Auan ka ende të drejtë të veshë çfarë të dojë. Disa shtete gjermane, në të kundërt, e ndalojnë që mësueset myslimane të mbajnë perçe apo shalle në klasë. Në disa pjesë të Belgjikës, nëpunësit civilë ndalohen të mbajnë shalle koke në punë, dhe qeveria holandeze ka në plan të shpallë të paligjshme mbajtjen e një shalli apo perçeje kudo në publik. Islami nuk është pjesa më e madhe e debatit multikulturalist, por për momentin është më i zhurmshmi. Debati mbi shallin, si çdo gjë tjetër që ka të bëjë me fenë, është i ngarkuar me emocion. Franca e mbron ndalimin e tij në shkalla si një hap të domosdoshëm për të ruajtur angazhimin zyrtar të vendit ndaj laicizmit, duke nënvizuar se kjo vlen edhe për veshjet e hebrenjve, si dhe kryqet e të krishterëve. Por Brigit Sauer, një politologe në Universitetin e Vjenës thotë se koha e gjetur për këto ligje të reja tregon se Evropa nuk është ende e përgatitur për të pranuar Islamin si një element të identitetit të vet. “Të gjithë këta shtete kanë pasur probleme në ekuilibrimin e fesë me laicizmin shumë kohë përpara 11 shtatorit”, thotë ajo. “Atëherë, duhet pyetur: Përse tani? Çfarë është evropiane dhe çfarë nuk është?” Kjo është një pyetje të cilës Sauer dhe të tjerë studiues shpresojnë ti përpiqen me anë të projektit perçja, një studim trevjeçar i politikave të ndjekura ndaj veshjeve të tilla në tetë shtete, përfshirë Britaninë, Francën dhe Turqinë, i financuar prej Komisionit Evropian. Vendi i Sauer ofron një rast studimor intrigues. Në Austri, votuesit kanë qenë historikisht të dashur me politikanët e krahut të djathtë. “Të gjithë shenjat tregojnë se ne duhet të kemi një ligj ndalues ndaj perçes”, thotë Sauer. “Por rrallë diskutohet. Dhe kur ndodh, të gjithë thonë se nuk duan të ndalohet”. Kjo, sepse Austria, zyrtarisht dhe ligjërisht, pranon njësoj të gjithë besimet fetarë. Ajo mbron rolin e besimit në formimin e identitetit të personit. Duhet që qeveritë evropiane të pranojnë se Islami, ashtu si të gjithë besimet, është një pjesë integrale e identitetit evropian, ndërkohë që myslimanët duhet të jenë të gatshëm të përkulen përpara disa ligjeve që janë miratuar për të mirën e përbashkët, pa përjashtime. Një përqasje alla amerikane mban të ndarë kishën dhe shtetin, por gjithsesi u jep besimtarëve një hapësirë në shoqëri: të hiqen ndalimet e perçeve dhe simboleve të tjerë, por tu lihen vendimet mbi kodet e veshjes institucioneve dhe organizatave përkatëse. Kështu, një shkollë mund të mos lejojë mësuesit që të veshin perçe në klasë, një tjetër mund ti lejojë, duke u dhënë kështu mësuesve apo mësueseve myslimane një të mundësi zgjedhje për vendin ku duan të punojnë. Në këmbim, gratë që mbulohen do të duhet të pranojnë se, në situata të caktuara, të themi, në kontrollin e pasaportave, shqetësimet mbi sigurinë janë mbi besimin personal dhe atyre do tu kërkohej të tregonin fytyrën. Në praktikë, ky ekuilibër mes politikave dhe besimit të thelë nuk është e pazakontë. Në të gjithë Evropën, qeveritë dhe minoritetet fetare puqen diku në mes. Sipas ligjit britanik, gjykatat fetare të hebrenjve kanë fuqi që të zgjidhin raste jopenale si për shembull divorcet. Dhe Holanda i jep financime të barabarta shkollave fetare dhe shkollave publike, me kushtin që shkollat fetare të përmbushin kritere strikte jofetarë në kurrikulat e tyre. Këto lëshime nuk e rrezikojnë shtetin laik; ato thjeshtë u japin komuniteteve fetarë shansin për të qenë pjesë e tij. Pamje më e mirë nga lart Në letër, Nyamko Sabuni është një fëmijë posteri për integrimin e suksesshëm. Ajo erdhi në Suedi nga Kongo kur ishte 12 vjeçe, pasi i ati kërkoi strehim politik. Sot, 26 vjet më vonë, ajo është ministre e Integrimit dhe Barazisë Gjinore të Suedisë. Por në një vend ku 16% e popullsisë janë imigrantë ose fëmijë imigrantësh, Sabuni është e vetmja anëtare e një komuniteti etnik që bën pjesë në koalicionin qeverisës. Dhe Suedia nuk është i vetmi shtet ku, krahasuar me popullsinë e tyre disallojëshe, udhëheqësit janë të zbehtë. “Njerëzit shpesh herë kanë pritshmëri shumë të ulëta nga imigrantët”, thotë Sabuni. “Kështu që, për të arritur një pozitë të mirë, duhet të jesh më i mirë se të tjerët. Është një ekuilibër për të cilin duhet të jesh i vetëdijshëm gjatë të gjithë kohës”. Ose më mirë, një dezekuilibër, i cili kërkon veprime drastike. “Partitë politike mund të duhet të përdorin ato që për njerëzit mund të duken metoda jo-ortodokse për të përshpejtuar integrimin e tyre”, thotë Trevor Phillips, shef i Komisionit britanik për Barazi dhe të Drejtat e Njeriut. “Mund të garantojnë që të ketë përfaqësim të përpjesshëm rajonal në kandidatët e tyre. Ose mund të thonë që lista e shkurtër për çdo kandidat të përmbajë të paktën një person që nuk është i bardhë. Nuk mund të detyrosh zgjedhësit. Por ama, mund të nxitësh partitë që të mendojnë për përgjegjësitë e tyre”. Është bërë edhe më parë. Kur u bë e qartë se nuk kish shumë gra në nivelet e larta, qeveritë në të gjithë Evropën futën kuota dhe iniciativa të tjera për të rritur numrat. Partia Laburiste në Britani përshtati lista të shkurtra me vetëm gra në disa zona zgjedhore për zgjedhjet e 1997, dhe numri i grave në Parlament u dyfishua, nga 60 në 120. Pa masa të ngjashme për të sjellë në pozicione pushteti më shumë minoritete evropiane, breza të tërë popullsie do të ndihen gjithmonë të pafuqishëm. “Unë nuk do ta nënvlerësoja rëndësinë e politikës si pjesë e këtij diskutimi”, thotë Geoff Mulgan, drejtues i think tank-ut Fondacioni i të Rinjve në Londër, “sepse forumi politik është në vend i ligjshëm për të pasur një dialog, për të folur mbi dallimet, e kështu me radhë. Pa përfaqësim, nuk ke zë. Dhe, me shumë gjasa do të detyrohesh të kthehesh nga dhuna apo protestat për të bërë të mundur që të dëgjohesh”. Protestat e 2005-ës në Francë janë shfaqja më e fundit e ekstremit ku shkojnë njerëzit kur ndiejnë se askush nuk po i dëgjon. Një tjetër mënyrë për të siguruar që çdo qytetar ka rëndësi? Numërojini. Në kuptimin direkt të fjalës. Megjithatë, disa vende nuk grumbullojnë të dhëna etnike në regjistrimin e tyre të përgjithshëm, dhe ata që e bëjnë janë shpesh prapa kthesës. Britania shtoi një kategori të racës së përzier në regjistrin e sa në 2001, duke zbuluar më pas se ky ishte tashmë grupi etnik me rritje më të shpejtë në vend. Në Francë, Belgjikë, Danimarkë, Itali dhe Spanjë është e paligjshme të mbledhësh të dhëna mbi etninë, kjo bazuar kryesisht në faktin që të identifikosh njerëzit nga raca apo besimi, është në vetvete një formë diskriminimi. Por një lëvizje për të bërë të gjithë njerëzit të barabartë rrezikon injorimin e dallimeve të tyre të trashëguara. Për shembull, studimet tregojnë se minoritetet etnikë kanë prirje për të vuajtur në përqindja më të lartë nga diabeti se sa të bardhët. Kështu, pa e ditur me saktësi se nga kush përbëhet popullsia, si do të ishte e mundur të trajtohej me efikasitet diabeti? Dhe një regjistrim i detajuar etnik nuk është thjeshtë thelbësor për të kuptuar se për çfarë kanë nevojë tani qytetarët, është gjithashtu e vetmja mënyrë për të parashikuar se për çfarë do të kenë nevojë në të ardhmen. “Doni që të lini diversitetin të ndjekë rrugën e tij e të kthehet në një barrë?”, thotë Phillips. “Apo doni ta kontrolloni, të jeni aktivë e ta ktheni në dobi? Një shoqëri e mençur do të përpiqej ta kthente në avantazh. Por kjo shoqëri duhet të dijë saktësisht se me çfarë po merret dhe, për momentin, ne thjeshtë nuk dimë aq sa duhet”. Nxisni njerëzit Burimi më i madh i konfliktit në një shoqëri shumëkulturore nuk është segregacioni, raca apo besimi fetar, është paraja. “Zonat ku ka më shumë tension në Britani nuk janë ato më të shumëllojshmet”, thotë Mulgan i Fondacionit të të Rinjve, “por janë zonat ku një model i veçantë punësimi mashkullor, zakonisht me kohë të plotë dhe i paguar mirë është zhdukur dhe ai është zëvendësuar me një punësim shumë herë më të pasigurt”. Minoritetet e Evropës vuajnë, mesatarisht dy herë më shumë papunësi se të bardhët. Por, në Evropë një politikë e tillë veprimi si ajo që po zbatohet në SHBA është e “pafillueshme”. “Ka një shumëllojshmëri të tillë mes minoriteteve të ndryshëm, ku disa shpesh bëjnë edhe më mirë se shumica e bardhë, saqë të kesh ligje që të sjellin dobi vetëm për shkak të ngjyrës së lëkurës tënde është marrëzi”, thotë Mulgan. Në Britani, paga mesatare e një indiani është dy herë më e lartë se e një pakistanezi dhe, në Evropë, kinezët janë më të mirë në shkollë dhe në punë se të bardhët vendas. Kështu, një punëdhënës mund të mbushë kuotën e tij antidiskriminim dhe sërish të mos bëjë asgjë për të ndihmuar minoritetet në fundin e shkallës. Mënyra më e mirë për ti bërë minoritetet me lëvizshmëri më të madhe për tu ngjitur lart është të bëhesh sa më specifik dhe kreativ. Francezët u mësojnë gjuhë kineze fëmijëve në shumë lagje, me qëllim që ti fusin në ekonominë globale. Ndërkohë, në Britani, kërkimet tregojnë se pengesa më e madhe për meshkuj të rinj pakistanezë dhe bangladeshas nuk është mungesa e aftësive, por një përzierje diskriminimi dhe problemesh për të hyrë në rrjete. Kështu që, qendrat e punës në lagjet me dominancë aziatike po përpiqen të bindin punëdhënësit që të marrin në punë punonjës me disa kushte për përvoja të caktuara në vendin e punës. Në vend që të mbështeten në politika të përgjithshme kombëtare, si dhe ligje që janë për të gjithë minoritetet, skemat e projektuara për grupe brenda grupeve mund të përshtatin më mirë njerëzit e duhur për punët e duhura.Edhe në shkolla, mënyra më e mirë për të garantuar që çdokush shkon në të njëjtin vend është ndoshta ti trajtosh ata ndryshe. Një studim i OECD tregoi se, kur u testuan për njohuritë në matematikë, imigrantët 15-vjeçarë të brezit të parë morën përgjithësisht më pak se një notë se sa bashkëmoshatarët e tyre vendas, kjo pavarësisht studimeve që tregojnë se imigrantët janë më entuziastë për shkollën se sa joimigrantët. Një pjesë e arsyes, thotë Andreas Schleicher, shef i analizave për Departamentin e Arsimit në OECD, është se shumë vende i vendosin imigrantët në të njëjtin sistem me gjithë të tjerët. “Barazia ka të bëjë me barazinë e rezultateve, jo barazinë e input-it”, thotë ai. “Vendet nordike janë shumë të ndjeshëm në këtë drejtim. Pyetja që ata shtrojnë nuk është: Si të bëjmë të njëjtën gjë për të gjithë studentët?, por: Si të bëjmë gjënë e duhur që të mundësojmë që të gjithë studentët të arrijnë potencialin e tyre”? Suedia është në krye të klasës kur bëhet fjalë për ndërtimin e një ure mes imigrantëve dhe suedezëve vendas, dhe një pjesë e arsyes qëndron në mënyrën se si e menaxhon gjuhën. Ndërkohë që disa vende presin që studentët e tyre imigrantë të mësojnë në klasa ku jepet gjuhë vendase, të tjerë kombinojnë klasa të rregullta me leksione suplementare të gjuhës vendase. Suedia e bën më mirë. Me ligj, nëse ka të paktën pesë studentë nga i njëjti vend në një rajon, ata kanë të drejtën të marrin mësime në gjuhën e tyre amtare. “Dhe kjo është një mënyrë shumë e mirë për të bërë që fëmijët të vlerësojnë kulturën e tyre, në vend që ti detyrosh të përballen tërësisht me risi”, thotë Schleicher. Efektet janë të lehtë, por premtues. Ndërkohë që papunësia mes qytetarëve të ardhur në Suedi është ende e lartë (afro 10%), ajo është më e ulët në Gjermani, Francë apo Belgjikë. Dhe numri i imigrantëve të regjistruar në universitetet suedeze është më i lartë se pesë vjet më parë. Evropa po tkurret. Në të gjithë BE, gratë nuk po lindin aq fëmijë sa duhet për ta mbajtur të qëndrueshëm numrin e popullsisë. Evropa gjithashtu po plaket. Deri në 2050, mbi 30% e evropianëve do të jenë 65 vjeç apo më shumë, dhe nuk ka aq sa duhet evropianë të rinj për të zëvendësuar aftësitë e tyre të punës apo për të paguar pensionet e tyre. Dhe, nëse BE dëshiron seriozisht të arrijë qëllimin e Axhendës së Lisbonës për tu bërë “ekonomia më konkurruese dhe dinamike, e orientuar nga dija” deri në 2010, atëherë do të ketë nevojë për shumë më tepër studiues nga sa mund të prodhojnë universitetet e Evropës. Argumenti që imigrimi duhet të fajësohet për dështimin e multikulturalizmit injoron shifrat. Evropa jo thjeshtë ka nevojë për më shumë imigrantë; ajo ka nevojë gjithashtu për një shumëllojshmëri imigrantësh. Megjithatë, lëvizjet anti-imigrimit po lulëzojnë në vende si Belgjika, Britania, Gjermania dhe Italia. Muajin e kaluar, një grup deputetësh ultranacionalistë më në fund grumbulluan aq shifra sa mjaftonin për të krijuar një grup formal, gjë që u jep atyre më shumë ndikim politik duke i bërë të kualifikueshëm për financime nga BE. Kështu, imigrimi paraqet një sfidë të dyanshme për Evropën: si të afrojë njerëzit për të cilët ka nevojë dhe si të bëhet kjo pa ushqyer histerinë. Për disa ide, Evropa mund të shohë Kanadanë, ku imigrantët përbëjnë deri 18 për qind të popullsisë. Megjithatë, sondazhet tregojnë se shumica e kanadezëve kanë një këndvështrim pozitiv për imigrimin. Një pjesë e kësaj ndodh falë programeve të dedikuar të integrimit që organizojnë qeveritë lokale dhe OJF-të. Grupe mbështetës, seanca këshillimore, shkollim falas për gjuhën, madje edhe sistemet e miqësimit që bashkojnë imigrantët me kanadezë të lindur në Kanada, të gjitha këto ndihmojnë për të zbutur tranzicionin për ata që vijnë në Kanada dhe ata që janë tashmë aty. Por vendi është gjithashtu përzgjedhës për njerëzit që mirëpret që në fillim. Imigrantët përzgjidhen duke përdorur një sistem që i jep çdo aplikanti një seri pikësh duke u nisur nga faktorë si mosha, kualifikimi, njohuritë apo anglishtja si dhe punësimi i mëhershëm. “Në shënjestër janë imigrantë të rinj e të arsimuar”, thotë Randall Hansen, një ekspert i imigrimit dhe nënshtetësisë në Universitetin e Torontos. “Është i bazuar në afrimin e kapitalit njerëzor”. Ministri i Brendshëm i Francës dhe kandidati për president, Nicolas Sarkozy, ka mbrojtur përshtatjen e sistemit të bazuar tek pikët. Dhe Britania ka nisur të testojë versionin e saj, i cili ka në objektiv imigrantë të kualifikuar apo jo, për të mbushur boshllëqet në të gjithë forcën punëtore. Por Evropa ka qenë përgjithësisht rezistente ndaj kësaj ideje. Shqetësimi kryesor është se kjo do të inkurajonte imigrimin ilegal (një problem që Kanadaja, e cila ndan kufirin me vendin më të pasur në botë nuk e ka). Në BE ka një numër prej 11-13 milionë imigrantësh joevropianë. Por Komisioni Evropian po shpreson të ulë këtë numër si pjesë e një përpjekjeje për të nxitur harmonizimin e politikave të imigrimit në BE. Një qëllim është të ndërpritet imigrimi i paligjshëm, ndërkohë që edhe të punohet me vende afrikane prej nga vijnë shumë prej tyre. Vendet joanëtare të BE, për shembull, mund të kenë më shumë akses në universitetet e Evropës, si dhe në vendet e punës nëse premtojnë të riintegrojnë imigrantët e tyre ilegalë. Nëse Evropa mund të përmirësojë politikat e saj mbi imigrimin, atëherë ndoshta evropianët do të përmirësojnë sjelljen e tyre. “Në Kanada ka mbështetje publike për imigrimin , sepse perceptimi i përhapur gjerësisht është që kufiri është rreptësishtë nën kontroll dhe gjithkush e respekton sistemin”, thotë Hansen. “Kur humbet këtë perceptim, atëherë mbështetja e publikut shembet”. Mendo lokalisht Shenjat e para u shfaqën vetëm dhjetë vjet më parë: Që tani e tutje, ne do të jemi këtu çdo ditë të enjte, gjithnjë në orën 4 të pasdites, qoftë kur ka diell, bie shi apo dëborë. Ne duam të hapim një grup fëmijësh dhe që ju të merrni pjesë! Ky spot ishte një kënd lojërash në lagjen Chorveiler në Këln, aty ku blloqet e lartë të banimit u bënë shtëpi e shumë imigrantëve që Ford Motor Co. rekrutoi për në Gjermani në vitet shtatëdhjetë. Nga 80 mijë banorët, 60 për qind kanë të kaluar imigrantësh dhe një e treta janë në sistemin e mirëqenies. Lale Akgun, një psikoterapiste dhe deputete, e dinte se mënyra më e mirë për të ruajtur paqen në një zonë kaq të shumëllojshme kulturalisht ishte të fillohej nga fëmijët. Kështu, në 1995, ajo krijoi Kindernoete (nevojat e fëmijëve) me një grup këshilltarësh familjarë, dhe ajo nxori këtë spot. Sot, Kindernoete ka një dyzinë grupesh për disa qindra fëmijë. Çdo javë, ata luajnë futboll, shkojnë në ekskursione së bashku, ndihmojnë njëri-tjetrin në detyrat e shtëpisë ose thjeshtë organizojnë festa. “Shumë fëmijë shikojnë se paragjykimet e tyre nuk përshtaten me realitetin”, thotë Akgun. “Ata kuptojnë se mund të shkojnë fare mirë me fëmijë të kombësive të tjera”. Një program i ngjashëm në Bradford, Angli, është i gjithi për fëmijët gjithashtu. Në një protestë treditore në vitin 2001, qindra të rinj aziatikë shkatërruan disa dhjetëra biznese me pronarë të bardhë, duke tensionuar marrëdhëniet ndërmjet popullsisë 15 për qind pakistaneze, si dhe banorëve të bardhë. Duke punuar për Edukimin Bradford, kompania private që menaxhon shkollat në Bradford, Angie Kotler vërejti se studentët brenda në qytet, që janë 90 për qind jo të bardhë kishin shumë pak kontakte me studentët që shkonin në shkollat në shumicë për të bardhë në periferi. Kështu që, ajo nisi projektin e Lidhjes së Shkollave, duke binjakëzuar shkolla dhe duke bërë që studentët e tyre të mblidheshin herë pas here për të luajtur sport, vinin në skenë një opera apo mbjellë ndonjë parcelë. “Fëmijët më të rinj në moshë pyesin për gjëra si Krishtlindjet”, thotë Kotler. “Më të rritur tregojnë irritimin e tyre me tensionet që shohin rreth e rrotull. Ata pyesin: përse kemi arritur në këtë pikë”? Bukuria e të dy ideve është se janë të thjeshta dhe lokale. “Nuk mund të hartosh masa integrimi nga lartë poshtë”, thotë Steve Vertovec, drejtor i Qendrës për Migrimin, Politikat dhe Shoqërinë në Universitetin e Oksfordit. “Integrim do të thotë të ndërtosh rregulla të përbashkët bazë për qytetarinë, dhe kjo ndodh në nivel lokal. Kohezioni ka të bëjë me ndërveprimet e përditshme, në supermarket apo në këndin e lojërave”. Integrimi i suksesshëm dhe afatgjatë ndodh në klubet e komunitetit dhe në grupet e lojërave të fëmijëve, si dhe në festat e lagjeve. Nuk është e thënë që programet të jenë të mëdhenj apo të kushtueshëm; Kotler thotë se Edukimi Bradford “nuk është thjeshtë multikulturalizëm liberal i thurur”. “Po, ka të bëjë me respektimin e dallimeve, por ka të bëjë gjithashtu me zbulimin e asaj çfarë do të thotë për të jetuar së bashku dhe për tu ndierë mirë me një ndjesi identiteti të shumëfishtë”. Sepse e vetmja mënyrë që Evropa të kapërcejë krizën e saj të identitetit është të mësohet me idenë se nuk ka vetëm një të tillë (identitet).





