Për shkak se ka lidhur më shumë se 500 milionë njerëz dhe për shkak se ka formësuar marrëdhëniet sociale mes tyre, për shkak të krijimit të një sistemi të ri për shkëmbimin e informatave dhe për shkak të ndryshimit të mënyrës së jetesës tonë, Marck Zuckerberg u shpall nga revista amerikane TIME si “Njeriu i Vitit” 2010.
Në pasditen e 16 nëntorit 2010, Mark Zuckerberg ishte duke e kryesuar një takim në Aquarium, një nga dhomat e konferencave të kompanisë Facebook. Papritmas u hap dera dhe brenda hyri një person me flokë të thinjur, i shoqëruar nga disa bashkëpunëtorë të tij. Ai iu prezantua Zuckerbergut: Robert Miller, drejtor i FBI-së.
Ata shtrënguan duart dhe biseduan ca minuta, e më pas Miller u largua. Më pas mbretëroi një qetësi dhe të gjithë shikuan njëri-tjetrin, duke parashtruar pyetjen, “Çfarë në djall ndodhi?” Ishte kjo një pyetje me vend. Para gati shtatë viteve, në shkurt të vitit 2004, Zuckerberg ishte një student 19-vjeçar në Harvard, kur startoi shërbimin e tij në rrjet, nga dhoma e tij në konvikt. Shërbimi u pagëzua me emrin Thefacebook.com dhe u cilësua si një shërbim online, që lidhë njerëzit nëpërmjet rrjeteve sociale nëpër kolegje. Këtë vit, Facebook regjistroi anëtarin e vet të 550-miliontë. Anëtarët e Facebookut flasin 75 gjuhë dhe së bashku kalojnë më shumë se 700 bilionë minuta për çdo muaj në Facebook. Pra, çfarë ndodhi? Për më pak se shtatë vjet, Zuckerberg arriti të ndërlidhë një të dymbëdhjetën e njerëzimit në një rrjet të vetëm, duke krijuar një etnitet social, pothuajse dy herë më të madh se SHBA-ja. Po të ishte Facebook një shtet, atëherë do të ishte shteti me popullatën e tretë më të madhe në botë, duke u rreshtuar vetëm prapa Kinës dhe Indisë. Çdo gjë filloi si një zbavitje, por u shndërrua në diçka tejet reale, në diç që ndryshoi mënyrën e lidhjes së njerëzve me njëri-tjetrin. Ne tani po udhëheqim jetën tonë sociale nëpërmjet një rrjeti, i cili e ka shndërruar Zuckerbergun në miliarder. Facebook është shkrirë me fabrikën sociale të jetës amerikane, por jo vetëm asaj amerikane, por të njerëzimit në tërësi: gati gjysma e amerikanëve janë të regjistruar në Facebook, por 70 për qind e përdoruesve të këtij rrjeti jetojnë jashtë SHBA-së. Kemi hyrë në epokën e Facebookut dhe Mark Zuckerberg është njeriu që na solli deri këtu. Zuckerberg ka lindur në vitin 1984 dhe është rritur në Dobbs Ferry, në New York. Marku ka tri motra dhe më e vjetra prej tyre, Randi, është kryesuese e marketingut për konsumatorë të kompanisë. Zuckerberg ka kryes shkollën e mesme në vendlindjen e tij. Më vonë, ai vendosi të ndjekë studimet në Harvard. Jeta e Zuckerbergut në Harvard ishte subjekt i filmit “The Social Network”, i cili e pati premierën në tetor. Por realiteti është shumë më i komplikuar. Zuckerberg shpesh është cilësuar si një njeri i largët dhe asocial, por kjo nuk është tërësisht e saktë. E vërtetë, të zhvillosh një bisedë me të mund të jetë një gjë mjaft sfiduese. Ai flet shpejt dhe me saktësi dhe nëse nuk ka ndonjë të dhënë për të ofruar, atëherë zhytet në heshtje. Nëse flet me bashkëpunëtorët e tij, atëherë e kupton se të gjithë e adhurojnë. Zuckerberg në film është një krijesë e thjeshtë me motive të qarta: ai shfrytëzon shkathtësitë e tij si programues, për të joshur vajzat, për të fituar para dhe për të siguruar ftesa nëpër ahengje. Ky është një fiksion. Në jetën e vërtetë, Zuckerberg qysh më herët ka pasur një të dashur: Priscilla Chan, e cila tani është studente e vitit të tretë në mjekësi, në Universitetin e Kalifornisë. Çifti është takuar para shtatë viteve në Harvard, para se ai të fillonte rrjetin Facebook. Tani ata jetojnë së bashku në në Palo Alto.Sa u përket parave, indiferenca e tij është pothuajse patologjike. Jeta e tij është modeste, përkundër faktit se revista Forbes ka vlerësuar se pasuria e Zuckerbergut arrin në 6.9 miliardë dollarë. Në shtator të këtij viti, Zuckerberg ndau 100 milionë dollarë nga pasuria e tij, për të ndihmuar sistemin shkollor në Newark. Zuckerberg e pëlqen të jetë i rrethuar nga njerëzit. Facebooku është realizimi i një ëndrre, por është gjithashtu edhe vdekja e një ëndrre tjetër, e cila filloi në vitet ‘60. Është kjo periudha kur për herë të parë u shpalos arkitektura e internetit. Rrjeti nuk drejtohej nga një kompjuter i vetëm. Askush nuk ishte përgjegjës. Një parajsë e barazisë dhe e anonimitetit. Në vitet ‘70, interneti vazhdoi të rritej dhe të zgjerohej. Kur rrjeti arriti më në fund në vitet ‘90, interneti me plot kuptimin e fjalës shpërtheu, nga 2.6 milionë shfrytëzues në vitin 1990, në 385 milionë në vitin 2000. Zuckerberg është dy gjenerata larg viteve ‘60. Ai nuk ka ndjenja sentimentale për barazinë dhe anonimitetin. Ai filloi Facebookun, për t’u mundësuar studentëve që të komunikojnë mes vete dhe që të ruajnë kontaktin. Në të vërtetë, ai bëri hapin e parë dhe i mundësoi gjeneratës së tij që të pushtojë internetin. Facebook nuk mbeti i izoluar në konvikte. Zuckerberg dhe shokët e tij të dhomës, Dustin Moskovitz dhe Sean Parker, i cili është bashkëthemelues i Napster, drejtuan Facebookun dhe mundësuan që ky rrjet të pushtojë botën. Deri në fund të vitit 2004, Facebook depërtoi në qindra kolegje amerikane. Në vitin 2005, u zgjerua në shkollat e larta dhe në shkollat jashtë SHBA-së. Rritja ishte e jashtëzakonshme. Në dhjetor të vitit 2006, Facebook kishte 12 milionë shfrytëzues. Në dhjetor të vitit 2009, ky numër arriti në 350 milionë. Vizioni i Zuckerbergut është që pas facebookizimit të rrjetit, ju do të gjeni diç në mes: sa herë që të hyni online, ju do të shihni miqtë tuaj. Facebook është i vendosur në dy ndërtesa në Paolo Alto, të cilat janë disa minuta larg njëra-tjetrës. Të punësuarit në Facebook trajtohen mirë, por megjithatë, atraksioni kryesor në këtë kompani është vizioni i Zuckerbergut.
Facebook është një kompani private dhe nuk publikon bilancet financiare. Analistët dhe gazetarët besojnë se të hyrat e Facebookut sillen diku prej 1.1 deri në 2 miliardë dollarë. Dihet se Zuckerberg është i vendosur të mbrojë privatësinë e njerëzve me çdo kusht, por në këtë fushë ende ka probleme. Në një artikull të publikuar më herët gjatë këtij viti, në European Psychiatry, është përshkruar rasti i një femre, e cila ka humbur vendin e saj të punës, për shkak të varësisë nga Facebooku. Në bazë të disa të dhënave, që nga fillimi i punës së rrjetit, është shtuar numri i shkurorëzimeve mes anëtarëve të Facebookut. Bëhet fjalë këtu për një rrjet të shkëmbimit të informatave dhe marrëdhëniet mes çifteve nuk mund të kufizohen vetëm në shkëmbimin e informatave. Por edhe sa mund të rritet Facebook në të ardhmen? Kjo kompani tashmë është aq e fuqishme, sa që ka filluar të shtyhet me qeveritë dhe kompanitë e tjera. Vizita e Millerit në Facebook nuk ishte e rastësishme. Zuckerberg tashmë ka një bazë më të gjerë të të dhënave, sa ka FBI-ja. Për këtë arsye, autoritetet nganjëherë trokasin në dyert e Facebookut, për të huazuar informata të ndryshme nga kompania. Në anën tjetër, disa qeveri i frikësohen kësaj baze të gjerë të të dhënave. Kina ka bllokuar këtë faqe që nga viti 2009. Irani, Pakistani dhe Arabia Saudite e kanë ndaluar atë. Bota ka 6.9 miliardë banorë, 2 miliardë prej tyre janë shfrytëzues të internetit. A do të vijë momenti kur të gjithë do të jenë të anëtarësuar në Facebook?
Zuckerberg është i kujdesshëm. Ai nuk dëshiron të flasë për atë se deri ku do të arrijë Facebooku. Tani e tutje, Zuckerbergu që krijoi Facebookun, nuk do të jetë Zuckerbergu që do ta drejtojë atë. Ai po udhëton, ndoshta do të martohet, të krijojë familje dhe jeta e tij jashtë Facebookut do të bëhet më e komplikuar. Ndoshta edhe Facebooku, bota që krijoi, do të bëhet gjithashtu më i komplikuar.





