Mekartizmi dhe pasojat!

LUAN SHAHOLLARI

Ç’është Mekartizmi


Fjalori i Trashëgimisë Amerikane e përkufizon Mekartizmin si një “praktikë politike të akuzave publike të tradhtisë apo subversionit pa i lidhur ato me prova të mjaftueshme". Subversioni nënkupton "përpjekje sistematike për të rrëzuar ose kërcënuar një qeveri ose sistem politik nga persona që veprojnë nga brenda" (Merriam-Webster’s Dictionary of Law). Më 5 maj 2003, CNN njoftonte se “duke u kthyer në një kapitull të errët të historisë kombëtare, Senati hapi për publikun mijra faqe nga hetimet anti-komuniste të senatorit Jozef Mekarti, në vitet 1953-1954, pasi mbushën afatin 50 vjeçar të ruajtjes së tyre. Publikimi i seancave të dëgjimit zbulon një anë të re të kryqëzatës të Mekartit i cili kryesonte Nënkomitetin e Përhershëm për Investigimet e njohur si “gjueti shtrigash”. Veç seancave të hapura dhe disa të transmetuara nga TV CBS, 395 amerikanë të tjerë ishin pyetur në mënyrë sekrete, me akuza si të dyshuar në veprimtari komuniste. Termi "Mekartizëm" zë fill më 9 shkurt 1950, kur në fjalimin e mbajtur në Ditën e Linkolnit në Wheeling, West Virginia, në Klubin e grave republikane, senatori Mekarti, duke tundur një letër në dorë, shpalli se zotëronte një listë me 205 komunistë, të punësuar në Departamentin Amerikan të Shtetit.Kjo deklaratë e nxori Mekartin në qendrën e vëmendjes kombëtare dhe shtoi frikën tek amerikanët për përhapjen e komunizmit gjatë Luftës së Ftohtë. Në vitet 1950, komunizmi nuk ishte një shqetësim i ri për ShBA. Pas Luftës I Botërore, në vitet 1917-1920 vendi kishte provuar Panikun e Parë të Kuq, ("i kuq"- komunist) në periudhën pas revolucionit në Rusi. Termi në mënyrë specifike përshkruan veprimtaritë e zhvilluara në periudhën e njohur si Paniku i Dytë i Kuq, frikë e ekzagjeruar nga ndikimi komunist në institucionet amerikane dhe spiunazhi nga agjentët sovjetikë në vitet e para pas përfundimit të Luftës II Botërore. 

Sfondi i Mekartizmit


Në Konferencën e Potsdamit (16 korrik-2 gusht 1945) tre të mëdhenjtë e koalicionit antifashist të Luftës II Botërore: Truman (që kishte zëvendësuar presidentin Ruzvelt, vdekur në prill 1945), Çërçill (i zëvendësuar nga kryeministri laburist K. Atli) dhe Stalini, krahas marrëveshjeve për denazifikimin e Gjermanisë, patën edhe tensione për shkak të rritjes të ekspansionit komunist të BS në Europën Lindore. Konferenca shënon takimin e fundit midis tyre dhe ndoshta fillimin e Luftës së Ftohtë. Pas kësaj ndarja midis Lindjes komuniste të kryesuar nga BS dhe në Perëndimit kapitalist pro-demokratik me ShBA, u bë gjithnjë e më e qartë. Hedhja e bombave atomike mbi Hiroshima dhe Nagasaki më 6 dhe 9 gusht e detyruan Japoninë të dorëzohet pa kushte më 15 gusht 1945. Ky akt shënoi fundin e Luftës II Botërore por njëkohësisht tregoi një avantazh ndërkombëtar të ShBA në fushën bërthamore, i cili zgjati deri më 1949 kur BS shpërtheu bombën së vet bërthamore. Në tetor 1949, në Kinë në pushtet erdhën komunistët, duke e zgjeruar të kuqen e hartës botërore. Ndërkohë, lufta e Koresë ishte në prag dhe disa liderë të PK të ShBA ishin dënuar, me akuza për rrëzimin me dhunë të qeverisë. Para kryqëzatës të Mekartit, një numër i madh njerëzish ishin fajësuar për spiunazh dhe aktivitete të tjera lidhur me komunizmin. Më të njohurit ishin Julius dhe Ethel Rosenberg, anëtarë të PK Amerikane. Ata u gjendën fajtorë për kalimin e sekreteve atomike BS dhe u dënuan më 30 mars 1951 duke u ekzekutuar më 19 qershor 1953. Në këndvështrimin e Mekartit, konflikti nuk ishte thjesht mes ShBA dhe BS, ose kapitalizmit dhe komunizmit, por një ndeshje midis Zotit dhe djallit. "Sot, ne jemi angazhuar në një betejë të përgjithshme përfundimtare midis ateizmit komunist dhe Krishtërimit.” Në një fjalim më 1952 vetë ai e ka përkufizuar Merkatizmin si “amerikanizëm me mbështjelljen e tij" (www.suite101.com/content/mccarthy..). />
Kush ishte Mekarti


Termi Mekartizëm lidhet me emrin e Jozef Rajmond Mekartit (Joseph Raymond McCarthy) senator i SHBA në vitet 1946-1957. Mekarti u lind në një fermë afër qytetit Appleton, Uiskonsin më 15 nëntor 1908. Ai ndoqi shkollën në Underhill, ku përfundoi tetë klasë. Deri 20 vjeç, punoi si shitës dhe menaxher në markete ushqimore, kurse në vitet 1929-1930 përfundon (brenda një viti) ciklin katërvjeçar të shkollës së mesme. Kjo i dha mundësi Mekartit të ndjekë në vitet 1930-1935 Universitetin Marquette në Miluake. Pas studimeve, deri më 1937, Mekarti punoi avokat në një firme ligjore në Shauano. Përpjekja e parë e Makartit për një post publik dështoi pasi nuk fitoi postin e prokurorit të Distriktit si një demokrat më 1936. Por më 1939, ai u zgjodh gjyqtar në Rrethin e Dhjetë Gjyqësor të qarkut në Uiskonsin. Si gjyqtar, Mekarti punoi shumë por edhe është qortuar nga Gjykata e Lartë e Uskonsinit për "shpërdorim të autoritetit juridik”. Në korrik, 1942, u thirr në ushtri si toger në Korpusin e Marinës në frontin e Paqësorit. Në prill, 1945, i liruar nga mandati ushtarak, Mekarti u rizgjodh në gjykatën e qarkut, por nuk qëndroi gjatë. Ai filloi përgatitjet për t’u zgjedhur në Senatin e ShBA më 1946. 
Si përfaqësues i Partisë Republikane Mekarti, i fitoi zgjedhjet me akuza ndaj kundërshtarit demokrat si një simpatizant komunist. Senatori 38 vjeçar ishte anëtari më i ri, i Senatit të ri. Mekarti ishte përgjithësisht konservator, por jo gjithnjë në linjën e Partisë Republikane. Akuzat e bëra nga Mekarti më 9 shkurt 1950 u mohuan menjëherë nga Departamenti të Shtetit si tërësisht të pa baza. Megjithatë Mekarti, vazhdoi me fjalime të tjera kontradiktore se kishte emrat e 57, pastaj 81, dhe më vonë të 10 komunistëve. Akuzat e Mekartit shkaktuan shqetësim, prandaj në përgjigje, Senati ngriti një nënkomitet nën drejtimin e senatorit M. Tydings, demokrat nga Merilendi, i cili hapi seancat e dëgjimit më 8 mars 1950. Por Mekarti nuk mundi të pohojë emrin e ndonjë nëpunësi në Departamentin e Shtetit. Më 17 korrik 1950, nënkomiteti miratoi një raport se nuk gjeti baza për akuzat e tij dhe përfundoi se ai kishte bërë “një mashtrim dhe një lojë”. Megjithatë ai kishte prekur një nerv të publikut amerikan, dhe në dy vjetët e ardhshëm doli me akuza duke u bërë një nga më të vlerësuarit pas Presidentit Truman. Por njëkohësisht edhe një nga më të kritikuarit. Mekarti vetë u investigua nga një komitet i Senatit më 1952, i cili nxori Raportin Henings, i cili zbuloi sjellje jo-etike në fushatat e Mekartit, por nuk gjeti baza për procedim ligjor. Pavarësisht raportit, ndonëse me një rezultat më të ulët se më 1946, ai u rizgjodh senator më 1952, me 54 për qind të votave. 


Taktikat e Mekartit


Bërja publike e seancave të dëgjimit më 2003, konfirmuan atë çka publiku amerikan kishte kuptuar rreth taktikave të intervistave të Makartit. Ai përdorte frikësime, montazhe fotosh, manipulime, aluzione dhe shpesh kërcënime me burg, në përpjekje për të nxjerrë informacion - me pak ose pa prova për të mbështetur deklarimet e tij. Pyetja klasike e tij dhe e stafit ishte "A jeni juve tani apo keni qenë ndonjëherë anëtar i Partisë Komuniste të Shteteve të Bashkuara”? Hetimet kontradiktore përfshinë njerëz të dyshuar për veprimtari apo simpati komuniste në media, në industrinë e filmit, në politikë, në ushtri, dhe gjetiu. 
Për të persekutuar komunistët dhe simpatizantët Mekarti përdori atë që shpesh u përshkrua si një "gjueti shtrigash", akuza me prova të zbehta. Këto akuza shkatërronin dinjitetin e të akuzuarit, emrin e mirë, punën, miqtë e madje edhe familjet e tyre. Ai nuk ngurroi të sulmojë edhe ish-sekretarin e shtetit të Presidentit Harry S. Truman,(ri-zgjedhur më 1948), Xh. Marshall por sulmi dëmtoi më shumë vetë atë se sa emrin e Marshallit. 
Gjenerali D. Ajzenauer, që ishte zgjedhur President më 1952 në ditarin e datës 1 prill 1953 shkruan: “Senator Mekarti është kaq i dëshiruar për reklama sa është gati të shkojë përtej çdo ekstremi për të tërhequr vëmendjen e emrit të tij në shtypin publik. Veprimet e tij krijojnë shqetësim në Kongres me anëtarët e partisë; ata zemërojnë, pengojnë dhe nxehin anëtarët e Departamentit Ekzekutiv. Unë në fakt besoj vërtet se asgjë nuk do të ishte më efektive në përballimin e llojit të veçantë të turbullirave të tij se sa injorimi i tij.” Thelbin i gjuetisë të shtrigave e ka shprehur gazetari i televizionit CBS Edward R. Murrou: "Arritja kryesore e Mekartit ka qenë çoroditja e mendjes së publikut nga kërcënimet e komunizmit nga brenda dhe nga jashtë”. 

Seanca e dëgjimit të Mekartit me Ushtrinë


Pasi republikanët morën kontrollin e Kongresit dhe të Senatit më 1953, Mekarti u bë kryetar i Komitetit për Veprimtaritë Shtetërore dhe i Nënkomitetit për Investigimet. Me këtë cilësi, më 25 shkurt 1954 Mekarti nuk ngurroi të akuzojë edhe ushtrinë për fshehje të komunistëve dhe bllokim të hetimeve të tij. Ai po sulmonte pikërisht institucionin që kishte bërë Luftën e Koresë për të ndalur përhapjen e komunizmit. Në seancat e dëgjimit Ushtri-Mekarti të transmetuara për herë të parë në televizionin kombëtar CBS midis muajve prill-qershor 1954, ndërprerjet e shpeshta të Mekartit të seancave dhe thirrjet e tij të "çështjeve proceduriale" e bënë atë qesharak në sytë e opinionit publik. 
Debatet arritën kulmin më 9 qershor, kur Mekarti sulmoi një avokat të ri i cili punonte për firmën ligjore të Jozef Uelshit, shefit të avokatëve të Ushtrisë. Taktika e Mekartit e sharjeve dhe kërcënimeve po bëheshin të pamëshirshme. Prandaj Uelshi iu drejtua Mekartit: "Deri në këtë moment, senator, unë mendoj se asnjëherë nuk e kam matur egërsinë apo guximin tuaj… Ju keni bërë mjaft. A keni juve ndjenjën e mirësjelljes, në fund të fundit, zotëri? A ka mbetur tek juve ndjenja e mirësjelljes"? Dëgjuesit në sallë shpërthyen në duartrokitje. Shumë amerikane e panë tani në TV Mekartin si një demagog të rrezikshëm, paranojak ndaj komunizmit dhe se po e përdorte çështjen për përfitime të tij politike duke shkatërruar jetët e amerikanëve të pafajshëm, duke krijuar një klimë politike të dyshimit dhe frikës që praktikisht paralizoi vendin. Kur nënkoloneli Ç. Broun, refuzoi t’i përgjigjet pyetjeve të Mekartit, ai iu drejtua: "Çdo burrë me uniformën e këtij vendi i cili refuzon t’i japë informacion një komiteti të Senatit i cili përfaqëson popullin amerikan, nuk është i përshtatshëm të veshë uniformën e këtij vendi”. Mekarti shkoi më tej kur ai intervistoi Gjeneral Brigade Ralf Zuiker, një veteran dhe hero në Normandi, duke e quajtur "një turp për uniformën që ai kishte veshur”. Ndryshimi i akuzave, mungesa e provave dhe paraqitja e tij e dobët në debatet me Ushtrinë e shpejtuan rrëzimin politik të Mekartit.

Pasojat e Mekartizmit


Shumë nga akuzat e Mekartit ishin false, por gjuetia e tij e shtrigave e tij fitoi terren: në kulmin e saj 25 shtete miratuan ligje që i nxirrnin organizatat komuniste të paligjshme. Sipas disa mbështetësve të Mekartit, në këtë kohë, shtypja e “organizatave radikale” ishte e nevojshme, dhe se masat ekstreme dhe ndoshta ilegale ishin të justifikuara. Por të tjerë e kanë vlerësuar këtë si luftë klasash dhe dhunim të drejtave civile dhe kushtetuese. Historia ka vërtetuar pikëpamjen e dytë; Mekartizmi konsiderohet si një plagë në traditat kombëtare të lirive dhe të drejtave civile amerikane. Pati shumë viktima të pafajshme nga Mekartizmi dhe madje qindra që u burgosën. Shumë prej këtyre viktimave kishin pasur disa lidhje me Partinë Komuniste në disa periudha të jetës së tyre. Një pjesë e viktimave u vunë në lista të zeza përfshirë aktorë të ndryshëm, autorë, aktivistë të të drejtave të njeriut dhe fizikantë. Ata që përfshiheshin në këto lista u refuzohej punësimi. Këtë e pësuan të parët “Të dhjetët e Hollivudit”, skenaristë, drejtorë dhe producentë si: A.Bessie, L.Cole, R.Lardner, A.Maltz,J.Lauson, S.Ornitz, D.Trumbo, H. Biberman ,A.Scott, E. Dmytryk. “Të dhjetët e Hollivudit” të pyetur nga Mekarti vendosën të mos përgjigjen duke u kapur pas Amendamentit të Parë të Kushtetutës për të drejtën e shprehjes së lirë. Por gjithsesi ata u dënuan: tetë me një vit në burg dhe dy të tjerë me nga 6 muajsh. 
Këta dhe shumë të dyshuar të tjerë të përfshirë në “listat e zeza” kanë shkruar kujtime, dhe vepra letrare që përshkruajnë këtë periudhë në detaje. Një nga veprat më të famshme është drama e Artur Milerit më 1953 "I kryqëzuari," shkruar në kulmin e Mekartizmit. Miler përdori gjyqet e shtrigave të Salemit si një metaforë për “gjyqin komunist të shtrigave” të Mekartit, duke lënë të kuptojë se procesi i persekutimit mund të ndodhë në çdo kohë dhe në çdo vend. Në rrezen e Mekartizmit hynë edhe simpatitë politike të orientuara majtas të aktorit komik të supernjohur Ç. Çaplin. Më 1952, Çaplini bëri një udhëtim të shkurtër në Angli, por në kthim atij ia ndaluan hyrjen në ShBA. Pas kësaj ai vendosi të qëndrojë në Europë dhe tërhoqi familjen e tij në Vevey, Svicër. Ai u kthye për pak kohë në ShBA vetëm në prill 1972, me gruan e tij, për të marrë një Oskar Nderi. 

Natën e mirë dhe fat të mbarë!


Më datën 8 janar 2010 në Top Channel u transmetua filmi “Natën e mirë dhe fat të mbarë!” (Good night, and good luck), prodhim i vitit 2005. Ky është filmi i dytë i Xhorxh Klunit në rolin e tij si drejtor filmi. Madje është autor i skenarit, si dhe luan një nga rolet kryesore. Në filmin e realizuar në bardh e zi, si sfondi i ngjarjeve të viteve 1950-1954, Kluni i kushton homazh njërit prej ikonave të gazetarisë radio-televizive, Eduard R. Murrou. Në film trajtohet rasti i pilotit të Forcave Ajrore, Milo Raduloviç, të cilin e kishin larguar nga shërbimi me akuza për simpati komuniste, pa një gjykim zyrtar. Murrou vendosi të bëjë të njohur këtë rast, duke vënë në diskutim legjitimitetin e largimit të tij në një program televiziv më 9 mars 1954. Mekarti dhe përkrahësit e tij e morën këtë si një sfidë të hapur të fushatës së tij. Për mungesë të provave të shëndosha, Mekarti iu sul Murrout me akuzën se ishte një komunist. Debati u zhvillua në programin See It Now të CBS News në të cilin të dy prezantonin versionet e tyre të çështjes. Duke përdorur regjistrime nga Mekarti gjatë seancave të pyetjeve, Murrou theksoi atë çka e ndjente se ishte rrezik për demokracinë: veprimet e vetë Mekartit. “Gjithkush që e njeh historinë e këtij vendi nuk e mohon rolin e komiteteve të Kongresit… Por linja midis investigimit dhe persekutimit është shumë e hollë, dhe senatori i ri nga Uiskonsini e ka shkelur atë në mënyrë të përsëritur.” “Ne nuk duhet të ngatërrojmë mospajtimin me pabesinë. Ne duhet të kujtojmë gjithnjë se akuza nuk është prove dhe se vendimi varet nga faktet dhe si i tillë proces i ligjit.” "Ne e shpallim veten, si dhe në të vërtetë ne jemi, mbrojtës të lirisë, kudo që ajo vazhdon të ekzistojë në botë, por ne nuk mund të mbrojmë lirinë jashtë duke e braktisur këtu brenda”. Murrou e mbyllte edicionin e radhës me shprehjen: Good night, and good luck! Zyrave qendrore të CBS News iu dërguan dhjetra mijë letra, telegrame dhe telefonata, që ishin në raportin 15 me 1 në favor të Murrout. Programi i Murrout e shpejtoi rënien e Mekartit. 

Rënia e Mekartit


Në gusht 1954, u ngrit një komitet i Senatit për të investiguar veprimtarinë e Mekartit. Më 27 shtator, komiteti me unanimitet shpalli raportin që e etiketonte sjelljen e tij "të pafalshme," "të dënueshme", "vulgare dhe fyese”. Më 2 dhjetor 1954, komiteti e ngarkoi Makartin me 46 akuza për abuzim të kompetencave legjislative për sjelljen e tij "në kundërshtim me traditat senatoriale” por Senati me votimin 67-22 e ndëshkoi atë vetëm me dy prej tyre. Studiuesit venë në dukje se me këtë akt Senati nuk dëshironte të krijonte imazhin e zbutjes të luftës kundër komunizmit. Pas kësaj, ndonëse mbeti në Senat, Mekarti u la në harresë, i shmangur nga Kongresi, Shtëpia e Bardhë dhe media. 
Jozef Mekarti vdiq më 2 maj 1957, nga hepatiti akut, - pasojë e abuzimit për vite me radhë me konsumin e alkoolit.

Mekarti vdiq. Po Mekartizmi? 


Analistët e shkencave politike venë në duke se shfaqje apo hije të Mekartizmit duken shpesh në kohë dhe vende të ndryshme. Sigurisht edhe tek ne. Nëse do të rreshtonim të gjitha akuzat politike publike të ndërsjella nuk do të kishte gazete që t’i nxinte. Madje nuk është e nevojshme që të bëhet një gjë e tillë mjafton të ndjekësh debatet në Kuvend apo në ballafaqimet midis politikanëve në televizion. Këtu po sjellim vetë ndonjë shembull si (s) janë miratuar kandidaturat e Presidentit të Republikës për anëtarë të Gjykatës Kushtetuese dhe Gjykatës së Lartë. Sipas nenit 125 pika 1 dhe 2, “Gjykata Kushtetuese përbëhet nga 9 anëtarë, të cilët emërohen nga Presidenti i Republikës me pëlqimin e Kuvendit. Gjyqtarët emërohen për 9 vjet, pa të drejtë riemërimi, nga radhët e juristëve me kualifikim të lartë dhe me përvojë pune jo më pak se 15 vjet në profesion”.
Sipas nenit 136 pika 1 dhe 5,”Anëtarët e Gjykatës së Lartë emërohen nga Presidenti i Republikës me pëlqimin e Kuvendit. Gjyqtarë mund të jenë vetëm shtetasit me arsim të lartë juridik. Kushtet dhe procedura e zgjedhjes caktohen me ligj”.
Mirëpo shumica e djathtë e Kuvendit, më 20 maj 2010, rrëzoi me votim të fshehtë me 66 vota kundër, 4 pro dhe 2 abstenime, kandidaturën e V. Kostës të propozuar nga Presidenti për anëtar të Gjykatës Kushtetuese të motivuar politikisht. Siç dihet kjo tërhoqi në atë kohë edhe vëmendjen e ambasadorit amerikan në Tiranë Xhon Uidhers që përveç politik e konsideroi të pakuptueshëm një votim të tillë (BalkanWeb.24.5.2010). Shpjegimin e jep gazetari B. Fevziu, kur shkruan se: ”PD ka vendosur të mos çojë në organet e larta, Gjykatë Kushtetuese dhe Gjykatë të Lartë, asnjë prej atyre që kanë zhvilluar procese politike në vitet e komunizmit... Ky është një vendim politik, jo ligjor, mbështetur mbi moralin dhe prejardhjen e kësaj force politike…“(Panorama, 21 korrik 2010).

Pyetje politike, jo-kushtetuese


Sipas E. Alibeaj, deputet dhe ish-ministër i drejtësisë, kandidatët për anëtarë të Gjykatës Kushtetuese janë një përzgjedhje mediokre. “...bazuar ne njohjet e mia personale, të elitës juridike, atë akademike, dhe të prakticienëve të së drejtës nga njëra anë, krahasuar me përzgjedhjet e ofruara nga Presidenca, më dëshmohet në mënyrë të qartë, për doza të theksuara mediokriteti si në përzgjedhje ashtu edhe në atë çfarë shumica e kandidatëve kanë mbartur me vete. (Panorama, 24 tetor 2010).

Kandidatja e përzgjedhur nga Presidenti për anëtare e Gjykatës Kushtetuese E. Jorgaqi u përball me pyetje të karakterit politik nga deputetët e djathtë të Komisionit të Ligjeve: 
M.Doda: Në vitin 2008 është votuar reforma në drejtësi, ku ju rezultoni në stafin e ekspertëve. Kush nga forcat politike ju ka propozuar për të qenë në stafin e ekspertëve?
E. Jorgaqi: Po, kam qenë një prej ekspertëve që ka punuar për ligjin për organizimin dhe funksionimin e pushtetit gjyqësor dhe jam krenare për këtë...
M. Doda: Ju lutem hiqni emocionet dhe na thoni se kush forcë politike ju propozoi. 
E.Jorgaqi: Kam qenë me ftesë të kryetarit të Komisionit të Ligjeve. Se si janë ndarë forcat këtu, nuk di të them. Mund ta dini ju më mirë. (Panorama, 19 tetor 2010).
Pyetje të këtij karakteri i janë drejtuar në seancën dëgjimore në Komisionin e Ligjeve edhe kandidatit V.Muçmataj për Gjykatën e Lartë:
E. Halimi: Pyetjes që ne ju kemi dërguar nëse ju keni marrë pjesë në hetime apo çështje të cilat kanë të bëjnë me periudhën e diktaturës, ju i jeni përgjigjur se nuk e mbani mend. Kjo përgjigje nuk më ndihmon mua të jem i qartë gjatë votës që unë do jap. Do doja një përgjigje më të qartë në lidhje me këtë çështje, nëse ju duhet kohë të kujtoni, ju japim kohë.
V. Muçmataj: Unë e kam shpjeguar në pyetësor, për shkak të kohës së gjatë, nuk mbaj mend saktësisht që të kem hetuar çështje të natyrave politike që parashikoheshin në legjislacionin e kohës. Megjithatë, kam lënë të nënkuptohet se në rast se ka pasur ndonjë çështje, unë, për shkak të detyrës së hetuesit dhe kompetencave që ngarkonte Kodi i Procedurës Penale të kohës, nuk kam pasur asnjëherë vendimmarrje për sa u takon akteve kryesore që kanë të bëjnë me liritë dhe të drejtat themelore të individit….
A. Trashani: Gjatë jetës suaj keni qenë ndonjëherë anëtar i një partie politike?
V. Muçmataj: Kam qenë dy vitet e fundit, vitet ‘88-‘90 anëtar partie, në kohën kur po ndryshonte sistemi. (Panorama ,7.7.2010)
Të djathtët i kanë drejtuar pyetje edhe kandidatit tjetër për në Gjykatën e Lartë, S. Çomo.
F. Hoxha, PD: Pasi i keni shërbyer politikisht një force politike, si zëvendësministër nga ‘98 deri në vitin 2000, në afatet limite që nuk lejonin më të shërbeje në gjyqësor, ju e keni lënë këtë detyrë politike dhe jeni emëruar nënkryetar i Gjykatës së Tiranës. Vetëm pas disa ditësh, jo javësh apo muajsh, në një procedurë të parregullt, e cilësuar nga opozita e atëhershme për kandidaturën tuaj në KLD, jeni emëruar si anëtar i KLD-së vetëm me votat e maxhorancës. Pasi keni marrë këtë emërim, jeni emëruar më pas Kryetar i Gjykatës së Tiranës. Dua të jem i pastër me ndërgjegjen time dhe me votën që do të jap në Kuvend. Dua të di a nuk është kjo një votë mbështetëse politike për karrierën tuaj?
S. Çomo: Po e ritheksoj për të disatën herë se asnjë ditë të vetme nuk kam kryer shërbime politike, por vetëm shërbime shtetërore dhe kam shërbyer në mirë funksionimin e Pushtetit Gjyqësor. Nëse ju më kujtoni mbështetjen e maxhorancës, edhe ju do të gjeni që keni emëruar anëtarë të KLD-së nga Kuvendi vetëm me votën e maxhorancës dy herë, një për Gjykatën e Lartë dhe një për në KLD. 
I. Rusmali: Ka ndonjë gjë që mund të na e rrëfeni? Për shembull, nëse ka pasur informalisht ndonjë person publik që ju ka sugjeruar, pse nuk kandidon? Më tej, ka pasur informalisht ndonjë konsultë, qoftë dhe në grupin përzgjedhës të Presidentit, lidhur me kandidaturën tuaj? Ndonjë bisedë me ndonjë njeri publik afër tyre që të ka sugjeruar, ju ka dhënë mbështetjen apo ju kanë refuzuar mbështetjen. 
S. Çomo: Unë nuk kam takuar deputet, sepse as nuk kam kërkuar t’i takoj dhe as më kanë kërkuar që të më takojnë. As një ditë të vetme nuk kam kryer shërbime politike, kam kryer shërbime shtetërore. Kam qenë pjesë e administratës shtetërore dhe kam shërbyer në mirëfunksionimin e pushtetit gjyqësor. 
M. Doda: Dua të di mendimin tuaj për gjyqtarët që kanë shërbyer në kohën e diktaturës. Pra një mendimin tuaj, parimisht, nëse ata duhet të jenë pjesë e sistemit të sotëm gjyqësor? 
S. Çomo: Kjo pyetje nuk i përket seancës sime. Nuk dua të përgjigjem. (Panorama, 6.7.2010). 
Sigurisht këtu nuk duam të bëjmë paralelizma me pasojat e Mekartizmit, por pyetjet e mësipërme me karakter politik, jashtë kornizave kushtetuese, shpesh here cinike e denigruese, nuk kanë nevojë për komente!

Posted via email from Shkupi Press extra