Nga Kastriot Dervishi
Në vitin 1937 në Shqipëri hyri
në fuqi ligji që ndalonte mbulimin
e fytyrës së gruas shqiptare. Për
të arritur deri këtu ishin kaluar
disa hapa të tjerë që kishin të bënin
me reformimin e statuseve të
komuniteteve fetare, për të arritur
më pas në nivele më të larta të
këtyre reformave. Ndonëse ishte
një ligj i rëndësishëm, zbatueshmëria
e tij ishte në vitet 1937 –
1939. Për të hequr ferexhenë nisma
erdhi nga KMSH duke pasur
një mbështetje të fortë të organeve
shtetërore, si në fazën e parë
ashtu edhe në zbatimin e ligjit.
Më 1 mars 1937 Këshilli i
Përhershëm i Bashkësisë Myslimane
të Shqipërisë, mbështetur
edhe nga kryemyftinitë e Tiranës,
Shkodrës, Gjirokastrës e Shkodrës,
duke u bazuar në shkrimet e
shenjta, pohoi se „asht e ndigjueshme
fetarisht hapja e fytyrës dhe
e duerve të gruas myslimane dhe si
konsekuencë, marrja pjesë e saj në çdo
shesh të aktivitetit njerzuer“ dhe mori
vendimin për heqjen e mbulesës e
ndalimit të fytyrës tek gratë.
Kjo mbledhje u provokua nga
kryemyftiu i Gjirokastrës Halit
Peshkopia dhe kryemyftiu i Korçës
Hafëz Xhaferri. Në motivacioni e
rastit thuhej se në vitin e parë të
predikimit të islamizmit në Shqipëri,
mbështetur mbi urdhrin e
profetit të tyre, juristët myslimanë
të shekullit të parë predikuan zbulimin
e duarve dhe të fytyrës. Por
më vonë të tjerë juristë, të shtyrë
prej nevojave të tjera u shtrënguan
të vendosnin dispozita ndaluese.
Në vijim të raportit përligjës thuhej
se atdheu ynë kishte nevojë
që edhe gruaja të merrte pjesë në
jetën shoqërore e kulturore të vendit,
duke kërkuar zbatimin e zakoneve
të mira të kombeve të përparuara.
Për këtë, institucioni i
sipërpërmendur njëzëri miratoi
raportin e kryesisë dhe vuri në dijeni
qeverinë, duke i hapur rrugë më
6 mars 1937, miratimit të ligjit
„mbi ndalimin e mbulesës së gruas“.
Gazeta „Drita“ e 2 marsit 1937
e quante Ahmet Zogun „psikolog të
thellë të popullit të tij dhe largpamës
gjenial të nevojave kombëtare“. Për
këtë qëllim gazeta citonte Ahmet
Zogun i cili kishte thënë se viti
1937 do të sillte një tog reformash
që do të ishin një fuqi shtytëse për
përparim, entuziazëm e përparim.
Sipas ligjit kundravajtësit gjobiteshin
deri 500 fr. ar. Ligji parashikonte
ndëshkime të tjera edhe mbi
bashkëshortët, baballarët, etj. Deputetët
që mbajtën fjalime ishin
Hiqmet Delvina, Fejzi Alizoti,
Hafiz Xhemal Dibra, Jashar Erebara,
Xhemal Naipi, Ferit Vokopola,
Eshref Frashëri, Faik Dishnica,
Qani Sulejmani, Hamit Myftiu,
Fiqri Rusi dhe Ahmet Hastopalli.
Siç edhe shihet nga emrat, deputetët
me përkatësi tjetër fetare,
duke filluar nga kryeparlamentari
Evangjeli, kanë preferuar të heshtin.
Në një letër që i drejtonte
Kryeministrisë, Mbreti Zog, vinte
në dukje se vendimi i Parlamentit
përbënte një „hap deciziv për naltësimin
e nivelin të grues shqiptare, tue
i hap asaj nji fushë të gjanë për zhvillimin
e individualitetit të saj për dobi
të familjes, shoqënisë e t’atdheut“.
Mbreti porosiste që me një buxhet
të veçantë të hapeshin kurse falas
kundër analfabetizmit e për mësime
të përgjithshme praktike, zhvillimit
moral e mendor. Zogu kërkonte
që përfundimi i kësaj pune t’i njoftohej.
Ligji për ndalimin e mbulimit
të fytyrës së gruas u parapri
nga diskutimet e disa deputetëve,
të cilët sikurse e thamë më sipër
ishin të gjithë të besimit mysliman.
-Hiqmet Delvina ka shprehur
respektin më të thellë për Mbretin
Zog, duke shprehur se kjo reformë
nuk do të ishte as e para dhe as e
fundit. Sipas tij askush nuk duhej
të dyshonte se kjo reformë do të
sillte cenimin e gruas shqiptare.
-Fejzi Alizoti e ka hapur fjalën
e tij se shumë vetë mendonin se
feja myslimane ishte shkak pengesë
për përparimin e kombeve, gjë që
sipas tij nuk ishte e vërtetë, pasi
jo feja por injoranca në bashkëpunim
me egoizmin krijuan në
disa vende të botës haremet, një
sistem të vërtetë robërie në trajtimin
e femrës. Sipas tij nuk mund
të kishte asnjë reformë pa filluar
gruaja.
-Hafiz Xhemal Dibra, kleriku
deputet e ka vlerësuar me rëndësi
të posaçme projektligjin në fjalë,
duke e mbështetur edhe nga pikëpamja
fetare se ishte e lejuar
mosmbulimi i femrës.
-Jashar Erebara në fillim të diskutimit
të tij shprehet se në shumicë
të tij populli shqiptar nuk
kishte qenë i mendimit se gruaja
duhej mbuluar. Prandaj populli do
ta pranonte me gëzim reformën.
Pas kësaj ai sjell shembuj për rastin
në fjalë.
-Xhemal Naipi, shprehet se në
Kuranin e Shenjtë dhe në fjalët e
profetit Muhamet, thuhej qartas se
fytyra e femrës nuk quhej auret
(mbulesë). Më tej ai thotë se perçja
nuk i ka sjellë asnjë të mirë gruas
shqiptare, e sidomos kohët e
fundit kur kishte shkaktuar mjaft
dëme. Sipas tij perçja ishte mjet i
imoralitetit.
-Ferit Vokopola e ka quajtur si
shumë të rëndësishëm projektligjin
e paraqitur, tek i cili mbizotëronte
fryma përparimtare. Ai për këtë
çështje citon një filozof indian për
çështjen e qytetërimeve lindore dhe
perëndimore, duke e mbyllur këtë
pjesë me namin e keq të haremeve.
Vokopola thotë se shqiptarët ishin
brenda një familje aksidentale,
si kombi më i vjetër i Ballkanit.
Mbulesën e gruas ai e quan një
zakon të huaj.
-Eshref Frashëri, ka theksuar
se projekti ishte shpëtimtar për
vendin, duke sjellë shembuj se
mbulesa e gruas më së shumti ishte
një çështje që i ishte përzier fesë.
Sipas tij në Shqipërinë e Zogut nuk
mund të tolerohej kjo gjë. Ai
thoshte se duhet të shkundeshim
nga zakonet e vjetra të Anadollit
të cilat vetë Anadolli i kishte shkundur.
-Faik Dishnica, pohon se me
këtë ligj do të krijohej barazia e
domosdoshme shoqërore në vend,
duke sjellë një shpëtim për kombin.
Sipas tij kjo reformë nuk fillonte
sot, pasi ajo gradualisht kishte
filluar prej kohësh.
-Qani Sulejmani ka mbështetur
kolegun e vet në fjalët që ai sapo
kishte thënë duke shtuar se priste
të tjera reforma në vend.
-Hamit Myftiu e ka quajtur
nismë të mirëpritur projektligjin që
vinte, duke shtuar se populli shqiptar
do ta pranonte me gëzim atë.
-Fiqri Rusi e ka trajtuar çështjen
edhe nga pikëpamja politike
pasi për dobinë shoqërore dhe fetare
të tij kishin folur deputetët e
tjerë. Sipas tij edhe politikisht ligji
i ri do të kishte rëndësi të madhe.
-Ahmet Hastopalli e ka quajtur
projektin e ri vepër madhështore.
Duke e pasuruar diskutimin e tij,
ai ka sjellë shembuj nga historia.
Kanë vijuar edhe diskutimet e
Ali Begesë, Salih Vuçiternit e për
t’u mbyllur me fjalën e ministrit
të Punëve të Brendshme, Musa
Juka i cili ka mbrojtur projektin në
emër të qeverisë
Miratimi i ligjit për ndalimin e
fytyrës së gruas, nuk mund të ishte
një veprim që në tërësinë e tij
do të kalohej pa probleme. Ministria
e Punëve të Brendshme që
merrej me zbatimin e tij dhe Ministria
e Drejtësisë që kishte në varësi
bashkësitë fetare, në bashkëpunim
të ngushtë me Komunitetin
Mysliman Shqiptar, ishin
vazhdimisht në bashkëveprim me
njëra – tjetrën për zbatimin e ligjit
dhe për moskrijimin e traumave
sociale që mund të lindnin nga
zbatimi i këtij ligji. Për ta bërë sa
më funksional atë, në radhë të parë
u kërkuar përpikëri nga nëpunësit
e shtetit dhe gratë e tyre.
Jo vetëm për lirimin e gruas
shqiptare nga skllavëria e mbulesës
së fytyrës, por edhe për të ruajtur
figurën e klerikut në opinion,
KMSH bashkëpunoi ngushtë me
MPB-së.
Miratimi i ligjit në fjalë, i dha
mundësi Ministrisë së Punëve të
Brendshme, të jepte porositë e
ndryshme për zbatimin e tij. Nga
shfletimi i dokumenteve arkivore
del se prefekturat që kanë pasur
probleme në zbatimin e ligjit kanë
qenë Shkodra dhe Durrësi.
Më 1 mars 1937 Zyra Sekrete e
MPB-së njoftonte Prefekturën e
Shkodrës se Këshilli i Përgjithshëm
i Komunitetit Mysliman bazuar
në interpretimin e Kuranit
kishte dhënë fetfanë për zbulimin
e duarve dhe fytyrës së grave. Në
porosinë e rastit për prefekturën,
Zyra Sekrete udhëzonte se elementët
fanatikë mund të përkraheshin
në këtë rast nga propaganda
jugosllave, duke kërkuar moslejimi
i një gjëje të tillë dhe për
këtë të njoftohej mënyra e veprimit
(AQSH, F.152, V.1937, D.157,
fleta 1). Aktivizimi i propagandës
jugosllave shënohej si më aktiv në
brezin kufitar të qarqeve të Shkodrës,
Dibrës e Kukësit. Më 2 dhe 4
mars 1937 urdhëroheshin prefekturat
e Shkodrës, Gjirokastrës dhe
Elbasanit të propagandonin vendimin
e komunitetit në fjalë. Elementët
fanatikë duke mos pëlqyer
reformën e ndërmarrë kanë kaluar
në veprime kërcënuese nga autoriteteve
më të larta fetare të Shkodrës.
Zëvendësisht prefekti i
Shkodrës, Daut Çarçani, më 4 mars
1937 njoftonte autoritetet se çështja
e zbulimit të grave ishte objekt
bisedimi në atë qark dhe kishte
sjellë tronditje, por nuk shihej
ndonjë propagandë me prirje të
rrezikshme.
Më 8 mars 1937 Zyra Sekrete
porosiste prefekturat e vendit,
veçanërisht ato të Dibrës e Kosovës
që të interesoheshin pranë organizatës
„Gruaja Shqiptare“ me rastin
e votimit të ligjit, t’i dërgonin
telegrame mbretit, parlamentit,
qeverisë dhe një kopje gazetës
„Drita“. Aty ku nuk ekzistonin organizata
grash, këtë ta bënin gra
nga paria. Zëvendësisht prefekti i
Durrësit, Mahmut Golemi, njoftonte
se zonja nga paria do të dërgonin
nga Durrësi, Kavaja, Kruja,
Shijaku.
Prefekti i Elbasanit Sadik Metra
më 16 mars 1937 njoftonte se
me të mbërritur urdhri për zbulimin
e fytyrës, ishin ftuar të gjithë
nëpunësit e atyshëm dhe u ftuan
të zbatonin ligjin me gratë e tyre,
gjë që ishte zbatuar prej një jave.
Vihej në dukje se myftiu i Elbasanit
ishte pro lëvizjes dhe e përkrahte
atë.
Për vetë kuptimin e çështjes
porositej që zbatimi i ligjit të bëhej
me shumë takt dhe me shumë
kujdes. Kjo në mënyrë që të mos
krijoheshin probleme që do të
mund të merreshin në opinion si
cenim i figurës së grave. Veçanërisht
xhandarmëria u porosit të ishte
e kujdesshme në zbatimin e
ligjit e tregimin e taktit.
Më 24 mars 1937 Zyra Sekrete
e MPB-së i dërgonte telegram
prefekturave, veçanërisht atyre të
Dibrës e Kosovës, se të nesërmen,
datë 25, ligji hynte në fuqi e për
ketë kërkohej lajmërimi i popullit
me kryepleqtë, etj, por kurrsesi me
tellall, pasi me këtë mënyrë mund
të krijoheshin efekte tallëse. MPB
kërkonte që të shtoheshin parullat
në mënyrë që populli të bindej
se do të zbatohej ligji. Udhëzimi
ishte se kur shihej ndonjë grua e
mbuluar të mos zbulohej në publik,
as të mos komunikohej me të,
por fshehtas të bëheshin hetime.
Më 25 mars 1937 prefekti i Shkodrës,
Javer Hurshit, njoftonte se
asnjë grua nuk kishte dalë e mbuluar.
Një pjesë e grave kanë kaluar
me karrocë me fytyrë të zbuluar.
Dy ditë më vonë, Zyra Sekrete
kërkonte nga prefekturat, veçanërisht
ato të Shkodrës, Tiranës, Dibrës
e Kosovës, se si kishte shkuar
dita e kush kishte vepruar kundër
ligjit, duke kërkuar zbatimin e
ligjit, në mënyrë për të arritur
qëllimin që asnjë grua të mos dilte
e mbuluar.
Më 27 mars 1937 zëvendësisht
prefekti i Vlorës Kamber Qafmolla
njoftonte se asnjë grua nuk kishte
dalë e mbuluar. Të njëjtën gjë thotë
edhe prefekti i Elbasanit Sadik
Metra. Zëvendësisht prefekti i
Durrësit, Mahmut Golemi, njoftonte
po atë ditë se asnjë grua nuk
ishte parë e mbuluar, por lëvizja
jashtë banesave kishte qenë e kufizuar.
Sipas tij kjo rridhte nga mungesa
e veshjeve pasi shumica ishin
të varfra. Edhe prefekti i Beratit,
Qazim Bodinaku, njoftonte për
sukses të ligjit.
Më 5 prill 1937 prefekti i Beratit,
Qazim Bodinaku njoftonte se
ligji ishte pritur me gëzim të madh
në popull dhe nuk ishte shënuar
ndonjë kundërvajtje. Vetëm
në Fier dilnin dy gra. Të dy
burrat e tyre ishin thirrur
dhe kishin kërkuar falje se
nuk e dinin që atë ditë kishte
hyrë ligji në fuqi.
Më 12 prill 1937 doli
qarkorja ku thuhet se duke
çmuar se reforma e zbulimit
të fytyrës thyen një zakon të
keq të rrënjosur e të zbatuar
për një kohë të gjatë, MPBja
kishte gjykuar të
nevojshme që në ditët e para
të mos kërkohej ashpërsisht
zbatimi i ligjit, duke filluar
me butësi e tolerancë, por
duke qenë se prej ditës së
zbatimit të ligjit nuk kishin
dalë gra të mbuluara, tani
kërkohej zbatim më i rreptë
i ligjit.
Në qarkoren tjetër thuhej
se ishte vërejtur se
shumë gra kishin bërë zbulim
të pjesshëm të fytyrës,
duke e zënë ballin e gushën
deri te goja, ndërsa disa të
tjera pa qenë nevoja përdornin
çadra, me të cilat maskonin
fytyrën. Kërkohej që këtë
raste të konsideroheshin në
kundërshtim me ligjin. Nga
ana tjetër kërkohej nga xhandarët
të kishin sjellje korrekte
duke u sjellë me urtësi
e xhentilesë e në rast
nevoje të jepeshin edhe
këshillat e rastit.
Reforma e vitit 1937 dhe
disa të tjera të planit fetar
që kanë ngelur të pazbatuara
u zbatua rreptësisht deri
në 7 prill 1939. duke përfituar
nga ndryshimi i regjimit
në vend, u gjet rrugë që ferexheja
të ripërdorej. Këtë
„tolerancë“ fetare, autoritetet
fashiste do ta kuptonin
më vonë kur ferexheja do të
përdorej si mjet maskimi
edhe për meshkujt.
[[posterous-content:pid___0]][[posterous-content:pid___1]][[posterous-content:pid___2]][[posterous-content:pid___3]][[posterous-content:pid___4]]
Gazeta „Drita“ e 2 marsit 1937 e quante Ahmet Zogun „psikolog të thellë të popullit të tij dhe largpamës gjenial të nevojave kombëtare“. Për këtë qëllim gazeta citonte Ahmet Zogun i cili kishte thënë se viti 1937 do të sillte një tog reformash që do të ishin një fuqi shtytëse për përparim, entuziazëm e përparim





