Nga Teki Dervishi Jo, jo që u dashka të mbrohen shqiptarët, por a duhet të insistojmë të hapim argumente mbi indikatorët e krizës permanente ndër shqiptarët dhe të konstatojmë se kriza e vazhdueshme është produkt i strategjisë evropiane që Serbia ta ketë rivale një Shqipëri të krizës, e cila nuk do të mund t’i ndihmojë Kosovës? Fuqitë e Mëdha sot e kontrollojnë Shqipërinë deri në masën që e tejkalon ndikimin e tyre politik, dhe kjo masë është “ndërhyrja” arbitrare e të huajve në strategjitë e ndërtimit të shtetit “modern” shqiptar. Ndërkombëtarët ndër shqiptarë janë instruktorë të ekonomisë kolonizatore, si dhe strategjisë së dekulturimit. Derisa në Ballkan forcohen shtetet nacionale, shteti shqiptar po shndërrohet në “shtet qytetar”. Nacionalisti nuk e gjuan me gurë shtetin e vet; nacionalisti nuk e vret shqiptarin dhe nuk e djeg pasurinë e tij. Kjo është shoqëri civile evropiane dhe jo shoqëri nacionale, kombëtare.
Kush i jep instruksione Edi Ramës që Shqipëria të ekuilibrojë në teh të abisit? Shteti i fortë shqiptar nuk i shkon në favor BE-së, pikërisht për shkak se Kosova ende mbahet nën kthetrat e protektoratit evropian. Nuk duan Kosova ta ketë Piemontin e saj. Çdo gjë është e llogaritur mirë dhe del nga marrëveshjet sekrete diplomatike dhe të spiunazhit që i druajnë krijimit të një shteti të fortë dhe të zhvilluar shqiptar. Sa herë që Kosova është në buzë të greminës nga politika destruktive e shefave të mendësisë jugosllave të disa partive politike në Prishtinë, nga Edi Ramët e Prishtinës shërbimet e huaja sekrete në Shqipëri inskenojnë nga një reprizë të “revolucioneve të vonuara demokratike”. Kush po e nxit luftën qytetare?
Sa here kemi shkruar këtu mbi dukurinë e “dykuptimësisë” së politikës evropiane në relacion me shqiptarët? Ata po kanë sukses që me dihotominë e spekulimeve diplomatike ta mjegullojnë situatën e krizës deri në atë shkallë, sa ajo të eskalojë në anarki, siç është sot situata (edhe) në Kosovë, para shpërthimit. Dihet se anarkia e pjell revolucionin. Dykuptimësia e kumtesës zyrtare Ashton-Fyle e KE-së mbi ngjarjet e 21 janarit në Tiranë, sublimon predikten banale se “nuk është e lejueshme dhuna”! “Dhuna e kujt” - e shtetit apo e demonstruesve? Nuk kanë pritur që shteti i Shqipërisë ta japë edhe një provim si ky, t’i ndalojë demonstrimet dramatike të dhunshme, pa përdorur dhunën kundër demonstruesve huliganë, që provojnë ta përmbysin shtetin që nga rruga, tipike revolucionare.
Kush nuk e di sot se pronarë të disa firmave mediale në Shqipëri janë grekët, francezët, gjermanët, serbët, etj., siç janë të huajt sponsorë dhe donatorë të disa medieve të Kosovës, të cilat nxisin revolucione dhe organizuan grusht shtetin para tre muajve në Kosovë? Politika shqiptare transkriptohet në mediet shqip, të cilat politikën e nxjerrin në platformën e “fjalëve të dhunshme” dhe të sharjes publike. Kjo është shkolla evropiane për ta mbajtur opinionin shqiptar të përçarë. Këto medie tashmë janë bërë petk i shqiptarit, ushqim i tij i përditshëm, konsum depresioni dhe makthi, fushëbetejë e likuidimeve morale të “kundërshtarit” politik. Tragjikisht, kështu e kanë kuptuar pluralizmin dhe lirinë e fjalës shqiptarët, ende të copëtuar në pesë shtete ballkanike. Nuk kacafyten me armiqtë e huaj të shqiptarëve, po shqiptarët ende kacafytën ndër vete. Evropa e ka eksportuar në vendet shqiptare formatin tipik të anarkisë revolucionare, dhe sa herë i duhen revolucione në Shqipëri, i angazhon BBC-në, Dojçe Vellen, etj. dhe mediet greke-serbe që botohen në gjuhën shqipe në Tiranë dhe në Prishtinë. Në qoftë se na kanë vdekur prindërit e dresuar nga Kominterna, jemi ne ata që e kemi mësuar zanatin e denoncimit politik më mirë sesa e dinin prindërit tanë stalinistë. Kur shan publikisht “emëruesit e përbashkët” në media, hajde, mund të merret edhe si kritikë fenomeneve - kritikë e qëlluar a jo, nuk ka rëndësi. Por kur personalizohen sharjet deri në shkallën e gozhdimit moral të individit të përveçëm në kryqin publik, kush nuk e kupton se fyerja do të balancohet me fyerje dhe dhuna e fjalës do të shndërrohet në torturë fizike në shesh qyteti? Dhjetëra agjenci sekrete spiunazhi nuk kanë punë tjetër pos që në vendet e copëtuara shqiptare ta mbjellin farën e përçarjes, e vetmja mënyrë ta pengojnë të bëhet Shqipëria. Se Kosova nuk do të bëhet pa një Shqipëri të fortë. “Demokracia” e importuar evropiane i bindi shqiptarët se pushteti merret me dhunë mediale të spekulimeve intrigante propagandistike, me komplote dhe prapaskena oborrtare. Tashmë pushteti nuk është mjet për ndërtimin e shtetit, por ankand për ta shitur shtetin që të pasurohet oligarkia politike. Gjithkund në botë politikanët janë klasa “e mesme”, kurse te shqiptarët këta janë klasa më e pasur e popullit. A qenkemi ne shqiptarët popull i urtë vetëm kur jemi nën tutelën e “ligjit” të okupatorit, apo po kërkuakemi ta bindim botën se shqiptarëve liria ua zgjidh nga vargonjtë qenin e çartur që e mbajnë lidhur brenda ndërgjegjes së tyre “kombëtare”?
Në shesh Tirana digjej. Analistët dhe aparatçikët politikanë frustrohen para kamerave, dhe pak nga pak auditoriumi i miliona shqiptarëve adaptohet me vrazhdësinë bizare që media e prodhon si fabrikë të urrejtjes makabre ndërmjet konkurrentëve për pushtet. E keqja është se edhe “kosovarët” po shqipërizohen duke mësuar shkollë nga “Piemonti” i tyre dhe konkurrentët politikë në Kosovë e kanë huazuar fjalorin shqipërizues: hajn, çimkë, kriminel, tradhtar, etj. etj. Është thënë këtu qindra herë: prodhuesi i kësaj anarkie kulturore ekonomike gjithëshqiptare që e organizon Evropa për interesa ekonomike të saj me Rusinë, është media shqipshkruese që propagandon strategjinë destruktive politike të Evropës, e cila përpiqet që shqiptarët t’i paraqesë si popull klerikal dhe primitiv, fisnor jashtë dimensioneve civilizuese. Të pasur janë politikanët, por më të pasur se këta janë botuesit e medieve shqiptare.
Liria e medieve është pasqyrë e lirisë kombëtare. Liria e medieve është dëshmi e kualitetit të demokracisë. Pse i kontrollojnë raportet vjetore evropiane mediet shqiptare? T’u imponojnë medieve kriteret “perfekte” evropiane që nuk i bien tamam realitetit shqiptar, sepse shqiptarët e varfër ende shitën për para dhe pasanikët politikanë ende blejnë shqiptarë. Mediet shqiptare kritikohet nga raportet evropiane si mospërfillëse të “fjalës së lirë” dhe varëse të shtetit, derisa po këto medie në mënyrën më të lirshme e anatemojnë shtetin, pa u sanksionuar asnjëherë nga ligji i shtetit, ose shteti i ligjit. Mediet e prodhojnë anarkinë, në anarki nuk ka ligj.
Home »
» Kriza permanente, indikator i strategjisë që Serbia të ketë rivale një Shqipëri të dobët





