Nga Michele Brambilla
“Ishin futur mes radhëve të të rinjve që po demonstronin në rrugët e Romës, sipas të dhënave që ne kemi”...?
Gjithçka mund të ndodhë, ju lutem, kini mirësinë!
Për të zënë vend në mungesë të provave të qenësishme, kjo hipotezë do të kishte nevojë së paku për një shtysë bindëse. Ndërkohë që nga kjo demonstratë, nisur nga disa foto që kanë qarkuar në Internet – që nga ana tjetër nuk dëshmojnë diçka të qënësishme – zuri fill tragji-komizmi ‘deja vu’ i akuzave të lëshuara ndaj policisë e komplotistëve, në shërbim të nxitjes së trazirave të brendshme.
Gjithçka nisi kur në disa prej pamjeve të ofruara nga përleshjet e demonstruesve me policinë, vërehet edhe një djalosh me një xhup ngjyrë bezhë dhe fytyrën e mbuluar me shall të bardhë, që në njërën dorë mban një shkop dhe me dorën tjetër vërvit në ajër një palë pranga. E kush tjetër vallë mund të ketë në duar një palë pranga përveç një polici? Të tjera pamje të mundësojnë të shquash se disa prej huliganëve kishin mbathur këpucë të mëdha, njësoj si ato që përdorin punonjësit e policisë. Vetëm kaq mjaftoi për furinë e tam-tameve: ja ku i keni provat, dhunuesit e ligjit janë në të vërtetë punonjës policie pa uniformë, që janë përdorur nga një qeveri që ka interes të japë idenë e pranisë së ekstremistëve të rrezikshëm.
Nëse ky helm do të ishte hedhur në tavë, le të themi për shembull nga veprimtarë të disa qendrave sociale, apo nga e ashtuquajtura “botë antagoniste”, nuk do t’ia vlente barra qeranë për t’u marrë në analizë. Por fatkeqësisht, dyshimet, spekulimet, gjuetia e vazhdueshme patologjike në kërkim ‘duarve të fshehta” që dirigjojnë këto skenarë ka kapur pikun dhe gëzon besueshmëri jo të pakët publike. Gazetarët dhe politikanët e të majtës italiane kërkuan sqarime nga Ministri i Brendshëm, madje edhe një figurë e ekuilibruar si kryetarja e grupit të PD-së në Senat, Anna Finocchiaro, nuk nguroi të shprehej: “Duam të dimë se cilët ishin këta që në mënyrë të qartë ishin të infiltruar, kush i ka dërguar, kush i paguan dhe çfarë duan të yshtin”.
Meqenëse edhe ndajfoljet shpesh janë mjaft domethënëse, edhe ndajfolja “në mënyrë të qartë” që doli nga goja e Finocchiaro-s është diçka që lë shije të hidhur. “Në mënyrë të qartë” do të thotë “pa pikë dyshimi”. Do të kishte mjaftuar vetëm që senatorja, e bashkë me të edhe shumë të tjerë (ish-ministri i Drejtësisë Diliberto, për shembull) të kishin shfaqur virtytin e fisnikut, maturinë, apo së paku durimin: të kishin pritur disa orë, t’u kishin hedhur një sy edhe filmimeve të tjera, për shembull atij filmimit ku vërehet “i infiltruari misterioz” që u arrestua nga policia pa kaluar shumë kohë, i cili, më pas kërkon mëshirë për shkak se është “i mitur”, pa i kushtuar fort rëndësi telekamerave që po e regjistronin dëshminë e tij. Nëse do të kishte qenë polic të cilit i ishte ngarkuar një mision sekret, a do t’i kishte lejuar vallë kolegët e tij që ta arrestonin? Me pak durim, mbështetësit e tezës së “komplotit” do të kishin shquar se demonstruesit me këpucë si ato që përdorin forcat policore nuk kishin lidhje me demonstratën e Romës, por me ato të Torontos të pesë muajve më parë. Në fund të fundit, po të ishin treguar edhe pak më të duruar do të kishin dëgjuar edhe komunikatën e lëshuar nga forcat e rendit se i ndaluari, i mituri, ishte një ekstremist i majtë dhe jo rreshter policie.
Fatkeqësisht, kjo trajektore e komploteve dhe viktimizimit është një huq i vjetër i të majtës italiane. Në vitet ’70-të u bënë përpjekje të mëdha për të kundërshtuar me forcë stampën e vërtetë të “Brigadave të Kuqe”. E njëjta histori ngjan edhe ditëve të sotme në përleshjet në rrugë e sheshe; përsëriten të njëjtat fraza, ku nga njëra anë gjenden të rinj të drobitur, e nga ana tjetër policë që vrasin. Është një ves që ndoshta gjen shteg përdorimi tek ajo shprehja e njohur që shqiptohet sa pafajësisht aq edhe rëndom: mundet që edhe ‘ndonjëri prej tanëve’ të veprojë edhe brutalisht. E në këtë mënyrë, ata mbeten gjithmonë në kërkim të alibive për të justifikuar dështimet e tyre, ngaqë nuk fitojnë politikisht dhe ngaqë ‘dikush’ vozit kundër rrymës me mënyra të pista e mjete të ndotura.
Ndërkohë, njëra prej arsyeve kryesore që e majta italiane nuk ka fituar është edhe mënyra qaramane e sjelljes së saj në politikë, që e bën gjithnjë e më pak të besueshme edhe në sytë e mbështetësve të saj. Opozita e majtë(italiane) ka mjaft mënyra për të bërë opozitë. Le t’i lënë mënjanë intrigat me policinë.
Marrë nga e përditshmja e Torinos, “La Stampa”





