E shenjta dhe profania në xhaminë e re të Tiranës

Elton Hatibi

 

Shtëpi e Zotit apo apartamente për “zotat”?

Këto ditë është përfolur në publik mbi mundësinë e ndërtimit të një xhamie të re në kryeqytet. Nga autoritetet janë përcaktuar dhe kriteret funksionale të këtij objekti, sipërfaqja, koeficienti i ndërtimit, kate mbi dhè e gjithashtu nën dhè, një minare, metra katrorë, pronarë dhe shpronësime. E gjitha kjo që është publikuar i ngjason një historie me pronar trualli dhe ndërtues pallatesh, histori të rëndomta këto, që shoqërojnë jetën social-ekonomike të qyteteve tona. E veçanta në këtë ngjarje, parë kështu me sy të lirë, është se në këtë pallat do të ushtrohen rite dhe praktika të besimit islam.

Duke qenë se nga çfarë njohim si opinion i gjerë publik, është një marrëdhënie “më jep-të jap” (leje ndërtimi) ndërmjet një bashkësie fetare dhe autoriteteve lokale, si dhe ngarkesa me labirinte funksionale të kërkuara me ngulm në këtë objekt, mungesa publike e një aureole me vlerësime dhe kritika estetiko-kulturore mbi simbolikën e kësaj ndërmarrjeje, e nevojshme në të tilla raste, e zbeh dukshëm entuziazmin momental në gjirin e dashamirësve të xhamisë së re. Mbase mungesa e qëndrimeve të tilla mund të vijë nga shkrehja e beftë gjatë një paraditeje festive, pas tendosjes së pritshmërisë së gjatë nga ana e të interesuarve, ose nga droja e shumëkujt që në këtë klimë mbarëkombëtare islamofobie nuk ka ndërmend të zgjojë “shejtanin” nga dremitja duke i thurur lavde kësaj nisme. Të dyja sa thashë më sipër qëndrojnë, por mendoj që mosqasja ndaj një debati të dobishëm mbi domethënien shumëplanëshe të ndërtimit të një xhamie qendrore, simbolikën që mbart ajo në një mjedis multireligjioz, si dhe kriteret specifike të natyrës arkitektonike që do të vuloste dhe identitetin islamik të kësaj ndërtese, vijnë kryesisht nga një zbrazëti shpirtërore e përgjithshme, e cila karakterizon mjerisht shqiptarët pas një ateizmi të dhunshëm, përfunduar zyrtarisht vetëm 20 vite më parë.

Tempulli është një vend ku kryhet komunikimi me transcendenten, ndaj besimtarët duhet të jenë ekskluzivisht të vetmit të cilët duhet të ideojnë dhe materializojnë një projekt të tillë. Me suksesin ose jo të projekteve të tilla varet pritshmëria e përjetimit shpirtëror të anëtarëve të një bashkësie religjioze dhe kohezioni i identitetit kulturor që e karakterizon bashkësinë. Sa larg është projekti i nxitur nga autoritetet, i një ngrehine religjioze me zyra, parkingje, dhe më tragjikja, me kate që frekuentuesve u pamundësojnë kontaktin fizik dhe vizual ndërmjet tyre, me atë që sipas Eliades, duhet të përfaqësojë një tempull: “… mundësinë që njeriu religjioz të gjejë periodikisht Kozmosin, ashtu siç ishte në gjenezë, në momentin mitik të Krijimit”. Ky përkufizim i tij është mbi natyrën universale të tempullit në të gjitha religjionet, ndërsa më specifikisht, tempullin semit ai e kategorizon si “arketip qiellor”. Jo rastësisht arkitektura e krishterë (sidomos ajo lindore) dhe ajo islamike ( jo magrebine), në ndërtimin e tempujve e kanë zhvilluar përgjatë shekujve kupolën si një element arkitektonik që mishëron qellin, kozmosin, përjetësinë. Nuk duhet të harrojmë se në qytetin tonë kemi një shembull të tillë plotësisht origjinal, Xhaminë e Et’hem Beut, e cila frekuentohet si nga besimtarët që prehen “fetarisht” aty, ashtu dhe nga vizitorë që mrekullohen nga veçantia e saj. Ndërkaq Eliade, si një ndër historianët me të njohur të religjioneve, thekson se ndërtimi i tempullit lind si nevojë për të veçuar të shenjtën nga korrupsioni i kudondodhur njerëzor. Në rastin tonë jemi larg nga ky konstatim, kur kemi parasysh terminologjinë e përdorur, e ngjashme kjo si në ndërtimin e çfarëdolloj objekti, si dhe përfytyrimin popullor mbi virgjërinë morale të aktorëve të përfshirë në projekt.

Bashkësitë religjioze, kur ndërmarrin projekte kaq kulmore siç është ndërtimi i tempullit të tyre qendror në qytet, angazhojnë burimet njerëzore më të kualifikuara nga gjiri i tyre. Në mungesë të personaliteteve produktivë nga gjiri i vet, mundet të huazohen ndihmëtarë nga bashkësitë simotra kudo në botë, gjithmonë për të harmonizuar elementët lokalë të traditës sonë me universalizmin e arkitekturës islame, risitë e modernitetit, në hapësirën dhe mundësitë e dhëna. Mendimin thelbësor në të tilla raste duhet ta thonë personalitete me ndjeshmëri spirituale, etikë të mirë në komunikimin me termat e religjionit, si dhe me një profesionalizëm në njohjen e estetikës islame në objektet religjioze. Rudolf Otto thekson se: ”E shenjta është para së gjithash, kategori interpretimi dhe vlerësimi e cila ritakohet vetëm në fushën e religjionit. Në etikë zgjerohet rrethi i saj, por nuk theksohet kurrë veçmas religjionit, i nënshtrohet racionales, komplikohet dhe është e pashprehshme konceptualisht”. Kështu jo çdokush, aq më tepër elita jonë kulturore e politike, me një te kaluar të skajshme ateiste, mund të ndërhyjë me një retorikë formale duke shfrytëzuar boshllëkun shpirtëror të shqiptarëve për ta “mbushur” sadopak këtë hapësirë. Me tej, pas këtij baraslargimi të së shenjtës ndërmjet burimit të saj, religjionit dhe etikës, Otto e hedh këtë kategori në fushën e përjetimit njerëzor dhe thotë : “Është e vështirë të flasësh për njohje religjioze me dikë, i cili mund të rikujtojë ndjenjat e tij të para të moshës së pubertetit, ndonjë çrregullim në tretjen e ushqimit, ose ndjenjat sociale, por jo specifikisht ndjenjat e para religjioze”. Por, në promovimin e xhamisë së re janë thirrur të kontribuojnë personalitete me profil të theksuar areligjioz, me interesa dukshëm profane dhe me ‘background’ të turbullt dhe jo të denjë. Nëse shumëkush arrin të rinjohë në vetvete ndjesi të së shenjtës, të lidhura specifikisht me ndonjë religjion, është i thirrur të kontribuojë me gjithë kapacitetet e tij në bashkësinë përkatëse religjioze, nëse dëshiron dhe nëse ia pranojnë. Përfshirja gjithnjë e më tepër e autoriteteve shtetërore në retorikat me sfond religjioz, dhënia prej tyre e recetave veterinaro-fetare-inflacioniste kudo dhe kurdoherë, dhe në rastin e xhamisë, protagonizmi jo i shëndetshëm i kryebashkiakut në promovimin e cunguar të saj arkitektonik dhe kulturor, është shkelmimi i vazhdueshëm i parimit të neutralitetit të shtetit ndaj bashkësive fetare. Neutralitet që thërrmohet vetëm në rastin e bashkësisë së besimtarëve myslimanë, sepse ndërkaq, nuk kemi parë të tillë ndërhyrje kaq flagrante të autoriteteve në ndërtimin e tempujve të bashkësive të tjera në kryeqytet. Siç duket, këto bashkësi kanë ndjekur procedurat rutinë në aplikimet pranë autoriteteve, dhe duke iu përmbajtur rregullave kanë arritur atë që dëshirojnë. Nuk dimë në asnjërin rast sa kapacitet parkimi ka nën tempujt e tyre dhe sa kate u kanë kërkuar autoritetet. Ndërtesat fetare monumentale në fakt, nuk maten me kate, por me lartësi, sepse si kudo edhe në Tiranë, ato janë kryesisht njëkatëshe.

Në ndërtimin e një xhamie, sipas Titus Burckhardt: ”Arkitektura ka për detyrë të rivendosë gjendjen e pastërtisë që servir natyra”. Më pas shton se: “Arti islam (në xhami brendashkruhen të gjitha llojet e këtij arti) është një komentues i librit të shenjtë”. Mospasja parasysh e të tilla kritereve konceptuale dhe turrja me vrap pas funksionalitetit dhe utilitetit, tregon zbrazëti të thellë shpirtërore dhe mosnjohje të principeve të fesë në këtë fushë nga shumëkush në bashkësinë e myslimanëve shqiptarë, ose më tragjikja, një kombinim i asaj sa thamë më sipër me një nënshtrim total dhe servil ndaj më të fortëve, që nuk kanë farë respekti për vlerat religjioze të Islamit. Në qoftë se gjërat në këtë rrafsh nuk ndryshojnë në favor të frymëmarrjes së jetës religjioze tek myslimanët, kjo tregon se ata nuk kanë mësuar asgjë që nga viti ‘67.

Posted via email from Shkupi Press extra