Ashtu siç ka bërë në librin e tij, edhe në promovimin e djeshëm, ai ndau me të pranishmit disa nga kujtimet që i ishin ngulitur në mendje prej takimeve me gruan e shenjtë. I kujtohej se si në vitin 1989 kishte shkuar për ta vizituar në Kalkutë, ndërsa ajo ishte shtrirë e sëmurë në shtrat e nuk dihej nëse do të ngrihej. Kur e pa e pyeti nëse i kishte sjellë me vete fjalorin anglisht-shqip, pasi dëshironte të mësonte shqipen, ashtu si e flisnin shqiptarët sot. “Kuptonte shumë mirë, shkruante rrjedhshëm, por 50 vite shkëputje kishin krijuar probleme në komunikim. Shpesh herë më thoshte që t’i flisja shqip. Kur më kërkoi fjalorin, i thashë: Nënë Terezë, ti nuk ke nevojë të mësosh gjuhën letrare shqipe, sepse ti flet me gjuhën që kuptohet në të gjithë botën, me gjuhën e dashurisë”. Ndërsa recensuesi i kësaj vepre, drejtori i Marrëdhënieve me Jashtë dhe Publikun në MTKRS, studiuesi Enver Bytyçi, u shpreh se autori ia ka arritur që nëpërmjet këtyre përshtypjeve të gjurmojë në historinë e popullit tonë dhe të zbulojë rrënjët e familjes së Gonxhe Bojaxhiut, duke e plotësuar portretin e Nënë Terezës si askush tjetër, me përmasat reale të saj. “Duket sikur autori e merr bijën dhe nënën e shquar të shqiptarëve duke e kaluar nga rrathët e fëmijërisë e të rinisë, për të shkuar te zgjedhja e saj për të bërë vepra bamirësie e humanizmi në shërbim të njerëzimit. Dom Lushi e përcjell si askush tjetër, madje me ilustrime të shumta në fotografi, këtë ecje në jetë: Fëmijërinë në Shkup, jetën në Zagreb e në Dublin dhe më në fund fillimin e misionit historik në Indi, në dhjetor të vitit 1928. Prej kësaj date, Nënë Tereza nuk i përkiste më vetëm kombit shqiptar, ajo do të pushtonte një e një nga të gjitha kontinentet e do të shndërrohej në simbolin e dashurisë njerëzore në planet”, tha ai. Në këtë ceremoni, e cila kishte mbledhur bashkë njerëz të artit, kulturës, por edhe përfaqësues të komuniteteve të ndryshme fetare, e mori fjalën edhe kryeministri Sali Berisha, i cili u shpreh se Nënë Tereza i dha nder të madh njeriut së pari. Berisha falënderoi autorin e librit për punën voluminoze që kishte bërë dhe që pranoi të ndajë me publikun eksperiencën e njohjes së tij me Nënë Terezën. “Duhet të ndihemi dhe ndihemi krenarë me ju, pasi ju keni realizuar një kryevepër të vërtetë me këtë monografi për shenjtoren tonë, sot e Lumturuar, por që është në procesin e shenjtërimit nga Shenjtëria e tij, Ati i Shenjtë. Në këtë vepër, ju keni qenë besnik i të vërtetave të mëdha të saj dhe pa diskutim që pas Zotit, familja ishte kryesorja për Nënë Terezën. Ishte nëna e saj, ajo që bekoi ndërmarrjen e misionit të saj të pavdekshëm”, tha Berisha, duke e quajtur një koincidencë fatlume faktin që viti i Nënë Terezës po mbyllej me promovimin e kësaj monografie.
ALMA MILE