Evgeni Jevtushenko
Gjithmonë do gjendet një dorë gruaje
Që vjen të dhel me ëmbëlsi,
Me dashurinë e butë të vëllait
Të qetëson kur s’ke dashuri.
Gjithmonë do gjendet një sup gruaje
Ku ti mbështet kokën mendjelehtë,
Dhe, duke marrë frymë me zjarr,
Ajo të beson ëndrrën e vet.
Gjithmonë do gjenden dy sy gruaje
Që mbysin gjithkund dhembjen tënde
Dhe, nëse të mbetet pakëz vuajtje,
Ata, të paktën, të shohin me dhembje.
Por ka dhe të tilla duar gruaje
Që të sjellin mrekullinë
Dhe kur të prekin ballin e lodhur,
Ke gjetur fatin, përjetësinë.
Por ka dhe të tilla supe gruaje
Që do të duheshin përgjithmonë,
Po ti në to veç një natë u mbështete,
Gabimin e kuptove shumë vonë.
Por ka dhe të tillë sy gruaje
Që të shohin me pikëllim gjithnjë
Dhe mbeten për ty – sytë e shpirtit
Deri në çastin kur ti s’je më
Po ty, kundër dëshirës sate,
Të duken pak ato duar dhelëse
Të duken pak supet dhe sytë.
Dhe i tradhton në ndjenja dehëse.
Dhe ja, ato – hakmarrëse ngrihen kundër teje:
- Tradhtar! – të thotë shiu nëpër lotë
- Tradhtar! – era të përplaset në fytyrë
- Tradhtar! – pylli të thotë.
Dhe ti, me shpirt të penduar,
Ndjen turp dhe vetes kurrë s’ia fal;
Vetëm ato duar që ke tradhtuar,
T¬ë falin gjithçka, thjesht pa fjalë.
Dhe vetëm ato supe të lodhura
Të falin dhe janë gati të falin gjithmonë,
Dhe vetëm ata sy të trishtuar
Të falin atë që as vetes s’ia lejon.
Libri: Poete ruse
Antologjia e arte poetike 10 X 10.
Shqiperoi: Qazim Shemaj
Pergatiti: Mia Mia