BE ka nevojë për Turqinë

Nga Recep Tayyip Erdoğan (Newsweek)

 

Në veçanti në rregullin global, në të cilin baraspesha e fuqisë është duke u zhvendosur, BE-ja ka nevojë për Turqinë, me qëllim që unioni të bëhet edhe më i fuqishëm, më i pasur, më përfshirës dhe më i sigurt. Shpresoj se nuk do të bëhet vonë, para se miqtë tonë evropianë të kuptojnë këtë fakt.

Në fund të dekadës së parë të këtij shekulli, ne mund të vëzhgojmë se si është zhvendosur qendra e pushtetit në politikën botërore. Grupi G20 po e zëvendëson grupin G7 si mbikëqyrës të ekonomisë globale. Nevoja për ristrukturimin e Këshillit të Sigurimit të OKB-së, për të qenë më përfaqësues për rregullin ndërkombëtarë, është urgjente. Dhe fuqitë që po dalin në sipërfaqe, si Brazili, India, Turqia dhe të tjerët po luajnë një rol më të fuqishëm në çështjet globale ekonomike.
BE-ja nuk mund të jetë fusha e vetme, e cila mund të qëndrojë imune ndaj këtyre ndryshimeve në kuadër të baraspeshës së pushtetit. Kriza financiare ka zbuluar se Evropa ka më shumë nevojë për një dinamizëm më të madh dhe për ndryshime: tregjet evropiane të punës dhe sistemi i sigurisë sociale janë në gjendje kome. Ekonomitë evropiane kanë stagnuar. A mund të ruaj Evropa ndikimin dhe besueshmërinë në këtë botë të re, pa ju adresuar këtyre çështjeve?
Në ndërkohë, si kandidate për anëtarësim në BE, Turqia po e vendos vulën e saj në arenën globale, me zhvillimin e vet impresiv ekonomik dhe me stabilitetin politik. Ekonomia e Turqisë është ekonomia me rritjen më të madhe në Evropë dhe do të vazhdojë të jetë e tillë edhe gjatë vitit 2011. Sipas parashikimeve të Organizatës për Bashkëpunim Ekonomik dhe Zhvillim, Turqia deri në vitin 2050 do të jetë ekonomia e dytë më e madhe në Evropë. Turqia aktualisht posedon atë vrull dhe fuqi, e cila po i mungon aq shumë BE-së.
Dhe këtu nuk bëhet fjalë vetëm për ekonomi. Me fuqinë e vet të butë, Turqia po shndërrohet në aktor global dhe rajonal. Turqia po e ri-zbulon fqinjësinë e saj, atë që e ka injoruar për dekada me radhë. Turqia po e ndjek një politikë pro-aktive të jashtme, duke filluar që nga Ballkani, e deri në Lindjen e Mesme dhe Kaukaz. Politika e Turqisë “tregti me zero probleme dhe tregti të pakufizuar” me shtetet e rajonit të gjerë, ka për qëllim që të krijojë një parajsë të stabilitetit jo-dogmatik për të gjithë ne. Ne kemi udhëtim pa viza me 61 shtete. Nuk është ky një neo-otomanizëm romantik: është kjo një politikë reale, e cila bazon në vizionin e ri për rregullin global. Dhe besoj se ky vizion gjatë dekadës së ardhshme do të jetë një ndihmë edhe për BE-në.
Përpjekjet tona intensive diplomatike kanë qenë të frytshme në Irak dhe Afganistan, në Ballkan, e gjithashtu edhe kur bëhet fjalë edhe për programin bërthamor të Iranit. Turqia ka qenë lojtare aktive në të gjitha fushat e mëdha të politikës globale dhe ne nuk dëshirojmë të dorëzojmë këtë momentum. Po sa të bëhet anëtare e BE-së, Turqia do t’i kontribuojë interesave të Evropës në lidhje me shumë çështje, duke filluar nga politika ekonomike dhe e jashtme, e deri te siguria rajonale dhe harmonia sociale.
Edhe pse arsyet për anëtarësimin e Turqisë në BE janë të dukshme dhe nuk kërkojnë shpjegime të mëdha, procesi i anëtarësimit po përballet me një rezistencë, e orkestruar nga disa shtete të caktuara. 18 nga 22 kaptinat e negociatave, të cilat pritet të hapen për diskutim, janë bllokuar për shkaqe politike. Sa i përket tretmanit ndaj saj, Turqia është unike. Miqtë tanë evropianë duhet të kuptojnë se marrëdhëniet Turqi-BE po i afrohen me shpejtësi pikës së kthesës. Në valët e fundit të zgjerimit, BE me shpejtësi mirëpriti shtete relativisht të vogla dhe ekonomi të dobëta, me qëllim që të forcojë shtimin e tyre ekonomik, që të konsolidojë demokracitë e tyre dhe që t’iu ofroi strehim. Mospërfshirja e tyre do të nënkuptonte se do të linte këto shtete në mëshirë të trazirave politike, të cilat kanë mundur të ndodhin në rajon.
Por gjëra të tilla nuk janë marrë në konsideratë, kur është bërë fjalë për Turqinë. Për dallim nga këto shtete, Turqia është një aktore rajonale, një aktore ndërkombëtare me një fuqi gjithnjë e më të madhe të butë, me ekonomi të madhe. Nganjëherë pyes vetën se a është fuqia e Turqisë pengesë për pranimin e saj në BE. Nëse është kështu, atëherë duhet të vihen në pikëpyetje llogaritë strategjike të Evropës. Ka kaluar gati gjysmë shekulli, që prej momentit kur Turqia trokiti në dyert e Evropës. Në të kaluarën, vokacioni BE i Turqisë ishte vetëm ekonomik. Turqia e sodit dallon. Disa theksojnë se Turqia nuk ka alternativë ndaj Evropës. Ky argument mund të jetë i saktë, kur bëhet fjalë për integrimin ekonomik mes Turqisë dhe BE-së. Sidoqoftë, edhe argumenti i kundërt është po aq i saktë. Evropa nuk ka alternativë ndaj Turqisë. Në veçanti në rregullin global, në të cilin baraspesha e fuqisë është duke u zhvendosur, BE-ja ka nevojë për Turqinë, me qëllim që unioni të bëhet edhe më i fuqishëm, më i pasur, më përfshirës dhe më i sigurt. Shpresoj se nuk do të bëhet vonë, para se miqtë tonë evropianë të kuptojnë këtë fakt.

Posted via email from Shkupi Press extra