Analiza/Miqtë e gabuar të Izraelit

Nga Ian Buruma

 

Izraeli u ka bërë konak disa vizitorëve të pazakontë kohëve të fundit. Populisti holandez, Geert Wilders, është një prej tyre dhe ai shpesh i thotë audiencës së vet se Izraeli ndodhet në linjën e frontit të luftës së Perëndimit kundër islamit. Po ashtu, në dhjetor, një delegacion i politikanëve evropianë të së djathtës ekstreme vizitoi kolonitë hebraike në Bregun e okupuar Perëndimor, duke e siguruar nikoqirin e tyre se kjo ishte “tokë hebraike”.
Disa prej këtyre “miqve të Izraelit” paraqesin parti politike, përkrahësit e të cilave nuk kanë qenë tradicionalisht të njohur për ndjenja vëllazërore ndaj hebrenjve. Heinz-Christian Strache, për shembull, ndodhet në krye të Partisë austriake për Liri, e cila në fillet e saj mbështeste në mënyrë aktive ish-nazistëve. “Më shumë fuqi për gjakun tonë vjenez”, është një nga sloganet zgjedhore të kësaj partie. Kolegu i tij belg, Filip Dewinter, paraqet një parti nacionaliste flamane, për të cilën është thënë se kishte bashkëpunuar me nazistët gjatë kohës së luftës.
Natyrisht se sot madje edhe politikanët e krahut të djathtë në Evropë janë të kujdesshëm që të mos tingëllojnë si antisemitë. Wilders, për shembull, ka qejf që ta theksojë rëndësinë e atyre që i quan vlera “judeokristiane”, të cilat duhet të mbrohen nga “Islamofashizmi”.
Kritikët e majtë dhe liberalë të politikës izraelite shpesh e theksojnë se antisionizmi nuk është e njëjta gjë si antisemitizmi. Mirëpo është po ashtu e vërtetë se të jesh mik i Izraelit nuk është domosdoshmërish e njëjta gjë si të jesh mik i hebrenjve.
Richard Nixon, për shembull, pati thënë për hebrenjtë se “nuk mund t’u besosh kopilëve”, mirëpo ai ishte adhurues i madh i Izraelit. Natyrisht, 2.000 vitet e kaluara e kanë dëshmuar se antisemitizmi shkon pa probleme krahas besimit në një hebre, të quajtur Jezusi i Nazarethit. Në SHBA, disa prej mbrojtësve më të fuqishëm të sionizmit radikal janë të krishterët evangjelistë, që besojnë se hebrenjtë që refuzojnë të konvertohen në krishterizëm do të përballen me pasoja të tmerrshme një ditë.
Nganjëherë edhe miqtë e gabuar mund të jenë të dobishëm. Derisa Theodor Herzl po bënte shëtitje nëpër Evropë në fund të shekullit të nëntëmbëdhjetë, duke u munduar të siguronte përkrahje për themelimin e shtetit hebraik, ai u bë cak i zemërimit të hebrenjve të pasur dhe me ndikim, që e shihnin si telashexhi. Kështu, ai e siguroi përkrahjen e protestantëve të devotshëm, të cilët mendonin se hebrenjtë e kishin vendin në tokën e shenjtë, e jo në Evropë.
Pas themelimit të shtetit hebraik, miqtë më të hershëm evropianë të Izraelit ishin të së majtës, të cilët admironin kibucët dhe e shihnin Izraelin si eksperiment të madh socialist, të udhëhequr nga idealistët e mençur të krahut të majtë, si David Ben-Gurion. Ndërgjegjja rreth Holokaustit e përforconte këtë qëndrim.
Gjërat filluan të ndryshonin pas Luftës Gjashtëditore të vitit 1967 dhe këto ndryshime u përshpejtuan pas luftës së “Yom Kippurit” më 1973, kur u bë e qartë se Izraeli nuk do t’i lëshonte territoret palestineze që i kishte pushtuar.
Më vonë, kur Izraeli filloi të ndërtonte koloni nëpër territoret e okupuara, adhurimi u kthye në një armiqësi aktive prej së majtës evropiane.
Megjithatë, për shumë njerëz të së djathtës, mu ato gjëra që urreheshin nga e majta evropiane (dhe izraelite) u bënë arsye për ta adhuruar Izraelin. Këtyre miqve të rinj u pëlqente përdorimi brutal i forcës, nacionalizmi etnik, turpërimi i vazhdueshëm i palestinezëve.
Duke e pasur si synim ringjalljen e një forme më militante të nacionalizmit në shtetet e tyre, politikanët si Strache, Wilders dhe Dewinter e shohin Izraelin si njëfarë modeli – model i diskredituar tashmë sa kohë në Evropë, për shkak të kujtimeve të këqija që lanë fashizmi dhe nazizmi.
Në të vërtetë, majtistët antisionistë shpesh tentojnë që ta diskreditojnë Izraelin, duke krahasuar aksionet e tij në Gazë dhe Breg Perëndimor me krimet naziste. Ky është një marifet i pavlerë, që synon fyerjen maksimale. Për dallim nga ajo që e tha dikur autori novelist, Jose Saramago, sulmet e ushtrisë izraelite në Gazë nuk mund të krahasohen në asnjë mënyrë me Auschwitzin. Edhe qëndrimi i miqve të tij djathtistë të Izraelit, se Izraeli ndodhet në linjën e frontit kundër fashizmit islamik, është po aq i pavërtetë.
Duke e krahasuar islamin në përgjithësi – jo vetëm terrorizmin islamist – me fashizmin, gjë të cilën janë duke e bërë populistët dhe duke sugjeruar se Evropa përballet me një kërcënim që mund të krahasohet me nazizmin, ata jo vetëm që po bëjnë një gabim të madh, mirëpo edhe të rrezikshëm. Arsyeja është se po të ishte një gjë e tillë e vërtetë, atëherë të gjitha masat e marra kundër myslimanëve, pa marrë parasysh se sa brutale, do të ishin të justifikuara dhe Izraeli do të ishte shtet në linjën e frontit, duke i bërë ballë “islamofashizmit”, për ta parandaluar një Auschwitz të ri. Kjo është mënyra në të cilën shumë politikanë izraelitë të krahut të djathtë janë duke i sqaruar gjërat. Kështu, ata i shfrytëzojnë si papagaj disa prej forcave më reaksionare politike të Evropës.
Është ky një qëndrim për shkak të të cilit zgjidhja paqësore e konfliktit izraelito-palestinez është pothuajse e pamundur. Sa më gjatë që Izraeli të vazhdojë të turpërojë palestinezët dhe të okupojë territoret e tyre, aq më shumë do të ketë gjasa që dhuna dhe urrejtja ta pengojnë kompromisin, pa të cilin nuk mund të ketë paqe.
Në këtë mes është edhe një pasojë tjetër potenciale. Analogjitë e gabuara me të kaluarën e bëjnë triviale historinë. Nëse izraelitët, apo palestinezët, janë si nazistët, atëherë tmerri i asaj që bënë nazistët e vërtetë po nënvleftësohet me të madhe.
Megjithatë, eksploatimi i historisë për ta justifikuar dhunën nuk do të funksionojë përgjithmonë. Posa që njerëzit të reshtin së besuari se Izraeli është duke e mbrojtur Perëndimin nga fashizmi, Izraeli do të fajësohet për tërë dhunën në Lindjen e Mesme. Në këtë mes do të fajësohen edhe hebrenjtë kudo. Thënë troç, miqtë e gabuar të Izraelit janë miqtë më të këqij të popullit hebraik.

Autori është profesor për demokraci dhe të drejta të njeriut në kolegjin “Bard”. Shkrimi është botuar së pari në www.projectsindycate.com

Posted via email from Shkupi Press extra