Nga Enzo Bettiza (La Stampa)
Edhe për Evropën sapo përfundoi një periudhë shumë më e gjerë se sa ajo që përmblidhet me vitin 2010. Tashmë, sapo ka përfunduar dhjetëvjeçari i parë i shek.XXI, ku mbizotëroi, në këndvështrimin evropian, një gërshetim i ngjarjeve e zhvillimeve me pritshmëri të lartë, mbarsur në të njëjtën kohë edhe me dritëhije të befta.
Po përmend më të bujshmet. Më kryesorja, pikiata e euros, një monedhë e përbashkët e 17 vendeve sovrane (përfshirë këtu edhe Estoninë), diçka që nuk kishte ndodhur më parë në historinë ekonomike të kontinentit. Më pas, parametrat e stabilitetit dhe rregullat strikte të fiksuara nga Traktati i Mastriktit - në lidhje me borxhin dhe defiçitin - në disa raste të anashkaluara e në të tjera edhe të shkelura me të dyja këmbët. Si përfundim, edhe orteku thuajse i papërllogaritur imtësisht i zgjerimit që e ka fryrë Evropën në një 27-she ortakësh me mbërritjen e vendeve të reja të shkëputura nga ish-Bashkimi Sovjetik, ashtu si edhe me Slloveninë, të vetmit vend të dalë nga shpërbërja e ish-Jugosllavisë.
Por, nëpërmjet zgjerimit më në Lindje, që e ka bërë në mënyrë paradoksale edhe më të largët integrimin politik të një entiteti prej 495 milion banorësh, nisën të dalin në pah edhe pikat e dobëta të arkitekturës evropiane. Monedha e përbashkët, që nuk gëzon mbrojtjen dhe ruajtjen e një shteti të vetëm, por që mbikëqyret nga një Bankë Qendrore, mund të shfaqej edhe më e cënueshme se sa ishte parashikuar; rregullat kontabël të Traktatit të Mastrihtit, shëmbëlltyre e rrejshme e një projekti kushtetues që nuk u miratua asnjëherë, shfaqën edhe ato vetë jo pak dobësi. Kriza e vitit 2008 nxori zbuluar brishtësinë e të tërë ngrehinës kontinentale.
Rezistenca e monedhës së përbashkët evropiane, e dobësuar nga “Jo’-ja nacionaliste e kancelares gjermane Merkel, shfaqi paqëndrueshmërinë e saj në disa ngjarje të bujshme që kulmuan me rrënimin financiar të Greqisë dhe Irlandës, me krisjet e shfaqura në Portugali e Spanjë, gjendje e cila u rëndua më tepër edhe me protestat e dhunshme në rrugët e Athinës, Dublinit, Parisit, Londrës e Romës. Dhjetëvjeçari që pagëzoi një Evropë të zgjeruar me ngut, e cila ka parë treçerekun e saj të rreshtohet pas “llogoreve” mbrojtëse të euros, na bën me dije se shtegdalja nga kriza do të jetë sa e vështirë aq edhe problematike.
Në vitin 2001, a do të shohim vallë një Evropë që ndërmerr masa shtrënguese dhe shkurton shpenzimet publike? Evropën e të rinjve të sikletosur dhe pensionistëve që i janë dorëzuar së keqes që u ka trokitur në derë? Evropën jo-fetare, multikulturore, me tregues demografik gjithnjë e në rënie, të kërcënuar nga dyndjet e emigrantëve të pashpresë kryesisht aziatikë? Apo në terma më apokaliptikë, një Evropë ku kapitalizmi liberal do të ndërrojë jetë për shkak të kapitalizmit, ashtu si komunizmi në ’89-ën ktheu patkonjtë nga dielli për shkak të komunizmit? Një pjesë e të tërës kontinentale, e shkëputur dhe e pambrojtur nga SHBA-ja që ndodhet vetë në vështirësi, e gjen veten në “vazon” e grupit të hekurt të BRIC-ut (Brazil-Rusi-Indi-Kinë). A do t’ia arrijë të dalë e para në këtë “grup”, edhe pse jo për një kohë të gjatë...me lokomotivën e fuqishme gjermane, por që ka në linjë vetëm vagonin francez, dhe në rezerve, vagonin anglez?
Megjithatë, përtej shprehjes së teprimeve thuajse alla-Kasandra, shenjat për një përmirësim të gjendjes nuk mungojnë. Në mënyrë të çuditshme, këto shenja shquhen nga gjysma pas-komuniste e Kontinentit të Vjetër, që deri dje shihej si e anashkaluar, kaba, e që nuk vihej në refene. Për gjithë vitin 2011, duhet të marrim në konsideratë, madje akoma më mirë, të bëjmë llogaritë me gjashtëmujorin e parë të presidencës së BE-së që i është besuar Hungarisë, si dhe me gjashtëmujorin e dytë të vitit 2011, me presidencën e Polonisë. Ky do të jetë, për ta thënë më shkoqur: Viti i Evropës Lindore. Mjafton t’i hedhësh sytë nga fytyra topolake e kryeministrit hungarez, Viktor Orban, për të kuptuar se nuk është thjesht shaka. “The Economist” hedh dyshime se ky kryeministër ka bërë “shkollën e Putinit”. Një personazh i sertë dhe autoritar, i lidhur kokekëmbë me presidentin e vendit, mbështetur nga një maxhorancë e qëndrueshme e qendrës së djathtë, kryeministri hungarez Viktor Orban gjithsesi është duke riparuar, me ndërhyrje shpesh të tepruara, defektet e shpenzimeve pa kriter dhe të korrupsionit, të trashëguara nga qeveria paraardhëse socialiste.
Më tepër interes duket se ngjall presidenca e gjashtëmujorit të dytë, ajo polake. Duke shmangur rrezikun që i kanosej pas tragjedisë ajrore të Katyn-it dhe atë të një periudhe të gjatë ksenofobie të binjakëve Kazinski, qeveria liberale e Varshavës, falë zgjedhjeve presidenciale të fituara nga filo-evropiani Komorovski, i ka mundësuar Polonisë një gjendje të shëndetshme financiare e shoqërore, që e radhit të dytën pas Gjermanisë. Treguesit gjithnjë e në rritje, të pandalshme, e bëjnë Poloninë të jetë sot një nga vendet më të stabilizuara të BE-së në krizë.
Gjithsesi, hovi i “Evropës së rangut të Dytë” nuk ndalet këtu. Sllovenia, gjithmonë e para e klasës, nuk po përballet më me vështirësitë e vënies në përdorim të monedhës euro. Sllovakia, anëtare e eurozonës që nga viti 2009, nuk është më një “vrimë e zezë e Evropës Qendrore”, siç shprehej dikur ish-sekretarja amerikane me origjinë boheme, Madaleine Albrighet (Ollbrajt); sot, sllovakët janë një partner i besueshëm evropian që pranon e bashkëpunon me fondin e përbashkët monetar të 440 miliardë eurove të caktuar nga eurozona për vendet me probleme financiare. Lëvizje vërehen edhe në vendet balltike. Estonia, që provoi mbi shpinë poshtërimin si prej rublës cariste e komuniste ashtu edhe prej markës perandorake e naziste, e braktisi monedhën e saj tradicionale, koronën, duke vënë në përdorim monedhën e përbashkët euro, qysh nga 1 janari i këtij viti.
Për këtë vend pas-sovjetik me 1 milion e 300 mijë banorë, të varfër, në periferi të kontinentit, të përkorë, me tregues demografik në rënie, monedha euro ka më tepër se vlerë monetare. Për estonezët, euro është mishërimi i sigurisë, që i largon gjithnjë e më tepër nga Rusia që nuk e kanë për zemër dhe që i afron gjithnjë e më shumë me Evropën tek e cila besojnë fort. Për më tepër, edhe fqinjët e tyre, letonezët, po dalin dalëngadalë nga kriza bankare që kërcënonte t’i mbyste e rrënonte. Nga Balltiku në Danub, asnjëra prej vendeve ish-komuniste, madje as Rumania në gjendje të pa stabilizuar, nuk është shpallur si “kokëshkretë” nga autoriteti monetar ndërkombëtar.
Dihet që të papriturat që të ofron e ardhmja janë të panumërta. Ndoshta do të jetë Lindja ajo që do t’i japë një dorë Perëndimit të BE-së, ku vetëm Gjermania vrapon, ndërkohë që Italia nuk dorëzohet, Franca kacavirret, Spanja dihat thellë dhe Britania e Madhe mpreh briskun për shkurtimet buxhetore. Tashmë është e vetëkuptueshme se pa një harmonizim gjymtyrësh, Evropa rrezikon të paralizohet; pa një politikë fiskale të përbashkët nuk do të ketë të ardhme për monedhën e përbashkët; pa një fond evropian gjithnjë e më funksional nuk do të ketë as shpëtim e as shpresë për të mos u mbytur. Paradoksalisht, gjithçka që pritet për mirë për vetë kontinentin përkon me presidencën aktuale hungareze dhe atë pasrendëse polake në majë të institucionit të BE-së.





