Refleksionet e fundvitit 2010

Nga Eden Babani, Bruksel

 

2010-a është në kapërcyell e sipër. Për ne, shqiptarët, do të mbetet në histori si viti i rënies së murit që na ndau më tepër se gjashtëdhjetë vjet prej civilizimit perëndimor, pjesë e të cilit kemi qenë qysh në Lashtësi. Dhe ja, me gjithë komplekset që kemi trashëguar prej viteve të diktaturës komuniste, nga të cilat nuk ndahemi dot aq lehtë, tashmë ndihemi të gjithë të barabartë mes të barabartëve. çliruar prej komplekseve tona, brezat që vijnë do të ndihen edhe më komodë sesa ne në mjedisin e tyre të natyrshëm, gjeografik e social, historik e kulturor. Ne do të na kujtojnë si brezi i peripecive pa fund, i zigzageve dhe i kthesave të forta, i ferrave hedhur në rrugë dhe i gurëve nën rrota.
Ditët e fundit të këtij viti ishin të rënduara nga moti i keq, qoftë buzë Adriatikut, qoftë brigjeve të Atlantikut. Andej, shira, përmbytje, dëborëra dhe ngrica. Këtej, po ashtu. Andej, u tërhoqën, u zbutën vepruesit atmosferikë, ndonëse lanë plagë që duhen shëruar. Edhe këtej do të tërhiqen, ani se Atlantiku i Veriut është më i ashpër se Mesdheu. Prej më se një muaji, Brukseli është mbuluar nga dëbora. Prej një muaji e ca, ngrica zë ngricën, dëbora, dëborën. Plagë ka hapur moti i keq edhe këtej, por ato ndihen e s’ndihen. Ndihen, sepse kur të hyn ujët në shtëpi apo kur të bie çatia nga pesha e dëborës, nuk të pyesin as uji, as dëbora në je shqiptar a belg, në je i bardhë a i zi. Nuk ndihen sepse këtu s’ka kush e heq vallen e korbave që ndjell vdekje, nuk lutet kush të ndodhë zija pa t’i mbetet faji Kryeministrit. Mbi të gjitha, këtu gëlon mirëkuptimi e solidariteti.
Belgjika po përjeton një nga krizat politike më të zgjatura në historinë e saj. Afro dyqind ditë, pas zgjedhjeve të fundit (13 qershor, 2010), ende nuk është krijuar qeveria e re. Megjithatë shteti funksionon. Askush nuk bërtet, askush nuk proteston, askush nuk vë veto. Të gjitha partitë kanë kërkesat e tyre, por jo për hetim zgjedhjesh, për “kuti”. Të gjitha vënë kushtet e tyre, sipas programeve me të cilat morën votat. Ndaj edhe nuk është gjendur ende gjuha e përbashkët, sado që gjallon ajo e mirëkuptimit, çka ndihet mirëfilli në funksionimin e përditshëm të ligjit. çdo shtetar kryen detyrën që i ka ngarkuar Kushtetuta, derisa të krijohet qeveria e re dhe, sipas ligjit, njëri të zërë vendin e tjetrit, punët të rrjedhin në shtratin e tyre ligjor. Askush nuk e shkel ligjin. Askush nuk bën thirrje që të shkelet.
Edhe Shqipëria po përjeton krizën e vet, atë të kutive, e cila, në jetëgjatësi, ia kalon krizës belge. Kriza e kutive, e paprecedent në historinë botërore, po mbush plot 530 ditë! Edhe në Shqipëri, shteti funksionon. Por, nëse funksionon në nivelin shtetëror për hir të koalicionit qeverisës, nuk funksionon në disa nivele lokale, falë opozitës gërnjare, e cila i ka vënë vizë rolit të saj konstruktiv, në emër të pengimit të reformave, në emër të ndalimit të vizave, në emër të nxirjes me çdo kusht të asaj çka bëhet së mbari, në emër të kthimit mbrapsht.
Sot, ndërsa një grup udhëtarësh prisnim autobusin urban, te këmbët po na vërtitej një pëllumb i bardhë që dridhej së ftohti. Dëbora ka ngrirë në Bruksel. Nuk është aq e lehtë të ushqehen zogjtë, ndonëse ata kanë krahë dhe fluturojnë cep më cep parqeve të panumërt të kryeqytetit. Një zonjë që, me sa dukej kishte bërë pazarin e ditës, hapi trastën, këputi një copë bukë dhe ia copëtoi zogut të uritur. Hop këtu, hop atje, pëllumbi e pastroi vendin. Zonja ia shtoi racionin. Pëllumbi kishte ende uri. Një tjetër zonjë - kjo me kone të vogël për dore - hapi çantën dhe i thërrmoi një biskotë. Tashmë i ngopur, pëllumbi e la bukën, iu turr biskotës. Të gjithë e ndiqnim me sy skenën. Edhe konia. E mira s’ka fund, tha dikush. As e keqja, shtova unë. Më shkoi mendja tek zogjtë tiranas që gjejnë ushqimin me bollëk ngase kazanët e plehrave janë sheshit. Më shkoi edhe te qentë rrugaçë që lëvizin tufë-tufë rrugëve të kryeqytetit tonë, çdo tufë në punë të vet. Po a mund të mos më shkonte te bashkëqytetarët e mi, kur mendova se si shtyhen ata në urbanin Kombinat-Kinostudio, si u dredhojnë makinave në udhëkryqe, në Sheshin Skënderbe të sakatuar thua se nuk do të gjejë kurrë shërim? 
Këto ditë të fundit të këtij viti, agjencitë e lajmeve bëjnë të ditur se kudo në botë lindin vatra të reja tensioni. Diku përplasje ndëretnike, diku mes grupesh fetare të ndryshme. Diku tjetër, tensionet i nxisin terroristët, anarkistët, mbeturinat e komunizmit, ata që nuk e njohin votën e lirë etj. Në Abidjan (Bregu i Fidishtë), zbarkuan tre kryetarë shtetesh të Afrikës Perëndimore, të bindnin presidentin Laurent Gbabo, humbësin e zgjedhjeve të fundit, për t’i lënë vendin fituesit, të cilit ia kanë njohur tashmë fitoren komisionet e zgjedhjeve, vëzhguesit dhe komuniteti ndërkombëtar. Gbabo nuk u bind. Vazhdon të qëndrojë në fronin presidencial, edhe se njerëzit po vriten mes syresh. A nuk u ngjan kjo histori e Bregut të Fildishtë historisë së mosnjohjes së votës nga ana e opozitës sonë? Zërat luftënxitës në radhët e opozitës sonë nuk kërkojnë as më shumë, as më pak se një Abidjan në Tiranë.
E përditshmja britanike “The Times”, shpalli këto ditë 33 minatorë kilianë si “Ekipi i Vitit”. Minatorët qëndruan 68 ditë në 700 m thellësi të tokës, duke sfiduar vdekjen. Miliona njerëz në të gjithë botën, ndoqën me ankth përleshjen mes jetës dhe vdekjes. Jeta fitoi mbi vdekjen. Po a nuk fitoi edhe në Shkodër. “Me ankth e përjetuam ngritjen e nivelit të ujit – më thoshte krushka Landi, pasi moti e uli furinë. – Por ani. Mjaft që s’patëm dëme në njerëz. Gjithçka shkon e vjen? Njeriu jo. Po iku, s’kthehet më.” Mirë e ke e nderuar krushkë. Por ja që jo gjithkush në Shqipëri mendon kështu si ti. Për fat të keq, pati edhe nga ata që do ta donin një njeri, të paktën një, të humbur ujërave të rrëmbyera të Drinit. Desh fati që nuk ndodhi, sepse edhe mund të ndodhte, pavarësisht përpjekjeve të lavdërueshme të shtetit për të ndaluar mynxyrën. Sot, kur mendojmë se dëshirat e hienave për kufoma nuk u realizuan, mendja na shkon gjetkë. Ku janë institucionet kushtetuese që mund të shpallin heronjtë? Sepse përleshja me vdekjen pjell heronj. Do të thuash se jemi stërngopur me heronj, qysh nga koha e diktaturës. Vërtet, po ata ishin heronj të stisur, se ashtu i duhej diktatorit që shpallte nisma revolucionare. Në Shkodër, njerëzit luftuan dhëmb për dhëmb me vdekjen dhe, pasi vdekja u tërhoq, askush nuk kishte nevojë për nisma revolucionare. Përkundrazi, kujtesa e brezave ka nevojë për heronj, sepse moti përsëri do të egërsohet, ujërat përsëri do të vërshojnë, në mos në Shkodër, gjetkë, pa shembulli frymëzon...

Posted via email from Shkupi Press extra