Assia Djebar
Assia Djebar largohet shpesh prej strehëzës së saj në Paris. Kalon muaj të gjatë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ku jep letërsi franceze në Universitetin e Nju Jorkut dhe në Louisiana. Në Algjeri, vendin e origjinës, nuk ka shkelur prej shumë vitesh. Por kjo nuk e pengon që kudo ku shkon të përcjellë dritën dhe nxehtësinë e vendit të saj. E lindur në Algjeri, në vitin 1955, Assia Djebar është femra e parë algjeriane që është pranuar në Shkollën Normale Superiore Franceze. Mbështetëse e emancipimit femëror në botën islamike, pasi mori pjesë në Lëvizjen për Liri të Algjerisë, vendos të shkruajë në gjuhën franceze, duke rrëfyer historitë e botës nga ajo vjen. Si mënyrë për t‘u shprehur (librat e saj janë përkthyer në shumë gjuhë të botës), ajo ka përqafuar poezinë, publicistikën, dramaturgjinë dhe regjinë e veprave dokumentare e kinematografike. Gjatë karrierës së saj është vlerësuar me shumë çmime ndërkombëtare, mes të cilave me Çmimin për Paqen në vitin 2000. Assia është shumë e dhënë, sidomos pas temave mjaft domethënëse. Në themel të krijimtarisë së saj është gjendja e grave në botën e tretë. "Të shkruaj për pjesën më të madhe të motrave të mia është njësoj si të përplasesh pas murit të heshtjes dhe të së padukshmes. Në të njëjtën kohë lind një urgjencë për të shkruar për to, domethënë të thur një betejë pasionante", ka thënë para disa kohësh shkrimtarja algjeriane. Assia Djebar e quan veten një artiste të lëvizshme: "Kam urgjencë për të shkruar, për të thënë fjalën, para se të ndodhë fatkeqësia". Urgjenca e saj ka të bëjë me denoncimin, por edhe me kujtesën. Urgjenca e saj ka të bëjë me heqjen e perçes së heshtjes, pas së cilës fshihen gratë islamike. E gjithë krijimtaria e saj artistike përballet me kushtet e femrave në islam, fanatizmin fetar, ndjesinë e të shkruarit dhe rolin e intelektualit në jetën shoqërore. Është një betejë ku gratë janë në radhë të parë, janë ato që do të sjellin ndryshimin, ashtu siç e ka dëshmuar edhe ajo vetë, duke qenë një prej kandidateve kryesore për çmimin "Nobel" në letërsi për vitin 2009. Krijimtaria e saj përbëhet prej femrash. Janë zëra grash që vijnë prej fëmijërisë, që vijnë prej familjes dhe që kanë ndërtuar vizionet e saj. Janë gra që flasin në dialekt arab, janë zëra gojëdhënash, të cilat Assia i përkthen në gjuhën franceze, duke reflektuar dhe duke përcjellë para botës mbarë fantazinë femërore arabe. Ka kaluar kohë qysh kur Fatima-Zohra Imalayen, (emri i vërtetë i Assia Djebar), kuptoi se para një makine shkrimi duhej të ulej, sidomos për të përshkruar vendin nga vinte, gratë e tokës së saj, me syrin e asaj që i njeh mirë, nga brenda, pa i lejuar vetes të humbasë në fantazira ekzotike. "Gjithë sa kam bërë, unë e konsideroj një rrugëtim të gjatë. Nisa të shkruaj në vitin 1957", tregon ajo. Jetën e saj e ndan në dy periudha. E para nis pas romanit të katërt, "Dashuria, lufta" e publikuar në vitin ‘67, pas pavarësisë së Algjerisë, kur ndodhej në Paris. Është një libër që përmbledh eksperiencën e saj përgjatë luftës për pavarësi. Aty ka shumë personazhe dhe pikërisht në mes të historisë, aty ku trajtohet lufta, rreth 50 faqe ia ka kushtuar lumturisë së një çifti. Pa e kuptuar as vetë, libri kish nisur të ishte autobiografik. Atëherë kuptoi se ajo që shkruante po e vinte në rrezik. Ishte e re. Ende nuk i kishte mbushur të 30-at. Atëherë të shkruaje për të folur ishte njësoj si të dilje kundër. Nuk shkroi më për thuajse 10 vjet. Iu kthye më pas falë eksperiencës kinematografike dhe kjo ishte periudha e dytë. "Por përtej eksperiencës kinematografike kuptova vështrimin e grave të vendit tim, atë vështrim që nuk ishte çliruar asnjëherë. E ndoshta pikërisht sepse kam sjellë këtë temë, librat e mi nuk do të jenë asnjëherë bestseller në Europë, në kuptimin komercial të fjalës, sepse kur erdha në Europë, dekada më parë, të gjithë thoshin "është algjeriane..." dhe më shihnin si një zog të rrallë. Por tani gjithçka ka marrë fund. Mendoj se lexuesit kërkojnë detajin e vogël ‘tipik‘", shprehet Assia. Ajo thotë se nëpërmjet shkrimeve të saj është një liri e dyfishtë që duhet fituar, ajo e fjalës dhe e trupit. Por në të vërtetë kjo mund të bëhet vetëm duke dialoguar mes grave. Kështu narrativa e saj kthehet në një lloj pyetësori për të vendosur pikërisht këtë dialog, për të parë se cila është pika ku mund të kërkohet ky çlirim i vetvetes në mënyrë që të lirosh edhe të tjerat dhe në të njëjtën kohë t‘i dëgjosh e të kthehesh prapë te vetja jote. Vetëm kështu dialogu merr kuptim, por jo kuptimin letrar, por kuptimin e dialogut të vërtetë, të atij që mund të nisin thellësisht të bëjnë dy persona së bashku. Për këtë arsye, Assia thotë se rrëfimi autobiografik nuk mund të ekzistojë në vendet myslimane, aty ku gruaja ende nuk e gëzon mbështetjen e nevojshme për t‘u shfaqur ashtu siç në të vërtetë është. Rrëfimi autobiografik, sipas saj, nuk mund të jetë një unë-mua, sepse në të njëjtën kohë është e nevojshme të dëgjosh edhe ata që janë ashtu si ty. "Kur një grua flet për veten, flet edhe për mua dhe kur unë flas për veten ajo mundohet të më kuptojë". Për këtë arsye Assia Djebar ka zgjedhur të shkojë deri në thellësi të problemit. Ajo nuk mund të qëndrojë në sipërfaqe, sepse dëshiron të solidarizohet me të vërtetë me këto gra, të vështrojë përtej perçes së heshtjes. Dhe Assia beson se vërtet mund ta arrijë këtë. Libri i saj i parë "La Soif", 1957, shkruar në gjuhën franceze, ashtu si edhe gjithë vepra e saj i ka kushtuar megjithatë akuzën e antipatriotizmit pas pavarësisë së Algjerisë. Pas tij vijon "Les Impatients" (1958) dhe "Les enfants du noveau monde" (1962), të dy të përqendruar në temën e luftës, të pavarësisë kombëtare dhe të raportit të lirisë me temën patriarkale. Tema e rebelimit femëror kundrejt patriarkatit është eksploruar sidomos në "Les Alouettes Naìves" të vitit 1967... Në qendër të krijimtarisë së saj mbetet Algjeria. Assia Djebar ishte ndër shkrimtaret më të votuara për çmimin "Nobel" për letërsi të këtij vitit, i cili pak ditë më parë u fitua nga gjermania Herta Muller.
Ol. Li.





