Leonardo: Do ta ringjalli Interin

Trajneri i Interit, Leonardo, ka thënë me rastin e prezantimit të tij në një konferencë për shtyp se ai do të përkujdeset që ta ringjallë Interin e ta bëjë fitues ashtu si në epokën ‘Mourinho’.
“Do të jem i sinqertë. Unë gjithmonë kam tentuar të qëndroj i lirë dhe të jem vetvetja. Nuk është e nevojshme të kemi gjëra të përbashkëta për të jetuar së bashku. Unë kalova plot 13 vite te Milani dhe gjithmonë do ta falënderoj klubin te i cili isha lojtar, drejtor dhe trajner”.
“Nuk ndihem fajtor dhe nuk pendohem aspak. Unë gjithmonë u kam thënë njerëzve se dua të jetoj gjëra të caktuara. Sfida e Interit do të jetë e fortë dhe nuk kam mundur t’i them jo”, theksoi Leonardo. Megjithatë, përkundër faktit se zemra e tij është ende Rossonere, Leonardo ka premtuar se do të përkujdeset që ekipi i tij të përfundojë në fund të sezonit mbi Milanin.
“Unë vij në vitin më të rëndësishëm të historisë së këtij klubi dhe jam shumë i lumtur dhe i motivuar. Të fitosh të ndihmon në entuziazëm, ky është ekip që ka identitetin e tij dhe për këtë duhet t’i sjelli lojtarët në gjendje gatishmërie për të fituar”.
“Kërkesa ime është të bëjmë gjërat të cilat do të na e bëjnë të mundur të fitojmë tituj”.
Braziliani nuk mundi ta fshehte kënaqësinë që iu bashkua Interit, vetëm shtatë muaj pasi ishte viktimë e sëpatës së Silvio Berlusconit te Milani.
“Unë jam aq i lumtur, ishte e pamundur të thosha ‘jo’. Marrëdhëniet e mia me presidentin Moratti lindën spontanisht, pasi që kam jetuar 13 vite në Milano. Kjo është ditë e veçantë për mua, presidentin Moratti dhe mua, trajnerin. Kjo është ëndërr për mua, unë kam kërkuar sfidën më të madhe për mua. Nuk ka sfidë më të madhe”, përfundoi Leonardo.