HIVZI SULEJMANI DHE ESAD MEKULI - NJË BINOM I PANDARË

            Agim Vinca

      Esad Mekuli (1916-1993) dhe Hivzi Sulejmani (1910-1975) janë dy shkrimtarët e parë të rëndësishëm të Kosovës, që i vunë bazat e kësaj letërsie: njëri në poezi, tjetri në prozë.

            Ishin kolegë, miq, shokë. Kishin respekt e konsideratë të lartë për njëri-tjetrin, thjesht e donin dhe e çmonin shoku-shokun, për çka ka shumë fakte e dëshmi.

            Lindën e u rritën jashtë Kosovës, njëri në Plavë (Mal të Zi) e tjetri në Mojstir (Sanxhak), por jetuan e punuan në Kosovë, ku edhe e mbyllën jetën, duke e lidhur pazgjidhshmërisht fatin e tyre me fatin e saj.

            Të dy u shkolluan në Beograd, para Luftës së Dytë Botërore (jo për letërsi, për degë të tjera), por që të dy ia kushtuan jetën letërsisë. Punuan e kontribuan shumë në fushën e poezisë, të prozës, të publicistikës, të përkthimeve etj.

            Që të dy i takonin lëvizjes së majtë letrare dhe politike, e cila në kohën kur ata ishin studentë, në vitet ’30 të shekullit XX, kishte përfshirë jo vetëm Ballkanin, por edhe Evropën dhe kishte mbledhur rreth programit të vet shkrimtarët dhe intelektualët më në zë të kohës.

            Që të dy i besuan idealit të barazisë së popujve e të njerëzve dhe luftuan me tërë qenien për çlirimin politik, social e shpirtëror të popullit të vet dhe për krijimin e një shoqërie të popujve të lirë e të barabartë në këtë hapësirë.

            Që të dy ishin marksistë, komunistë, idealistë… Që të dy patën ëndrrat, shpresat, idealet, por edhe iluzionet dhe zhgënjimet e veta, që i shprehën në krijimtarinë e tyre letrare.

            Esad Mekuli, bardi i poezisë shqipe të Kosovës, botoi librin e parë të rëndësishëm me poezi në Prishtinë, Për ty (1955; të ribotuar edhe dy herë të tjera më vonë: më 1963 e 1967), kurse Hivziu - librin e parë të rëndësishëm me tregime në këtë krah të letërsisë shqipe - Era dhe kolona (1959), që hapet me tregimin antologjik Mjegulla, modern si vizion dhe si tekst jo vetëm për kohën kur u shkrua (1957), por edhe për sot.

            Që të dy i besuan misionit të zgjimit të energjive të njerëzve - në radhë të parë të bashkëkombësve të vet - nëpërmjet fjalës së shkruar, si dhe kauzës së mbrojtjes së lirisë dhe dinjitetit të popullit që i takonin, por edhe të popujve të tjerë të zatetur në këtë udhëkryq ballkanik dhe i shërbyen me devotshmëri këtij misioni gjatë tërë jetës.

            Që të dy jetuan në kohë të vështira; u ballafaquan me sfida e vështirësi të shumta dhe patën edhe rëniet dhe thyerjet e veta, të vogla a të mëdha, morale, politike e të tjera.

            Të dy qenë pjesëmarrës të Luftës Antifashiste, çka i nderon si njerëz dhe krijues, sado që kjo luftë, jo me fajin e tyre, për shqiptarët këndej kufirit nuk qe, fatkeqësisht, edhe  “Luftë Nacionalçlirimtare”, siç mëtohej.

            Pas luftës Hivziu ushtroi detyra shtetërore me rëndësi, çfarë ishte, fjala vjen, ajo e kryetarit të Gjyqit të Qarkut në Prizren (më vonë edhe e prokurorit krahinor), që e solli në pozitë të nënshkruante edhe dënime me vdekje të njerëzve që konsideroheshin “armiq të popullit”, në një kohë kur Kosova gjendej nën administrim ushtarak (1945), kurse Esadi shkroi, për të njëjtat arsye, ngaqë besonte në atë që qe proklamuar ose mbase ngaqë ishte i detyruar, vjersha e proza poetike që himnizonin lirinë e rreme dhe glorifikonin ngjarjet dhe personalitetet politike të kohës.

            Esadi, për fat, nuk ishte në pozitë të bënte gabime të rënda politike si Hivziu (me përjashtim të krijimeve poetike ku himnizohen simbolet e socializmit jugosllav dhe figura e diktatorit Tito), sepse edhe nuk ushtroi (nuk deshi) detyra të asaj natyre; zgjodhi të ishte kryeredaktor i të vetmes revistë letrare në gjuhën shqipe në Kosovë, revistës “Jeta e re”, të themeluar nga ai dhe ca intelektualë të tjerë, që ka luajtur një rol jashtëzakonisht të madh në zhvillimin e letërsisë dhe të kulturës shqiptare në ish-Jugosllavi dhe e cila, mu për këtë arsye, konsiderohet nga disa si kryevepra e tij.

            Por, veprimet e tyre, gabimet dhe lëshimet, sikundër edhe vlerat dhe meritat, si të njërit, ashtu edhe të tjetrit, duhen parë në kontekstin e kohës dhe nuk duhen gjykuar me kriteret e sotme.

            Hivziu vdiq në vitin 1975, në spitalin e Prishtinës, duke lënë amanet, nëpërmjet një teksti të shkruar, të varrosej (në vendlindje) pa kurrfarë ceremonie fetare a tjetërfare - “si ushtari në fushën e betejës”; Esadi, që jetoi më gjatë dhe që e përjetoi, madje rëndë, fushatën antishqiptare të viteve ’80, kur edhe ai dhe bashkëshortja e tij, doktoresha Sehadete Mekuli, u bënë cak i sulmeve të mediave të Beogradit; pastaj rrënimin e autonomisë së Kosovës në vitin 1989; shpërbërjen e ish-Jugosllavisë dhe rënien e komunizmit në përgjithësi; la amanet të varrosej me flamur kombëtar dhe me rite fetare në Xhaminë e Madhe të Prishtinës. (Më shumë se prejardhjes familjare - ishte bir hoxhe, sado përparimtar, kërkesa e fundit i detyrohet, për mendimin tonë, logjikës koniunkturale që u krijua ndër ne pas rënies së komunizmit si sistem shoqëror).

            Vdiq fizikisht në gusht të vitit 1993, por lëngoi gjatë; në dy-tre vitet e fundit të jetës ishte i mbërthyer për shtrat, prandaj, mbase, siç është normale për pleqërinë, nuk e kishte kthjelltësinë dhe luciditetin e mëparshëm.

            Esadi, në poezinë e tij, shpallte programin e një poezie të angazhuar, që do të këndonte për popullin e vet të robëruar dhe luftën e tij për liri e ekzistencë (Popullit tim), por edhe për qëndresën e njeriut në përgjithësi: “Në sytë e tyre (të Shqiponjës dhe Njeriut shallbardhë, që jetojnë mes malesh, kuadër që plotësohet nga imazhi i pishës që mbin e rritet në shkëmb-A. V.) - vendimi: me qenë, me qëndrue edhe kundër ashpërsisë së rrethit, edhe kundër skamjes e vorfnisë…”, sepse “jeta asht luftë e papreme në hapsi”, kurse Hivziu, në tregimet dhe romanet e tij, u nis të hulumtonte kuptimin e të qenit njeri, i vetëdijshëm, siç e thotë tekstualisht te Fëmijët e lumit tim, se ky është një mision i vështirë: “Është vështirë të jesh njeri”, por i bindur, gjithashtu, se në këtë botë, krahas krimbave, lindin edhe burrat!

            Pikënisje e tij ishte parimi i shpallur te romani autobiografik, Njerëzit, i cili mu për këtë arsye mbeti gati dhjetë vjet në dorëshkrim, i pabotuar, për t’u botuar vetëm pas vitit 1966: “me gjykue me krye të vet për këdo dhe për çkado”, kurse porosi e tij, mesazh drejtuar breznive dhe veçanërisht të rinjve, të qëndrojnë drejt, vertikalisht - “si bukuri e moralit të botës” - e jo të bëhen demagogë, hipokritë, kameleonë e sahanlëpirës.

            Esadi la trashëgim edhe Kujtimet e tij të botuara te “Jeta e re” nr. 5, 1981, një tekst i bukur, herë-herë tejet poetik, por edhe instruktiv, që shpalos jetëshkrimin e poetit dhe botëkuptimin e tij, si dhe përmbledhjen e tij të fundit me poezi me titull Drita që nuk shuhet (1989), ku poeti i pajisur me përvojë të gjatë jetësore e krijuese, i falet së vërtetës si perëndisë, por pa atë frymëzim e energji krijuese, që kishte poezia e tij e dikurshme, ajo e përmbledhjes Për ty, apo edhe e librit tjetër interesant me poezi, Afsha Ada (1971).

            Të dy ishin humanistë dhe atdhetarë, në jetë dhe në krijimtari, por Hivziu, ndryshe nga miku i tij, Esadi, ka një “njollë në biografi”. Është ai dokumenti fatkeq i aktgjykimit të krerëve të LNDSH-së i vitit 1945, i nënshkruar nga ai në cilësinë e Kryetarit të Gjykatës, për të cilin opinioni ynë, me ndonjë përjashtim, nuk ka ditur më parë, por është njoftuar kryesisht në kohë të fundit, herë-herë edhe përmes interpretimesh keqdashëse nga njerëz që aktet e këtilla dëshirojnë t’i shfrytëzojnë për “kapital politik”, si dhe për “ndreqjen” e biografive të veta problematike.

            Nuk do mend se ky veprim, i kryer në moshë relativisht të re dhe në kushte jashtëzakonisht të vështira, nuk i bën nder aspak atij. Përkundrazi. Por Hivziu “e lau” si të thuash gabimin e vet të hershëm (të pafalshëm) me qëndrimin e tij intransigjent ndaj hegjemonizmit serb gjatë gjithë jetës së tij të mëvonshme dhe sidomos me veprën e tij letrare kryekreje kritike ndaj burokracisë politike dhe oligarkisë pushtetore të kohës, e cila bëri shpërdorime të mëdha në emër të socializmit, ashtu siç bëhen edhe sot po aq, në mos edhe më shumë, në emër të demokracisë.

            Të gjithë studiuesit që kanë shkruar për Hivzi Sulejmanin (R. Qosja, H. Mekuli, M. Raifi, B. Krasniqi, S. Hamiti etj.) e kanë quajtur atë “shëmbëlltyrë morale”, duke u nisur nga qëndrimi i tij në jetë dhe sidomos nga vepra e tij letrare e cilësuar si përmendore e moralit njerëzor. Nuk do t’ia falnin as njërën as tjetrën, ata që në vitet ’80 kërkonin heqjen e emrit të tij nga institucionet e Kosovës - emisarët e politikës serbomadhe, ashtu siç kërkojnë sot, tek-tuk, për arsye të tjera, por me logjikë pak a shumë të njëjtë, përjashtuese, edhe individë nga radhët e shqiptarëve.

            Poeti Esad Mekuli e ka shprehur ndryshe konsideratën e tij për Hivzi Sulejmanin, njërin nga miqtë dhe bashkëpunëtorët e tij më të afërt: duke ia kushtuar veprën e tij më të vëllimshme, Brigjet, në të cilën gjejmë edhe një cikël vjershash të frymëzuara nga proza e tij, gjë që ndodh rrallë në historinë e letërsisë.

            Libri Brigjet hapet me kushtimin: “Shokut të paharrueshëm Hivzi Sulejmanit”, që vihet në krye të librit në fjalë, kurse në brendi të tij gjejmë shtatë poezi të shkruara mbi motivet e tregimeve të Hivziut: Mjegulla, Re e mllefur, Porta e kujtimit, Hijet në kuvertë, Sytë, Kthjelltësi dhe Era dhe kolona, me  shënimin: “Hivzi Sulejmanit, shkrimtarit dhe revolucionarit të dalluar”, që është në fakt një kushtim i dytë, si dhe vjershën kurorë të këtij cikli: Dita e ndarjes, në të cilën thuhet: “Nëse ka vdekje / Ti je mbi të / me dashje që të tejjetosh. / Nëse ka amshim / Ti do të jesh përherë ndër ne / me njerëzi / me zemër të dlirë / me mendjemprehtësi. / O, kush më mirë / na tregoi / që deri në  frymën e fundit / duhet luftuar / për Njeriun!”.

            Vargjet e mësipërme janë të qarta si drita e diellit dhe as që duan koment. Është shumë domethënës gjithashtu edhe vetë titulli i ciklit: Pas gjurmëve, që sugjeron idenë se Esad Mekuli, në kulmin e pjekurisë së tij, në fund të viteve ’70, nuk donte tjetër pos të ecte gjurmëve të shokut të tij të dashur e të paharruar, “shkrimtarit dhe revolucionarit të dalluar Hivzi Sulejmani”.

            “Shëmbëlltyra morale”, H. Sulejmani dhe “njeriu etik”, E. Mekuli, kanë pasur një miqësi që ka zgjatur, siç ndodh rrallë me miqësitë, gjatë tërë jetës e, madje, edhe pas vdekjes së tyre. Ka aq shumë dëshmi për këtë miqësi të madhe e të pashibla mes dy shkrimtarëve: bashkëpunimi i ngushtë në “Jetën e re” dhe në jetë, leximi i dorëshkrimeve të njëri-tjetrit, vizitat, fotografitë, letrat etj. dhe, mbi të gjitha, libri Brigjet, i botuar gjashtë vjet pas vdekjes së të parit (Hivziut) dhe dymbëdhjetë vjet para vdekjes së të dytit (Esadit), në vitin 1981, që është një fakt i gjallë e konkret!

            Vetëm në kohë të fundit kjo miqësi shembullore ka gjasa “të prishet”, nga të tjerët, për arsyet që i dinë e s’i dinë ata që janë vënë në rrënimin e saj.

            Esad Mekuli nuk ka nevojë për apologjetë naivë e mendjelehtë, që nuk pranojnë të flitet për të me respekt, ashtu siç e meriton, por edhe në mënyrë kritike, sikurse edhe për këdo tjetër, më në fund, ndonëse ai vetë si njeri e poet e pati moto jetësore thënien e Njegoshit: “Breznitë veprat i gjykojnë”, që është ideja bazë e vjershës së tij shumë të njohur e shumë të përfolur, Gjykimi, e cila, pavarësisht nga interpretimet që i janë bërë herë-herë për kinse “mohim të traditës”, vazhdon të mbetet një krijim poetik i veçantë dhe me vlerë.

            Ruana Zot nga “esadistët”  injorantë e qesharakë, mostra të mendësisë populiste e folklorike, që më të madhin akt patriotik dhe, madje, edhe më të madhin kapital moral të tyre e kanë deklamimin patetik, vend e pa vend, të frazës “Shqipëri etnike” jo vetëm në odat e katundit, por edhe në tribunat publike në kryeqytet!

            Përpjekja për ta anatemuar Hivzi Sulejmanin si shkrimtar është reminishencë e kohëve të kaluara, kur për shkak të autorit pësonte edhe vepra dhe e kundërta.

            Hivziu u tërhoq herët nga jeta publike; u pensionua në moshën 53 vjeç dhe bëri një jetë të veçuar në shtëpinë e tij në periferi të Prishtinës deri në fund të jetës. Komunikonte me pak njerëz, ndër të cilët, sipas pohimit të Hasan Mekulit, ishte Esadi, i cili e vizitonte shpesh dhe të cilin “prore e kishte afër dhe e dëgjonte si vëllaun” (Shih: Hasan Mekuli, Hivzi Sulejmani - shkrimtar i denjë dhe aktual i bashkëkohësisë sonë, “Jeta e re” nr. 4-5, 1976, f. 605). Në atë shtëpi, të cilën pas vdekjes ia fali shoqërisë (ec e gjeje sot një të tillë!), lexonte, shkruante dhe meditonte për jetën. Aty shkroi edhe tregimin e tij të fundit Një gjeth e një njeri, një paralelizëm i fuqishëm artistik midis njeriut që është në prag të vdekjes dhe një gjethi vjeshtak majë peme, që nga çasti në çast pritet ta fërfëllojë era në baltë.

            Kur u formua Akademia e Shkencave dhe e Arteve e Kosovës (1978), kryetar i parë i së cilës u zgjodh Esad Mekuli, miku i tij i shtrenjtë, Hivziu, nuk ishte më në mesin e të gjallëve, sepse, sipas të gjitha gjasave dhe për aq sa varej prej Esadit, do të ishin bashkë në këtë “tempull” shkencor, në dyert e të cilit, si rregull (me përjashtime), hyhet duke përkulur kokën.

            Por, Hivziu, edhe po të ishte gjallë, nuk do të lodhej për këtë punë. Pas përvojës së hidhur që kishte pasur në jetë, ai ishte bërë tepër skeptik ndaj gradave, ceremonive dhe elozheve. Kur në vitin 1972 Shoqata e Shkrimtarëve të Kosovës dëshironte t’ia shënonte 60-vjetorin e lindjes (atëherë mendohej gabimisht se Hivzi Sulejmani kishte lindur në vitin 1912, ndërkohë që viti i tij i saktë i lindjes është 1910), ai i shkroi një letër sekretarit të atëhershëm të Shoqatës, Vehap Shitës, me të cilën kërkonte në mënyrë të prerë që të hiqej dorë nga kremtja.

            Ishin, që të dy, të adhuruarit e kritikës dikur, të mbuluar me kurora dafine dhe të harruar e anatemuar, kush më shumë e kush më pak, pas vdekjes së tyre fizike e “ideologjike”, pothuajse me të njëjtat kritere, kryesisht jashtëletrare dhe jo rrallë, madje, edhe nga të njëjtit njerëz.

            Në letërsinë shqipe, sikurse edhe në letërsitë e tjera të botës, ka pasur dhe do të ketë gjithmonë, krahas rivalëve që s’durohen mes vete, edhe çifte shkrimtarësh, që i lidh shumëçka me njëri-tjetrin dhe që në kujtesën e brezave hyjnë si një tandem, por të rrallë janë ata që këtë epitet e meritojnë më shumë se dy shkrimtarët tanë për të cilët e kemi fjalën: Esad Mekuli dhe Hizvi Sulejmani.

            Esadi dhe Hivziu ose Hivziu dhe Esadi, si të doni, me jetën dhe veprën e tyre, por edhe me kontributin që dhanë në zhvillimin e letërsisë dhe të kulturës shqiptare, sikundër dhe në krijimin e një vetëdijeje kritike shoqërore dhe të një opinioni të shëndoshë publik, janë një binom i pandashëm. Le të na lejohet, prandaj, ta mbyllim këtë shkrim me një ftesë publike që të mos i ndajmë “shoq me shoq” ata që, siç do të thoshte Mjeda, “vetë natyra (lexo: jeta, arti, formimi, botëkuptimi, por edhe ideologjia) i përpoq!”.

Posted via email from Shkupi Press extra