PREZANTIMI
Për të katërtin vit, spektakli i “Big Brother” do të prezantohet nga Arbana Osmani. Bashkë me të në studio do të jetë i pranishëm edhe një opinionist, i cili do të jetë pjesë aktive e spektaklit, që do të zbulohet vetëm të shtunën.
100 MILIONË
Do të jetë çmimi i madh për fi tuesin e “Big Brother 4”. Të motivuar nga ky çmim, por edhe dëshira për t’u bërë të famshëm, konkurrentët do të përfshihen në një garë të fortë mes njëri-tjetrit
11 MIJË APLIKANTË
Interesi për t’u bërë pjesë e aventurës së “Big Brother 4” ka qenë shumë i madh. Janë rreth 11 mijë aplikantë brenda dhe jashtë Shqipërisë që kanë kërkuar të bëhen pjesë e shtëpisë më të famshme.
“Big Brother” po fillon. Konkurrentët janë përzgjedhur, shtëpia është bërë gati, skena po ashtu dhe gjithçka premton një spektakël të madh. Organizatorët garantojnë se edicioni i katërt i “Big Brother” del jashtë çdo skeme që publiku ka parë deri më tani. Surprizat nisin që në spektaklin që do të transmetohet të shtunën, ora 20.45 drejtpërsëdrejti në “Top Channel”. Sprova e parë do të nisë për konkurrentët, të përzgjedhur për të qenë banorë të shtëpisë më të famshme. Hyrja e tyre nuk do të jetë e zakontë, ndërsa publiku do të mbajë frymën që natën e parë. Spektakli do të ketë befasi për ata që presin të bëhen pjesë e kësaj aventure të madhe, por edhe për publikun që i ndjek nga shtëpia. Interesi për t’u bërë pjesë e “Big Brother 4” ka qenë i jashtëzakonshëm. Rreth 11 mijë persona brenda dhe jashtë kufirit kanë aplikuar për t’u bërë pjesë e aventurës. Të joshur nga fama, por edhe nga çmimi i madh prej 100 milionë lekësh të vjetra, kanë qenë të shumtë ata që kanë guxuar duke aplikuar edhe online. Grupe të posaçme pune kanë punuar shumë për përzgjedhjen e konkurrentëve që do të bëhen nesër pjesë e shtëpisë dhe do të nisin aventurën në “Big Brother”. Janë karaktere të ndryshme me interesa po ashtu të ndryshme. Në këtë edicion ka një rritje të moshës mesatare të konkurrentëve, ndërkohë që të gjithë kanë ambicie të fitojnë. Pjesa më e madhe prej tyre, edhe ata që nuk kanë si synim të parë çmimin e madh, e shohin këtë spektakël si një mundësi e mirë për të krijuar një profil publik, për t’u bërë të njohur e për t’i krijuar vetes mundësi të reja. Tri edicionet e shkuara kanë treguar se konkurrentët e “Big Brother” bëhen në mënyrë të padiskutueshme protagonistë jo vetëm për aq sa zgjat spektakli, por edhe më gjatë. Për ata që mendojnë se e njohin tashmë formulën se si ky spektakël funksionon, organizatorët premtojnë se do të ketë mjaft të papritura. Shtëpia e ngritur e gjitha nga e para do të jetë moderne, me kushte shumë më të mira nga ato të viteve të shkuara. Nëse përvoja e vjetshme do të çonte në hamendësime për ekzistencën e dy shtëpive, ku tjetra do të shërbente si ambient ndëshkimi, nuk do të ndodhë kështu. Do të jetë një shtëpi e vetme me kushte superluksoze, për të cilën është kujdesur Rovena Agolli. Regjia e spektaklit realizohet nga Ergys Lubonja, autor i programit është Rezart Aga, ndërkohë që një staf i tërë punon për realizimin e këtij spektakli të madh. Çdo të shtunë, spektakli do të drejtohet sërish nga Arbana Osmani, ndërsa skena do të jetë tërësisht e re. Edhe këtë vit, Arbana do të shoqërohet në studio nga një opinionist, një personazh që do të zbulohet në spektaklin e nesërm, i cili luan një rol të rëndësishëm me gjykimet e tij në raportet mes banorëve, por edhe në perceptimin që publiku ka për ta. E gjithë struktura e spektaklit nuk do të jetë klasike, duke filluar që nga hyrja spektakolare e banorëve deri te nata finale, që konsiderohen si dy nga pikat e forta të spektaklit. Në parim “Big Brother” do të zgjasë tre muaj, por nuk përjashtohen edhe vendime të tjera. Tri edicionet e mëparshme kanë treguar se mund të ndodhë gjithçka. Ndonëse publiku ka krijuar tashmë një pritshmëri të tijën për surprizat, për festat, për dhuratat që u bëhen javë pas jave banorëve, organizatorët kanë menduar edhe për këtë. Për ta gjendet gjithnjë diçka e re. Ndonëse konkurrentët që do të hyjnë të parët në shtëpinë e “Big Brother” janë zgjedhur, mes tyre edhe nga Kosova, aplikimet vazhdojnë. Të gjithë ata që ende kanë dëshirë të provojnë të bëhen pjesë e kësaj aventure, kanë ende mundësi. Vëmendja ndaj edicionit të katërt të “Big Brother” është e madhe ende pa filluar, ndërkohë që po punohet për detajet e fundit. Për larmishmërinë dhe tipat e veçantë të konkurrentëve, organizatorët paralajmërojnë se gara do të jetë e fortë. Ndërkohë, si gjithmonë, publiku do të jetë pjesë aktive e këtij spektakli. Për ata që duan të ndjekin çfarë ndodh gjatë 24 orëve në shtëpinë më të famshme, do të kenë në dispozicion dy kanale të posaçme, “Big Brother 1” dhe “Big Brother 2”, të cilët do të mund të shihen përmes abonimit në kartën “Gold”. Ndërkohë, një hapësirë e veçantë do t’i kushtohet “Big Brother” edhe në “Fan Club”. Emisioni i transmetuar çdo të diel paradite, ku protagonistë ishin në mënyrë të veçantë fansat e këtij programi, do të vijë edhe këtë edicion, por me një strukturë e re që mbetet për t’u zbuluar. Banorët do të hyjnë në shtëpinë e madhe në prag të festave. Për herë të parë, ata do të festojnë ndërrimin e viteve bashkë, ku sigurisht spektakli i datës 1 janar do të ketë surpriza të mëdha. Gjatë javëve, banorët do të provojnë emocionet e garës, të surprizave, por edhe ethet e eliminimit. Gjithçka do të fillojë mbrëmjen e së shtunës. Publiku do të njohë konkurrentët, do të shohë shtëpinë dhe do të bëhet çdo javë vendimtar për personat që do të mbeten brenda shtëpisë apo ata që do të eliminohen. Ndërkohë, gara mbetet e hapur për ata që ende duan të bëhen pjesë e këtij spektakli të madh.