Artan Grubi : Isha i vetmi shqiptar me ekipin e Hagës në “Shtëpinë e Verdhë”

Organizata joqeveritare “Zgjohu” e vlerëson trillues dhe politik raportin e Dick Martyit dhe i hedh poshtë pretendimet se ministri i Shqipërisë Lulzim Basha kishte qenë prezent gjatë hetimeve në të ashtuquajturën “Shtëpi e Verdhë”. Drejtuesi i kësaj organizate, Artan Grubi ka thënë se kishte qenë i vetmi shqiptar me ekipin e Tribunalit të Hagës në fshatin Gurë, në fillim të shkurtit të vitit 2004, prandaj deklarata se ministri Basha kishte qenë atje është e pavërtetë. Ai është shprehur i shqetësuar rreth etiketimit të UÇK-së dhe kombit shqiptar në raportin e Dick Martyt, duke mos u bazuar në asnjë dëshmi për këto akuza.
Drejtuesi i “Zgjohu” në Maqedoni, Grubi ka thënë se në shkurt të vitit 2004 është ngarkuar me detyrë nga Tribunali i Hagës që të marrë pjesë në hetimet tek “Shtëpia e Verdhë”, ku së bashku me hetues, punëtorë tjerë të këtij tribunali dhe me ekipin e mjekëve ligjorë të UNMIK-ut, që udhëhiqeshin nga Jose Pablo Baraybar kanë zhvilluar hetime.
Grubi: Isha i vetmi shqiptar me ekipin e Hagës në “Shtëpinë e Verdhë”
Ai u ka thënë gazetarëve se është i shtyer të reagojë në këtë formë, ngase e tërë bota është duke u marrë me një gënjeshtër. “Mediet, Këshilli i Evropës dhe institucionet tjera nuk përfillin faktin që ky hetim nga ana e Tribunalit të Hagës nuk gjeti asnjë dëshmi dhe rrjedhimisht, për shkak të mungesës së provave dhe dëshmitarëve, nuk mund të ndërtohet rast siç ka cekur edhe vetë kryehetuesi i Tribunalit për këtë rast në maj të këtij viti për BBC-në, Matti Raatikainen”.

Sipas Grubit, në vazhdën e trillimeve bënë pjesë edhe përmendja e disa personave, të cilët nuk kanë qenë në atë vend dhe asnjëherë nuk kanë punuar për Tribunalin e Hagës.

“Raporti i kontestuar që po përcillet me deklarata trilluese, në tërësinë e vet nuk po sjell asnjë fakt dhe asnjë dëshmi të re për këto supozime, por është kryekëput politik dhe po shkakton dëm të paparashikueshëm për popullin shqiptar”, ka thënë Grubi.