Agron Sela - Kenge ne heshtje (permbledhje poetike)






KËNGË NË HESHTJE



Dy fjalë në vend të parathënies

   


      Është një guxim i çartur prej poeti të vërtetë, të marrësh përsipër të shkruash poezi në një kohë si kjo e jona, ku letërsia, e sidomos ajo shqipe, po mbytet nga fryma e një bote komerciale dhe të egër, nga indiferenca dhe shpërfillja, që nganjëherë, për çudi, shkon gjer në tallje. Mirëpo, soj i poetëve, i atyre poetëve që e kanë krijimtarinë dhimbje dhe shqetësim, nuk jeton dot pa hedhur në letër, një ndenjë, një mendim pirat, një shqetësim njerëzor, apo një figurë, imazhi i së cilës, mund të të ngelet në mendje, mbase për gjithë jetën.
       Nga një soj i tillë është edhe poeti Agron Sela, poezitë e të cilit, të them të drejtën, i mora në dorë me një lloj skepticizmi, por, që më befasuan, që në vargjet e para.
       Unë nuk marr përsipër të bëj këtu komente të gjata, pasi poezia, madje arti në përgjithësi, gjykohet mbi bazën e eksperiencave individuale. Kështu, lexuesi i kualifikuar, ai lexues individual dhe jo kolektiv, që e pëlqen artin poetik, që e ndjen atë me shpirt dhe mendje, do të jetë në gjendje ta kuptojë se poezia e poetit Agron Sela, është në rrugë të mbarë. Ai do të kuptojë, që kjo landë poetike, nuk është mbrujtur, në një segment të shkurtër kohor, por është një varg i gjatë sprovash e përpjekjesh për ta gjetur e thënë fjalën e mençur, fjalën që di të prekë telat e shpirtit, kur “Tina Elegante”, edhe pse është një punëtore e thjeshtë, kalon pranë poetit duke ecur si një princeshë dhe kur ikën, bashkë me aromën e parfumit të saj, lë pas edhe poezinë.
       Edhe pse ky është volumi i pare poetik, që i shkon lexuesit në dorë, jam i bindur, që autori, ka shkruar ndoshta, qysh në rininë e tij të hershme, kur ka filluar të ndjejë e kuptojë, që jeta në përgjithësi, nuk është vetëm një nënë e dhembshur, por është edhe një njerkë e pa shpirt dhe se duhet jetuar duke ia shfletuar me gishta pejzat, duke e prekur me mollëza çdo ditë, duke ndjerë gjer në kockë vuajtjen dhe mungesat, duke provuar vetminë, mërzinë e thellë, çastet e gëzueshme dhe ato të hidhurat. Sepse, nuk ke si të mos i ndjesh në shpirt vargje si këto:  “Bora e fundit e lodhi qytetin. /Si një fustan i leckosur, i flakur tej,/ Njerëzit e shkelin rrugëve”(Bora e Fundit). Ose: “Edhe pse nata është e heshtun/ E qetë dhe pa zhurmë/ S’është paqe./ Një zë vibron tej, pejzave të errësirës/Nga ku rreket të shfaqet/Një agullim mëngjezi”.(Paqe). Ose: “Nga kuzhinat e fqinjëve/ Krimbat krimbin dheun/ Që të vjellë Atdheu”.(Krimbat)
       Pa marrë përsipër të bëj etiketime në lëndën poetike të Agronit, e them me plot bindje, që ka në këtë volum vargje të krahasueshme me ato të poetë ve më të mirë.
       Unë, sinqerisht e përgëzoj poetin A. Sela për vargjet e tij të bukura dhe shpresoj, që në ditët, që do vijnë, të kemi në dorë një spirale tjetër me poezi të tij, ndoshta edhe më të arrira.


                                                                                                                        R. Gjin





 NJË FILXHAN KAFE


Mëngjezi ende fërkon sytë.
Aromat e tua
Më hapin dritaren,
Që të shoh buzëqeshjen e ditës
Duke çelur si manushaqe
Vargun tim të mbërdhirë
Nga cikma e jetës.


TË  PRES


Që atë çast që u largove
Zemra ime rravgon
Si të jem
                     Plagosur në betejë.

Sytë e mi dritë mbyllur
Si dy yje të harruar
Të presin për t’i ndritur.    




                      E DASHUR


Si flutur mbështet kokën
Në petalet e zemrës sime.
Gonxhe e kurorës së bukurisë,
Përqafon buzëqeshjet
E shpresës sime
Me syt’ e zjarrtë të dashurisë.

Ashtu, e brishtë
Si lulekuqe flakëruese.
Puthja ime e kallur
Si llava e vullkanit
Rrjedh trupit tënd,
Që të ndezë zjarrin e dëshirës
Në shtegun e dashurisë.




  PAQE


Edhe pse nata ësht’ e heshtun,
E qetë, pa zhurmë,
S’është paqe.

Një zë vibron tej,
Pejzave të errësirës
Nga ku rreket të shfaqet
Një agullim mëngjezi.




FJALA E NËNËS


Eca që në gjenezë,
Si buzëqeshja e diellit n’agim;
Dijet të gjejn’ strehë,
Nëpër motet e zbehta, djal’ im.


Mua, që mëkova ungjijtë,
Kush ma vodhi perëndinë?





   FOTOGRAFIA



Ti iu shmange aparatit fotografik
Nga pësh-pëshet e njerëzve,
Por nga albumi i shpirtit tim
S’mundesh me ik.

Sërish ta shoh
Buzëqeshjen në buzë
Si dielli në perëndim
Dhe më kujton kohën
Kur vrapoje drejt meje.

Do ia zbath këpucët kohës
Që vrapi i saj të ndalet
Në rininë e bukur.

Sepse ende më don e të dua.








VJERSHAVE

Sa netë mbeta pagjumë
Dhe i lodhur.
Desha të rriteni të bukura,
Të mira.
Lodhjen e munda
Me buzëqeshjen tuaj.




 KUR TË SHOH


Kur të shoh,
Zemra ime si deti me tallaz
Përplas valët
Në gjoksin tim-shkëmb.

Sepse ti s’je veç dita me diell
Por je dhe stuhia.








PEIZAZH VENDLINDJE


Moti shëndrit qeleshet e maleve
Për të ndezur dritën e kohës,
Kënga përqaf cicërimat e zogjve,
Lumenjtë mbledhin rrëket’ e borës.

Ret’ e zeza largohen dhe
Acarit të gjatë i këputen këmbët;
Ninullat nëpër djepa rrallë dëgjohen,
votrën pa rini, jeta rrudhet.






VAJZË

Me gjuhën e ambël
Që më përqafoj nëna,
Si kristal të pastërt
Në votrat tona;
Nga fjala e saj
Emnin ta zgjodha
Bija ime, Bora.





DITA E VERËS

Ejani të kremtojmë Ditën e Verës!
Buzëqeshjen e kryemotmotin tonë,
Festën që i këndon jetës
Me bukurinë që s’perëndon.

Mbledhim lulet e para
Të gëzuar, në muajin abib
Ku motit i çelet dera
E stolisur me çdo pip.


NË VEND TË ELEGJISË


Fytyra e detit laget
Nga vajet e pikëllimit
Kur fatin shtyjnë dallgët
Në udhën e pakthimit.

Zërat thërrasin dheun
Që shpresa t’i zgjasë dorën
Kohës që vajton.

                     Heshtja zen e rritet,
Toka nuk lëviz
Se përgjigja humbet
Në zhurmët e qeverisë.




                     NJË HIMARJOTI

Para pasqyrës
Kreh flokët e buta si mëndafsh
Herë majtas herë djathtas.
Veten me imazhin ngatërron.
Pastaj, me nji shqipe të zgjatur
Pyet bishtin e hijes
I cili si një landër kulumane
Lëshon rrënjë në xhunglën e re fetare.
Çfarë kësule të vendos?
Se kokën s’kam si e ndërroj.






                         FJALË TË HUAJA



Si në ditë të tregut, plot’ vrer,
Fjalë të huaja për hiç këmbehen.

Gjuha në dhimbje, plagë merr.

Turpin e mykur ta lajmë
Me ndërgjegje, që në zanafillë;
Të tjerëve të vërtetën t’ua dëftojmë,
Për gjuhën tonë të bukur, taban’ i parë.




  PËRBINDSHI


Përbindshit ende i pëlqen nata,
Se drita e ditës ia zbardh sytë
Kur me andrrën e mesjetës
Bukurinë njerëzore mbyt.

I fry si balon.

Kërkon që ta mbajë
Një dor’ e ftohtë
Përballë erës së ngrohtë
Që fry qiellit të kaltërt.





E BUKURA GRUA


Një statujë gruaje mijëravjeçare
Shkëlqen nën rrënoja.

Kaq me tepri e kish patur bukurinë,
Sa as dheu s’ia zhbiu dot. 

Dikur, kur Don Juan-i ende s’qe shfaqur
Silleshin engjëjt rreth saj,
Ndonëse ajo,
Qe thjeshtë, një grua tokësore.

Sot, moralistët e mveshin atë
Me mjegullën e mesjetës,
Edhe pse nën vete digjen dëshirës
                     Dhe tymi u shkon prej lakmisë. 

UNAZA


Ca tinguj të ambël fjalësh
Përballë dhomës ku dergjem
Vallëzojnë çift në ajrin e mjegullt.

E unaza në gisht dridhet e vibron
Nga ethe të ftohta.                                            
Se dashurinë
E paska mbërthyer nji grip i fortë,
Që shtrëngon në fyt jetën e saj.





                    ANA BOLENA



Si një gonxhe trëndafili
Mes një trumbe lulesh angleze  
Bukuria ime lulëzoj
Në zemrën e Henryt.

Edhe pse aristokracia
E bretkocave të moçaleve
Ma ndalonte,
Arrita ta zbukuroj
Kunorën e mbretit.

Por, unë qeshë veç një lule e stinës
Ndaj s’i qëndrova dot acarit të mesjetës.

U mundova të shpalos
Madhështin’ e femrës
Që bija ime Elizabet,
Të mbretëronte në Angli
Sikur mbretëresha Teutë në Iliri.




 LOPËT



Në planetin Mars, astronautët
Po shohin rrjedhat e ujit
Që tregojnë misteret e jetës.
                    
                     Në livadh, ende pëllasin lopët.



VENDLINDJES

S’do të vij këtë verë
Të pijmë kafe bashkë.
Biletën e aeroplanit
E treta në poezi,
Të të përqaf ty.






                                   ASAJ


                     Si një fllad i majit, e dashura fisnike
Në errësirë të kohës u bëre muzë.
Përmes krokamash ike
Me gjysmë lamtumire në buzë.





                                     
UÇK - së


Si shkrepëtimë rrufeje u shfaqe
Të zgjoje ëndrrën e këputur në mes.

Një gjum’ i kripur
Rrudhte ndërgjegjen
Evropiane,
Që strukej nën hijen e mesjetës.

Por këngës së re të kushtrimit,
Ju, o trima, i patët hije 
Me luftën gjer në vdekje.  




  ATDHEU


Si fytyra e fëmijës
Që rritet i bukur, i trazuar.

Si zemra e madhe e nënës
Që të përqaf;
Dashuri jete pakufi,
Që të kalit të dashurosh
Të pavdekshmen.

Vetë fryma e shpirtit që më mban
                         Është ATDHEU.



                      

                    NË DITËLINDJE



Si dëgjoj cicërimat e shpirtit
Si atëherë, kur fëmijë, bridhja
Shkallëve të jetës.

Grepi i moshës
Ma ka ndalur hovin.

Ngjyrat më shtohen
Dhe vjeshta ime
                     Rreket të fshehë dhimbjen që sjell
                     Dimri kur afrohet. 




ÇËSHTJE PRIVATE

Biri im,
Mos u anko
Si macja ndër sofër
Nëse në demokraci
Duhet ta çelin derën
E çështjes private,
Për të mirën e popullit.

Se hyrja në të
Është si fener i shenjtë
Për të parë hijen tënde,
Nëse ke ndonjë të tillë!



Biri im,
Mos shqelmo
Si mëz i azdisur
Për çështjen private,
                     Nëse është shkruar dikur
Për mosndërhyrje.

Atdheu kërkon dritën tënde
Për të zgjidhur lamshin
Në sytë e vet,
Nëse e ka ngatërruar!



NJOLLË NË DEMOKRACI


Hija e lirisë rrëshqet
Nëpër pentagramin e notave të jetës,
Ku me thjerrëzat e syve të nxirë
Si muret e oxhakut
Nga gojët e hapura të pijanecëve,
Zgjat dorën që të gërvishtë ndërgjegjen.



 KËNGE NË HESHTJE


Këndonin sytë në heshtje
Me korin e fjalëve të plagosura
Për të njomur thatësirën e shpirtit
Nën grilat e njeriut.

Edhe zemra këndonte në heshtje
Rreth kandilit të dijes,
Që të ngrohte dritën e shpresës
Në botën e akullt të kohës.



                         
GUGIM DASHURIE



Sikur elektronet që rrjedhin mbi përçues,
Vallëzojnë fjalët tuaja
Nëpër lëkundjet e trupit tënd
Për të ndezur dritën në bregun e shpirtit tim.

Zemra ime e mahnitur i sheh
Të mjaltosura duke notuar
Nëpër buzët tuaja të mrekullueshme
Për të gatuar ambëlsirën e dashurisë.  



BRENGË DASHURIE


Dashuria po vdes
Në dallgët e kohës.

Më ndihmoni njerëz!
Të gjejmë ilaçin e së vërtetës
Ku  dashurisë t’i zgjatet jeta,
Dhe Romeo e Xhuljeta
Të mos kenë brenga.



PEIZAZH KOHE


Mbas dimrit të gjatë
Pranvera erdhi e largët,
Si shkallët e ylberit
Ku dordolecët e Detit të Ngrirë,
Nuhasin tatëpjetë
Dhe terin avujt e kohës.

Me shirat e shpresës,
Nën hijen e rrapit
Kërpudhat mbinë.

Naltësia e drojtur s’bëzan
Se moti mos ftohet
Nga magneti i busullës
Detit të Ngrohtë.


IDENTITETI IM

Sikur dielli që shëndrit
Frymëmarrjen e Tokës
Emri im është Evropian.

Ju, që bluani pallavra
Në mullijtë e kohës,
Dijeni, që emri im
S’është emër
Endacakësh, i importuar,
Por vjen i brumosur
Nga fjala e nënës
Ku si za i Zotit
Gjuhët e Evropës
I ka gatuar.



I BURGOSURI POLITIK


Errësira trembet nga syt’e mi,
Thellë ndjej psherëtimat e tokës.

Zemrën kujt t’ia fal tani
Që prangat më flasin
Në gjuhën e nënës?




 TË SHKRETËT


Shokët e mi janë si luledielli.
Edhe pse dielli ka perënduar,
Ende e mbajnë kokën të kthyer andej.

Dritën e presin t’iu vijë pas shpine.




BORËS

Fjollat e tua
Si nji univers
Nën dritën e neoneve
Zbresin paqen
Në botën zhurmuese
Të shpirtit tim.

Bukuria jote
Si kal’ i Trojës
Shkeli Hasin e Armirit
Ku buzëqeshja e tij
Tre vjeçare
Ngarkuar me dhimbjet
U desht të ikte
Në botën e paparë.

Sytë, 
Të ngulur
Në peizazhin tënd
Panë turpin
E demokracisë
Teksa e ndiqte nga pas
Një fantazmë migjeniane.



                      FLOKËT E NËNËS



Ende pa u thinjur
Flokët e tua ngjyrosur,
Peizazh vjeshte janë;
Një peizazh
Me të kuqen etruske
Për në botën tjetër.



TY, QË MËKON DIJEN

Ty, që mëkon dijen
Në dritën e paqes
E shëron plagët e njeriut,
Në listën e shtrigave
Emnin ta vunë.

Dhe ende shtyhen
Teksa të gjuajnë me gurë
Si dreqin haxhijtë në Mekë.


                    TELEGRAM PËR PAVARËSINË


Një telegram i shkruar
Me shkronja Ilire,
Në krahë të shqipes më erdhi.

Kosovë, gëzuar ditërilindjen!

Falënderoj Perëndimin,
Që e shtyu historinë
Vetveten të korrigjojë.


DIBRËS


Vitet kaluan mërzitshëm
Si netët e gjata në dimër
Larguar nga e imja Dibër.

Kthehem i përmallur
Si zogu në shtegtim.

                    Qyteti qenka zbrazur.

                    Eci rrugëve
                    Si një ushtar i kthyer pas beteje.  



MBIEMËN ME BISHT


Vëllau im i pashëm,
Ti shëmton vetveten
Me bishtin e mbiemnit tënd.

Si parazit ta ngjitën,
Përse e tërheq pas bishtin?


BILLIT


Zhurma e kafeneve
Ia ha vetes qetësinë
Se zemrën tënde
Ata nuk ta dinë.

Si sorra krrokasin
Se ta kanë zilinë
Ty, o dorëdhënë.



ARISTIDH  KOLËS


                     Zani yt si za Zeusi
Për të bukurën kumboi.

Me shpirtin e Dodonës
Mijëravjeçarët shfletove
                     Që kjo tokë e shenjt’ dardane
Vallen e lashtë të vallëzojë.                         

Se ti solle drit’ të shenjt’
Dhe si biri ma i mirë
Ia fale krejt zemrën tënde nënës.



  KRIFCËS


Në kraharorin tënd
Dergjet Liman Sela
Masakruar nga barbarët.

Pas katër gjeneratash
Ende më therin plagët e tua.

Tri here të dogjën sërbët,
Bullgarët,
Si Feniks u ngrite,
Kala mbijetese.

Lundra e jetës çau dallgët,
Këngën seç ta vrau mërgimi.




RRAPI I OHRIT


Rrapi i Ohrit,
Kuvendon me bjeshkët e Sharrit.

Kaltërsia e liqenit përkëdhel                           
Kaçurrelat e pakrehura të Vardarit.




PLAGË MBI PLAGË


          Rrëke lotësh
Rrjedh Radika,
Vite veshur me të zeza.

Në kohë të vranët,
Këngës kënduar Korabit
Ia nxinë vargjet.

Drini, derë e hidhur
Përshëndetjesh,
Me lot në sy.

Dridhet i ndrojtur duke puthur
Rininë ende të parritur
Që rend rrëmujës së mërgimit
E dehur nga përtejdeti.


RINISË


Mos e shëndrro kohën
Në ranë Sahare
E të varrosësh vitet
Që s’kthehen më.

Mos i lër oazet e dijes
Të treten në tymin
E kafeneve.

                     Mos e mbyt zanin
Në zhurmën e ditës
Si parlamenti ynë
E t’i burgosësh atdheut
Shpresën e jetës.



DHEU IM ÇAMËRI  


Dheu im i çarë
Nga tërmeti i trembëdhjetës.

Dheu im i shtypur
Nën terrin evropian
Ku neobizantinët
Dritën ta kanë zan’.

Dheu im i plagosur,
Ku zërat e trupave
Të masakruar
Kushtrim japin.



                       LETËR NGA JOSIF BAGERI


Mos u pagëzoni
Në grekë e bullgarë,
O ju të mjerë,
Brez pas brezi shqiptarë,
Nga të parë të krishterë.

Thurni fijet e ndërgjegjes
Në këtë lëmsh tragjik,
E mos tradhtoni fjalën e besës
Aty ku zoti foli shqip.



                     IRFAN  KALOSHIT


Si ylber,
Në skajet e mendimit
Shëndrite faqet 
E së vërtetës
Për të ngjyrosur
Ndërgjegjen e diasporës
Të zverdhur
Nga ideologjia.  




                    EDHE NJËHERË, ÇAMËRISË


Edhe këtë nëntor
Heshtje.

Mbi karvanin e plagëve të tua,
Kambanat e hijes
Nën gjuhën e ndryshkur,
Nga strajca e Evropës
Ende qukasin demokracinë.




                     FJALA


Fjala e atit fjalë e amës
Rrethuar me gjemba
Ku lulja e stinës
Mban rrënjët në pranga.

Narth me zjarrin në votër
Si Prometeu vuaj dënimin
Nga njeriu mediokër
Që si mushka e ka qëndrimin.

Si shtupë flokët mi kan’ përdredhur
Mua, të Bukurës së Dheut
Që sa zota i kam krehur
Në prehrin tim buz’ Mesdheut.

Nëpër letra kur t’më shtroni
Mos provoni me busull
Shpirtin tim ta kërkoni.

Ra dielli të masë kujtesën
Nëpër thinjat e historisë
Që koha të mundë harresën.




FUND  VJESHTË


Moti rrënqethet
Nga ethe të lehta
Me fytyrë të zbehët
Tretet vjeshta.

Nata shtrohet
Ditën për të ngrënë.

Pemëve, flokët u kan’ rënë.


                          ATË DITË


E lamë takimin në qytet
Në ora gjashtë të mbrëmjes.

Hëna derdhte drit’ të artë
Mbi rrugën ku ti shkelje.
 
Tek u nisëm për në teatër
Fluturonim bashkë të dy
Seç e ndritën sytë e kaltër
Shpirtin tim në dashuri.




                    PRANVERË E VONUAR


                     Pranvera erdh’ e lodhur.

Zëra të shtrydhur nga loti
Këndonin këngën
E përcëlluar nga moti.

Gojët e vyshkura në sofër
Shpalosnin historinë
E grisur në votër.


LAMTUMIRË!


Në lot ngjyej penën
Të shkruaj: Lamtumirë!
Zemra s’e hap gojën,
Fjalët kanë ngirë.

Koha puth kujtimet
Shpirtin për të qetësuar,
Buzëqeshja shuhet
Në shpresën e perënduar.



                    PUTHJE


Syt’ e tu lutës
Përveshin mëngët.
E buzët e tua,
Përqafojnë buzët e mia.


                     Një fllad fryn,
                     Rreket
Të më shuajë etjen
Për puthje pambarim. 



 TROKAMË


Ndër mote të mbrapshta
Shtyhem përjashta
Nga dallgët e ditës.

Stina përtërihet,
Lulet hedhin valle,
Plaka ende shtiret
Për të miat halle.

Pres diellin e qeshur
Shekullin ta mundë
Që historia e prishur
Ndarjes t’i japë fund.



  POROSI NËNTORI


Edhe pse me krahë të thyer
Duke shtyrë lindje-perëndimin
Shqipja nisi fluturimin
Drejt shpresës së jetës
Me 28 Nëntor të dymbëdhjetës.


Mos ngatërroni faqet e historisë
Me gjalmat tuaja nëpër këmbë.
Të mos mplakem duke pritë
Këngën e Nëntorit të Tretë.


JUSUF GËRVALLËS

Në dejet e thella të tokës
Përkëdhele buzëqeshjen e dijes
Që era e lirisë
Të hapë derën e fjalës.

Në zjarrin e ndezur të votrës
Ndeze shpirtin e qëndresës
Që drita e historisë
Të çajë hijen e kohës.

Në dheun e vendit të Gëtes
Thure kurorën e shpresës
Që zemra e burrërisë
Të lindë diellin e jetës.

Në flladin e gjelbërt të bjeshkës
Elegjitë i bien kitarës
Sërish i syrgjynosun
Në truallin e rreshkur të amës.



KRIMBAT


Nga kuzhinat e fqinjëve
Krimbat krimbin dheun,
Që të vjellë Atdheu.



 NË KOHËN PA KRYE


Mbi shtratin e lumit
Çojnë dallgë kënetat.

Gufimet e tyre ndyjnë dheun
Se ndërgjegjet e cekëta
S’dijnë të notojnë.

FLAMURIT


Le të shushurijnë
Vrundujt e erës
Mbi palët e shekujve.

Që kur u ringrite
Më 28 nëntor të dymbëdhjetës
Në zemër të rreh e vërteta.


                     
                    DËSHIRË


Afrohu pranë meje
E më jep zemrën tënde.

Me zjarrin e saj
Të ngroh shpirtin tim të mbërdhirë
Që fluturon me vite
Si shqiponjë metropolesh
Për të ngritur çerdhen e dashurisë.




 SHOKUT TIM



Nëse shpresa do të kishte ngjyrë
Do ta derdhja në letër
Të ngjyrosja miqësinë
Nga drama, që më theu zemrën.

Ideali është shum’ i shtrenjtë
Sepse na ngjeshi, na forcoj.
Në mes rrëshqiti një rrëke
Ku rrjedhën turbulloj.

Zëri im të thërret larg,
Mes hallesh në mërgim.
Në shpirt më hape plagën det
O shoku im, Naim.



 VJERSHAVE TË PARA


Me vargjet tuaja të njoma
Mbusha kraharorin. 

Frymë të ngrohtë mora
Nga gonxhet e pranverës.

Hapa dritaren e jetës
Dhe diellin e gjeta
Në dritën e së vërtetës.



 KARRIGJA



Derisa jam e lirë
Nuk më lakmojnë.

Mbasi të zihem
Të gjithë mundohen
Tmë zapojnë.





                    MURI I BERLINIT


Me të vërtetë
S’dukesh prej në hanë.

Dit’ e nat’ urojmë
Jetëshkurtësinë tënde.

Rrënimi yt, - fli për demokracinë.



           
               FERRAT


Dielli shkëlqen mes reve të lehta,
Pranvera na solli lulzimin mbarë,
Të vyshkura ferrat e shkreta
Kanë ftohtë si më parë.



FEMRËS

Ti je nëna,
Motra,
E dashura,
Shoku,
Gruaja,
Bija,
Vetë jeta.


Ti je sherri,
Xhelozia,
E bukura,
Tragjedia.

Ti je gënjeshtra dhe e vërteta.




          PRANVERA



Erdh’ si vajz’ e bukur me shpresë të madhe,
Mbështeti kokën në petalet e vjollcave të para
Ku sytë gjysmë të hapur nga dimri i egër,
Shëndritën nga kënga e zërave tambëlta.



                      DURIMI



Durimi është gjë e mirë
Kur se mat me peshore
Se në kohë të vështirë
Të shpërblen me fitore.

  I KUJT JAM UNË?


Mua, të shkathtin si vetëtima,
Lekën,
Më quajtën të huaj.

Dhe s’deshtën të më lënë
Të luaj në lojrat olimpike.

Dita-ditës, ata i tremben të vërtetës.

Por, ajo vjen e pastër si dielli në mëngjes
Pa dallim sa i vranët do të jetë moti
I mbuluar nga mjegulla e politikës prej koti.



IK


Nuk e di nëse jetëshkrimi yt
U dashurua me inicialet e emrit tënd.

Fluturove si nëpër labirint nga ky vend
I padukshëm, në heshtje nga të mëdhejnt’
Sepse mendonin që do kthehesh.

Largimi yt la një varrë në atdhe
Ashtu si lë avioni qiellit,
Një vazhdë tymi përmbi ne.




                               
 LULET



Në shitoren e luleve
Me përpuri ngjyrash pranvere,
Ato duken sikur vallëzojnë në heshtje
Edhe pse dikush më parë i ka prerë.

                     Pikat e ujit rrëshqasin nëpër petale
                     Si lotët që na rrjedhin në faqe
 Kur nj’i afërt ndahet nga jeta.





KOSOVËS


Barbarët zhurmojnë
Për djepin e zbrazur të andrrave.
Por, nata i ka mbathë këmbët
E dita ka nisë të zbardhë.

Engjëlli lufton me dreqin
Ta bëjë të rifirmosë tapinë
Për varret,
Tokën,
Shtëpinë…

VITI I RI ‘83

Në kampin e lodhur të Latinës
Dhjetori numëron minutat e fundit.

Refugjatët e mbërdhirë
Një erë perëndimi i ledhaton.

Akrepat e orës
Do mbyllen si gërshërë,
Dhe presin në heshtje
Kërthizën e motit 
Që i mbarë të vijë viti i ri.

                     Gëzuar!
Larg këngës e valleve,
Rreth masës së zbrazët,
Ngrejmë gotat e mbushura
Plot halle e shpresë.





STATUJA E LIRISË


Në gjirin e Nju Jork-ut,
E ngritën
Si një hyjneshë me bukuri madhështore.

Aty, hapet dera për Amerikën,
Këtë nënë të shenjtë
Të paqes njerëzore.




LOTËT E SHQIPONJËS


Rrokullisen plot dhimbje
Në lëkurën e gërvishtur,
Tatu për vandalët pa dije
Ku me gjysmëhëna, kryqe e yje
Njollosin hapësirën e pastër, blu.




                                AJO 


Ajo ende mundohet
Të vishet seksi,
Edhe pse lëkura e saj
Si lëvorja e një druri dushku,
Të gërvisht sytë kur e shikon.

Megjithatë, ajo është e lumtur
Dhe shpreson ta gjejë
Princit e saj brenda në metro
Teksa rrëmon kazanët e plehrave. 



ISTAT E FJALËS


Nga largësitë, në heshtje,
Istat e fjalës s’prajnë
Si yjet që s’i mbulon nata,
Me dijen ata bëzajnë.

E dituria e gjorë
Si fener i ndryshkur vajguri,
Te pragu i fjalës ka ngec,
Për largësitë e ndritura
Ende shurdhmemecë.



PRITJE E GJATË


Cicërimat e zogjve
E lanë pas natën e trishtë.

Sytë e pa flejtur,
Ruajtën një grusht lotësh.

Si feniks i mallëzuar për dritë
Vezullojnë lindjen e vonuar të diellit,
Që me vite ende fërkon sytë.




NË UDHËKRYQ TË DASHURISË


Avujt intim u zhytën
Në mjegullën e largimit.

Ikja jote,
Ma vrau ëndrrën e bukur
Me shigjetë.

Kam mbetur
Në udhëkryq të dashurisë
Si një anije me vela
Në mest të oqeanit
Sepse, tashmë,
U ndal era e ngrohtë
Që frynte në zemrën time të brishtë.




PERËNDIM I NJË DITE


Kjo ditë e bukur perëndoi.

Edhe pse orët e punës i kreva sot
Përpiqem të fle e gjumi s’më ze,
Mundohem e lodhem kot.

Iku kjo ditë si rrymë
E ndërprerë elektrike.

Unë u mplaka në 24 orë 
Dhe koha s’fotografoi
                    Mbresa nga kjo ditë.

 


 BORA E FUNDIT



Bora e fundit e lodhi qytetin.

Si një fustan i leckosur, i flakur tej,
Njerëzit e shkelin rrugëve.




KAKAROQAT


Ata erdhën pa i ftuar,
Në kohë të turbullt. 

Hanë e fryhen këta
Zotër të plehrave,
Por, kur era fryn,
Skuta të errëta kërkojnë.


 DIJA


S’çon peshë se ku linda,
Nga kush e mora bukurinë
Dhe sa para kam në bankë

Është zgjuarsia ajo,
Që merret me sportin e ngritjes
Së peshave të rënda
                     Para se korbat të na hanë të gjallë.



  PËNG E LASH DASHURINË


Peng e lash dashurinë
Kur kapërceva detra e kontinente
Për të arritur në tokën e lirë.


Tani,
Dikush më vështron me sytë – akull,
Me mimikë kafshe përshëndet,
E ndonjëherë, kur i fal gjësend
thotë një “faleminderit”
Dhe si gjarpër llapën e qet.



ZËRA QË BËJNË ZHURMË

Zërat e skaduar bëjnë zhurmë  
Si zhabat, pa ndërprerë, kot.
Fjalën kurrë s’e peshojnë
Kur ajo qesh apo qan me lot.



 KUR TI VJEN


Ti vjen e veshur si pranvera
Me lulëzim pjeshke n’agim.
Hapat hedh lehtë,
Gjurmëve të shikimit tim.




Z. LEONARD  NEWMARK

Si njeri i shenjtë,
Mbledh fjalët e shqipes,
Që shkëlqejnë mbi yje
Në varg perëndie.




PËRKËDHELMA ZEMRËN


E dashur,
Përkëdhelma zemrën
Me buzëqeshjen tënde
Dhe fjalët magjike
Që i këndojnë poetët,
T’i themi vetë.




MOS U DUK E ASHPËR


E dashur, mos u duk e ashpër.
Unë e ndjej butësinë tënde
Që kërkon përkëdhelje,
Buzëqeshje dhe ëmbëlsi.

Lëre butësinë tënde të lulëzojë
Mbi zhurmën, e thekur.
Çelu si qershia
Dhe më sill aromë lulesh,
Të të jap dashuri.




CUCAT NË PRANVERË

Si vjollcat që lëkunden
Kopshteve të blerta
Era me gishtërinj u përkëdhel
Flokët.

Ecin cucat e buzëqeshta,
Pranvera në krah’ i merr.






ZBUKURIM STINE


Ti si lule erëmirë
Xixëlluar në polen,
Shtron bukurinë
Në shikimin tem.

E unë si bletë
Zhytem mes petalesh
Dhe me nektarin punoj.
Gatuaj mjaltin tonë të përbashkët.



TE BALLKONI I DE RADËS



                    Mbi lule portokalli
                    Thur vargje arbëreshe
                    Të freskojë kujtimin e largët,
Që gjuhë perëndie
Të këndohet me kandje
Breznive.





NË PLAZH

Era e lehtë përkëdhel
Në qetësi shpinën e detit
Që të zbusë nxehtësinë
E ditës së korrikut.

Vajzat, shtrirë në ranë
Me bukurinë e tyre,
Rrezet diellit i zanë.





OMBRELLAT


Kohë pas kohe,
Ombrellat hapen e mbyllen
Në mot të vranët kur shi bie.

Përse njerëzit në ditë të bukur,
Nën ato fshihen?



 MBRAPSHTITË E FJALËS


“Tungjatjeta” s’është më
Përshëndetje
Plot respekt si më pare.


Njerëzit sot përshëndesin
Me nji fije zëri,
Ose lëvizje të lehtë buzësh.

Kur në udhëkryq të nevojës mbesin
Ngrejnë tonin si politikanët.




 DIMËR FËMINOR


Maleve u shtohen thinjat.
Për drekë ftojnë pisha e dëllinja
Se pemët moti përveshën mangët.

Pullazeve zgjaten dhambë
Prej hejsh akulli.

Kor’ i erës vajton
Dhe tymtarët në qiell,
Kaçurrela të zeza ravijëzojnë.

Reve, si kope dhensh leshatuke
Që tremben e mblidhen në vathë,
Ua mjelin qumështin gjysmë të ngurtë.






                            TINA

          
           Teksa Tina elegante më kalon pranë,
           Një aromë trëndafili vallëzon në ajër
           Dhe më ndjell të ngjitem pas saj.

           Me zemrën time ia ndjej
           Thellë bukurinë dhe aromën.





 GJURMË


Ashtu si erdhëm,
Do të ikim.

E nesërmja
Do të zbardhë.

Nëse s’lamë gjurmë,
Dijeni, që s’ishim.