A është Belgjika e sëmura e Europës?

 Nga Beatrice Delvaux *

 

“Belgjika është e sëmura e Europës”. Këto qëndrime të përftuara nga arena evropiane tashmë që vendi ynë gjendet i varur në fije të perit për shkak të ‘spekulatorëve politikë’, për më tepër në gjirin e një Evrope në brishtësi të skajshme financiare (që duket se nuk i shquajnë sytë se në ç’gjendje janë katandisur Greqia dhe Irlanda!), përbëjnë ashtin e një problemi të rëndë sa më s’ka, çka dëshmon papërgjegjshmërinë e thellë të një udhëheqësi politik si Bart De Vever, i cili nuk e vë ujin në zjarr për “raison d’Etat”. Megjithatë, nuk mund të thuhet se mosveprimi i tij synon të vërë në lojë frankofonët në një mbrëmje të zakontë Kërshëndellash. Jo, ajo që po vë në lojë De Uever-i në faqe të Evropës e të Botës – “Spiegel”  nuk është një gazetë e provincës Gooik – është mirëqenia e bazës së qytetarisë së vendit, përfshirë këtu edhe flamandët. 
Spekulimet nuk përbëjnë thelbin e separatizmit: ato nuk bien vetëm mbi shpinat e frankofonëve, por mbi shpatullat e të gjithëve. Nuk jam e sigurt që 20% e flamandëve që votuan për NVA-në për më tepër efikasitet në administrimin e vendit, madje edhe 7% e atyre që votuan për ndarje, urojnë që kjo të ndodhë për shkak të dështimit belg, përfshirë këtu edhe Flandrën. Padronët e VOKA-s (Dhomat e Tregtisë dhe Industrisë së Flandrës), që kanë nxitur me mjaft përkujdesje fuqizimin ekonomik të flamandëve, nuk dëshirojnë të befasohen nga fakti që udhëheqësi i tyre politik, të cilin e kanë përzgjedhur si më të mirin e të mirëve, të marrë mbi vete rrezikun e rrënimit copë e çikë të gjithçkaje që ata e kanë lartësuar me kohë, si pasojë e sjelljeve të pagdhendura e provokuese dhe makthit që i ka kapluar prej mëvetësimit. 
Në këtë karvan, negociatorët flamandë të përfitimit të lëshimeve të sotme mund të jenë padyshim edhe “të droguarit” e planeve të shpëtimit të Evropës së nesërme. Dhe sa i takon Kërshëndellave, në podiumin e emisionit më të ndjekur televiziv të flamandëve “Slimste Mens der terveld” (“Njerëzit më të zgjuar të Botës”), e pikërisht kur të kërkohet se kush do të jetë batuta më e famshme për Bart de Vever-in, krahasuar me Klintonin apo Bushin e Vjetër, nuk jam edhe aq e sigurt se flamandët do të prishen në fytyrë kur të jepet përgjigjja: “It’s the economy, stupid”.
Përfytyroni për një çast që ‘spekulatorët’ nuk e lexojnë gazetën “Spiegel” dhe i bëjnë akoma llogaritë me solidaritetin e pathyeshëm të belgëve, pavarësisht këtij ekzekutim publik e zhvleftësues të besueshmërisë së vendit: intervistuesit e udhëheqësve nacionalistë të flamandëve nuk mbeten aspak të befasuar nga papërgjegjshmëria politike. çfarë do t’u shkonte më tepër në mend përveç që NVA-ja është bërë qesharake në sytë e politikanëve të botës dhe qytetarëve të saj qysh prej gjashtë muajsh, që nuk dëshiron të gjejë gjuhën e përbashkët dhe kërkon ta hedhë gjithë vendin në erë, apo ta shpjerë drejt kaosit?
Kjo është shkruar e zeza në të bardhë pikërisht tani, në një të përjavshme gjermane. Atë që NVA-ja nuk e thotë (apo nuk e thotë më) në sytë e negociatorëve, ajo e shpall me zë të lartë në faqe të njerëzisë dhe nëpërmjet shtypit të ndërmjetëm. Duke i shtuar këtu  harbutllëqet edhe mashtrimeve politike. Ngaqë pas gjashtë muajsh, të dashur qytetarë, Bart De Vever-i as nuk pyet për njeri, as se çfarë mendoni ju pavarësisht përpjekjeve të shumta të partive të tjera politike të Veriut e të Jugut, as nëse “treguesit e ndarjes” janë më të lartë se ato “të kompesimit të taksave”; apo si të bëhet i mundur transferimi i kompetencave në bisedat e tavolinave. Apo edhe më tej, si të nguroset parimi i përgjegjshmërisë tashmë të arritur. Jo, mesazhi publik që ai lëshon nga goja është se Mbreti është “në shitje”, që frankofonët po ndotin mbarëvajtjen normale të vendit, që e vetmja reformë që duhet të ndërmarrë shteti është... ndarja e vendit.
T’i themi ndal hipokrizisë!  - Belgjika ka nevojë për reforma të thella. Reforma e Shtetit, në veçanti, kërkon shumë punë, mirëkuptim e guxim. Bart De Vever-i që i nxjerr këto fjalë nga goja parapëlqen më shumë ngjalljen e instiktive dhe thjeshtëzimin e problemeve që motivojnë turmat.
Këto ditë, udhëheqësi i NVA-së dhe ndjekësit e tij duan të luajnë rolin e “Kalimeros” (një personazhi kryesor i filmave me kartona) duke ngritur akuza në erë se shtypi frankofon po e masakron. Ka njerëz si në Veri po ashtu edhe në Jug që na qortojnë se po bëjmë lojën e tyre, që të heqim dorë nga ‘provokimet’. Pas leximit të faqeve të “Spiegel”-it, çështja e vetme mbetet të jetë: kush do t’i thotë ndal papërgjegjshmërisë së ‘të droguarve’ politikë të këtij vendi, përfshirë këtu dhe Flandrën?

*Drejtor i gazetës së njohur Belge “Le Soir”

Posted via email from Shkupi Press extra

Related Posts: