“Le Soir” I gjendur në mes të një mjeti lundrues, një pasagjer klandestin mund të tregohet i matur dhe i tërhequr kur ia lyp nevoja. Por kur pasagjerët e rregullt mbushin më shumë se gjysmën e hapësirës së mjetit, nuk ka siguri se sjellja e pasagjerit klandestin do të jetë ‘sipas rregullores’.
Eurozona është si një traget gjigand i marrë me qira, e ku nuk tregohet kujdesi i duhur për të këqyrur imtësisht rregullsinë e biletës së pasagjerit. U mbyllën sytë kur u desh të kontrollohej bileta e pasagjerit grek, u shkaktua tollovi e paparë me yçklat e pasagjerit irlandez, të një ekonomie buzë greminës për shkak të tolerimit dhe nxitjes së çrregullimeve fiskale, edhe pse jo të subvencionuar nga Evropa. Ajo i ka rezervuar biletë udhëtimi dhe njëherazi i ka besuar edhe pasagjerit spanjoll, që nga ana e tij e ka mbështetur pjesën më të madhe të ekonomisë në të dhënat e paqëndrueshme të sektorit të pasurive të patundshme.
Ndërsa sot, në mes të stuhisë detare, disa pasagjerë evropiane po qëndrojnë në kuvertë, të pambrojtur ndaj dallgëve; ndërkohë që disa të tjerë u ka rënë bixha të qëndrojnë në kabina, të strehuar mirë sa më s’ka. Këta të privilegjuar ndaj përballjes me stuhinë kanë mundur t’u shpëtojnë dallgëve të furishme pa u shpërthyer borxhet e brendshme. Sot, ekonomitë e këtyre vendeve kanë gjetur ritmin e ndershëm të besueshmërisë. Flitet këtu për Gjermaninë, Holandën, Austrinë, Belgjikën, Finlandën... Këto vende ‘të forta’, me muskulaturë të fuqishme dhe që ia dolën pa lagur, zotërojnë, siç shpjegon ekonomisti francez Patrick Artus, një ekonomi me gamë të gjerë veprimi. Janë më të industrializuara, më garuese dhe eksportojnë me më shumë përparësi krahasuar me vendet në zhvillim e sipër.
Në të kundërt, vendet e ‘dobëta’(Portugalia, Irlanda, Greqia, Spanja) gëzojnë përparësinë e tregut të punës në sektorë “më pak frytdhënës” si industria ushqimore, transporti, ndërtimi, shpërndarja... sektorë që janë fshikulluar rëndë nga kriza. Tashmë, ajo që po ndodh me Evropën e këtyre ditëve është një mishmash i vërtetë... t’ua mbledhë pasagjerëve klandestinë që të paguajnë tarifën e plotë të biletës së tragetit, në vend që t’ua mbulojë shpenzimet e udhëtimit.
Për të vendosur ekuilibrin e nevojshëm në sektorin financiar, Irlanda nuk duket se ka shumë mundësi për të zgjedhur: meqë modeli i saj ekonomik mbështetet në fiskun e shoqërive me leverdi, ajo mund të përqendrohet vetëm tek administrimi i të ardhurave, duke pasur gjithmonë pas shpine rrezikun e fundosjes. E njëjta situatë si në Greqi. Nëse eurozona ka qenë me të vërtetë një zonë e euros, ajo duhet të bëjë me dije se vendet anëtare të saj nuk mund të zbresin nga anija për në breg. Mjerisht! Mesazhi franko-gjerman ka qenë krejt ndryshe: duke nisur nga viti 2013, një vend anëtar i eurozonës mund të shpallë dështimin. Nuk të bën çudi diçka e tillë, ndërkohë që disa vende, si Portugalia për shembull, nëse do të viheshin përballë kushteve të tilla, nuk do të zbrisnin me dëshirë nga ‘anija’...
Home »
» Thirrjet dëshpëruese të pasagjerit klandestin