Dhjetë muaj nga tërmeti që vrau 230 mijë njerëz, ishulli është shndërruar tani në viktimë të një “mallkimi” të ri, kolera. Për organizatat joqeveritare nëse nuk do të ndërhyjë shteti rrezikohet një katastrofë humanitare e paprecedentë në planet. Por bota nuk ka veshë që të dëgjojë dhe të njëjtin qëndrim mbajnë edhe haitianët më të pasur, që janë përqendruar vetëm te zgjedhjet e ardhshme presidenciale David Robinson është 4 vjeç dhe e ka shumë të vështirë të thotë emrin e vet. Sytë i ka të mëdhenj dhe të trishtë si të atyre qenieve që kanë mësuar shumë shpejt se sa e vështirë dhe shpesh e pamëshirshme është kjo jetë. Ai jeton në një mizerje të pashpresë. Fëmija i vogël vuan nga kolera dhe është një nga shumë fëmijët dhe të rriturit që luftojnë përditë me vdekjen në këtë ferr të tokës që quhet HAITI. “David ka ardhur dy ditë më parë”, shpjegon infermierja, një haitiane edhe ajo që punon pa orar për t’u ndodhur pranë të sëmurëve të shumtë që vijnë përditë në spital. Në fakt, as për spital nuk bëhet fjalë, por për tenda të mëdha që janë ngritur për të pritur të prekurit nga epidemia e madhe. Pjesa më e madhe e të prekurve janë fëmijë të vegjël dhe adoleshentë. “Mjekët pa Kufi j” po kontribuojnë që të qetësojnë situatën dhe të presin në tenda të sëmurët. Davidin e solli në tendë e ëma. Është një rast kur sëmundja ka avancuar shumë dhe fëmija po kalon orë me të vërtetë të vështira në luftën për mbijetesë. Në këtë fushë me tenda ka 24 syresh. Në disa strehohen dhe mjekohen të sapoardhurit, në disa të tjera ndodhen ata që janë në gjendje të rëndë shëndetësore, por që kanë ende një fi je shprese, ndërsa në tendat e fundit ndodhen ata që e kanë humbur betejën me jetën dhe janë në orët e fundit të luftës me vdekjen, që tashmë mund t’i quajë “të sajtë”. Dhe situata rëndohet nga dita në ditë. Çdo ditë vijnë dhjetëra të sëmurë, disa në gjendjen fi llestare të kolerës, të tjerë më të agravuar. Brenda tendave pritëse i vetmi formalitet që kryhet është ai i larjes së duarve, ndërkohë që një vullnetar ua bën këpucët me klor të sapoardhurve. Këto janë masat minimale që merren për të hyrë në tenda. Në tendën numër 8 ndodhet një zonjë e moshuar, e cila është e zhveshur nga mesi e poshtë. Në këtë “dhomë”, ajo është e vetmja në gjendje për të folur. Ia kanë hequr serumin dhe tani ia del që të pijë nga shishja që ka pranë shtratit. “Vij nga Qyteti i Diellit, që është edhe periferia më e frikshme dhe më e trishtuar e kryeqytetit Port Au Prince. Ka tri ditë që ndodhem këtu. Fillimisht isha në gjendje shumë të rëndë. Kisha një diarre shkatërruese dhe isha pa fuqi. Mendova se më kishte ardhur fundi. Për fat më sollën këtu, edhe pse tani jam më mirë, kam frikë se sëmundja mund të më rikthehet dhe mbi të gjitha kam frikë për familjen time që e lashë në gjendje shumë të rëndë. Lus Zotin që t’i ndihmojë. Qeveria nuk bën asgjë. Ku janë ndihmat që na premtuan pas tërmetit? Në zonën ku jetoj unë pimë ujë nëpër kanale, hamë ushqime të palara dhe të pagatuara dhe jetojmë në kushte shumë të rënda sanitare”. Epidemia është duke u përhapur çdo ditë dhe numrat zyrtarë të nxjerrë nga qeveria (1576 të vdekur, 60 mijë të infektuar) janë shumë larg të vërtetës. Fati i kësaj pjese të ishullit të Karaibeve, që ndodhet pak kilometra larg Republikës Domenikane, ku pasardhësit e skllevërve u rebeluan, duket se është përfshirë nga një mallkim i pafund. Pas tërmetit të tmerrshëm të janarit të kaluar dhe qindra mijëra viktimave të shkaktuara nga tërmeti, vetëm gjatë dy muajve të fundit, Haiti është sulmuar në mënyrë të vazhdueshme nga rrëshqitjet e tokës, uraganet, epidemitë. Tanimë në fund, por jo e fundit është kolera, më e tmerrshmja nga të gjitha. Kolera nuk ishte shfaqur në ishull që prej një shekulli dhe qeveria dhe të gjitha strukturat shtetërore janë të paafta që ta ndalin dhe të bëjnë gjë për popullsinë që vuan ferrin. Në linjën e parë të luftës janë vullnetarët, mjekë të huaj dhe organizata që po përpiqen të mbajnë situatën nën kontroll dhe pse gjithçka është shumë e vështirë. Në tendat e ngritura prej tyre janë shtruar 90% e të sëmurëve. Sipas drejtuesve të këtyre organizatave as OKB, as qeveria nuk kanë as idenë më të vogël të asaj që po ndodh në të vërtetë në tendat e mbushura me të sëmurë dhe njerëz që vuajnë. Pas tërmetit, të dhënat për dëmet e shkaktuara dhe viktimat ishin më të sakta, ndërsa në rastin e malaries janë në kaos total dhe në një rrëmujë të paimagjinueshme. Pas tërmetit pati edhe një përgjigje deri diku të mirë të komunitetit ndërkombëtar ndaj Haitit, ndërsa tani vendi është braktisur tërësisht dhe gjithçka është lënë në duart e fatit. Sipas disave prej përfaqësuesve të shoqatave të ndihmave, mungesa e fondeve që nxirret si pretekst nga qeveria nuk është e vërtetë, sepse Haiti ndryshe mund të quhet edhe Republika e OJQ-ve. Ky vend është lënë në duar të shoqatave që të vetme nuk mund të bëjnë shumë. Strukturat e shtetit janë të domosdoshme, por ato nuk ekzistojnë dhe kështu të gjitha gjërat duhen bërë sikur këta njerëz të jetonin në një xhungël pa zot. Në pjesën e prekur të ishullit nga malaria janë ngritur shumë tenda, të gjitha të stërmbushura me njerëz dhe me kushte jo të mira. Nëse do të vazhdohet me këtë braktisje të madhe, 400 mijë persona rrezikojnë që të infektohen gjatë 2 muajve të ardhshëm dhe në një rast të tillë viktimat e janarit të vitit të ardhshëm që do të shkaktoheshin nga kolera do të ishin më të mëdha se viktimat e shkaktuara janarin e këtij viti nga tërmeti. Ndërkohë, shifrat që jep qeveria janë jashtëzakonisht të vogla dhe qesharake për kërdinë që po ndodh në të vërtetë. Kombet e Bashkuara deri më tani kanë marrë vetëm 10% të shumës prej 164 milionë dollarësh që iu premtua Haitit për luftën kundër kolerës. Në këtë vend mungojnë në radhë të parë mjekët dhe infermieret, pra personeli i specializuar që mund të asistojë profesionalisht të prekurit dhe mbi të gjitha mungojnë edhe hapat për dezinfektimin e ujit. Nëse do të bësh një xhiro nëpër kryeqytet ajo që do të të godiste më shumë është mungesa e ndërgjegjësimit, e të mos menduarit se nëse nuk do të ndërhyhet në kohën e duhur, pra menjëherë, Haiti mund të shndërrohet në fatkeqësinë njerëzore më të madhe se ajo që u shkaktua pas tërmetit. Dje në vend janë mbajtur zgjedhjet presidenciale dhe haitianët që kanë një peshë në këtë vend, të pasurit dhe ata që ia hedhin mirë jetës në këtë vend jashtëzakonisht të varfër janë të interesuar vetëm për kryerjen e këtyre zgjedhjeve, kësaj farse elektorale që nuk pritet që në turin e parë të sjellë një emër të sigurt për kreun e shtetit dhe që në radhë të parë ka lënë në hije problemet e vërteta dhe të rënda të vendit, të një vendi që ndodhet në prag të asgjësimit fizik. Për të kuptuar se në ç’mënyrë autoritetet përballen me urgjencën e shkaktuar nga përhapja e kolerës, mjafton që të shkosh në spitalin qendror, pak hapa larg rrënojave të pallatit presidencial ku kaskat blu të Kombeve të Bashkuara bëjnë një jetë të qetë pa e çarë kokën për atë që ndodh rrotull tyre. Madje vendasit akuzojnë pikërisht këta trupa, nepalezët, për saktësi, që janë mbartësit dhe sjellësit e kolerës në vend. Sepse në Haiti kishte shumë probleme, por kolera nuk ishte parë që prej 100 vitesh, ndërkohë që në Nepal ka një epidemi që vazhdon edhe sot. Në hyrje të spitalit qendror askush nuk të kontrollon dhe të ndalon për të shkuar ku dëshiron. Hapësira e brendshme është shumë e madhe thuajse dhjetë herë më e madhe se ajo e tendave. Zotërit e shtëpisë janë të sëmurët e shumtë, të cilët vijnë në këtë spital vetëm të rekomanduar nga mjekët. Kudo të zë syri edhe forca policie që janë në gatishmëri për të ndërhyrë në çdo rast acarimi dhe konfl ikti. Madje, policët janë më të shumtë dhe më të shpeshtë se vetë mjekët. Nëpër spital ka edhe të sëmurë nga kolera, por ata në vend që të mbaheshin të izoluar qëndrojnë të përzierë me të tjerët dhe shëtisin lirshëm nëpër spital. Oborret janë shndërruar në WC të mëdha publike. Aty njerëzit nuk e kanë problem që në çdo orë të ditës të kryejnë në sytë e të tjerëve nevojat e tyre personale. Dhe kjo bën që nga oborret dhe sheshet të vijë në mënyrë të vazhdueshme një aromë e athët amoniaku, shpesh mbytës dhe e padurueshme. Mjekët dhe infermierët, ata që mund të quhen autoritete të spitalit janë tërësisht indiferentë ndaj kësaj situate dhe bëjnë sikur nuk vënë re gjë. Diku në një cep, ose më mirë në një dalje të spitalit ndodhet një numër i madh makinash funebre, me siguri kanë ardhur aty për të qenë në pritje të të vdekurve të shumtë. Aty pranë është morgu ku transferohen të gjithë të vdekurit, në pritje të ardhjes së familjarëve, të cilët në shumë raste nuk kanë as mundësi që t’i varrosin. Në këtë vend të mallkuar dhjetë muaj nga tërmeti shkatërrimtar nuk është bërë thuajse asgjë për t’u ardhur në ndihmë këtyre njerëzve që e kujtojnë jetën si një ferr të vërtetë. Nëpër rrugë, si të ishin zombie, njerëzit ecin para e mbrapa, pa një drejtim, për të gjetur ushqim. Ka nga ata që nuk ia dalin mbanë kësaj ndërmarrjeje të vështirë dhe këta njerëz shpesh nuk arrijnë të shohin agimin pas një nate në agoninë e mungesës së ushqimit. Shpesh kufomat nuk hiqen nga vendi i vdekjes për ditë të tëra duke e helmatisur ambientin, por kjo nuk i bën përshtypje kurrkujt. Të gjithë mund të vdesin nga uria dhe kjo i bën të gjithë që të jenë të përqendruar te gjetja e ushqimit dhe e strehës për natën e gjatë. Shtëpitë ua shkatërroi tërmeti, njeri nuk i ndihmon, bukë nuk kanë të hanë dhe pas përmbytjeve të verës vjeshta po i rrënon me kolerën. Ata që premtuan ndihma e fonde, përfshi edhe dy ishpresidentët amerikanë Bush dhe Klinton, as që e vunë ujin në zjarr dhe thjesht i bënë reklamë vetes, e jo derman vendit. Duket sikur në këtë vend koha ka ndaluar në orën e ferrit, në orën e shkatërrimit dhe sëmundjeve dhe të gjithë sillen në një rreth vicioz pa rrugëdalje nga agu në muzg në kërkim të copës së bukës, derisa t’i zërë sëmundja e t’i largojë nga kjo botë. Askush nuk e di se ku përfunduan, nëse ndonjëherë arritën, qindra milionë dollarët e premtuar nga komuniteti ndërkombëtar në janar, menjëherë pas tërmetit. E si për ironi të fatit, posterat elektoralë të kandidatëve presidencialë premtojnë një të ardhme të ndritshme të vendit me pasuri dhe lumturi, por nëpër rrugë vetëm të rrjedhurit mund t’u besojnë tashmë këtyre gënjeshtrave.
Home »
» Haiti, plaga e hapur e Karaibeve





