Djajtë e Kuq barazojnë në Villa Park

Manchester United edhe një herë është mbështetur në gola të vonshëm, kësaj here për të nxjerrë vetëm një barazim 2-2 ndaj Aston Villas në Villa Park.
Pjesa e parë e takimit ishte më e ekuilibruar me Djajtë e Kuq që krijuan raste përmes Dimitar Berbatov dhe Nani, dhe vendasit që po ashtu kishin rastet e tyre, pasi goditja e Ashley Young u ndalua nga Van der Sar ndërsa një tentim tjetër i Stewart Downing u devijua nga Rio Ferdinand.
Fillimi i pjesës së dytë i takoi më shumë ekipit vendas. Pasi James Collins dhe Gabriel Agbonlahor goditën shtyllën, Ashley Young ishte ai që i dha epërsinë Aston Villas duke shënuar nga pika e bardhë (72’), pasi më herët ishte fauluar në zonën e rreptësisë nga Wes Brown.
Nuk zgjati shumë dhe pas katër minutash tjera mbrojtja e Man United pësoi edhe goditjen e dytë, kur Marc Albrighton dyfishoi epërsinë për Villan (76’).
Por shpirti luftarak i Djajve të Kuq doli në pah edhe një herë në minutat e fundit të takimit. Së pari talenti i ri Federicho Macheda ngushtoi epërsinë në 2-1 (81’), para se me pesë minuta afër fundit, kapiteni Nemanja Vidic të shënojë me kokë nga një harkim i Nanit për të nxjerrë një pikë për United.
Barazimi është i dyti radhazi për United, pas atij në derbin e Manchesterit në Eastlands. Me pikën e fituar United mbledh 25 pikë në pozitën e dytë, të cilën rrezikon ta humbasë nëse Arsenali nesër shënon fitore në udhëtim te Evertoni.