Bleta Begu - Poezi nga ”Tejkalo Pritjen”, 2007



KUR TROKET DHEMBJA

Mizero ujin e verdhë
Fshihu në murin e plasaritur
Kapërce grilat e ndryshkura,
Kur të të shpojë dhembja.
Shurdho zërat e bishave
Fresko tendosjen e ajrit
Gabo rrugën e ngrënies,
Kur të të vjen dhembja.
Mbylli sytë në errësirë
Përqafo qetësinë e lehtë
Largoju krijesave mozaike,
Kur të të kaplojë dhembja.
Lëshomi krahët
Ngrohma lotin e ngrirë
Zgjoma zërin në fyt,
Kur të më troket dhembja.


TË BEKOJ

Kap hënën,  përqafoj
i lëmoj kokën.
I shkrijmë të dyja buzëqeshjet,
ia dimë huqet njëra-tjetrës;
na mungon ti.
Pritja ecën përgjatë
rrugës galaktike,
yjet ruajnë…
Jehona e zërit tënd
ndez brishtësinë e qiellit.
Vetëm nata toleron
euforinë tonë.
Hëna tretet, plogështohet nga vesa,
të jep bekimin.
Unë zgjas duart në fron.
Mbetem e vetme.
Me ty.
S’tretem nga vesa e errësira.
Kam duart në zemër, në hënë
me ty.



SYTË E MI

Të mbaj me vete
në bebzën e syrit
në rrudhat e ballit
në muskulin e buzëqeshjes.
Me maja gishtërinjsh prek
ndjesinë tënde të ngrohtë.
Lulëzoj në krahëror, i dërgoj
aortës energji malli.
Je tik-taku i fortë i këmbanës.
Unë
në hapat rrugorë
në flokët erërrahur
në krenarinë intime
me vete të mbaj.

NËSE

Kur të jem dhe
aty s’jam,
kur të më gjesh
sa në qiell aq në tokë,
kur të qaj me engjuj
e qesh me demonë,
Mos më trazo.
Kur të vish nëse vjen,
nëse vjen kur të rrish,
nëse rrin po të duash,
kur të duash mos shko,
          Qëndro mos më lësho. 
Nëse jep e merr
nëse fal e s’të fal,
po të më gëzosh e lëndosh,
nëse shtirresh e tkurresh
po të kujtohesh e pendohesh
          S’dua të të shoh më.


BLETA BEGU


E lindur më 14 gusht 1985 në Prishtinë. Ka kryer Fakultetin e Administrim Biznesit, Financa në Universitetin e Evropës Juglindore UEJL. Ndjek studimet postdiplomike MBA për Menaxhment në American College Shkup. Ka qene kryeredaktore dhe redaktore e revistave si “Dija”, “Drita”. Momentalisht punon si Account Manager në Advertising Agjensinë McCann Erickson Shkup. Botoi librin e saj të pare me poezi “Tejkalo pritjen” në vitin 2007.