Fshehtësia ekstreme me të cilën operon Steve është diçka shumë e njohur për të gjithë ata që kanë punuar dhe punojnë me Steve Jobs. Madje, ajo është shumë e njohur edhe për industrialistët e tjerë të Silicon Valley Steve i përçmon ata që mendojnë se e njohin mirë dhe që flasin për të. Inati i tij është legjendar dhe dënimi është i tmerrshëm. Ndaj për ata që duan të shkojnë ta takojnë njeriun e çuditshëm të "Apple" ka një kusht shumë të fortë: gjithçka duhet të jetë e fshehtë dhe vend më të mirë se turma e studentëve të Universitetit Standford nuk ka. Fshehtësia ekstreme me të cilën operon Steve është diçka shumë e njohur për të gjithë ata që kanë punuar dhe punojnë me Steve Jobs. Madje, ajo është shumë e njohur edhe për industrialistët e tjerë të Silicon Valley. Kjo aureolë mistike fshehtësie është një nga përbërësit e legjendës së "Apple". Pak a shumë e tillë ka qenë edhe atmosfera në vigjilje të prezantimit të prodhimit të ri të kompanisë "i Pad" që doli në treg më 3 prill. E quajnë "tavolinëza e Jobs", sepse është 25 cm e gjatë dhe peshon 650 gramë dhe është një produkt që premton një revolucion të vërtetë. Pasi e ka reformuar kompjuterin duke e shndërruar në një objekt elegant dhe sensual, pasi ka ndryshuar mënyrën tonë të të shijuarit të muzikës përmes i Pod dhe më pas edhe përdorimin e celularit me i Phone, pas një "sulmi" në botën e kinemasë me filmin e animuar "Pixar", pritshmëria për produktin e ri të Jobs është jashtëzakonisht e madhe. Është një lexues dixhital gjysmë minikompjuter e gjysmë telefon celular me një ekran "miqësor" për leximin e librave dhe të gazetave që parashikon një mënyrë të re dhe shumë revolucionare të konsumit të informacionit dhe mund të thuhet me plotë gojë që do të jetë një "tokë e premtuar" për industrinë e medias. Por cili është sekreti i ringjalljeve të përjetshme të Jobs, si punohet në botën e padepërtueshme të Cupertinos? Sipas revistës "Business Week" "bëhet fjalë për një vend magjik në të cilin punojnë njerëzit e sipërmarrësit që e ka shndërruar lançimin e një prodhimi në një vepër të vërtetë arti. Jobs ka treguar se është e pamposhtur në evidentimin e nevojave të reja, tregjeve të reja, tendencave të reja. Metoda e "Apple" është cilësia kryesore te Steve. Ai është në gjendje që të gjejë për çdo fushë të biznesit dhe prodhimtarisë së tij njerëzit më të aftë e më të talentuar. Kur i pikas arrin që t'i mrekullojë dhe t'i bëjë menjëherë për vete me vizionin që u parashtron dhe më pas, kur i punëson, vazhdon që t'i ushqejë me adrenalinën e kënaqësisë së zbulimeve të reja dhe ndryshimit të botës. Prej tyre kërkon një besim absolut, por nga ana tjetër i pëlqen shumë kur e kundërshtojnë përmes argumenteve, sepse nuk i duron dot "yes-man"-ët. Është i aftë që të të kritikojë vazhdimisht, por edhe të vjelë idetë e ndryshme për t'i shndërruar në projekte reale. Mbi të gjitha është një komunikues i jashtëzakonshëm. Historia e Jobs është ajo e një serie të gjatë shpikjesh, ose më mirë rishpikjes të prodhimeve që kanë ekzistuar më parë, por të cilëve ai u ka dhënë një formë e përmasë të re dhe një sukses të jashtëzakonshëm. Kompjuteri personal ekzistonte edhe para Imac. Muzika dixhitale dëgjohej edhe para iPod. Celularët "inteligjentë" kanë ekzistuar gjithashtu para iPhone. Ndërkohë që për sa i përket produktit të ri, sot në treg ekzistojnë shumë blloqe shënimesh elektronike, apo lexues elektronikë. Por në secilin prej këtyre rasteve, produktet e rishpikura të "Apple" kanë paraqitur një metamorfozë të dukshme në cilësi dhe në përmbajtje. Këto produkte kanë shënuar një evolucion të vërtetë teknologjik dhe në kulturë e zakone. Sigurisht që e gjithë kjo nuk mund të jetë kurrsesi vepra e një njeriu të vetëm. Idetë e Steve në fakt, nuk janë kurrë të tijat në zanafillën e tyre, por aftësia e Steve është tek arritja e të kuptuarit të një ideje të re dhe mbi të gjitha te shndërrimi i kësaj ideje në një realitet shumë të prekshëm dhe të suksesshëm. Për të arritur te përfundimi i suksesshëm nuk ka një recetë të qartë dhe të parafabrikuar apo një sistem pune që mund të konsiderohet si i duhuri për arritjen e suksesit. E vetmja metodë e sigurtë e suksesit të Steve është që rrethohet nga njerëz shumë të talentuar dhe me mendje të hapur. Ai vetë ndërhyn vetëm kur sheh diçka që nuk e pasionon më. Për të kuptuar fabrikën e mrekullive të "Apple" duhet ditur që mund të jenë me mijëra idetë që hidhen poshtë, që nuk funksionojnë, të cilat nuk e kanë parë kurrë dritën e diellit. Steve në njëfarë mënyre është "xhelat" i të talentuarve, pasi u kërkon më të mirën e mundshme, duke i mbajtur në një tension e presion maksimal derisa ta kuptojë që ata kanë dhënë vërtet maksimumin. Fraza e tij e preferuar kur i vjen në tryezë një ide e re është: "Vetëm kaq?" Dhe pas kësaj njeriu që ka përcjellë idenë duhet që të rishohë gjithçka nga e para dhe të përpiqet që ta shumëfishojë arsenalin bindës të saj për ta bërë idenë të pranueshme dhe më pas të realizueshme. Dhe kjo nuk vlen vetëm për inxhinierët. Që prej shumë vitesh fenomeni "Apple" është edhe një rishpikje e shërbimeve. Duke filluar nga dyqani virtual i Tunes e deri te dyqanet APP Store. Deri më tani magjia e Steve ka funksionuar edhe për iPad të paktën që në fazën paraprake të krijimit të objektit të ri. Të gjithë pa përjashtim prisnin me padurim shfaqjen e një objekti teknologjik të jashtëzakonshëm që si gjithmonë në rastin e Jobs do të përbëjë një revolucion. Sipas disa specialistëve të fushës, iPad do të ketë një ndikim të ngjashëm me atë që pati në vitet '30 shpikja e librave me format xhepi për kulturën popullore. Për sa u përket investitorëve publicitarë, ata janë të bindur që ky objekt i ri do të jetë edhe një nxitje e madhe për industrinë mediatike, leximin e gazetave. Shumë kompani të fuqishme amerikane kanë prenotuar faqe të tëra me reklama në organet e shtypit, të cilat do të jenë të lidhura edhe me iPad si "New York Times", "Wall Street Journal", e të tjera e të tjera, përfshi edhe revistat. Ndërsa në bursë, që kur Jobs bëri njoftimin e parë për paraqitjen e produktit të ri në janar aksionet e "Apple" janë shtuar me të paktën 10%. Analistët parashikuan se "Apple" do të kishte shitur brenda tri muajve të parë 1 milion iPad dhe brenda vitit kjo shifër do të ketë kapur 5 milionëshin. Tregu i saj është shumë i madh. Ai fillon me 75 milionë klientët që kanë blerë ndërkohë iPhone dhe iPod. Këta konsumatorë janë tashmë fanatikë të kësaj firme dhe do të kenë lehtësira dhe ulje edhe në çmimin e produktit të ri. Ata tashmë janë edhe familjarizuar me tipin e ekranit ndërfaqosës dhe për ta produkti i ri do të jetë një shtesë më shumë në familjen e objekteve "Apple" që ata tashmë kanë. Mënyra e fshehtë e të punuarit të Jobs në mënyrë paradoksale është një nga përbërësit thelbësorë të suksesit publicitar dhe promocional. Pati një entuziasëm dhe padurim të jashtëzakonshëm për pritjen e daljes së objektit të ri. Konsumatorët donin që të lexonin gazetat dhe revistat për ndonjë informacion shtesë në lidhje me iPad. Një tjetër mjet i mirë është interneti dhe një blog i posaçëm që prej vitesh merret vetëm me Jobs me emra të tillë si AppleInsider. Për sa i përket rregullave të rrepta të kompanisë, ata janë vërtet të çuditshëm. Kështu nëse kërkon një intervistë me Jobs, zyra e tij e shtypit pretendon se ndërkohë e di se me kë po flet. Në njëfarë mënyre është më e lehtë që të kesh të bësh me CIA-n. Nëse merrje në pyetje ndonjë nga punonjësit e kompanisë para daljen së objektit revolucionar ata kishin të gjithë një përgjigje që e kishin mësuar përmendësh: "Jo, ne nuk e kemi parë ende vetë me sytë tanë iPad". Në fakt, edhe vetë ata për t'u punësuar dhe më pas për të hyrë në ambientet e kompanisë kalojnë nëpër shumë kontrolle dhe mbi të gjitha punojnë në reparte të izoluara që nuk kanë lidhje me njëri-tjetrin. Janë vazhdimisht të vëzhguar nga telekamera që i mbikëqyrin 24 orë dhe në çdo cep të mundshëm të ndërtesës. Madje, nuk bëhet fjalë vetëm për punonjësit, por dhe drejtues të lartë dhe aksionerë të fuqishëm të kompanisë ballafaqohen me produktin vetëm ditën e daljes së tij zyrtare në treg. Edhe ata më 3 prill mbajtën radhën si të gjithë konsumatorët e tjerë para dyqaneve për të blerë iPad. Sipas disave, ky zakon i Jobs është një paranojë e vërtetë që në fakt ua ndërlikon jetën shumë punonjësve të kompanisë, megjithatë është një paranojë shumë efikase. Të shumtë janë ndërkohë, ata që shfaqin admirimin e tyre për këtë lloj mënyre të sjelluri të Jobs me produktet e reja që hedh në treg. Sipas tyre, "Apple" është ndërmarrja e vetme në botë që arrin të krijojë maksimumin e ankthit në pritshmërinë e prezantimit të një produkti të ri. Këtë pjesë e bën në mënyrë perfekte dhe gjithmonë me sukses të madh. E tillë është situata edhe në fabrikat kineze të "Apple", sepse "Apple" vërtet që krijohet në Kaliforni, por prodhohet në seri në Shenzhen. Për të krijuar një barrierë të tillë të papenetrueshme, Jobs ka shpikur një fe më vete dhe madje përballë tij ata që kanë krijuar fenë e shkencologjisë do të dukeshin fare diletantë. Madje, për këtë mënyrë të punuari të Jobs ka dalë edhe një libër me titull: "Jeta sekrete e Jobs". Sipas librit, sekreti është kimia që krijohet mes Jobs dhe gjithë të punësuarve të tij që krijojnë një lidhje të jashtëzakonshme dhe të padepërtueshme për të tjerët. Ai brenda kompanisë nuk i duron dot personat e serisë B. Ka respekt dhe mbledh vetëm njëshat absolutë. Për sa i përket botës së jashtme, ai ka një intuitë të jashtëzakonshme. Arrin që të perceptojë se çfarë kërkojnë njerëzit në çdo moment. Përgatiti KLARITA BAJRAKTARI
Home »
» Steve Jobs dhe feja e tij e shkencologjisë





