Paragjykimet tona dhe ato rreth nesh, më së shpeshti krijohen pa pjesëmarrjen tonë. Ato janë produkt i rrethanave: historike e politike, por edhe të tjerave. Fatkeqësisht, paragjykime të tilla në ne dhe rreth nesh, kemi krijuar edhe për shqiptarët dhe popullin shqiptar, ndaj fqinjëve tanë, me të cilët gjatë historisë nuk kemi pasur as lufta të vogla, as konflikte më të mëdha luftarake.
Paragjykime fatkeqësish kam pasur edhe unë. Pas qëndrimit në Tiranë, në festivalin e gjashtë të literaturës, Poeteka, që u mbajt prej 4-8 tetor 2010, arrita t’i davarisja ato. Përjetova një lloj vetëpastrimi, prandaj në një moment i thash vetes: Ky qëndrim në Tiranë për mua personalisht kishte rëndësi qenësore ngase e kam hequr nga vetja një paragjykim. E, paragjykimet dinë të jenë të rënda, sa një gur mulliri. Në qafë, po edhe në shpirt.
Drejt Tiranës u nisa të dielën më 3 tetor së bashku me zotëri Zhelko Peroviqin, ambasador i Malit të Zi në Shqipëri, kurse në Ulqin na u bashkua edhe Gjon Meti, njeriu i dytë i ambasadës malazeze. Kufirin e kaluam në Muriçan, kaluam nëpër Shkodër, pastaj nëpër Lezhë dhe pak para se të binte terri, arritëm në Tiranë. Arritja ime në atë qytet në mua zgjoi një lloj emocionesh.
U vendosëm në hotelin “Miniri”, në qendër të qytetit, pranë hotelit madhështor “Tirana”, në sheshin “Skënderbej”. Në restorantin e atij hoteli të nesërmen u ulëm dhe po pinim kafe me të afërmen time, Millka Jojiqin, vajzën e Dimitrije Jojiqit, bashkëvendës imi dhe emigrant nga koha e Informbyrosë, i cili nga Mali i Zi kishte ikur në vitin 1948. Atë po e shihja për herë të parë. Kishte lindur në Kinë, ku babai i saj punonte si gazetar plot njëmbëdhjetë vjet. Millka është e përzemërt, moderne, e emancipuar. Bisedojmë për gjithçka, për ardhjet te Vasojeviqët, të afërmit e saj, me babanë apo ehe më tërë familjen; flasim për dëshirën e tij që trupi i tij të prehet në vendlindje. Ai, disa minuta para se të shkonte nga kjo botë, me zë të ulët kishte thënë: “Më dërgoni te shtëpia!”, me mendje te vendlindja Kralje dhe viset pranë malit Komo.
Ditën që arrita në Tiranë, të dielën, te hoteli ku ishim vendosur, erdhi Nikalloa Sudar, malazez i cili ka shtatëdhjetë vjet që jeton në Shqipëri dhe atje ka lindur, kurse prej tyre tash e dymbëdhjetë vjet në Tiranë. Branka Bogavac, ishte ajo që na e mundësoi atë takim, si edhe shëtitjet dhe shoqërimin mbresëlënës në Tiranë. Branka është një grua me zemër të madhe, e cila dëshiron të njohë njerëz dhe të lidhë ura midis tyre. Publiciste dhe shkrimtare, të cilët ia kemi një borxh të madh. Koha e ardhshme do t’i dëshmojë edhe më mirë rëndësinë e meritave dhe të vlerave të tyre. Ndjenim se e kishim pranë, si edhe qëllimet e mira të saj. E, së bashku prisnim që Ismail Kadare të bëhej laureat i çmimit “Nobel” për letërsi për vitin 2010.
E tërë jeta e tij, të shtatë deceniet, janë të pleksura me mallin për Malin e Zi.
Gjithë kohën sa isha në Tiranë, më ndihmoi shumë, thjeshtë ishte dora ime e djathtë, gjatë komunikimit, por edhe kur shëtisja nëpër qytet dhe kur i vizitoja raritet e tij. Mundohej që sa më shumë sish të mund ‘i vizitoja e shihja. Babai i tij ishte këpucëtar në Mbretërinë Jugosllave, kurse në Tiranë si i tillë punoi tridhjetë vjet.
Ndër thesaret që i vizitova, më impresionoi veçmas vizita në Muzeun Shtetëror i cili gjendet në qendër të Tiranës. Pjesët tematike të kompletuara me eksponate të studiuara në nivel të lakmueshëm shkencor dhe të radhitura sipas lashtësisë, që nga parahistoria dhe antika, mesjeta dhe shekujt vijues në atë vend, sipas ndeshjeve dhe ndërthurjes së shekujve e civilizimeve, flisnin për gjurmët interesante materiale deri në ditët e sotme, të Shqipërisë gjatë periudhës së socializmit dhe pas saj, që kishte lënë gjurmë të thella dhe tragjike. Nga ajo që dëgjova e pashë, ajo ishte një kohë e represionit të tmerrshëm, i cili pas vetës la vuajtje e mynxyra.
Ajo që i bashkon popujt e Ballkanit
E, pastaj festivali Poeteka, i cili për të gjashtën herë në Tiranë i kishte tubuar shkrimtarët nga njëzet e pesë vende të Ballkanit dhe Evropës, me synim që të ngrejë ura letrare dhe kulturore midis popujve që jetojnë në Ballkan, midis letërsive dhe kulturave të tyre. Dhe organizatorët e tij, njerëz të mrekullueshëm, drejtori Arian Leka dhe zëvendësi i tij Julian Qineti. Ajo Poetekë është një poetekë e re, e cila i bashkon njerëzit dhe ndërton ura të ngritura nga fjalët, nga dëshirat e mira dhe synimet fisnike. Panelet e përditshme, debatet për temat e ndryshme; për problemet me të cilat ballafaqohen vendet ballkanike, si edhe vizionet e pjesëmarrësve për atë se si të përballohen ato probleme, se si është mundshme që të krijohen hapësira për afrime, ndërthurje dhe rinjohje të vlerave, të bëhen marrëveshje dhe të harrohen e neutralizohen mosmarrëveshjet, të cilat gjatë historisë në hapësirat ballkanike kanë shkaktuar konflikte, luftëra, rrënime, vuajtje e vështirësi. Për shkak të tyre Ballkani ishte si tokë e mallkuar, apo - siç thuhet në një legjendë - vend i korbave grabitqarë, të cilët përherë janë shoqërues luftërash në këto hapësira.
Gjatë një paneli fola për legjendën e cila pati jehonë impresive te publiku i pranishëm. Ajo legjendë është boshti, skeleti i romanit tim “Njëmijë vjet të dashurisë së Vladimirit dhe Kosarës”. Sipas asaj legjende, midis popujve të Ballkanit dikur kishte mbretëruar dashuri, të cilën poeti i moçëm e kishte përfshirë në Epos dhe e kishte thurë i frymëzuar me atë dashuri. Dhe, derisa ai Ep, ai libër i përbashkët qarkullonte midis popujve, ata bashkonte dashuria. I bashkonte Libri. Mirëpo, në një kohë të kobshme, ai libër ishte zhdukur. Ishte groposura diku në malet e Ballkanit, kurse vendin e tij e zuri sëpata, si shenjë e simbol lufte, simbol i së keqes dhe i gjakderdhjes. Dhe ajo kohë zgjati me shekuj. Në atë kaptinë flas edhe për porosinë qenësore - duke thënë se kur të rigjendet Libri dhe të futet në dhe Sëpata, do të mbisundojë dashuria dhe mirëkuptimi në Ballkan.
Rrëfim për Ali Binakun
Të mërkurën, më 26 tetor 2010, pak para se të fillonte promovimi i libri tim “Teuta”, i posabotuar në gjuhën shqipe në Prishtinë, një gazetar i radio “Tiranës” mori prej meje një intervistë, gjatë së cilës, midis të tjerash, i rrëfeva për dëshminë autentike të shkrimtarit malazez, Radovan Zogoviq, të cilin kam pasur rast ta dëgjoj prej tij në vitet tetëdhjetë në Beograd, në të cilën bëhet fjalë për atë se si i lindi ideja dhe si shkroi përmbledhjen e tij të njohur me poezi, me titull “Ardhacakët”, që njihet ndryshe edhe si Poema për Ali Binakun. Në vitet tridhjetë të shek. XX, poeti i ri Radovan Zogoviq e kishte vizituar në Zagreb August Cesarecin, poet i njohur kroat i literaturës sociale. Ishte dimër.
Shkrimtari Cesarec, në banesën e tij, i mbështjellë me një batanije të trashë, pasi ishte shumë ftohtë dhe nuk kishte në të ngrohje, një kohë të gjatë dëgjoi rrëfimet e Zogoviqit për vuajtjet e shqiptarëve të Kosovës dhe Metohisë, aso kohë në kuadër të Mbretërisë Serbo-Kroato-Sllovene (SKS), duke i treguar me radhë shembujt e atyre vuajtjeve, për të cilat ishte vetë dëshmitar. August Cesarec, të gjitha ato i dëgjoi me vëmendje, dhe mjaft i emocionuar, në një moment i kishte thënë: “Zogoviq, nëse letër nuk keni, të gjitha këto duhet t’i shkruani (gdhendni) në një shkëmb!” Pas atij takimi Zogoviq e shkroi poemën e mirënjohur, e cila i kushtohej një populli dhe vuajtjeve të tij. Shqiptarët duhet ta dinë, thashë gjatë intervistës, se në kohën kur thuajse askush nuk ishte në anën e tyre, nuk e çante kush kokën për ta, në anën e tyre ishte malaziasi Zogoviq, poeti i madh, strofat e poemës së të cilit kumbonin më fuqishëm se armatat e fuqishme. Pas asaj kohe ishin dhe shkuan tre mbretër, që shkuan për të mos u kthyer, të cilët i përmend Zogoviq... Dhe i katërti, etj. Por, më gjatë se ata, jetuan e jetojnë vargjet me fuqi të madhe poetike dhe etike, me fuqinë e humanitetit të rrallë, e me këtë edhe ata për të cilët janë shkruar ato.
Dëshira e fundit e poetit ishte që urna me hirin e tij të dërgohet në varrezat vendore, në Deçan (Kosovë), ku ishin varrosur edhe prindërit e tij.
Jevrem Bërkoviqi, poet dhe intelektual i guximshëm malazias, disa herë iu ka bërë apel shqiptarëve që ta ruajnë hirin e poetit Zogoviq, si amanet dhe përkujtim i një njeriu të madh, malazias, poet, që ishte në anën e tyre, kur ata ishin të vetmuar, dhe përjetonin zezona të mëdha. Përsërita, po ashtu, se shqiptarët duhet të mësojnë e dinë për këtë, por edhe për poezinë, e cila ishte formë e mbrojtje së tyre.
Takim me Podrimen, pas shumë vitesh
Pas shumë vjetësh në Tiranë e takova poetin e madh shqiptar, Ali Podrimen, mikun tim nga ditët studentore në Kosovë, në të shtatëdhjetat... Asokohe, ai ishte i ri dhe voziste një veturë Volkswagen, i njohur e i popullarizuar si “Buba”, për shkak të pamjes. Ishte rast për t’i kujtuar ditët e asaj kohe dhe veturën e tij. Atëherë, ndoshta ishte ndër poetët e rrallë në ish-Jugosllavi asokohe, që kishte veturë e aq më tepër, aq të mirë.
Dhe, kisha përshtypjen se takimi po ndodhte sikur mos të kishim pas në mes asnjë ditë, asnjë decenie. Koha e asaj miqësie kishte mbetur kishte mbetur ashtu si dikur. Dita kur u takuam në Tiranë, sikur po mbështetej, po lidhej me atë kur jemi ndarë në Kosovë, diku në vitin e tetëdhjetë. Ditën e tretë të Festivalin, më 6 tetor 2010, në sesionin e mbrëmjes, e promovuam romanin “Teuta”, ndërsa pas promovimit të pranishmëve ua dhashë nga një kopje të romanit tim, gjë që u pranua dhe përshëndet si gjest i bukur e i rrallë. Njerëzit prisnin në rresht për t’ua dhënë një nënshkrim në kopjen e romanit, e kjo mua si autor po më gëzonte shumë, por edhe fakti se libri im tanimë po frymonte edhe në gjuhën e një populli tjetër. Në Tiranë e takova edhe shkrimtarin e njohur shqiptar z. Mehmet Krajën, të cilin gjithashtu e njihja nga vitet e kaluara në Prishtinë. Edhe pse kishin kaluar bukur shumë vite nga ajo kohë, ai njeri edhe tani rrezatonte si figurë markante edhe për kah mendjemprehtësia.
Qëndrimi në “Ferrin” e Visar Zhitit
Në Tiranë, z. Ali Podrimja ma prezantoi z. Visar Zhiti, shkrimtar i afirmuar shqiptar, i cili tetë vjet i kishte kaluar në burg në periudhën e viteve 1979-1987. Ishin shumë shokë që po bisedonim. Derisa po diskutonim për botimin në Malin e Zi të përmbledhjes së poezive të zgjedhura të Ali Podrimes, me titull “Harta e grisur”, të cilën kishte nisur ta përkthente Qazim Muja, i thashë Podrimes: “Librin tënd me siguri do ta botojmë në Mal të Zi, ngase një natë më parë përmes SMS këtë ma kishte bërë me dije Mladen Llompar, sepse je poeti më i madh shqiptar!” Aliu ma ktheu: “Ky është më i madh se unë!” - duke bërë më dorë kah Visar Zhiti, me të cilin u njoftova në atë çast.
Atëherë, Visari më tregoi se në burg ishte me dy malazez nga Podgorica, me mjekun baba dhe të birin e tij. Ma tha edhe mbiemrin e tyre, por atë moment nuk e mbajta mend. Por, ngase rrëfimi më kishte emocionuar shumë, pas kthimit në Mal të Zi përmes internetit kontaktova me Qazim Mujën e pastaj edhe me Visar Zhitin. Prej tij kërkova të më njoftonte për mbiemrin e protagonistëve të rrëfimit tronditës, për të cilin më kishte folur atë ditë, kur librin e poezive të zgjedhura të Visarit, të cilat në gjuhën kroate i kishte përkthyer z. Smajl Smaka.Letrën të cilën Vizar Zhiti ia kishte shkruar Qazim Mujës, e sigurova kur u ktheva në Herceg Novi.
“Zotëri i nderuar Qazim Muja,
Ju uroj gjithë të mirat dhe ju falënderohem që më shkruat. Sapo isha kthyer nga Italia, ku kam punuar në ambasadën tonë në Romë. Atje e kam njohur ambasadorin e Malit të Zi në Vatikan, zotëri Antun Shutegun. Ndërkaq në Tiranë u njoftova me shkrimtarin e respektuar malazias Mirash Martinoviqin, sjellja e natyrshme dhe e përzemërt, si edhe kureshtja e të cilit, ashtu si edhe romani i tij për mbretëreshën ilire, Teuta, më bënë përshtypje të jashtëzakonshme. Isha fort i kënaqur, kur përkthyesi i poezive të mia në kroatishte, Smajl Smaka, ma dhuroi librin.
Atëherë i rrëfeva se në burg i kisha dy miq malazez, baba e bir Drago dhe Vlado Vujosheviq, për të cilët me dashuri kam shkruar në romanet e mi, dy burgologji, “Rrugët e ferrit” dhe “Ferri i çarë”. Drago ishte mjek dhe i burgosur i dashur dhe i njerëzishëm. Kishte ikur në Shqipëri dhe kishte banuar në Gjirokastër, ku e kishin gjykuar dhe dënuar si kundërshtar politik. Njëri tjetrin e kemi njohur në burgun e Qafë-Barit. Pas një rebelimi të burgosurve, atë policia e keqtrajtoi. Një të burgosur nga Tropoja dhe një nga Shkodra i pushkatuan. Ndërsa Vladon, djalin e Draganit, serioz dhe i pathyeshëm, e kam takuar dhe njohur në burgun e Spaçit. Punonte si rob i vërtetë në minierë, së bashku me ne. Ishte trim dhe këndonte këngë malazeze. Kur policia e kërcënoi me pretekstin se këngët në gjuhë të huaj janë të ndaluara, dhe nuk bën të këndohet në gjuhë të huaj, ai ishte përgjigjur me guxim: “Unë nuk po këndoj në gjuhë të huaj, po këndoj në gjuhën malazeze, e cila është gjuhë e imja!...”
Unë nuk i kam adresat e dy miqve të mi, por pas rënies së diktaturës dhe perandorisë komuniste, kam pasur fatin ta vizitoj Malin e Zi dhe në Ulqin e kam marrë një çmim për poezi. Isha edhe në Budvë dhe u interesova e pyeta për ta, për miqtë e mi nga ferri, por nuk arrita t’i gjeja. Më thanë se ishin në Podgoricë. Do të isha i lumtur, nëse do të mësonit diçka për ta. Gjithashtu, i tregova zotëri Mirashit se në romanin tim të fundit “Në kohën e britmës”, njëri nga personazhet është poeti i mirënjohur Jevrem Bërkoviq, në një episod kur ai vjen në Shqipëri, para se të rrënohej diktatura. Ai, atëherë ia kishte dhuruar dy libra të tij një artisteje shqiptare, e cila ishte shoqe imja, sepse me djalin me të cilin ajo kishte lidhje, ishim së bashku në burg, prej nga ai pat ikur në Itali. Me atë vajzë, duke u fshehur shkuam në një fshat internimi dhe librat ia dorëzuam një shkrimtari nga Prizreni, që e quanin Lazër Radi, i cili tërë jetën e kishte kaluar nëpër burgje dhe kazamante dhe ai i përktheu. Kur ra diktatura, ne i botuam dhe e publikuam Poemën e Bërkoviqit, e cila bën fjalë për Maria Judinin, Moxartin dhe Stalinin. Në parathënien e librit kam shkruar për atë aventurë. Pastaj, në roman e kam përfshirë si episod. Më erdhi keq që përsëri nuk e takova Mirash Martinoviqin, edhe pse e kërkova në hotel...
Për datën 18 tetor kam ftesë të qëndroj në Zagreb për të promovuar përmbledhjen e poezive të mia dhe nuk e di a do të shkoj atje me veturë nëpër Mal të Zi, vend ky i cili shumë më pëlqen, apo do të udhëtoj më aeroplan. Sido që të jetë i bën shumë të fala Mirash Martinoviqit, e nëse mundesh edhe Jevrem Bërkoviqit, ndërsa nëse iu shkon për dore t’i gjeni edhe dy miqtë e mi nga ferri, Drago dhe Vlado Vujosheviqit.
Edhe një herë Ju dëshiroj gjithë të mirat dhe lumturi e begati në çdo pikëpamje. Me respekt - Visar Zhiti”.
Pas saj më erdhi letra e Qazim Mujës, e cila flet për urat e miqësisë, të cilat janë më të forta se ato prej betonarmesë, me këtë përmbajtje:
“I dashur Mirash,
Me siguri do të gëzoj duke të njoftuar se letrën tënde e kam përkthyer dhe ia kam dërguar zotëri Visarit. Do të jem në dispozicionin tuaj për komunikim eventual, madje jo vetëm me atë, po edhe me cilido shkrimtar, miq tuaj dhe të mitë. Po, urat e miqësisë janë më të forta se ato prej beton-armesë dhe falë Zotit, përherë kanë ekzistuar (edhe në kohët më të vështira) dhe do të ekzistojnë derisa të ketë njerëz si Mirashi e Visari, si Jevremi (Bërkoviqi) dhe Aliu (Podrimja), por edhe Mladeni dhe Zija Çelaj, si Radovani (Zogoviqi) dhe Esadi (Mekuli), si edhe Sreteni dhe Zuvdija (Hoxhiqi) dhe...
Gjithashtu mund të jap kontributin tim edhe duke përkthyer librat e Visarit. Tash, siç e di, jam duke përkthyer librin e Ali Podrimes, por edhe përmbledhjen e poezive të Mladenit.
Pasi kishe vendosur të ma dërgosh pa ta paguar librin tënd, për çka të faleminderit sinqerisht, po të dërgoj adresën time…”
Lotët e Nikollë Sudarit
Gjithë kohën sa qëndruam në hotelin “Miniri”, mikpritësi i sjellshëm Naser Idrizi, përgjegjës i hotelit gjithë kohën kujdesej që qëndrimin të na e bënte më të këndshëm e më domethënës. Të premten u zgjova herët, sepse më duhej të përgatitesha për të udhëtuar, sado që disa përgatitje i kisha bërë një natë më parë sa i përket dhuratave që i mora nga të afërmit Jojic dhe nga miku im Nikollë Sudari. Ishim marrë vesh që në orën dhjetë para hotelit të vinte vetura e Ambasadës sonë, e cila do të më kthente në Mal të Zi. Nga kontaktet me diplomatin e shkathtë Peroviq, ambasador, Gjon Metën dhe personelin tjetër, kuptova se përfaqësia jonë diplomatike gëzon autoritet në Tiranë dhe se me sukses dhe në nivel të lartë e kryen misionin që i është besuar. Shoferi i Ambasadës Zhivko Vujosheviq pikërisht në kohën e caktuar erdhi para hotelit. Me mua ishte Nikollë Sudari, njeri modest i buzëqeshur dhe me një shikim të dashamirës. Erdhi çasti i ndarjes. Njëri tjetrit ia zgjatëm duart. U përqafuam. U nisa kah vetura. Para se të hyja në të e ktheva kokën. Nikolla po qante. I ngurtësuar, si statujë, po qëndronte i palëvizshëm. Hyra në veturë, e cila pas pak u bë pjesë e lumit të automjeteve. Me dorë e përshëndeta Nikollën, madje edhe kur më nuk po e shihja. I mora me vete lotët e tij, për t’ia treguar Malit të Zi. Ishin lot, që asaj i ishin dedikuar. Nikolla po qante për vendin e vet. Duke u larguar nga Tirana gjëja e vetme që e kisha në kokë ishin lotët e Nikollë Sudarit. Ky është titulli i tregimit që do ta shkruaj për të. Për ata lot, menjëherë pasi u ktheva nga Tirana, i tregova mikut tim Millovan Lutovac. Duke më dëgjuar, Lutovac, i cili nuk përlotet lehtë, shpërtheu në vaj. Për ata lot i shkrova edhe Mirko Kovaçit, kurse ai m’u përgjigj me këto fjalë: Mirash i Dashur, Fati i atij bashkëvendësi tonë është i prekshëm dhe si i dhuruar për letërsi. Ju do të dini ta trajtoni si duhet. Dhe shkruajeni tregimin, ose si kaptinë të romanit, pikërisht me atë titull “Lotët e Nikollë Sudarit”. Nesër udhëtoj për Zagreb, për të promovuar librin “Lulëzimi i masës”.
Përshëndetje të përzemërta, M. Kovaç.
Dhe, kur arrita në Mal të Zi, po atë ditë, të premten në mbrëmje, i shkrova letër Nikollës dhe në të i shkrova për lotët e tij që më emocionuan shumë. Ma ktheu përgjigjen, e cila e meriton një vend në këtë tekst. Ja edhe përgjigja e tij: Të falem nderit, miku im tepër i dashur,
Nuk mendoja se i keni vërejtur lotët e mi; thonë se qajnë të dobëtit, aq më parë burrat; por unë nuk turpërohem: ata janë shenjë e mallit, të asaj dashurie për atdheun tonë të shenjtë, ndaj njerëzve tanë të mirë, siç jeni Ju, i dashur Mirash. Pas largimit tënd, nuk e di se si, por përnjëherë e ndjeva një zbrastësirë rreth meje. Disa minuta nuk munda të vija në vete. Diçka e tillë më ndodhë rrallë. Por, në atë çast, të ta them të drejtën u shfaq ajo vetmia, e cila, për fat të keq më ka përcjellë dhe do të më përcjell derisa të jem gjallë. Atë mund ta kuptojë vetëm ai që e ka kaluar jetën në një mërgim të tillë të rëndë, çfarë fati im ma destinoi. Pajtohem me Ju, Dashtë Zoti, ndoshta të takohemi në qytetin e bukur, tuajin dhe timin - në Herceg Novi. Zoti Ju bekoftë - Juve dhe të gjithë të afërmit e tu.
Sinqerisht, Malaziasi i Vogël dhe patrioti modest i vendit të vet. Nikolla Sudari.”
“Miqtë nga Ferri” jetojnë në Podgoricë
Dëshirën e z. Visar Zhitit që diçka të mësonte për “miqtë e tij nga ferri”, si i quajti dy malazezët, Dragon dhe Vladon, e ndieja si borxh ndaj Visarit. U përpoqa në shumë mënyra, që të mësoja diçka për ta. Dhe, pas një kohe kjo më shkoi për dore. Ilija Joviçeviq, të cilit i rrëfeva për atë rast në Herceg Novi, më premtoi se përmes të birit të vet, Jasha Joviçeviqit, drejtor i agjencionit informativ MINA, do të përpiqej të mësonte diçka për ta. Dhe, ditën tjetër, më mori me telefon Ilija (isha në Meline). Dhe më njoftoi se e kishte gjetur edhe numrin e telefonit të Mirko Vujosheviqit, duke më njoftuar se ishte nip i Dragos, e në realitet ishte djali i tij. Pas një dite e mora në telefon dr. Mirkon, i cili kishte rastisur në banesën e tij. I fola shkurtimisht për rrëfimin dhe dëshirën e Visar Zhitit. Për fat, atë lajm ia përcolla menjëherë edhe Visarit. Dr. Drago Vujosheviq dhe djali i tij Vlado, janë të gjallë. Doktori, siç më tha Mirko, e ka shëndetit mjaft të rrënuar. Ferri i komunizmit e kishte bërë të veten! Kishte lënë gjurmë dhe në këta dy malazez, shembulli dhe poezia për ta duhet të përfshihet në libra të leximit. Më 15 tetor, në orët e fundit të ditës, më arritën dy letra, nga Qazim Muja dhe Visar Zhiti. Dhe, këto dy letra, si të porositura, në mënyrë të natyrshme e rrumbullakonin këtë tekst për ditët që i kalova në Tiranë, prandaj po i jap në vazhdim:
“I dashur Mirash,
Të faleminderit për librin me poezi “Historia e padukshme”. Fort më gëzove, sidomos për faktin se ma bëre të mundshme që të njoh edhe si poet. Të uroj shëndet të mirë dhe suksese të reja. Dhe, po të përcjell letrën e mikut tim Visar Zhitit:
“I nderuari zotëri Qazim,
Ju falem nderit shumë për porositë. Fortë më gëzuan dhe më shkaktuan shumë emocione letrat e shkrimtarit Mirash Martinoviq. Ju lutem t’ia përcillni falënderimet e mia. Shkrimtarët e mirë janë edhe njerëz të mirë. Unë nuk i besoj letërsisë që e shkruajnë ata që nuk janë njerëz të mirë. Shumë më gëzuan lajmet se dy bashkëvuajtësit e mi, Drago dhe Vlado Vujosheviq qenkan në Podgoricë dhe iu dëshiroj shëndet, lumturi dhe fat dhe dëshiroj t’i takoj. Në Kroaci, siç më informoi ambasadori ynë, do të shkoj me aeroplan të shtunën deri në Ljubjanë, e pastaj me veturë do të më marrin dhe të shkojmë në Zagreb. Pra, nuk do të kaloj nëpër Mal të Zi, sepse përkthyesi i poezive të mia, Smajl Smaka, më njoftoi se nuk do të shkojë në Zagreb, sepse ka probleme shëndetësore... Sidoqoftë, shumë të fala prej meje familjes Vujosheviq, Vlados dhe Dragos, të cilët i kam përjetësuar në romanin tim “Ferri i çarë”, e po ashtu edhe dr. Mirkos.
Përqafime vëllazërore i dërgoj shkrimtarit Mirash Martinoviq dhe përmes tij edhe tërë Malit të Zi. Edhe juve, shumë përshëndetje miqësore, Visar Zhiti.”
Tiranë - Herceg Novi
15 tetor 2010