Fqinjësia e re pa gardhe Marrëdhëniet me Europën Lindore nuk mund të jenë një lojë gjeostrategjike e trishtuar me shumatore zero në të cilën Rusia humbet atë çka Brukseli fiton dhe anasjelltas. Kjo dëmton askënd më shumë sesa vetë vendet e vogla lindore. Objektivi nuk është që të shtyhet Rusia jashtë Europës Lindore, por të përfshihet në të një bashkëpunim ekonomik e politik gjithnjë e më të ngushtë. Koncepti i një "Ostpolitike të re" ka qenë një traditë e gjatë në Gjermani. Deri në ditët e sotme, ajo është e lidhur me politikën e detantës të zhvilluar nga Willy Brandt drejt Bashkimit Sovjetik dhe Traktatit të Varshavës, që moderoi konfrontimin midis blloqeve dhe inicioi një "ndryshim nëpërmjet bashkëpunimit" gradual. Kjo politikë meriton lavdërim të madh për promovimin e pajtimit midis Republikës Federale dhe fqinjëve lindorë të saj. Edhe nënshkrimi i Aktit Final të Helsinkit në vitin 1975 qe i mundshëm vetëm për shkak të politikave të qeverisë "Brandt" ndaj bllokut sovjetik. Sot, koncepti i Ostpolitikës ka vetëm dobishmëri të kufizuar. Ai sugjeron një "Lindje" që nuk ekziston më si një entitet politik. Pas shpërbërjes së Bashkimit Sovjetik dhe Traktatit të Varshavës, në lindje të Bashkimit Europian, ne po merremi me shtetet e veçanta që po zhvillohen në mënyrë të ndryshme, pavarësisht problemeve të shumta të përbashkëta dhe ndjekjes së axhendave politike të tyre. Politika e Bashkimit Europian drejt këtyre shteteve mund të ndjekë objektiva dhe parime gjithëpërfshirës, por duhet që gjithashtu të jetë më specifikisht e konceptuar ndaj secilit vend. Të gjitha vendet në rajon përjetuan kriza serioze transformimi pas shpërbërjes së Bashkimit Sovjetik. Forma të reja sundimi autoritar u zhvilluan në shumicën e shteteve passovjetike dhe nuk është aspak e qartë nëse ato do të lëvizin në drejtim të shtetit ligjor dhe demokracisë në të ardhmen e afërt. Megjithatë, në perspektivë, marrëdhëniet autoritare të pushtetit, strukturat ekonomike monopoliste dhe korrupsioni masiv sjellin një rrezik të konsiderueshëm për paqëndrueshmërinë e kufijve të jashtëm të Bashkimit Europian. Kështu që është në intereset më bazike të tij që të mbështesë shoqëritë e Europës Lindore në zhvillimin e politikave demokratikisht të krijuara. Rusia dhe partneritetet lindore Politika kundrejt Rusisë dhe shteteve të tjera të Europës Lindore nuk mund të matet as me të njëjtin kriter, as politika ndaj fqinjëve lindorë të Bashkimit Europian nuk mund të përkufizohet si nëngrup i politikës ruse. Është e vërtetë që ekonomia dhe politika në ish-republikat sovjetike në shumë mënyra janë të përcaktuara nga marrëdhënia e tyre me Rusinë (dhe anasjelltas). Qoftë në Ukrainë apo në Kaukazin jugor, fqinji i madh rus mbetet një faktor. Për pasojë, si rregull, bashkëpunimi është zgjidhja më e mirë për të gjitha palët. Por as një rikthim në "sovranitetin e kufizuar" në pjesë të Europës, as ndarja e Europës në sfera të privilegjuara të influencës nuk është një opsion. Bashkimi Europian duhet të zhvillojë propozime bilaterale ose multilaterale për fqinjët e tij në lindje që mund, por nuk ka nevojë, të përfshijë Rusinë në çdo rast. Deri më tani, nuk ka pasur asnjë politikë koherente ndaj Rusisë dhe vendeve në Partneritetin Lindor (EaP); domethënë Bjellorusi, Armeni, Azerbajxhan, Gjeorgji, Moldavi dhe Ukrainë. Përsa i përket Rusisë, vendet shumë shpesh kanë vepruar sipas qejfit të tyre për të kultivuar marrëdhënie bilaterale speciale me Kremlinin. Qëndrime kontradiktore shfaqen shpesh midis vendeve anëtare të Bashkimit Europian që e kanë origjinën në historitë e ndryshme, interesat ekonomike dhe preferencat politike rajonale të tyre. Ndërsa Gjermania ka një reputacion midis fqinjëve lindorë të saj se e vendos "partneritetin strategjik" të dëshiruar të saj me Rusinë mbi çdo gjë tjetër, Polonia dhe shtetet balltike dyshohen se ushqejnë mërira antiruse. Qëndrimet e ndryshme midis anëtarëve të vjetër e të rinj të Bashkimit Europian fillimisht duhet të pranohen me qëllim që të transformohen - në një proces konsultimi të hapur - në një politikë të përbashkët. Gjermania dhe Polonia do të luajnë një rol kyç në këtë. Kështu, presidenca e Bashkimit Europian e Polonisë në gjysmën e dytë të vitit 2011 ofron një mundësi të mirë për të përparuar në rrugën drejt një strategjie europianolindore koherente. Edhe përtej politikës energjetike, Bashkimi Europian ka një interes jashtëzakonisht të madh në bashkëpunimin e ngushtë ekonomik dhe politik me shtetet europianolindore. Kjo përfshin si emigracion pune, ashtu dhe interesa sigurie, frenim të krimit të organizuar, preokupime mjedisore e klimatike dhe heqje të barrierave për tregtinë dhe investimet. Gjithashtu, Rusia sidomos nevojitet si një partner në kalimin e sfidave globale: ndryshim klimatik, kontroll çarmatimi e armatimi dhe bashkëpunim sigurie përsa i përket Iranit dhe Afganistanit. Anasjelltas, Rusia ka një interes të fuqishëm në një marrëdhënie bashkëpunuese me Bashkimin Europian: Komuniteti Europian është partneri tregtar më i rëndësishëm i saj, tregu më i rëndësishëm i lëndëve djegëse me bazë fosile i saj dhe partneri më i rëndësishëm në modernizimin ekonomik që ajo dëshiron. Megjithatë, ajo nuk e shikon Bashkimin Europian si një partner politik. Në vend të kësaj, ajo preferon që të promovojë "marrëdhënie bilaterale të privilegjuara" me qeveri të veçanta. Rusia do një marrëveshje ekonomike të ngushtë, por jo një rol politik aktiv të Bashkimit Europian në afërsinë e saj. Duke parandaluar një ndarje të re Megjithatë, Bashkimi Europian nuk duhet t'i promovojë interesat e tij në bashkëpunimin e mirë me Rusinë nëpërmjet lejimit kësaj të fundit të një pretendimi hegjemonist në "zonën e afërt" të saj. Sovraniteti i sapofituar i ish-republikave sovjetike nuk është për diskutim. Kudo që është e mundur, "zgjidhjet përfituese për të gjitha palët" ekonomike dhe të sigurisë duhet të kërkohen që t'u sjellin përfitime të gjithë pjesëmarrësve. Por Rusia mund të mos e ketë një veto ndaj integrimit të shteteve europianolindore në partneritetet europiane dhe transatlantike. Në vend të kësaj, ne duhet t'i japim vetë Rusisë perspektiva për bashkëpunim më të ngushtë me Bashkimin Europian dhe NATO-n. Ostpolitika e Bashkimit Europian duhet të punojë që të parandalojë një ndarje të rinovuar të Europës në një zonë ruse të karakterizuar nga autoritarizmi dhe një komunitet shtetesh demokratike. Kjo është arsyeja e vërtetë se pse një politikë koherente e Bashkimit Europian ndaj Rusisë është kaq e rëndësishme: është e domosdoshme që të përdorë marrëdhëniet e ndryshme ekonomike dhe politike me qëllim që të modernizojë dhe demokratizojë Rusinë. Ky duhet të jetë objektivi i çdo marrëdhënie partneriteti midis Bashkimit Europian dhe Rusisë. Nëqoftëse Rusia largohet nga Europa, ajo jo vetëm që do ta dëmtojë veten, por ka aq potencial shkatërrues sa për të bllokuar transformimin demokratik dhe integrimin europian në të gjithë rajonin. Bashkëpunimi me shtetet në zonën e ndërmjetme midis Rusisë dhe Bashkimit Europian nuk duhet konceptuar kështu si një lloj loje gjeopolitike me shumatore zero, në të cilën Rusia humbet dhe Bashkimi Europian fiton. Në analizë të fundit, kjo i dëmton shtetet më të vogla europianolindore më shumë sesa i ndihmon ato. Objektivi nuk është që të shtyhet Rusia jashtë Europës Lindore, por të përfshihet ajo në një bashkëpunim akoma më të ngushtë ekonomik dhe politik. Në të njëjtën kohë, Bashkimi Europian nuk mund ta largojë çdo dyshim se do t'i zhvillojë marrëdhëniet e tij me shtetet e tjera europianolindore pavarësisht objeksioneve ruse. Bashkimi Europian mund të arrijë vetëm koherencë midis politikës së tij ndaj Rusisë dhe politikave të Partneritetit Lindor të tij nëqoftëse nuk ndan në miq dhe armiq të Rusisë. Edhe pse anëtarësimi në Bashkimin Europian mbetet iluzion për Rusinë ndërsa mbetet i hapur për shtetet europianolindore, në periudhat afatshkurtra dhe afatmesme axhendat që kanë të bëjnë me të dyja janë njëlloj: bashkëpunim ndërkufitar, modernizim ekonomik, siguri europiane e përbashkët, shtet ligjor, të drejta të njeriut, liri lëvizjeje dhe udhëtimi. Katër prioritete për politikën e Bashkimit Europian: 1. Vazhdo integrimin europian Mbaje të Hapur Perspektivën e Aderimit në Bashkimin Europian: Edhe pse anëtarësimi në Bashkimin Europian duket shumë i largët për vendet fqinje në Lindje, ne duhet të vazhdojmë që t'i mbajmë të hapura dyert nëqoftëse ata plotësojnë kriteret e nevojshme ekonomike dhe politike. Përjashtimi i mundësisë së aderimit (ose shtyrja pa përcaktim e saj) minon forcat sociale në këto vende fqinje që promovojnë rrugët demokratike të ekonomisë së tregut. Në të njëjtën kohë, perspektiva e anëtarësimit të përbashkët në Bashkimin Europian është një faktor i rëndësishëm në mundjen e forcave shkëputëse të hapura dhe latente në rajon. Misioni historik i sigurimit të paqes në Europë nëpërmjet integrimit politik që qe pika fillestare e Komunitetit Europian duhet të vazhdojë edhe nëqoftëse, reciprokisht, diferencimi më i madh i brendshëm do të jetë i domosdoshëm në Bashkimin Europian. Përfshi Rusinë kudo që është e mundur: Ka projekte të shumta europiane në të cilat Rusia është tashmë pjesëmarrëse ose mund të marrë pjesë: në sektorët e transportit, energjisë dhe mjedisit, në standardizimin e rregullave ligjore dhe, sigurisht, në bashkëpunimin e sigurisë. Implementimi i projekteve bi apo multilaterale midis Bashkimit Europian dhe vendeve në rajon mund të mos bëhet e varur në pëlqimin e Rusisë. Anasjelltas, Bashkimi Europian duhet të inkurajojë pjesëmarrjen e Rusisë dhe të sigurojë stimulues pozitivë për bashkëpunim sesa për konfrontim. Roli kyç i Ukrainës: Ukraina është vendi kyç për zhvillimin e zonës fqinje lindore të Bashkimit Europian: fqinj me Rusinë, ajo është vendi më i madh në rajon dhe një pjesë e konsiderueshme e shoqërisë kërkon integrim në Bashkimin Europian si kundrapeshë ndaj përpjekjeve të Rusisë në kooptim. Rusia i kundërvihet hapur një orientimi perëndimor në Ukrainë për shkak të interesave të saj të mëdha ekonomike, politike dhe ushtarake, Rusia përfiton nga fakti që pothuajse të gjitha kundërshtitë e politikës së jashtme në Ukrainë janë tejet shpërthyese nga brenda. Për shkak të polarizimit historik dhe kulturor midis "lindjes" dhe "perëndimit", Ukraina vazhdon që të destabilizohet lehtë. Kjo e bën akoma dhe më të rëndësishme që të sqarohet se integrimi europian për Ukrainën nuk synon kundër interesave legjitime të Rusisë, por në fakt do ta fuqizojë marrëdhënien e saj me Bashkimin Europian. Përfshi Turqinë: Kandidati për aderim në Bashkimin Europian duhet të ftohet që të marrë pjesë në programet multilaterale lidhur me fqinjët lindorë të Bashkimit Europian për shkak të rëndësisë së saj për bashkëpunim rajonal në zonën e Detit të Zi, diversifikimit të furnizimit energjetik të Europës dhe si një fuqi kufitare rajonale në Kaukazin jugor. Sa më suksesshëm është Bashkimi Europian në dhënien e mbështetjes së forcave reformiste në Turqi për bashkëpunim në zonën e Detit të Zi, aq më i pakët është rreziku i një Ostpolitike në Turqi e orientuar nga iluzionet panturke, të cilën nacionalistët turq e favorizojnë si një alternativë ndaj integrimit europian. 2. Një sistem europian sigurie i zgjeruar Ne duhet t'i marrim kërkesat ruse për një "sistem europian sigurie të ri" si një stimulues për të zgjeruar arkitekturën e sigurisë ekzistuese (NATO, ESDP, OSCE). Megjithatë, nëqoftëse lidershipi rus do të ushqente ëndrrën e vjetër të minimit të aleancës euro-atlantike, ai menjëherë duhet të çlirohet nga kjo ide. Argumenti popullor në qarqet e politikës së jashtme ruse se, në vijim të shpërbërjes së Traktatit të Varshavës, NATO u bë një anakronizëm i Luftës së Ftohtë që duhet të zhduket sa më shpejt të jetë e mundur, injoron diferencën thelbësore midis një komuniteti të lidhur ushtarakisht dhe një aleance sigurie midis shtetesh demokratike që e mbajnë vlerën e saj edhe në një rend botëror multipolar. Nga perspektiva gjermane, çështja mund të jetë vetëm përfshirja e Rusisë në një sistem euro - atlantik sigurie të bazuar në mospërdorimin e forcës, sigurinë reciproke dhe bashkëpunimin vullnetar. Në një sistem sigurie të këtij lloji, 6 "fqinjët lindorë" të tjerë duhet të ndiejnë se interesat e tyre janë të garantuara së bashku me Rusinë. Fakti nëse aderimi i Rusisë në NATO është më shumë se thjesht një ide akademike mbetet për t'u parë. Në një mënyrë apo në një tjetër, krijimi i besimit reciprok duhet të promovohet, sidomos qysh kur një raund i ri zgjerimi lindor për NATO-n - që do të sillte konflikt me Rusinë - është i vështirë për t'u imagjinuar. Siç e tregon dhe rasti i Gjeorgjisë, Rusia ka akoma potencial të mjaftueshëm shkatërrues për të minuar aderimin në NATO të shteteve ngjitur. Kjo është akoma dhe më shumë e vërtetë për shtete si Ukraina, në të cilën ka minoritete të mëdha ruse. Megjithatë, vetë politika ruse e përcakton nëse shtetet në "zonën e ndërmjetme" kërkojnë mbrojtje nga Rusia tek NATO. Kërcënimet e ndërhyrjes ushtarake dhe e vendosjes së raketave nuk janë të dobishme për zhvillimin e një sistemi sigurie të përbashkët. Në kontrast, do të ketë mundësi të mjaftueshme për të promvuar ndërtim besimi reciprok lidhur me çështjet e sigurisë në vitet në vazhdim. Këto përfshijnë promovimin e Këshillit NATO - Rusi nga një mekanizëm thjesht teknik në një të tillë politik këshillimor, zhvillimin e sistemeve të mbrojtjes raketore të koordinuara, një qëndrim të besueshëm ndaj programit bërthamor iranian dhe një heqje të të gjitha armëve bërthamore nënstrategjike nga Europa, mbështetur nga një traktat i përshtatshëm që do ta përjashtonte përdorimin e tyre të ardhshëm në truallin europian. Adresoju në mënyrë aktive konflikteve shkëputëse: Politika e Bashkimit Europian ndaj konflikteve shkëputëse që po piqen në rajon duhet të synojë që të krijojë situata fitimprurëse për të gjitha palët e përfshira. Si rregull, kontakti me zonat shkëputëse është një alternativë më e mirë se izolimi. Ai ofron një shans për të promovuar zhvillime demokratike dhe hap alternativa kooptuese nga Rusia. Vetëm çintensifikimi politik dhe ushtarak krijon kushtet për kompromis. Kjo është e vërtetë si për konfliktin e Nagorno - Karabakut, ashtu dhe atë në Abkhazi dhe Oshecinë e Jugut. Brukseli duhet të fitojë besueshmëri si një ndërmjetës që merr pjesë në garancitë e sigurisë ndërkombëtare dhe merr mbi vete përgjegjësi monitoruese. 3. Promovo shoqëri civile dhe të drejtat e njeriut, lehtësi për të udhëtuar Qëndro besnik ndaj vlerave bazike europiane: Politika e Bashkimit Europian ndaj Europës Lindore duhet të jetë e bazuar në mënyrë të besueshme mbi vlerat e demokracisë, sundimit të ligjit dhe transparencës. Ajo duhet të dallojë në mënyrë të qartë veten nga thjesht lojërat politike apo politikat e aleancës të orientuara ndaj interesave ekonomike. Politikat e orientuara nga vlerat nuk janë produkt i idealizmit naiv. Ato përdorin resursin më të rëndësishëm politik që Bashkimi Europian ka në dispozicionin e tij në Europën Lindore: atraktivitetin e tij si një komunitet politik që bën bashkekzistencë paqësore, begati relative dhe liri personale të mundshme për shumicën e shtetasve të tij. Përkushtimi ndaj të drejtave të njeriut, lirisë së shtypit dhe transparencës së proceseve vendimmarëse politike duhet që të jenë kështu elementë thlebësorë në çdo politikë integrimi paneuropiane. Duke pasur parasysh strukturat qeverisëse në pjesë të mëdha të Europës dhe varësinë e mediave ndaj politikanëve dhe oligarkëve, promovimi i strukturave dhe i aktorëve të shoqërisë civile fiton rëndësi qendrore për Ostpolitikën europiane. Marrëdhëniet e partneritetit e bashkëpunimit me shtetet europianolindore duhet të përfshijnë marrëdhëniet lidhur me fuqizimin e shoqërisë civile dhe bashkëpunimin transkufitar midis OJQ-ve. Veç kësaj, Bashkimi Europian duhet të përfshijë aktorë të shoqërisë civile nga vende partnere në formulimin dhe monitorimin e marrëveshjeve midis shteteve si pjesë e Politikës së Fqinjësisë Europiane dhe EaP-it. Forumi i Shoqërisë Civile, i krijuar si pjesë e EaP-it, duhet të promovohet politikisht. Elimino barrierat për udhëtimin: Ashtu siç ka bërë për Ballkanin Perëndimor, Bashkimi Europian duhet gjithashtu t'i pajisë vendet e fqinjësisë lindore të tij me një skedul për liberalizimin dhe heqjen afatgjatë të vizave. Praktikat kufizuese në dhënien e vizave Schengen e përforcojnë ndarjen e Europës dhe kufizojnë shkëmbimin e gjallë midis qytetarëve të saj. Lehtësimi i udhëtimit për grupe të caktuara (studentë, shkencëtarë, gazetarë, artistë) gjithashtu mund të implementohet me shpejtësi dhe në mënyrë joburokratike. 4. Një "New Deal i gjelbër" europian Ekonomitë europianolindore vuajnë nga pabarazi të mëdha sociale dhe rajonale, rënie popullsish, papunësi të larta dhe dëmtim masiv mjedisor. Bashkimi Europian duhet të përqendrohet në mbështetjen e reformave që mund të veprojnë si katalizator për modernizimin ekologjik dhe social për këto ekonomi. Këto përfshijnë: Siguri dhe ndryshim energjetik: Bashkimi Europian është akoma larg nga formulimi i një politike të jashtme energjetike koherente. Egoizmi kombëtar e pengon formulimin e një politike energjetike europiane që shikon përpara. Diversifikimi i importeve energjetike për të parandaluar formimin e strukturave monopoliste ka kuptim. Megjithatë, ajo nuk duhet të zbehë domosdoshmërinë e një transformimi më të thellë në energji në vendet europianolindore. Strukturat transparente në ekonominë energjetike, një rritje masive në efikasitetin energjetik dhe zhvillimin e burimeve të energjisë së rinovueshme janë çështje kyçe për zhvillimin e një kulture politike demokratike dhe për modernizimin e ekonomive së këtyre vendeve. Bashkimi Europian duhet të japë dijen dhe kapitalin financiar në një shkallë të gjerë. Gjithashtu, ai duhet të inkurajojë bashkëpunim transkombëtar në çështjet energjetike, siç praktikohet në Iniciativën e Detit Balltik. Modernizim ekologjik të bujqësisë: Bujqësia mbetet një prej sektorëve më të rëndësishëm në pjesën më të madhe të vendeve europianolindore. Jo vetëm që shumica e popullsisë varet drejtpërsëdrejti prej saj, por ajo është gjithashtu e ardhmja ekonomike e këtyre vendeve dhe aksesi i tyre në tregjet ndërkombëtare. Modernizimi i bujqësisë në drejtimin e metodave ekologjike të kultivimit, standardeve të cilësisë së lartë dhe marketimit modern është për pasojë një detyrë ekonomike kryesore dhe kështu që supreme me qëllim që të ngadalësojë rritjen e shpopullimit dhe shkatërrimin e rajoneve të tëra. Ralf Fücks është President i Heinrich Böll Foundation dhe ka qenë anëtar i Komisionit Federal për Emigracionin i Gjermanisë. Përgatiti ARMIN TIRANA
Home »
» Rëndësia e integrimit të vazhdueshëm europian