DHE TË NDJEK
Bota është e gjitha brenda teje
Si një sferë e zjarrtë që të djeg, të djeg..
Unë jam Toka dhe ti universi ku endem
Dhe të ndjek...,dhe të ndjek !
Helenë e Trojës, Kleopatër a Beatriçe me nam,
Ofeli biskonjë, apo femra të orjentit Kahjam,
Anë Kareninë tragjike, e Bovari madam,
Brengë angleze me emrin Migen, e pabesi,
Elisabet Teilor e çmendur deri në pleqëri,
Të gjitha, të gjitha,.. nuk vlejnë sa ti !
Më mbaj të ri, të lutem, deri në frymë të fundit,
Më ndriço shpirtin deri sa të vdes,
I varfër jam me një jetë të ta shpërblej
As dhjetë të tilla nuk do të arrinin, për besë !
G R E M I N A T…
Askush nuk do të mund të jetojë,
Aq gjatë pranë meje,
Mikja ime e përjetshme.
As nëna, as babai, as fëmijtë e mi
Që lindën më pas...
As universi bosh jashtë sferës
së atij shpirti…
Askush nuk do të mund jetojë më gjatë
Me mua qënien që thinjet përditë..
Mosha dhe hallet na zvogëluan disi,
Hakmarrja e kohës pa mëshirë na zvarrit,
Dhe dielli i jetës ka kthyer zenit.
Ne pas shpine shohim gjithnjë,
Vitet e mëdha-një trup, një shpirt
Përpara gremina e nëndheshme
Nuk na tremb...hiç !
PËRFYTYRIM NEBULOZE
Vija të pjerrta ndajnë botën e përkoshme,
Në pjesë mikroplanetesh që ndizen e shuhen.
Qafë gruaje prej fildishi ku tri ngjyra pikëzohen,
E zeza pjesë sipër, bezha në mes dhe e kuqja poshtë..
Një krah karrigeje dhe drojta e llërës që cik..
E gjithë galaktika rrethuar me errësirën e vet,
I gjithë truri i ngarkuar prej resh gati pëlcet.
Zemërngrirë po të pres, të pres…,
Ja,..të preka, pa frymë kam mbetur, për besë !
E zeza prej flokësh, a magji drithëruese në terr,
Tipare bezhë, një buzë, një sy, një rrudhë pikasone,
I etur, a i ngopur aty vërtitem i përndjekur
Jetërroj dhe vdes.
Një ngërç që nga ameba - qelizë trashëguar më fundos
Në origjinën time- një hiç,- një pluhur,- një vesë..
Trambudanë e kuqe depërton dhunshëm në krah,
Flakë pa dritë që ngjyra nga zjarri i vjen,
Simbol i dhimbjes, trazirës rrebesh,
Ja,.. të preka, pa frymë kam mbetur, për besë !
Fotografi e fundit nga stacioni kozmik dërguar,
Amorfe sundon kujtesën e çoroditur.
Kështu bota nisi të formësohej përtej ;
Nebulozë je, vorbull ku vërtiten brutalisht qiejt,
Rrezikun ndjej të përpihem krejt nga yll i vetmuar.
E kuqe, bezhë, e zezë krijuar nga piktor’ i çmendur
Që vija heq në telajon-tru rrudharrafshuar.
Salla e teatrit hesht nën mikrodramat banale, perversë
Ndërsa unë frymëngrirë akullnajash përhumbur...
Ja,.. të preka, pa frymë kam mbetur për besë !
KU R V E L E S H I
Këndrevica krahu i majtë i shqiponjës arbërore,
Çipini i Bolenës gjoksi i shpupuritur i simbolit-shpend,
Mali i Thatë i coptuar nga ankthet mortore,
Rafshnalta në ‘to greminathyer si rrallë tjetër vend.
Nivicë levende e Rexhinë mbretëreshë,
Gusmar i vetmuar, i thatë si eshkë,
Progonat zhurmëmadh nënë rrepe resh,
Lekdush, ah, o vend humnerash e sipër bjeshkë.
O shpirt i Kombit arratisur qiejsh të sertë,
O shpirt i mjerë varfëruar nën këmbë strralli,
O njerëz-zjarr me zemër të madhe, të blertë,
O legjendë e rrallë trimërie që të lodhi halli !
Vij te ti siç ulemi rrallë te ëndrra e mirë,
Trishtuar ndihem nga zbrastësia e tokës,
Mollët të janë tharë, qielli blu ka ngrirë,
Djemtë të kanë ikur rrugëve të botës.
Këndrevicë krahë-vetmuar lotët m’i fshij
Tërrbo përrenj e ujëvarra e unë prapë do të vij !!
B O S H
Fjala e Madhe e Ringjalljes së Krishtit
Sapo ka dalë nga Varri i Humbjes.
Fjala e Vogël e Njeriut varrosur brenda meje
Trondit universin gjigand të dhimbjes
Nga bosh-i i mungesës tënde !
Qyteti i qirinjve, krismave, kostumeve
Jeton Mesnatën e Mrekullive.
Shpirtërat, si milingonat, turren drejt tryezave
gjithë lyrë
Ndërsa unë zvarritem drejt ....hiç-it.
Anash meje, si vizatime absurdi mendjekot,
Lëvizin pemë të flashkura me gjethe pluhuri.
Drita të mekura vitrinash mbi manekinë idiotë
Veshur me gjithëfarë të sytjenash sateni,
Që më kujtojnë farfurinë porcelanike
të gjoksit tënd vajzëror.
Nata kish hënë e pleqtë laheshin në qiellin e prillit.
Nuk e di, nuk e di ku je, o shpirt i munduar !!
NËNA IME
Nëna ime nuk ishte si të tjerat,
Sepse ajo ishte nëna ime...!
Veç tani, ah tani
Sytë e butë janë shuar
nën një palmë,
Që rrit shtatin me krahët plot gishta.
Nëna ime nuk ishte si të tjerat,
Sepse ajo ishte nëna ime !
Të sëmurë e kish zemrën nga dhimbja
për botën,
E tretur në vështrimin e saj magjik.
Shtatimët e fytyrëmbël, fjalëbutë e sytrishtuar,
Tani hesht nën dheun e trashë.
Nuk është më nën këtë diell, nën këtë shi.
E megjithatë, do të jetë gjithmonë,
Sa të mos jem as unë,…as ne të gjithë..!
Po edhe unë do të jem diku, me siguri,
Në pemën e stërlashtë të gjinisë.
Fisi dhe Dheu do të jenë Nëna ime
MË KA MARRË MALLI....
Më ka marrë malli, po të them, shpirt, e marrë,
Sëmurë e tretur nga trishtimi i largësisë..
Më ka marrë malli ëndërr e zhuritur, pa fjalë,
Me heq zvarre prej shekujsh marrëzia e dashurisë.
Nuk e di kur kthehesh si zhgjendër, duarbosh,
Nuk e di dimër a pranverë vallë do të jetë,
Kam nje dhimbje që gjoksin ma shkallmon ,
Gjaku djeg e vlon si llave e nxehtë.
E shoh qiellin, tërbim i pa fund, që vjen gjer te ti
I shoh malet greminathyer që gjer aty kurizin zgjatin
E shoh hënën që perëndon e trishtuar e them të vij
Po më trembin retë qe grinden e qiellin zbrazin.
E shoh botën te verdhë, të trishtë, të vdekur,
Qe fjalën ka prerë si kockë e mbetur në fyt ,
Asnjë përgjigje nuk më kthen kjo jetë e mekur,
Asnjë shpresë të të shoh sonte nuk më ka mbetur
Në s’vjen javën tjeter, por të them, me shpirt,
Në s’vjen gjer të enjten kur dita gdhin e mirë ,
Hënën do ta zbres ne tokë te zbehtë, të sëmurë, pa dritë,
Te shuaj botën e vjetër që e keqe bëhet për ditë !
JE DHE JAM...
Mahnitur nga vetëtimat e syve të tu,
U harrova në brigje ndjenjash,
Magjistarja ime!
Brazdë sensuale goja jote, pa fjalë,
Gërvisht edhe shpirtëra të vdekurish,
E bukura ime!
Ne këmbejmë trishtimin e pagojë,
Si monedhën e asgjësë njerëzore,
Tradhëtia ime!
Te “Ashiku” vera deh edhe djajt,
Poshtërisht si xhinde magjistare,
Kënaqësia ime!
Ashkëla shpëtimi në detin e së keqes
Je dhe Jam,
Mrekullia ime!
Gjakun e njeri-tjetrit nëpër vena
Kërkojmë në labirintet e epshit,
Drithërima ime!
Ti trazove befasisht gjethnajën e zverdhur,
Të vjeshtës sime pa kthim,
Nostalgjia ime!
Je fllad a furtunë, nuk e di, nuk e di..
Por, gjithsesi, dimër po vjen,
Zonja ime!
A T H I N A
Shuaj me mendje banesat e pafund,
Zhduk trole, vetura, milionat njerëz
i bëj ca qindra..
Antenat e Imitosë 1)i kthej në brirë
lajmëtarësh
Ekranet në arena ndeshjesh me kuaj..
Dhe më mbetet vetëm imazh i fillimit..
Një patkua gjigand kornizëmalesh
Që ruan në zemër Akropolin.
Si medalion të Njerzimit....
Kolonadat e Partenonit,
Statuja të grisura, krahëthyer, përzhitura,
Aty të plota, aty të thyera,
Pasqyrë e vjetër, e ciflitur
E rrugës së shekujve të përgjakur.
Drejtpeshim njerëzor prej mermeri
Dinjitet e dhimbjesh tmerri
Me plagë që kullojnë...kullojnë…
Ende në pragfillim të shekullit të XXI !
1) mali në juglindje të Athinës
E K L I P S I
Fundshekulli vinte me një gjëmë
Mitet u çvarrosën nga harresa,
Ja, edhe ti, Hënë, bukuri e rremë,
Vendose të më shuaje nga kujtesa.
Një jetë të tërë kaluam së toku
Ti zbukuroheshe aq shumë e ndriçuar
Unë DIELL që digjesha vullkan,
Ti HËNË me brishtësi të shuar...
TOKA të adhuronte netëve të kthjellta
Yjet drithëronin rreth magjisë së bukur,
Ndaj ti mendove se kishte ardhur koha,
Të shuaje dritën nga ishe rritur.
Tri minuta u duk sikur vdiqa
Grahma gjuhë flakësh shuheshin përtej
Të marrët besuan se kaq e pata,
Dhe ti me tokën mund të martoheshe më tej...
Harrove,mike, një gjë fare të vogël ,
Duke kryer një reng midis nesh,-
Të fshiheshe pas meje si një gogël,-
Vdiqe nga drita që të bënte mbretëreshë....
EKLIPS I DIELLIT - Athinë, ll gusht, l999,ora 13-
MREKULLI E MARRËZISË
Nuk ka natë te ty, as ditë nuk ka..
Një kohë midis mrekullisë e marrëzisë.
Diejt rrekin të zhdukin hënat.
Pabesia rrokulliset në honin e asgjësë,
Trimërisht me afshe zëmre,
Gjakftohtësisht e dashuruar me greminat
E moralit.
Tek unë vërshojnë shtrëngatat e shiyjeve
Nga vezullimet çudibërse të syve të trishtuar.
Rrallësi e shekullit vështrimi yt tronditës,
Njerëzor sa barbaria e hijenës,
Tronditës sa dashuria e luaneshës.
Hëna tropikale mbi dimrin e ndjenjave arktike,
Shkrin akujt e tmerruar të besimit të lodhur,
Askush nuk e di tanimë se ku shkojnë ajzbergët
E dyshimit !
Merre lecknajën dashuri apo seksin banal,
Dhe kafsho gjuhën.!
Lehjet do të na trondisin shpirtin katran,
Si ujëra të zeza që shfarrosin pasqyrimin.
Ti e gjallë je, me buzëqeshjet, e sytë tymnajë,
Unë i vdekur në shtratin e trandafilit vesëverdhë,
Zbuluar ngjethshëm nga indiferenca.
Me siguri do të zgjohem një ditë,
Kur pasqyrat e thyera shfytyrimet do të drejtojnë.
Atëhere do të kesh vdekur ti,
Në perëndim të botës !
E PERKOHESHME
Jeta është vetë e përkohëshme, mikja ime,
Prandaj mos bërtit fort për përjetësinë..
Dielli lind e perëndon e, megjithatë, vdes ngadalë,
Yjet vërtet ndrisin por ka syresh miliona vite të shuar,
Njerëz tmerrësisht të dashuruar tanimë nuk janë më,
E as e takojnë njeri-tjetrin në atë nënplanet të errët...
Unë i besoj çastit që s’kthehet më,
Unë të besoj ty kur të kam sy-më-sy e buzë më buzë,
Kur më kthen krahët kam frikë se do të të humbas,
Jo vetëm nga vdekja, por edhe nga jeta përtej atij pragu...
Eci me shijen e aromës tënde dhjetë metra më tej..
Turma laramane më tërheq për veshi si leckë pa vlerë,
Dhe humb,...humb aromat, fjalët, pëshpërimat hipokrite..
Humb peshën e jetës që më jepje ti, për nder !
Humb sepse edhe vet jeta është e përkohëshme, mikja ime.
Ne harrojmë të dashurit që ikin, ashtu pa kuptuar,
Dhe një natë vallzojmë si të mos kishim humbur asgjë..
Mos më thuaj se nuk do të më harrosh kurrë...,
Harresa është shërrimi,
Harresa është shpëtimi,
Harresa është njerëzore,
Dhe unë nuk do të të mbaj mëri po të thuash.....
Se jë ditë nuk do jemi më...këtu.
Ti je e përkohshme në jetën time,
Unë jam i përkohshëm në këtë mbiplanet që rrotullohet.
Rroftë rastësia dhe ankthi që nuk çmohet,
Në boshllëkun e tmerrshëm të relativitetit !
E shkruar më 25 tetor ,
Një ditë krejt,..krejt e përkohshme
Megjithëse eshte ditëlindja ime
M A R R Ë Z I A
Shpresat e mjegullta qëndrojnë mbi re,
Ankthet makabre, drithërojnë shpirtëra
Midis meje e teje, mikja ime e brishtë,
Humnerat sajojnë harqe me vetëtima e britma...
Nuk e di në se erdhe tek unë nga vetmia,
Apo rrugicat dritë - hije të ndillnin epsh,
Nuk e di në se dëshiroje të shuaje urinë e shpirtit,
Apo thjesht të vendosje një urë midis nesh...
Di që greminat përmasat humbën prej marrëzisë,
E dashuria lodër drithëruese u bë pas pak,
Gënjeshtrën e rastësisë vendosa ta kërkoja,
Në liqenjtë e syve, fshehur pa shkak..
Mrekullitë e të prekurit humbisnin si vesë,
Nën vështrime idiotësh barbarë,
Që vidhnin nga teprica e dhimbjes-shpresë,
Ankthin e çmendurisë së parë...
Ik, ik e horizontet përskuq me urinë e shpirtit,
Ik, ik e humnerat thello me eksplozivin e agonisë,
Ik, ik dhe pritëm në skaj të harresës,
Ku asgjë nuk do të ketë mbetur prej marrëzisë !
V R A S J A
E vrava frikën e frikës tragjike
Humnerash kryqëzuar me vija gri,
Shtrajtuar nga morfinat mashtruese.
Të gjalla m’i hante mendimet e lira,
Qelizat si kancer i zi .
E vrava frikën e të pafajshmit
Sepse pabesitë e saj sajonin
Gjithëfarë ganxhash torture.
S, S, S, S, S, S, S, S,S, - i shihni,
Me çengela kasapësh ngjajnë
Që drithërojnë hekurin e ftohtë të jetës,
Ku viktimat kokëposhtë lëviznin
Në rrjesht të ecin shtyrë përdhunshëm.
E vrava frikën bishëtërbuar,
Dhe me delirin e lirisë kapërceva
Gropën e viteve që kisha lënë pas.
E vrava frikën, e vrav
UNË DHE TI…
Shegojnë majëmalet nën ditën që vdes,
Gjakon një diell si i prerë në gushë,
Agonia një zjarr të marrë më ndez,
Ngjaj sikur endem këmbëzbathur mbi prush.
Hënën e zbehtë i urritur gëlltit si një copë kek,
Dhe ndjej si fiket nga era e qelbur e maturisë
Mendimet stepen si dallgë të lodhura në breg,
Pa rrëzuar kalanë prej rëre të vetmisë.
Unë dhe Ti zvarritur viteve të harrimit,
Unë dhe Ti kalcium i tretur në një varr dëshirash,
Unë dhe Ti mbuluar nga gurët e pikëllimit,
Unë dhe Ti, Ti dhe Unë.. bredhim shpirtvrarë
hapësirash !






