Të gjitha biletat ishin shitur për ndeshjen e zhvilluar në Stadiumin Kombëtar, ku mbretëroi atmosferë impozante në çdo sekondë të takimit.
Bosnja e nisi më mirë takimin, me një përqëndrim të lehtë të Shqipërisë në mbrojtje. Sidoqoftë, gabimi i parë u takon vendasve. Pas një harkimi të mirë në zonë, Vedat Ibisevic gjendet për mrekulli për të zhbllokuar rezultatin në 1-0 për Bosnjën (21’).
Shqipëria filloi të gjallërohet në lojën e saj. Pas një pasimi të bukur për Hamdi Salihin, ishte ky i fundit ai që për mrekulli arriti të lansojë një goditje fenomenale, e cila dridhi transferzalen e portierit Asmir Begovic dhe stadiumin Qemal Stafa.
Në fund të pjesës së parë, vjen dhe momenti kyç i këtij takimi. Një top të gjatë drejt Erjon Bogdanit, që do ta nxirrte këtë të fundit të vetmuar para portierit boshnjak, e ndali qëllimisht me dorë një mbrojtës boshnjak, që u ndëshkua vetëm me karton të verdhë.
Goditjen e lirë nga kjo ndërprerje për mrekulli e shfrytëzoi Klodian Duro, që me një goditje mjeshtërore arriti të fotografonte portierin Asmir Begovic në panoramën e Stadiumit Qemal Stafa, që në ato momente ishte në ekzalt, pasi rezultati ishte barazuar në 1-1.
Pjesa e dytë ishte e baraspeshuar, me Shqipërinë që nuk ishte konkrete para portës dhe me boshnjakët të cilët e goditën transversalen. Ndeshja përfundoi me barazim 1-1, një barazim ky plotësisht i merituar për Shqipërinë, që mundi të nxirrte edhe tri pikë, por që ishte e pafat.
Shqipëria mbetet lidere në Grupin D, të paktën deri nesër, me pesë pikë, po aq sa ka edhe Bjellorusia që barazoi në transfertë te Luksemburgu. Nesër zhvillohet dueli tjetër i këtij grupi mes Francës dhe Rumanisë.