Nga Richard Weitz Talebanët po kushtëzojnë pjesëmarrjen në bisedime me afatizimin e tërheqjes së plotë të trupave të huaja. Ata po përdorin strategjinë e Vietnamit Verior, e cila do të lejonte fuqizimin e tyre dhe kthimin e tyre në pushtet, pasi ushtria afgane nuk ka fuqinë për t’iu kundërvënë e vetmuar. Kështu vepruan talebanët në Pakistanin fqinj
Administrata e Obamas ka bërë të ditur se, derisa nuk do të marrë pjesë direkt, do të mbështesë idenë për bisedime paqësore ndërmjet Qeverisë afgane dhe talebanëve afganë. Ky lëshim i Shtëpisë së Bardhë është bërë i ditur pas raporteve se presidenti afgan, Hamid Karzai, ka mbajtur bisedime sekrete me përfaqësues talebanë për krijimin e një qeverie të mundshme të koalicionit dhe për arritjen e një ujdie për një afat të tërheqjes së trupave të NATO-s nga Afganistani. Çështja e mbajtjes së bisedimeve ndërmjet Qeverisë afgane dhe talebanëve është padyshim shumë kundërthënëse. Shpresohet se lidershipi taleban nuk do të jetë koheziv – kjo për shkakun se disa prej anëtarëve të talebanit janë të përkushtuar t’i qëndrojnë besnik ideologjisë absolute të “Al-Qaedas”, derisa të tjerët do të pranonin një marrëveshje gjithëpërfshirëse. Karzai dhe liderë perëndimorë në mënyrë të vazhdueshme kanë përsëritur se pajtimi i tyre nuk do të zgjerohet edhe për anëtarët e “Al-Qaedas”, të cilët shihen si elementë të huaj, bindjet ekstremiste dhe aktivitetet e kaluara terroriste të të cilëve i bëjnë të papranueshëm në procesin e bisedimeve paqësore. Megjithëse “Al-Qaeda” dhe talebanët janë një në dëshirën e tyre për shporrjen e trupave perëndimore nga Afganistani dhe rithemelojnë një qeveri strikte islamike në të cilën gëzojnë një monopol të fuqisë politike dhe fetare, disa prej liderëve talebanë mund të pranojnë qëllime më të moderuara.
Më e rëndësishmja është se talebanët në qeveri nuk do të mbështesnin detyrimisht lëvizjet islamike në vendet tjera ose të angazhoheshin nga distanca në sulme terroriste në qytetet perëndimore, derisa “Al-Qaeda” mbase do ta bënte. Në vitet e fundit, përfaqësuesit talebanë, të vetëdijshëm për etjen e madhe për t’i dhënë fund luftës shumëdekadëshe, kanë bërë të ditur se ambiciet e tyre janë për një Afganistan të vënë në rrugë të mbarë. Ndryshe nga këta, liderët e “Al-Qaedas” do të donin një qeveri me regjim të ashpër islamik dhe do të angazhoheshin për mbështetjen e një lëvizjeje të ndryshme islamike për shtrirje të luftës së tyre në shumë shtete. Ato shtete ata do t’i shndërronin në objektiva të luftërave.
Paqartësia kryesore që mbetet të qartësohet është nëse talebanët do të donin dhe do të ndalonin lejimin e bazave të “Al-Qaedas” në rajone që janë nën kontroll të talebanëve. Këtë ata nuk duhet ta lejojnë nëse duan të jenë pjesë e Qeverisë së Afganistanit. Disa thonë se talebanët e lodhur nga luftimet janë të interesuar të bëhen pjesë e Qeverisë dhe kështu të mos jenë caqe të sulmeve perëndimore. Ama është vështirë të besohet se talebanët do të parandalojnë liderët e “Al-Qaedas” të mos bëjnë baza të rejë në Afganistan dhe se nuk do të lejojnë që territori afgan të bëhet vatër e sulmeve të orkestruara terroriste në vendet tjera. Luftëtarët e talebanëve dhe të “Al-Qaedas” janë ngushtë të lidhur. Shumë prej anëtarëve të organizatës së Osama bin Ladenit kanë qenë të integruar në shumicën e sulmeve kryesore talebane.
Për këtë arsye lidershipi taleban ka refuzuar publikisht ofertën e pajtimit. Për shembull, ata inauguruan Marrëveshjen paqësore të Jirgas me sulme me raketa dhe sulme vetëvrasëse. Deri më tani të gjithë liderët talebanë kanë theksuar se nuk do të përfshihen në bisedime me Qeverinë afgane derisa në territorin afgan nuk do të shkelë më asnjë ushtar perëndimor. Karzai është munduar të fitojë përkrahjen e talebanëve, duke thënë se një pajtim kombëtar do të nxiste largimin e trupave të huaja.
Një tjetër pengesë është se shumë liderë talebanë kundërshtojnë kushtetutën e fundit afgane, e cila është hartuar pas humbjes së pushtetit të talebanëve. Ajo përfshin shumë të drejta liberale dhe demokratike që për shumë talebanë konsiderohen penguese, mbase edhe blasfemuese.
Për shembull, provizioni kushtetues që garanton të drejta të barabarta për gratë është një burim i madh belaje. Duke iu frikësuar se do të viheshin në rrezik garancitë për të drejta të shkollimit të femrave dhe grave, shumë organizata për mbrojtje të të drejtave të grave kundërshtojnë çdo lloj bisedimesh me talebanët. Marrëveshja e Bonit e vitit 2001, Kompakti i Londrës i vitit 2006 dhe Deklarata e Bukureshtit e vitit 2008 po ashtu shtrojnë rrugën për zbatimin e një numri të madh të drejtash sociale dhe ekonomike për afganët, e që do binin ndesh me vlerat talebane. Madje edhe disa kundërshtarë të bisedimeve ndërmjet talebanëve dhe përfaqësuesve qeveritarë, thonë se në rast që do të arrihej një marrëveshje paqësore, nuk do të zbatoheshin detyrimisht disa prej praktikave talebane.
Edhe nëse talebanët do të shprehin gatishmëri për bisedime, vështirë mund t’u besohet qëllimeve të tyre. Ata shumë lehtë do të synonin një strategji të zbatuar nga Vietnami Verior, duke ofruar gatishmëri për bisedime për një marrëveshje paqësore, me kusht të tërheqjes ushtarake. Ata pastaj do të rifillonin operacione ushtarake kundër forcave ende të dobëta ushtarake afgane, të cilat ende duhet të tregojnë efikasitet ushtarak.
Talebanët pakistanezë kanë zbatuar një variant të kësaj strategjie në të kaluarën, kishin biseduar me qeverinë për arritjen e një marrëveshjeje paqësore, derisa militantët e tyre pushonin. Dhe pastaj filluan sulmet e tyre terroriste. Edhe talebanët afganë do të donin zbatimin e një strategjie të tillë, pasi perëndimorët do të tërhiqnin trupat e tyre e atëherë do të kishte rifillimin të fushatës terroriste të talebanëve. Perëndimorët do të refuzonin që trupat e tyre të ktheheshin edhe një herë në fushën e mejdanit.
Një arsye se pse progresi në procesin e pajtimit ka qenë më i ngadalshëm sesa ishte paramenduar, është fakti se qeveritë perëndimore nuk kishin nxitur Karzain t’u hynte bisedimeve me talebanët derisa forcat perëndimore nuk hasën në rezistencën e vendosur të militantëve në mejdane. SHBA-ja në mënyrë të veçantë ishte e interesuar që të vazhdohej me ofensivën ushtarake të NATO-s në Afganistan – që kishte një numër prej 150 mijë ushtarësh në muajin gusht, dy e treta prej të cilëve ishin amerikanë – me shpresë se do të çrrënjosej ideja e komandantëve talebanë se janë duke fituar luftën.
Do të ishte një gabim i madh nëse nuk ndërlidhet situata në fushën e betejës me procesin e pajtimit paqësor. Nëse trupat e NATO-s do të punonin shumë mirë, do të mund ta dobësonin pozicionin e talebanëve në atë shkallë sa për ta mundësuar fuqizimin e ushtrisë afgane për të marrë kontrollin e sigurisë, dhe vetëm atëherë trupat e huaja do të kishin një reduktim në vitet e ardhshme.
Autori është anëtar i lartë dhe drejtor i Qendrës për Analiza Politiko-ushtarake në Institutin Hudson. Komenti është shkruar për rrjetin botëror të gazetarisë, “Project Syndicate”
Home »
» Negociimi me talebanët