Claudi Pérez El País Në Uashington, në Rrugën Nëntëmbëdhjetë dallohen ndërtesa me dritare të mëdha, dyer të mbyllura si dhomat e varrimit të egjiptianëve të lashtë, prej të cilave herë pas here del një burrë i veshur me kostum ngjyrë gri. Duket sikur del nga një pikturë e Eduard Huper. Asgjë për t'u mbajtur mend, po të mos ishte fakti që këtu ndodhen disa prej institucioneve më të rëndësishëm të botës: nga njëra anë është Fondi Monetar Ndërkombëtar dhe nga ana tjetër Banka Botërore dhe ministrat e Ekonomisë që hyjnë e dalin nga një samit i G20 apo G7. Pak më tutje është Departamenti i Thesarit i SHBA dhe diku pranë Shtëpia e Bardhë. Kjo zonë është pak si sallë kontrolli e ekonomisë botërore, vendi i komandës prej ku piloti vendos drejtimin që duhet të marrë për të përballuar rreziqet që shfaqen nga një rimëkëmbje e brishtë. Kriza është një virus që ndryshon. Këtë herë rreziku është një ndeshje me goditje të zhvlerësimeve të monedhave, që mund të degjenerojnë në një luftë tregtare. Edhe një herë rikthehet spektri i depresionit të madh. Pra, Rruga Nëntëmbëdhjetë duhet të jetë vendi më i përshtatshëm për të mësuar si duhet dalë nga kapitulli i ri i krizës. Por, në këtë rast piloti që drejton kabinën e komandës është në anën tjetër të botës, në Kinë. Mutacioni i pestë i krizës, që në fillim goditi tregun e shtëpive, më pas financën, pastaj industrinë dhe bilancet publikë, e ka vendosur ekuilibrin e brishtë të kapitalizmit global në duart e një vendi me kapitalizëm sui generis. "Vetëm Pekini mund ta zgjidhë këtë situatë", ka thënë Xhorxh Soros, një njeri që për valutat di diçka: në vitet nëntëdhjetë, financieri amerikan me origjinë hungareze ka spekuluar kundër stërlinës angleze, duke gjunjëzuar Bankën e Anglisë. "Ekziston rreziku i një lufte tregtare", ka thënë Soros. "Do të ishte një fakt vërtetë i rëndë për ekonominë globale. Vetëm Kina mund të nisë një proces bashkëpunimi ndërkombëtar për t'u dhënë funud tensioneve përmes rivlerësimit të monedhës së saj". Përplasja ishte e fshehur. Prej kohësh Kina e mban të ulët këmbimin e juanit që, sipas disa studimeve, duhet të ketë një vlerë 20-40% më të lartë. Pekini, veç të tjerash, ka vendosur kontrolle të hekurt mbi hyrjen dhe daljen e kapitaleve. E gjithë kjo nuk është diçka e re, por me ekonominë globale në gjunjë prej tre vitesh, politika kineze ka shkaktuar tensione të fortë. Duke ruajtur një taksë të dobët këmbimi, Pekini favorizon eksportet e tij dhe regjistron teprica të mëdha tregtare. Në Azi, vende të tjerë në zhvillim kanë ndjekur shembullin e tij dhe ia kanë dalë të kapërcejnë recesionin. Ana tjetër e medaljes janë Shtetet e Bashkuara, jo në gjendje të konkurrojnë me Kinën dhe të dënuar me një deficit tregtar që pengon rimëkëmbjen e ekonomisë. Por në këtë konflikt askush nuk është i pafajshëm, duke parë që edhe Uashingtoni po përpiqet të zhvlerësojë monedhën e tij, në mënyrë jo aq të dukshme ndoshta, por në fund të fundit Shtëpia e Bardhë po bën të njëjtën lojë pavarësisht kritikave të forta ndaj Kinës. Në mes janë të gjithë të tjerët. Vendet në zhvillim duhet të mbajnë të ulët vlerën e monedhave të tyre për të mos humbur kuota të eksporteve, por edhe vendet e zhvilluar synojnë në tregjet e huaj, duke parë që zgjedhja për të shëndoshur bilancet publikë penalizon kërkesën vendase. Megjithatë, eksportet e vendeve të pasur pengohen nga vlera shumë e lartë e valutave të tyre. Pra, është një luftë e të gjithëve kundër të gjithëve. Të pasurit kundër të varfërve: Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Europian rrisin presionin mbi Kinën. Të varfërit kundër të pasurve: Kina dhe vendet e tjerë në zhvillim sillen si tregtarë dhe vazhdojnë të zhvlerësojnë monedhat pavarësisht kritikave. Të pasurit kundër të pasurve: Gjermania ankohet sepse Shtetet e Bashkuara kritikojnë zhvlerësimin, por më pas vazhdojnë të injektojnë likuiditete në ekonominë e tyre. Dhe të varfërit kundër të varfërve: vendet në zhvillim të Azisë dhe të Amerikës Latine janë të detyruar të marrin pjesë në këtë garë të zhvlerësimit për të qëndruar kompetitivë. Deri tani ka patur vetëm fërkime të vogla. Problemi do të ndërlikohet nëse të gjithë do të zgjedhin rrugën e zhvlerësimit: në mënyrë të drejtpërdrejtë, duke blerë apo shitur valuta në një treg që lëviz katër mijë miliardë dollarë në ditë, apo në mënyrë më të fshehur, duke ulur koston e parasë dhe duke blerë tituj shtetërorë. "Nëse këto ndërhyrje do të përgjithësohen dhe do të vendosen limite ndaj qarkullimit të kapitaleve dhe masa proteksioniste, do të kemi një problem serioz", thotë Daniel Gros, studiues në Qendrën për Kërkime të Politikave Ekonomike në Bruksel. Por në të vërtetë problemi tashmë ekziston. Japonia, Brazili, Korea e Jugut, Taivani, Malajzia, Tailanda, Filipinet, Zvicra, Britania e Madhe, Kina dhe SHBA kanë hyrë në këtë rrugë, që drejtori i FMN, Dominik Shtraus Kahn e konsideron "një luftë apo një betejë": fjalë të forta, të justifikuara nga fakti që shumë shtete, tashmë "kanë filluar të përdorin monedhën e tyre si një armë". Veprimtari spekulative Edhe nëse Fondi i referohet mbi të gjitha Kinës, problemi është më kompleks. "Duhet të shqyrtohen edhe politikat monetare të bankave të mëdha qendrore (si ato të SHBA, BE dhe Japonisë) dhe rikthimi i veprimtarisë spekulative, por për këtë FMN nuk flet asnjëherë", thotë ekonomisti Xhejms K. Galbreith, djali i Xhon K. Galbreith, njëri prej studiuesve më të rëndësishëm të Depresionit të Madh. Duket sikur beteja e monedhave do të shkojë larg. Për të zhvilluar ekonominë e saj, Kina ka synuar tek eksportet, kështu që ruajtja e një juani të ulët është faktor thelbësor: një taksë më e lartë këmbimi do të provokonte mbylljen e shumë fabrikave që prodhojnë mallra për eksport. Dhe rritja e papunësisë do të ishte e vështirë të menaxhohej, sepse problemeve normalë që burojnë prej mungesës së vendeve të punës Kina duhet t'u shtojë edhe ato që lidhen me legjitimitetin e pushtetit politik, që bazohet edhe në sukseset ekonomikë. "Ndoshta presionet e vendeve të tjerë, si kërcënimi për veprime proteksioniste nga ana e Kongresit amerikan, do të arrijnë të përshpejtojnë pakëz rivlerësimin e juanit, por nuk do të bindin Pekinin që të ndryshojë sjelljen", shpjegon Tomas Balinjo, ekonomist dhe ish-zëvendësdrejtor i Fondit. Në të vërtetë, në qershor Kina i zbuti kontrollet mbi normën e vet të këmbimit, por në këto muaj juani është rivlerësuar me vetëm 2 përqind. Pekini duket sikur po ndjek në letër thënien e lashtë që kush ecën ngadalë, shkon larg: problemi është që për komunitetin ndërkombëtar vëzhgimi i evolucionit të juanit është njësoj si të presësh të mbijë bari. Fituesi i Çmimit Nobel, Pol Krugman, Daniel Gros dhe të tjerë ekonomistë thonë se ka ardhur momenti që të lihet mënjanë diplomacia dhe të përdoren qëndrimet e forta: sipas tyre, Presidenti Obama duhet që të mos lejojë kinezët të blejnë bono thesari amerikane, duhet të vendosë kontrolle mbi kapitalet apo të miratojë masa proteksioniste kundër produkteve kinezë, një mundësi e diskutuar në javët e fundit nga Kongresi amerikan. Pra, është koha për të kaluar në raprezalje. Për momentin, presionet diplomatike nuk po japin rezultate. Kina ka rezerva monetare për më shumë se dy mijë miliardë euro, që i japin një qetësi të caktuar financiare. Qeveria e saj ka përballuar me sukses recesionin: masat kundër krizës kanë funksionuar dhe tani tërhiqen gradualisht për të shmangur shëprthimin e fluskave spekuluese. Veç të tjerash, Pekini përpiqet të nxjerrë mësime nga historia e çrregullimeve valutorë. Pas marrëveshjeve të viteve tetëdhjetë, për shembull, kur vendet e zhvilluar shkaktuan zhvlerësimin e dollarit amerikan, jeni japonez pësoi një vlerësim të menjëhershëm duke shkaktuar një stanjacion prej ku ekonomia e Japonisë nuk doli dot më. Por kinezët mund të përmendin edhe fakte të mëvonshëm për të mbrojtur pozicionin e tyre: në fundin e viteve nëntëdhjetë, gjatë krizës monetare që tronditi juglindjen e Azisë, Pekini kontribuoi për të kapërcyer stuhinë pikërisht duke mbajtur stabël vlerën e juanit. "Çfarë i kërkojmë Kinës? Rivlerësimi i monedhës së saj do të shkaktonte probleme të mëdha dhe rritja ekonomike do të ngecte kudo", thotë Guilermo Kalvo, ekonomist i Universitetit të Nju Jorkut. "Kam ndjesinë që Pekini do të vazhdojë në rrugën e vet dhe do të vazhdojë të vlerësojë juanin gradualisht. Dhe ndoshta kjo është zgjidhja më e mirë". Çrregullime sociale Me apo pa kërcënime, duket se gjërat kështu do të shkojnë. Në 7 tetor në Bruksel, Komisioni Europian, Banka Qendrore Europiane dhe ministrat e Eurogrupit pritën kryeministrin kinez Xhiabao, të cilit i bënë sërish kërkesat për të hapur rubinetin e normës së këmbimit në mënyrë që rimëkëmbja ekonomike në Europë të jetë më e shpejtë. "Mos iu bashkoni këtij kori kërkesash", u përgjigj Xhiabao. "Një vlerësim i shpejtë i juanit do të provokonte mbylljen e fabrikave, punëtorët do të ktheheshin në fusha dhe do të kishim trazira sociale. Nuk është mirë për askënd një Kinë që vuan". Nuk duket e lehtë që gjiganti aziatik të ndërrojë mendje. Në 8 tetor, presidenti i bankës qendrore kineze, Zhou Hsiaoshuan iu përgjigj me një farë ironie pyetjeve të gazetarëve mbi problemet e tregut të valutës: "Nuk e njohim definicionin e saktë të luftës monetare", tha ai. Ekziston një anektodë mbi Zhou që ilustron në mënyrë të përsosur pozicionin e Kinës: i pyetur për normën e këmbimit gjatë një takimi me bankierë të tjerë qendrorë dhe shumë ministra financash të vendeve të ndryshëm, Zhou u përgjigj se politika kineze e këmbimit kishte dhënë rezultate të mirë në një kohë të shkurtër, por që bënte kujdes për një ndryshim në një kohë afatmesme e afatgajtë. Pyetjes mbi kohëzgjatjen efektive të afatmesmes dhe afatgjatës, bankieri iu përgjigj shumë qartë: "Kina ka një histori katërmijë vjeçare". Sipas Luis Serven, ekonomist në Bankën Botërore, rikthimi i aktiviteteve spekuluese në tregjet financiare shpjegon lëvizjet e kapitaleve drejt vendeve në zhvillim, që ofrojnë më shumë shanse për investime, sepse rriten me shpejtësi dhe e kanë kaluar mirë krizën. "Vendosja e kontrolleve të kapitalit për të reduktuar këtë luks dhe shmangur fluskat është gjë e arsyeshme, por në të njëjtën kohë praktikisht e pamundur", shpjegon Serven. Për të zhvlerësuar një monedhë, vazhdon ekonomisti, mund të synohet edhe tek masat për të shpenzuar më pak dhe kursyer më shumë. "Rreziku më i madh", shton Serven, "është që të gjithë të hyjnë në një rreth vicioz të formuar nga zhvlerësime, kontrolle të kapitaleve dhe masa proteksioniste". Disa ekonomistë kanë folur për rreziqe të tjera që lidhen me Kinën. "Ka shkelje të vazhdueshme të pronësisë intelektuale", thotë Visente Palardo, studiues në observatorin e ekonomisë ndërkombëtare në universitetin e Valencias. "Kinezët përdorin teknologjitë e arritura nga kompanitë e tyre falë aleancave me kompanitë shumëkombëshe në projekte të financuar nga shteti, si trenat me shpejtësi të lartë. Modeli kinez ka funksionuar shumë mirë dhe për këtë arsye do të jetë shumë e vështirë të ndryshohet. Mbi të gjitha, sepse Kina ka kuptuar që shumë vende të tjerë dhe në përgjithësi të gjithë fuqitë e mëdha, po përdorin sisteme të tjerë për të arritur po këtë rezultat, domethënë zhvlerësimin e monedhave të tyre". Presionet mbi Pekinin do të vazhdojnë. Komuniteti ndërkombëtar këmbëngul se Kina tashmë është shndërruar në një fuqi që duhet të marrë përgjegjësitë e saj. Për këtë arsye i dha çmimin Nobel disidentit Liu Hsiaobo, duke shpresuar që të përshpejtojë në një farë mënyre një ndryshim politik dhe ditën tjetër G-7, G-20, SHBA dhe BE i kërkuan gjigantit aziatik më shumë përgjegjësi në menaxhimin e krizës së këmbimit. Një tjetër pohim i faktit që ndoshta vetëm Kina do të arrijë të zgjidhë krizën. Modeli kinez, i përshkruar me shprehjen enigmatike "ekonomia sociale e tregut" zë një vend gjithnjë e më qendror në tregun monetar. Në fund të fundit, kriza ekonomike ka shumë fytyra. Dhe këto variante të njëpasnjëshme, ku njëri pjell tjetrin, ofrojnë shpesh kontraste të çuditshme.
Home »
» Lufta e monedhave





