Përfaqësuesja e Kosovës të shtunën me fillim në ora 19.30 do të ndeshet në një miqësore me klubin zviceran Xamax, që do të jetë edhe një rast i mirë për përzgjedhësin Bunjaki të testojë disa prej lojtarëve dhe talentëve të rinj.
“Ka qenë e pamundshme të realizohet lista më herët dhe jemi detyruar që vetëm deri në ditën e fundit të kuptojmë për lojtarët që do të vijnë të luajnë. Kam ftuar 18 lojtarë bazë dhe dy talentë që do të jenë vetëm pjesë e ushtrimeve Besnik Salihi (Young Boys), Ramadan Morina (Zurich)”.
“Ka pasur edhe të lënduar që kanë anuluar ardhjen si portieri i Kalmarit, Etrit Berisha dhe mesfushori i Helsingborgut, Ardian Gashi. Kjo listë nuk është e përkryer, por më shumë nuk kam mundur të bëj sa i përket ardhjes së lojtarëve. Në disa klube kam pasur mirëkuptim. E pranoj se ka lojtarë që unë edhe nuk i njoh, por këta janë nga ligat e mira”, ka thënë Bunjaki gjatë konferencës së shtypit rreth ndeshjes së nesërme.
Bunjaki po ashtu ka paralajmëruar lojtarët për shkak se ndeshja luhet në bar artificial, e që mund të jetë problem për disa lojtarë.
Në vazhdim lojtarët e grumbulluar:
Portierët: Kushtrim Mushica (Renova), Agim Dushica (Gjermani)
Mbrojtës: Liridon Leci (Kastrioti), Avni Pepa (Start IK), Alban Dragusha (Skenderbeu), Liridon Kukaj (Vllaznia), Shqipon Skeraj (pa klub), Behar Maliqi (Prishtina)
Mesfushorë: Anel Rashkaj (Halmstad), Alban Ramaj (Erzgebirge AUE), Enis Alushi (Paderborn), Ymer Xhaferi (Jaro), Kristian Nushi (St Gallen), Shqipon Bektashi (Freiburg)
Sulmues: Valdet Rama (Hannover), Drilon Shala (Lahti), Kujtim Balaj (Halmstad), Liridon Hasani (Gjilani)
Rezervë: Besnik Salihi (Young Boys), Ramadan Morina (Zurich)