Jepi Cezarit atë që i takon Cezarit

Nga Brikena Bogdo

 

“Komunizmi ka dështuar. Nuk i ka mbetur më asgjë për t’u ndjekur si shembull”. Kjo ishte deklarata e sapo dalë nga Fidel Kastro, një prej komunistëve të fundit në botë, i cili po mban ende gjallë, së bashku me vëllain, një regjim tashmë të tejkaluar dhe të dështuar, sipas tij. Ky ishte një knock down për të gjithë ideologjinë e majtë, e cila mezi po mbahet në këmbë, prej 20 vitesh. Që me rënien e Murit të Berlinit e gjithë ideologjia e majtë është futur në një krizë, duke kulmuar me këtë deklaratë të Kastros. Lufta midis së majtës dhe të djathtës, ka vazhduar në shekuj të shekujve. Duket sikur kohët moderne, nuk kanë bërë gjë tjetër, veçse kanë ricikluar kohët antike. Në Greqinë e lashtë ishin demokratët dhe aristokratët. Në Romë kundërvënia shtresore, ideore, filloi me patricët dhe plebenjtë. Jo vetëm në vendet e themelimit të demokracisë, por edhe në vende si Palestina, në kohën e Jezusit, ekzistonte kjo ndarje klasash, që shprehej në farisei e saducei. Këto ndarje kanë përfunduar në shkëmbime dhe luftëra klasore nga njëra anë dhe në përplasje idesh në anën tjetër. Në kohët moderne, sapo kaluam një luftë të ftohtë, midis kampesh kundërshtare, që shpesh tentoi të kthehet edhe e nxehtë. A ekzistojnë ende përplasje të nxehta idesh rreth të majtës dhe të djathtës, për superioritetin e njërës apo tjetrës palë? Kjo deklaratë e Kastros a nxjerr tashmë një fitues dhe humbës? A rrezikon sot e majta dhe e djathta që të jenë mbajtëse bosh në mënyrë që gjithkush mund t’i veshë? A ekziston sot një ndarje e qartë midis njërës dhe tjetrës? Shumë figura të shquara dhe burra shteti, që kanë luajtur rol të rëndësishëm në historinë botërore, kanë qenë figura mjaft ambigë. Meqenëse përmendëm antikitetin, Jul Cezari çfarë ishte, i majtë apo i djathtë? Vërtet vinte nga e majta e tribunës së plebenjve, por ishte familje aristokratike dhe e gjithë karriera e tij politike, u luajt thellë-thellë mbi këtë ambiguitet. Në dukje luftonte për interesat e popullit, në realitet kultivonte ambicion për të instaluar institutin monarkik (dhe nuk besohet që kjo të jetë një ide e të majtëve, pasi paraqet negacionin e asaj çka kanë besuar vërtetë demokratët). Historia riciklohet dhe përsëri pas shekujsh, përballemi me figura që jo vetëm janë ambigë në krahë politikë dhe ideologjikë, por edhe në atë çka shfaqin dhe çfarë janë në realitet, çfarë thonë dhe çfarë bëjnë. Për një paralelizëm, kreu opozitar Rama është një i majtë, i cili para disa vitesh paraqitej në krahun e djathtë, me një program politik fashist. Përpara ndërkombëtarëve, deklaron se do të kthehet në parlament dhe nuk shkon në parlament, për 8 muaj. Sapo kthehet në parlament, deklarohet me aleatët për protesta të ricikluara në tetor. Kjo i sjell një ambiguitet politik, ideologjik, si në deklarime dhe në veprime taktike. Ky njeri i paqartë ndodhet në një forcë politike me ide dhe pozicione të paqarta. Ky njeri krijon ambiguitet në ambientin politik shqiptar. Kjo i jep shanse të zeruara kur bëhet fjalë për mbijetesë të gjatë, si figurë politike. Bëj përsëri një paralelizëm me Jul Cezarin, pasi çuditërisht po të lexosh për figurën e tij do të gjesh një ngjashmëri të habitshme me aktualitetin shqiptar. Cezari konsiderohet nga politologët një populist, një demagog, një oportunist, që përfitonte nga situata e përgjithshme për ta kthyer në avantazh të tij. Edhe Rama nuk po bën gjë tjetër veçse lëvizje populiste, protesta jashtë institucioneve demokratike. Ai është thjesht një demagog, pasi nuk ka bërë asgjë tjetër, veçse fjalë të bukura e tentativa pafund per të paralizuar parlamentin. Në ndryshim nga Jul Cezari, nuk përfiton nga situata, por e shkakton situatën, për ta shndërruar në avantazh të tij. Në fakt Rama, ende nuk e ka kuptuar që të gjitha lëvizjet populiste të konsideruara në avantazh të tij, i janë kthyer në dizavantazh duke i krijuar imazhin e një figure jo të besueshme politike, që po lufton për imazhin e tij politik. Kjo është tipike me atë çka po ndodh me të majtat në vendet e Evropës e gjetkë, si edhe me atë shqiptare, të cilat ndodhen në vakum dhe kriza ideologjie, ku figurat politike shprehin thjesht ambicione individuale dhe përmbushje interesash. Jul Cezari mbase në kohën e ekspansionit romak besonte vërtet në faktin që një perandori nuk udhëhiqet dot me institucione të paralizuara, me një senat të krijuar vetëm nga përfaqësues të familjeve patrice. Sot Rama në kohët moderne lë parlamentin shqiptar me një forcë politike. Jul Cezari besonte se i duhej Romës një sovran i fortë dhe stabël, për t’u dhënë fund grindjeve politike dhe luftërave të bandave. Me sa duket, shmangia e institucioneve dhe zëvendësimi i saj, me një figurë unike dhe të plotfuqishme, është pjesë e mentalitet të majtë dha i ka rrënjët që në antikitet, duke vazhduar më tej. Sot ndodhemi përpara të njëjtave fakte dhe të njëjtave metodika. Gjejmë me antikitetin një miks analogjie dhe diferencash, vazhdimësie dhe thyerjesh. Sot për analogji kemi në Shqipëri një figurë qendrore opozitare jashtë institucioneve por me një diferencë, që e ka të pamundur të shndërrohet në sovran si Cezari. Sot kuptojmë që veprimet e kreut të majtë, Rama, nuk janë veprime të veçuara, por mentalitete të rrënjosura thellë nëpër shekuj. Cezari atëherë konsiderohej njeriu i fatit për Romën. Sot konsiderohet “i lerosur”, “zgjyrë”, megjithëse sipas tij e bënte për të mirë të Romës dhe romakëve. Partia e Cezarit ishte e majtë dhe ai ishte në mënyrë të padiskutueshme lideri i saj. Bëri pafundësisht për plebenjtë romanë, që të ndihen mirë, duke ua marrë tokat armiqve për t’ua ndarë plebenjve, por a mund të konsiderohet e majtë (aq më tepër sot në epokën e globalizmit), një politikë që avantazhon të varfrit e shtëpisë tënde, në kurriz të të varfërve në një cep tjetër të botës? Këto analogjizma konsiderohen shumë të rëndësishme. Nuk mundet sot të tregojmë se çfarë është e majta dhe e djathta pa treguar dhe pa bërë një përmbledhje të historisë së ideve dhe të njerëzve që i kanë mbështetur dhe sqaruar, duke i dhënë një hapësirë të gjerë historisë dhe filozofisë politike. Në terma marksistë, politika dhe kultura janë superstruktura në funksion të ekonomisë. Automatikisht sipas saj, edhe ndarjet politike, të shtresave apo të ideve, gjejnë korrespondencë në klasat politike përkatëse. Por ai që nuk është marksist e kundërshton këtë vizion semplist të botës. Përveç luftës së klasave, historia e vërtetë është shumë më e komplikuar, pasi në lojë ndërhyjnë ambicione individuale dhe interesa që sjellin shkëmbime mjaft komplekse. Ishte pikërisht ideologjia e majtë që nxiti edhe më shumë këto ambicione individuale. Ideologjia e majtë, ndryshe nga e djathta, u ngrit si një piramidë ku në krye të saj u vendos figura e liderit. Një lider i përjetshëm, mundësisht deri në vdekje. Dështimi i kësaj ideologjie, i pohuar tashmë edhe nga Kastro, sigurisht ka reflektuar në të gjithë strukturën e tipit piramidë, duke prekur edhe majën e saj, pra liderin. Po sot, si është figura e një lideri të majtë? Italia e cila ka qenë një nga vendet me një të majtë vërtetë shumë të fuqishme, pas luftës së dytë botërore, sot ka reflektuar një paqëndrueshmëri si ideologji e majtë, si në lider, në emërtim, deri edhe në logot. Në Shqipëri këto ndryshime figurash, dhe hedhje idesh, janë konsideruar si një frymë demokracie që ekziston brenda partisë socialiste. Por ajo mundet të pasqyrojë edhe krejt të kundërtën. Mundet të jetë shprehje e krizës së asaj ideologjie, dhe vaktësisë së ideve të paraqitura në publik. Mund të ketë tentativa, që këto kriza identiteti ideologjik dhe politik, të paraqiten në publik si një rinovim apo inovacion. Ndryshimet e shpeshta jo gjithmonë vijnë si rrjedhojë e një demokracie të brendshme, por mundet të jenë thjesht një tentativë për të fshehur te publiku destabilitetin dhe krizën e saj. Ky manifestim “demokracie” mundet të shndërrohet në një spektakël të dështuar, pasi ndodhen përballë një publiku dyshues, skeptik, që provoi një ideologji me pasoja shkatërruese. Deklarata e fundit e Kastros e vërtetoi katërcipërisht këtë. Publiku kë do të kryqëzojë? Ideologjinë? Përhapësin e saj? Implementuesin e saj? Drejtuesin e saj? Kësaj i frikësohet me sa duket lideri aktual i opozitës, një kryqëzimi të mundshëm të tij. I frikësohet pikërisht një rinovimi drejtimi (drejtuesi), pasi rinovim ideologjie nuk po duket të ketë. Këtë kaos ndjen kreu i majtë. Kjo e bën figurën e Ramës shumë të brishtë përballë edhe elektoratit të tij, të cilët përsëri do të ndodhen në një dilemë se kë duhet të zgjedhin. Prandaj mbase ecën kuturu, si ideologjia e majtë që është shndërruar në balonë tauke, së cilës nuk i dihet drejtimi, as qëllimi duke u shndërruar në një politikë ekstremiste, me ecejake pafund në tempullin e ligjeve. Komunizmi rezultoi ekstremi i të majtës dhe mbase prandaj kemi edhe deklaratën e Kastros për një dështim të saj. Por megjithatë filozofi politik Guido Marenco mendon se kategoria ekstremizëm dhe moderacion nuk ka fare të bëjë me konceptet e djathtë e majtë. Ai pretendon se nuk është e thënë që për të fituar duhet të jesh i moderuar dhe ekstremizmi sjell detyrimisht humbje. Shembujt historikë jo vetëm që nuk e ekskludojnë por edhe e konfirmojnë këtë. Diktatorët (ekstremiteti i dhunës, frikës, terrorit) që kanë ardhur në pushtet me votë popullore janë të pafund. Dhe historia që nga antikiteti e në vazhdimësi, e ka treguar që këta diktatorë, të cilët kanë prodhuar diktaturë, kanë ardhur nga e majta, duke shfrytëzuar një ideal popullor, për ta shfrytëzuar më pas për interesa personale. Opsioni i zgjedhjes midis ekstremizmit dhe moderacionit është i tipit etik moral. Një popull i mençur, me kulturë dhe traditë demokratike zgjedh moderatorin. Një popull i mençur dhe i moderuar preferon të limitojë dëmet, numrin e të vdekurve dhe të plagosurve edhe në kampin kundërshtar. Një popull vërtet i mençur nuk dëshiron kacafytje, përleshje. Ai preferon një konfrontim miqësor, megjithëse kjo mund të prodhojë hipokrizi, mashtrim apo iluzion. Popujt e mençur dhe të moderuar megjithëse mund të kenë rënë pre e diktatorëve në një periudhë të caktuar të historisë, dinë të bëjnë zgjedhjen e duhur (moderatorin) në momentin e duhur për të prodhuar demokraci. Rama gjithmonë e ka treguar që është ekstremist. Ai sot shpërfill parlamentin, sovran i plurimendimit, ku do apo nuk do, me ligj apo me karton, moderohen edhe idetë më ekstremiste. Kjo nuk do të thotë që ai në momente të caktuara të mos ketë edhe pasuesit e tij, por a do të jetë ai, me këtë ekstremitet veprimi dhe mendimi, zgjedhja etiko-morale e shqiptarëve?

Posted via email from Shkupi Press extra