Ish-ë të "këqinj"


 

JOSHUA E. KEATING

 

GERHARD SCHRÖDER

Ish-Kancelar i Gjermanisë, 1998-2005

Imazhi i ri: Shrëder ka qenë gjithmonë prorus si kancelar, duke hedhur poshtë kritikat për shkeljen e të drejtave të njeriut nga Moska dhe madje e ka përshkruar Presidentin e atëhershëm Putin si një "demokrat pa të meta". Por publiku gjerman u trondit gjithsesi edhe nga cinizmi i aktit të tij të fundit. Më pak se një muaj para se të largohej, Shrëder ndihmoi për dhënien e një huaje 1.4 miliuardë dollarë për Gazprom, kompania shtetërore ruse e naftës që më parë drejtohej nga Presidenti Medvedev. Më pas, sapo u largua nga detyra, Shrëder pranoi detyrën e kryetarit të bordit të projektit të naftësjellësit Nord Stream, që do të rrisë varësinë e Gjermanisë nga gazi natyror rus dhe që u miratua gjatë kohës që ai ishte në detyrë.

Veprimet e Shrëder ishin një skandal i madh politik në Gjermani, me publikun që përpiqej të kuptonte përse Shrëder kishte qenë aq i prirur të miratonte marrëveshjen që në fillim. Shrëder i tha një gazete gjermane: "Nuk shoh të kem bërë ndonjë gjë të gabuar". Kohët e fundit, Shrëder iu bashkua bordit të filialit rus të Bp, TNK-BP, pronarët britanikë të të cilës e kanë akuzuar qeverinë ruse se është përpjekur t'i kërcënojë që të largohen nga vendi. Shrëder vazhdon edhe sot të mbrojë kredencialet demokratike të Putinit dhe të kritikojë njohjen e pavarësisë së Kosovës.

 

JOSÉ MARÍA AZNAR

Ish-Kryeministër i Spanjës, 1996-2004

Imazhi i ri: Votuesit spanjollë e larguan Aznarin pasi qeveria e tij u përpoq të fajësojë ETA-n për vënien e bombave në Madrid në vitin 2004, në një kohë kur realisht sulmet u kryen nga ekstremistë islamikë që shpresonin të ndëshkonin Spanjën për mbështetjen që i kishte dhënë luftës në Irak. Që atëherë, Aznari, që drejton një think tank dhe ka një vend në bordin e News Corp. të Robert Murdoch, është dalluar kryesisht për shkak të ekstremizmit të retorikës së tij. Aznar është bashkuar me Presidentin çek, Vaclav Klaus tek e ka quajtur ngrohjen globale "një fe të re" dhe i ka quajtur ambientalistët "flamurtarët e një apokalipsi të ngrohjes globale... që kërkojnë të kufizojnë liritë e individit në emër të një kauze të duhur... tamam siç bënë komunistët dikur".

Aznar ka kërkuar gjithashtu që myslimanët të kërkojnë falje për pushtimin e Spanjës në Mesjetë, i ka quajtur një budallallëk përpjekjet për dialog ndërfetar dhe e ka quajtur zgjedhjen e një presidenti afro-amerikan në SHBA si "një ekzotizëm historik dhe një fatkeqësi ekonomike të parashikuar". Aznar sulmoi edhe fushatën e qeverisë spanjolle kundër lëvizjes me makinë në gjendje të dehur, duke thënë: "Më lejoni të vendos unë vetë për veten time, kjo është liria. Kush iu ka kërkuar të vini e të ngisni makinën për mua? Më lini ta pi i qetë verën time; nuk po vë askënd në rrezik".

 

OLESEGUN OBASANJO

Ish-President i Nigerisë, 1999-2007

Imazhi i ri: Dikur i brohoritur sepse udhëhoqi tranzicionin e vendit të tij nga një diktaturë ushtarake në një demokraci kaotike e të dhunshme, Obasanjo ka parë gërryerjen e reputacionit të tij për shkak të një sërë hetimesh për korrupsion. Është gjithashtu fakt që ai kurrë nuk është larguar me dëshirë. Ai u përpoq të amendojë kushtetutën për të lejuar një mandat të tretë për vetveten dhe kur kjo dështoi, ai vendosi Umari Yar'Adua si pasardhës të tij përpara zgjedhjeve që besohet se janë manipuluar. Shumëkush mendoi se Yar'Adua u zgjodh sepse ishte i dobët dhe sepse mund të manipulohej lehtësisht nga besnikët e Obasanjos në kabinet.

Përveçse është goditur nga akzuat e reja për korrupsion të kryer gjatë kohës që ishte në detyrë, duke përfshirë qindra milionë dollarë ryshfet nga kontraktori amerikan Halliburton, Obasanjo u përfshi në një skandal personal kur i biri e akuzoi në gjykatë se kishte fjetur me nusen e tij. Kohët e fudnit, mijëra banorë në një qytet në jugperëndim të Nigerisë kanë protestuar ndaj planeve për të shkatërruar shtëpitë e tyre, pasi Obasanjo bleu tokën e tyre. Bija e tij Iyabo, një senatore nigeriane u akuzua dhe pranoi se kish tërhequr mijëra dollarë nga buxheti i shëndetësisë në vend për të paguar për një qëndrim në Ghanë.

Obasanjo ka vijuar të ruajë një profil të lartë ndërkombëtar, duke shërbyer si i dërguar i OKB për bisedimet e paqes në Republikën Demokratike të Kongos, por pikëpamjet e tij tradicionaliste shpesh herë i kanë hapur punë organizatës.

 

JOSEPH ESTRADA

Ish-President i Filipineve, 1998-2001

Imazhi i ri: Një yll i filmave aksion i bërë president, Joseph Estrada u dëbua nga detyra pas më pak se gjysmë mandati mes akuzave për korrupsion. Estrada ka pranuar gjithashtu se ka shumë fëmijë jashtë martese dhe thuhet se shumë vendime të rëndësishëm politikash i ka marrë me një "kabinet mesnate" me shumë miq të vjetër, në gjendje të dehur. Ai u dënua për "grabitje" në 1997 dhe u dënua me burgim të përjetshëm, por u fal nga pasardhësi i tij, Presidenti Arroyo, vetëm pak javë më vonë, pas një marrëveshjeje për të mos hyrë më në politikë. Por Estrada e shkeli premtimin dhe hyri në zgjedhjet presidenciale të 2010 dhe e bëri këtë, sipas asaj që i tha "New York Times", "për të pastruar emrin tim dhe për t'u vërtetuar atyre që më larguan se gaboheshin". Por në vend të kësaj, hyri në një telash të ri, me muaj të tërë problemesh gjyqësorë dhe vendimesh nëse duhej të kandidonte apo jo. Estrada fitoi çështjen në gjykatë, por humbi zgjedhjet përballë Aquino, djali i ish-Presidentit Corazon Aquino.

Tani, Estrada po përgatitet të mbrohet nga një padi në SHBA e bërë nga bijat e një publicisti filipinas, që thonë se ish-presidenti ka gisht në vrasjen e babait të tyre në 2001. Estrada është tallur me këtë çështje, duke thënë: "Është marrëzi. Çfarë do të marrin nga unë? Ku do t'i gjej paratë?". Estrada mbetet shumë popullor mes filipinasve të varfër dhe vazhdon të ketë ndikim në politikën e vendit përmes kontrollit të partisë së tij.

 

THAKSIN SHINAWATRA

Ish-Kryeministër i Tailandës, 2001-2006

Imazhi i ri: Që kur u largua pas një grushti shteti në 2006 pas akuzave për ryshfetmarrje dhe abuzime me të drejtat e njeriut, Thaksin ka patur një ekzistencë shëtitëse. Ish-biznesmeni miliarder ka shërbyer si ambasador special për nikaraguan dhe këshilltar ekonomik në Kamboxhia, dhe për pak kohë ishte pronar i ekipit të futbollit Manchester United. Thuhet se ka jetuar me një emër të rremë në Gjermani për më shumë se një vit dhe ka përdorur pasaporta të paligjshme nga një numër shtetesh të tjerë. Tashmë ka një shtëpi në Dubai.

Këtë vit, mbështetësit e tij të njohur si "këmishëkuqtë" pushtuan qendrën e Bangkkokut dhe hynë në ndërtesat qeveritare në të gjithë vendin në një përpjekje për të detyruar qeverinë të largohet. 90 vetë u vranë në përplasjet mes protestuesve shpesh herë të armatosur dhe policisë, përpara se të dy palët të binin dakord për një armëpushim. Gjykatat tailandeze e akuzuan në mungesë Thaksin për rolin e tij në nxitjen e protestave. Ndonëse ishte mbështetës i këmishëkuqve, ai mohon që të ketë financuar përpjekjet e tyre. Ai gjithashtu është dënuar me akuza për korrupsion që kur u largua në mërgim, ndonëse këmbëngul se ato akuza janë të motivuara politikisht. Që nga humbja e këmishëkuqve, Thaksin është shkëputur nga shfaqjet në media dhe veprimtaritë politike. Në gusht, ai hoqi dorë nga pozicioni në qeverinë e Kamboxhias, duke ndihmuar në qetësimin e marrëdhënieve mes dy vendeve.

Posted via email from Shkupi Press extra